VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TOMORR DOSTI - MË '44 HASAN DOSTI U DETYRUA TË BRAKTISTE SHTATË FËMIJËT E TIJ TË MITUR
Nga FATOS VELIU

E Mërkurë, 02.06.2013, 07:26am (GMT1)



Zoti Tomorr. Hasan Dosti iku në emigrim menjëherë me ardhjen e komunizmit.
Juve ju la në Shqipëri. Sa fëmijë ishit dhe me kë ju la?
Ai do të ikte me patjetër, për faktin se komunizmi i kërkonte jetën, siç ua mori në mënyrë makabre tërë patriotëve nacionalistë. Pastaj ai u largua me mendimin për pak kohë, për t'u riorganizuar në lidhje me goditjen që duhej t'i jepnin sistemit të kuq, që po instalohej mbi kurriz të popullit të tij të shumëvuajtur.

Çfarë moshe ishin fëmijët që la këtu?
Me vete mori vetëm Luanin, që nuk ishte më shumë se 17 vjeç. Ky ishte një shans dhe fat i madh për të, se ishte baza dhe mbështetja ku Hasani jetoi deri në fund të jetës, pra deri në moshën 96-vjeçare, kur do të mbyllte sytë në vitin 1991. Pra, dua të them se ai pati një familje, se Luani u martua me shqiptaro-amerikanen, e cila ju rrëfeu për jetën e tij në shtëpinë e saj. Me Rozin bëri tre fëmijë të mrekullueshëm. Ndërsa këtu Hasani na la vetëm shtatë fëmijë që ngelëm në mes të rrugës, pasi ato ditë na kishte vdekur edhe nëna dhe Hasani nuk e dinte fare.

Si ju vdiq nëna dhe s'e dinte Hasani?
Ishte lufta e Tiranës. Plumbat gjermanë përshkruan edhe trupin e nënës sime Fetijes, e cila ishte vetëm 39 vjeçe. Po ashtu në atë moment u vra dhe xhaxhai ynë, pra vëllai i Hasanit, Kutbiu që ishte po ashtu te 39 apo 40 vjeç. Nga ata plumba nuk do të shpëtonte edhe motra jonë e vogël, Veronika, e cila ishte vetëm 6 vjeçe, fati e deshi që të shpëtonte nga kthetrat e vdekjes.

Dhe Hasani nuk dinte gjë?
Jo, nuk mësoi gjë se ishte rrëmujë dhe kataklizëm i madh. Nëna u vra në 16 nëntor pra të '44-ës, ndërsa Hasani me Luanin iku vetëm një javë më mbrapa nga Shkodra. Pra, iku aty nga fundi i nëntorit 1944.

Dhe nuk e dinte që fëmijët i kishte lënë pa të ëmën?
Jo, nuk e dinte. Të shoqen e dinte të gjallë dhe mendonte se fëmijët ishin në përkujdesjen e saj sa të rikthehej ai, pasi mendonte një rikthim të shpejtë.

Kur e mësoi vdekjen e të shoqes?
Shumë vonë, madje dy vjet më vonë dhe e ka mësuar fare rastësisht.

Si e ka mësuar?
Ka qenë viti 1946, kur një mik i tij e takoi dhe aty për aty i dha dorën për ta ngushëlluar. Madje e mbaj mend dhe emrin e mikut, i cili quhej Agja Libohova. Personalitet dhe intelektual i shquar i asaj kohe. Vetëm kur Agjau i zgjati dorën për ta ngushëlluar, Hasani mësoi se i kishte vdekur e shoqja, Fetija dhe fëmijët kishin ngelur në mëshirë të të afërmve të tij. Situatë shumë e rëndë kjo për të në atë moment.

Më thoni se kush ishin fëmijët e Hasanit, apo vëllezërit dhe motrat e tua, që ngelët rrugëve në atë nëntor të '44-ës?
1 - Viktori 19-vjeçar, Leka 13 vjeç, Tefta 22 vjeçe, Ernesti 8 vjeç, Shanishaja që ishte 23 vjeçe dhe unë që isha veç 14 vjeç. Pra, siç e shikon, mua im atë më ka lënë në moshën 14-vjeçare, ndërsa pjesëtarja më e madhe e familjes ishte motra 23- vjeçare, Shanishaja.

Çfarë jete bëtë ju me ardhjen e komunizmit?
Nga më të vështirat që mund të imagjinohet. Ne patëm një fatkeqësi shumë të madhe, sepse gjatë luftës së Tiranës na u vra nëna, xhaxhi dhe na u plagos motra e vogël nga gjermani. Ne u ndamë, dikush tek halla, tek tezja, tek daja dhe secili kishte vështirësitë e tij në jetë. Mua më takoi të isha tek halla në Vlorë, ndërsa motrës së vogël iu desh të shkonte në Gjirokastër, një pjesë tjetër ndenji në Tiranë dhe në Durrës, duke shkuar nga një shtëpi në tjetrën dhe filloi persekutimi që në vitin 1945, kur arrestuan vëllain e madh, Viktorin. Pra prej asaj kohe, pasi bëri 5 vjet burg, Viktori internohet direkt në Porto Palermo dhe fiton lirinë në vitin 1991. Pra, pas burgut ai është internuar.

Si e internuan menjëherë?
4-5 muaj pasi fitoi lirinë, e morën në mes të rrugës me makinat karakteristike që kishte Dega e Brendshme atëherë tip "Xhipa sovjetikë". Pra, e morën në rrugë me "Xhip" dhe e kanë çuar tek Dega e Brendshme, e ndodhur te 'Selvia', ku e kanë mbajtur tri ditë. Pas kësaj e nisën direkt në Porto Palermo.

Po ju të tjerët ishit në internim?
Unë dhe Leka në vitin 1950 mobilizohemi ushtarë në repartin e punës, ku qëndruam 20 muaj, por nuk ishte thënë. Dhe për ne ishin farkëtuar prangat. Ka qenë pikërisht 20 korrik i vitit 1953 kur na arrestojnë të dyve me akuzën "Agjitacion e propagandë dhe tentativë arratisje". Leka bën 13 vjet e gjysmë burg dhe menjëherë kthehet. Pas kësaj, sigurisht nuk mund të flitej për lirinë e tij, por do të përfundonte në kampin e internimit në Savër.

Po ju?
Unë lirohem pasi bëra plot 14 vjet burg, pikërisht më 9 korrik 1967.

Dhe ju në internim pas kësaj?
Patjetër, s'kish si ndodhte ndryshe. Menjëherë pas burgut, edhe mua më çojnë në Savër. Pastaj, nga Savra na çuan në Gradisht (sërish e Lushnjës) si kamp më i rëndë.

Deri kur keni ndenjur në Gradisht?
Kemi ndenjur deri në vitin 1991.

Keni pasur ndonjë farë korrespodence me babin tuaj, që jetonte në Perëndim?
Nuk kemi pasur.

Nuk dinit asgjë për të? Të paktën a e dinit nëse jetonte apo jo?
Jo, vetëm kishim dëgjuar. Ne ishim gjithnjë në dyshim a ishte gjallë apo jo, sepse ishin të prera kontaktet.

Pra, s'kishit asnjë lajm?
Tek-tuk merrnin ndonjë lajm fshehurazi nga ndonjë i afërm, që mundte të dëgjonte ndonjëherë "Zërin e Amerikës". Vetëm kur ia dëgjonim ndonjëherë emrin, mësonim që të paktën ishte gjallë.

Kush eshte Hasan Dosti

Hasan Dosti ka lindur më 7 tetor 1895 në fshatin
Kardhiq të Gjirokastrës.
- U diplomua në Sorbonë të Francës për drejtësi dhe shkenca politike. U bë jurist i njohur.
- Në vitet 1932 dënohet me 15 vjet burgim, për pjesëmarrje në një organizatë të fshehtë antizogiste të quajtur "Lëvizja e Vlorës", ku lirohet për falje nga mbreti me dekret të posaçëm.
- Emri i Hasan Dostit na shfaqet ndërkohë edhe në vitin 1938 si kryetar i Gjykatës së Diktimit (1938).
- Ai është bashkëthemelues i organizatës nacionaliste të "Ballit Kombëtar" dhe një nga drejtuesit kryesorë të saj.
- Në vitin 1942 Hasan Dosti emërohet ministër Drejtësie në kabinetin e Mustafa Krujës, por dha dorëheqjen vetëm katër muaj më pas, për shkak se siç bëhet e ditur, ai s'ka qenë dakord me pushkatimet dhe reprezaljet që bënte në popull qeveria ku ai bënte pjesë.
- Por ai spikat edhe si organizator i gjykatave shqiptare në Kosovë, ku ka mundur të bënte aplikimin e legjislacionit bashkëkohor.
- Ndërkohë emri i tij shfaqet edhe në momentin më kyç të historisë së luftës, ku ka qenë delegat i Ballit Kombëtar në Kuvendin e Mukjes, ku ndihmoi në formulimin juridik të neneve të marrëveshjes si edhe në debatin për çështjen e Kosovës.
- Në atë takim pluralist të Mukjes, Hasan Dosti u zgjodh kryetar i Komitetit Provizor për Shpëtimin e Shqipërisë. Së bashku me Mit'hat Frashërin dhe delegatë të tjerë të Konferencës së Mukjes, ndihmoi në ngjizjen e marrëveshjeve në Shqipërinë e Veriut në frymën e Marrëveshjes së Mukjes.
- Më 28 nëntor 1944 u largua nga Shqipëria bashkë me krerët e Ballit Kombëtar dhe jetoi në emigracionin politik, fillimisht në Evropë e mandej në SHBA.
- Pas vdekjes së Mit'hat Frashërit më 3 nëntor 1949, Hasan Dosti u zgjodh kryetar i Komitetit "Shqipëria e Lirë", duke u bërë kështu një nga shënjestrat kryesore të sigurimit komunist dhe të agjenturave të vendeve të lindjes, të influencuara nga blloku komunist.
- Hsan Dosti Vdiq në migrim, pikërisht në Los Anxhelos, më 29 janar 1991, kur sa kishte mbushur 96 vitet dhe kur në Shqipëri mësoi për përmbysjen e sistemit komunist, ndërkohë që arriti të bënte telefonatën e parë me fëmijët që kishte lënë në vendin e tij kur ishte larguar në '44-ën.


FATOS VELIU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.