VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

INTERVISTË E RRALLË ME SHENIDE BILALLIN – GAZETAREN HEROINË: QËNDRIMI I MINATORËVE TË STAN TËRGUT ISHTE GUROR, SHUMË I VENDOSUR, KUNDËR MILOSHEVIÇIT
Intervistoi: ELIDA BUÇPAPAJ

E Martë, 02.05.2013, 09:22am (GMT1)



Shpejt m'u thyen ëndrrat e gruas së re, me ngjarje të përditshme: demonstrata, dënime, burgosje, procese të montuara, arkivole të blinduara me djem të rinj që vinin nga ushtria jugosllave...

ELIDA BUÇPAPAJ: E dashur Shenide, tash në shkurt, u mbushën 24 vjet nga greva e minatorëve të Stan Tërgut, si i kujton ato ditë dhe ku ishit?
SHENIDE BILALLI: Pyetja e minatorëve dhe Kosovës është më komplekse se ç'duket. Kemi një histori të gjatë të vuajtjeve të popullit shqiptar nga pushtimi serb që sundonte në Kosovë nga viti 1912. Por këto vuajtje u kulmuan në vitet 1950 me shpërngulje të mëdha të shqiptarëve deri në vitet 1980 ku mbërrin caku tjetër dhe ndryshon fati i shqiptarëve mbas vdekjes së Titos.
Minatorët janë thjesht një zë i kundërshtimeve të popullit shqiptar ndaj dhunës në Kosovë. Muaji nëntor dhe shkurt tek unë zgjojnë kujtime të thella për Kosove e viteve 1983-90.

Posaçërisht më mbeten në kujtim sorra të zeza mbi qiellin e Prishtinës. Në atë kohë isha grua e re, nënë e djalit të tretë, forca e re e Kosovës. Kam punuar në rubrikën Dokumentar si regjisore dhe skenariste në emisionin për gra "Ato " me tendencë të ndihmojmë emancipimin gruas shqiptare.

Në atë kohë bota ime ishin lulet, rregullimi i banesës, moda dhe edukata e fëmijëve.

Po shpejt m'u thyen ëndrrat e gruas së re, me ngjarje të përditshme: demonstrata, dënime, burgosje, procese të montuara, arkivole të blinduara me djem të rinj që vinin nga ushtria jugosllave, fëmijët që mbyteshin nga frika, në çdo hap veç vuajtje dhe varfëri e pafund.

Jetonim me orë policore. Në heshtje zhdukeshin njerëz, sidomos studentët dhe intelektualët. Ajri ishte tepër i dendur, nuk mujshim frymë me marrë nga presioni dhe tortura psikike e fizike, që e ushtronin përditë mbi popullin shqiptar... Si sot më kujtohet kur gazetarët tanë në programin e TV Prishtinës fillonin çdo emision Ditar ose Lajme me 'irredentista', 'separatista shqiptarë', 'represion', 'iredencë'... 'separatizëm'... Na shpëlanin trurin. Por kur dilja nga ndërtesa e TV, sorrat e zeza mbulonin qiellin e Prishtinës. U sillshin në një rreth pa fund. Si me pasë parandjenja, ose si me paralajmërue që do të ndodhë më e keqja mbi popullatën e Kosovës.

Në Has e mora edhe përgjigjen pse të gjithë meshkujt e fshatit ishin furrtarë

ELIDA BUÇPAPAJ: Në atë kohë keni xhiruar edhe filma dokumentarë me tema sociale?
SHENIDE BILALLI: Interesante është se më 1983 kam diplomuar me një dokumentar me tematiken sociale për nënën vetushqyese. Gjithmonë më ka interesuar bota e femrës, por jeta gjatë studimeve në Zagreb ka pasë ndikim të madh te unë, për shkak të imazhit që na shoqëronte në botë.

Më mundonte fakti se të gjithë shqiptarët përfytyrohen si furrtarë ose si punëtor fizikë. Unë rjedh nga një familje e vjetër intelektuale qytetare prishtinase. Kur jam kthyer nga studimet më 1983 kam filluar të punoj në montazhin e filmit, por prirja ime ndaj skenarit dhe ngjarjeve të përditshme si dhe puna ime e suksesshme, më ndikuan që unë të emërohem në ekipin e programit Dokumentar 1984. Fillova të punoj si regjisore dhe skenariste dhe jam marrë me hulumtimin se ku jetojnë furrtarët dhe me çfarë jetese kanë gratë e tyre. Xhirova filmin " Hasi i Thatë" simbas skenarit të Agim Mehmetit, me asociacion nga kënga e Sinan Vlaslijut "Niset trimi ne gurbet". Kur kam mbërri në fshatin e Hasit afër Shqipërisë, gjeta plot gra pa burra, ishin vetëm me fëmijë. Jetonin në kushte të papërfytyrueshme, pa ujë, pa rrugë, pa mjek. Edhe ata meshkuj që kishin mbetur në fshat ishin të gjithë furrtarë. Gratë, edhe pse ishin të veshura vetëm me veshje kombëtare të Hasit, dukej se ishin shumë të bukura. Po e mora edhe përgjigjen pse të gjithë meshkujt e fshatit ishin furrtarë. Tregimet e grave dhe e të rinjve nga Hasi më qartësuan se shqiptarët e atyre anëve nuk kanë pasë mundësi të shkollohen, se ishte politika sistemit jugosllav ashtu. Me mijëra njerëz përditë janë larguar nga Kosova, kjo ishte e vetmja mundësi për ta ushqyer familjen, por ishte edhe shkatërrim i familjes. E kam shkruar shpejt e shpejt skenarin e filmit për gratë e Hasit, të cilat gjithë jetën e kalonin në vetmi. Por për fat të keq filmi ka mbetë në arkivin e Kosova filmit dhe kolegë të dashur e kanë coptuar skenarin e famshëm pjesë-pjesë dhe me to kanë krijuar spote. Sot filmi do të kish pasë një vlerë shumë të madhe, sepse ky fshat është shfarosur. Pas atij filmi kam xhiruar tema të tjera të ndryshme sociale dhe në fund e bëra filmin për Grevën e minatorëve të Trepçes.

Nga 1980-1989 Kosova vlonte, ishte flakë e gjallë sepse jeta e shqiptarit nuk kishte kurrëfarë vlere

ELIDA BUÇPAPAJ: Çka ka ndikuar tek ju të përfshiheni në dramën e grevistëve të Stan Tërgut 900 metra nën tokë?
SHENIDE BILALLI:
Në ato vite, nga 1980 e sidomos nga 1989, Kosova vlonte, ishte flakë e gjallë. Jeta e shqiptarit s'kishte kurrfarë vlere. Më dhimbseshin nënat që i humbnin djemtë para syve, në demonstrata, në rrugë, në prag të shpisë, të varfër, as kafshatën e bukës nuk kanë pasë mundësi t'ua jepnin. Fëmijët dhe rinia e Kosovës vdisnin nga uria. Përditë forcat policore të Serbisë ushtronin forcën mbi popullin shqiptar. Populli duronte provokime të jashtëzakonshme. Gazetarët dhe krijuesit nuk kanë pasë shumë mundësi të bëjnë diçka! Por në shpirt unë jam dokumentariste. Dhe argumentet e fuqishme më shtyjnë dhe më motivojnë të reagoj. Kjo ndodhi përkisht në shkurt. Ndjenjat e mia ishin akumuluar për shkak të padrejtësisë së pafund. Dhe, në ato rrethana, kam përfunduar 900 metra nën tokë, ku jam bërë pjesë e ngjarjes epokale, në grevën e minatorëve të Stan Tërgut.

Minatorët - një forcë të pasfidueshme, ata ishin një grusht njerëzish kundër njësive speciale të policisë e cila i bllokoi rrugët krejtësisht

ELIDA BUÇPAPAJ: Greva e minatorëve ishte mishërim i zemërimit të njerëzve të Kosovës ndaj padrejtësive të pushtimit serb.
SHENIDE BILALLI:
Muaji shkurt bënte ftohtë... Ishte natë e vonë, mbas orës 2:00. E kisha djalin e tretë në gji. Banonim në qendër të Prishtinës në një apartament në katin e 8. Djali ishte pa qejf, por heshtjen e mesnatës me mjegull e thyen zërat e minatorëve. Ecnin përgjatë rrugës, me kapelat dhe me uniformat e punës, në duar mbanin portretet e Titos. Dëgjoheshin jehonat e zërave të tyre: Tito... Jugosllavi... Kurrë nuk e harroj atë skenë. Ishin aq pak, një grusht i vogël, kundër njësive speciale të policisë, e cila i bllokoi rrugët krejtësisht. Policët ishin në çdo ndërtesë, në çdo çati, në çdo rrugë. Atë natë minatorët kanë zgjuar tek unë një forcë të pasfidueshme. Kam filluar me qajtë me një zë shumë të çuditshëm... Me të dyja duart e mbyllja gojën që të mos ndihet piskama ime. I thashë tim shoqi: "Duhet bërë diçka. E çfarë intelektualësh jemi nëse nuk reagojmë dhe nuk iu bashkangjitemi minatorëve. Nëse minatorët marrin parasysh me e rrezikue atë rrogë të vogël, me të cilën i ushqejnë fëmijët, edhe ne duhet me e kundërshtue këtë terror." Im shoq më tha: "Shiko punën tënde". Aty ndjenjat e mia janë thyer. Në mëngjes kam marrë kamerën dhe me lejen e Smajl Smakës, kryeredaktorit të programit të informimit, kam shkuar në Stan Tërg.

Qëndrimi i minatorëve ishte guror, shumë i vendosur, së pari, kundër regjmit të Milosheviçit që ishte instaluar të shkatërronte autonominë e Kosovës

ELIDA BUÇPAPAJ:Minatorët e Stan Tërgut ishin luftëtarët e parë të lirisë në Kosove më 1989. Cilat ishin kërkesat që bënë grevistët e Stan Tërgut?
SHENIDE BILALLI:
Ajo skenë e minatorëve ishte historike dhe madhështore, 900 metra nën tokë, në horizontin 11... ku mbizotëronte vetëm terri dhe zëri i minatorëve, i cili kërkonte të drejtat e njeriut në emër të 1300 grevistëve dhe në emër të popullit të Kosovës.

Grevistët kërkonin të plotësohen kushtet politike: të kthehet kushtetuta e Autonomisë së Kosovës e vitit 1974. Kërkonin dorëheqjen e parevokueshme të politikanëve Ali Shukria, Rahman Morina e tjerë dhe të ndalet agresioni ndaj popullit. Skena 900 metra nën tokë nuk harrohet. Shiheshin vetëm hije të kapelave të bardha të minatorëve, të cilët qëndronin të ulur nëpër korridore të ngushta, të pandriçuara, veç me drita të vogla të kapelave.

Janë skena dhe ndjenja që nuk harrohen. Mbizotnonte heshtja, heshtja dhe vetem heshtja. 1300 minatorë duke pritur çdo moment se çka do të bëhet. Minutat bëheshin orë e orët bëheshin vite. Fytyrat e tyre tregonin mërzinë për familjet. Lotët iu rridhnin nëpër fytyrat e tyre pa i pyet, ata asnjë zë nuk e leshonin... Dhimbjen dhe mërzinë për më të afërmit, sidomos fëmijët, e mshefshin në emër të grevës. Ua parashtronin kushtet gazetarëve dhe politikanëve që vinin në vizitë.

Qëndrimi i minatorëve ishte guror, shumë i vendosur, së pari, kundër regjmit të Milosheviçit që ishte instaluar të shkatërronte autonominë e Kosovës . Konstant parshtronin 9 kushte cilat përsëriteshin: "Nuk dalim nga zgafella deri sa agresioni i Milosheviçit nuk ndalet ndaj popullit shqiptar, dhe të ndalohet çdo orvatje e mëtejshme për shuarjen e Autonomisë së Kosovës. Nëse nuk e ndalni këtë zjarr, ai do të përhapet në tërë Jugosllavinë. Këto ishin fjalët e grevistëve. Isha e habitur çfarë disipline dhe rregulli ka pasur në mesin e tyre, pa kurrfarë skenari, gjithçka funksiononte për mrekulli.

Me minatorët isha tri ditë dhe tri net. Por ata kuptuan që janë të rrethuar nga njësitë speciale të Jugosllavisë, poashtu edhe nga armata e Jugosllavisë, e cila ishte përgatitur për intevenime më të rënda. Stan Tërgu ishte bombë e cila pritke çdo moment të shpërthente. Minatorët, qëllimisht, më larguan nga zgafella me këto porosi: "Të lutem shko dhe shiko sa kemi perkrahje nga studentët dhe populli."

Dola me mendimin se do të kthehem shpejt. Por isha e habitur pse të gjithë minatorët, para se të largohem, më afroheshin e përshëndeteshin me mua. Disa më përqafonin me fjalë dhe lotë: Rruga e mbarë të qoftë, motra jonë, ishalla Zoti të ruan! Dhe shpejt largoheshin. Atëherë nuk kuptoja se po përshëndeten me mua dhe unë nuk do t'i shihja më. Minatorët më shpëtuan, duke sakrifikuar jetën e vetë. Këtë e kuptova kur dola zgafella. Çdo hap ishte plot e përplot me polici.

Shfrytëzoj rastin të lëvdoj Skënder Buçpapaj për komentin "Populli e di kë ka cub kë hero", që risjell në kujtesë vargjet e poezisë të pavdekëshme të poetit Qerim Ujkani... "Populli i di të gjitha"...

ELIDA BUÇPAPAJ: Minatorët e Stan Tërgut fituan solidaritetin e gjithë Kosovës, a mund të na sjellësh detaje, si regjisore që e përcolle këtë grevë drejtpërdrejtë!
SHENIDE BILALLI:
Kosovën e kam lënë në ato skena dhe me ato vdes. Më kujtohet solidarizmi një për të gjithë dhe të gjithë për një, ende e përjetoj ashtu Kosovën. Skenat në zgafellë kanë qenë shumë të rënda. Më kujtohet vetëm hyrja në zgafellë dhe e shfrytëzoj rastin të lëvdoj Skënder Buçpapaj për komentin "Populli e di kë ka cub kë hero", që risjell në kujtesë vargjet e poezisë të pavdekëshme të poetit Qerim Ujkani... "Populli i di të gjitha"...

Atë e kam përjetuar dhe vërtetuar disa herë, prandaj i besoj popullit. Kam hi në zgafellë dhe, pa ndihmën e minatorëve të cilët më njihin në bazë të punës së mëparshme, asgjë nuk kisha mundë të bëja. Populli shumë mirë e di kush punon me shpirt e kush shet patriotizëm. Por desha të cek hyrjen në oborr të Stan Tergut. Pakëz është komike. Po vërtet është. Së pari, duke iu falënderuar dukjes time shumë moderne, kam hyrë në oborr të zgafellës. Në atë kohë nuk ka pasë shumë femra shqiptare bjonde. Të gjithë mendonin se jam gazetare e huaj. Policia serbe ka menduar se jam gazetare e huaj, ndoshta ka menduar se jam gazetare serbe. Nuk kanë kërkuar letërnjoftim, çka ka qenë e detyrueshme, me siguri për shkak të qëndrimit tim shumë të vetësigurt. Me vetëdije e pa vetëdije e kam bër këtë, për shkak të vendimit që kisha marrë. Isha me një xhaketë prej lëkurë antilope dhe ecja si mankene, a thua se nuk më intereson asgjë tjetër... vetem moda dhe bukuria. E në të vërtetë isha e frikësuar, e vetmja femër në 1000 e sa meshkuj....

U krijua LDK më në krye Ibrahim Rugovën - ka qenë një lëvizje e hatashme madhështore që kurrë nuk përsëritet, ku intelektualët më të mëdhenj të Kosovës kanë qenë unikë të vendosur si kurrë më parë, së bashku me popullin Kosovar

Nuk kemi të drejtë dhe as guxim të harrojmë meritat dhe emrin e dr Ibrahim Rugovës dhe intelektualëve të LDK, si dhe të gjithë atyre që u përkushtuan dhe u flijuan për lirinë. Ata janë themeli i pavarësisë dhe demokratizimit të Kosovës

ELIDA BUÇPAPAJ:Greva e minatorëve të Stan Tërgut tregoi pjekurinë e popullit të Kosovës, që do t'i paraprinte pluralizmit politik që do të shpallej në Kosovë në fund të atij viti me krijimin e LDK-së, si mendoni ju?
SHENIDE BILALLI:
Atëherë u formua LDK më në krye Ibrahim Rugovën - ka qenë një lëvizje e hatashme madhështore që kurrë nuk përsëritet. Intelektualët më të mëdhenj të Kosovës kanë qenë unikë të vendosur si kurrë më parë, së bashku me popullin Kosovar, i cili ishte guximtar. Në kushte krejtësisht të pabarabarta e kundërshtonin me politikë paqësore makinerinë e egër pushtuese. Ajo është diçka aq e madhe! Ishim të rrethuar nga njësitë speciale serbe, pastaj jugosllave, të armatosura deri në dhëmbë, kudo, në çdo hap, në tokë, në ajër. Por populli vazhdonte të jetonte jetën e përditshme me idealin... e pavarësisë. Ajo lëvizje kurrë nuk përsëritet kurrkund në botë. Ibrahim Rugova dhe LDK me popullin shqiptar i treguan botës se Kosovarët nuk janë agresorë, por popull që don paqe...

Ajo lëvizje demokratike kërkonte sakrificë të madhe nga populli shqiptar. Më në fund u shpërblye, por çmimi i lirisë ishte shumë i shtrenjtë. Një milion shqiptarë nga Kosova u shpërngulen, me mijëra të vrarë dhe shumë të zhdukur. Shumë fëmijë të Kosovës sot janë jetima... Por luftën dhe imazhin për shqiptarë në botë fituam. Meritat e LDK dhe të Ibrahim Rugovës, këtij mendimtari të rrallë në botë, janë të mëdha. Prandaj nuk kemi të drejtë dhe as guxim të harrojmë meritat dhe emrin e dr Ibrahim Rugovës dhe intelektualëve të LDK, si dhe të gjithë atyre që u përkushtuan dhe u flijuan për lirinë. Ata janë themeli i pavarësisë dhe demokratizimit të Kosovës.

(Nesër do të lexoni: SHENIDE BILALLI: "Jam befasuar si ndodhi të harrohen minatorët. Gjeja arsyetim se ishte kohë lufte, por mbas luftës askush nuk u kujtua për minatorët. Nuk jam pajtuar me këtë realitet. Dhe në vitin 2000, me ekipin e TV Kroacisë, xhirova reportazhin për minatorët - "Ku janë heronjtë e Kosovës".)


Intervistoi: ELIDA BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.