Pas vrasjeve të 21 janarit, dy njerëz ndiheshin më të gëzuarit: Berisha dhe
Rama. Ky gëzim i tyre e kishte burimin te gjaku i katër të pafajshmëve, të
cilët i vrau politika e verbër e brendshme, si edhe shahu diplomatik i luajtur
me diletantizëm nga politika jonë me shërbimet e huaja sekrete. Të dy këta
mendonin se kishin fituar nga gjaku i tre njerëzve të pafajshëm. Në të vërtetë
11 janari është "˜varri' politik i ambicieve të pafre të Berishës, ndoshta edhe
të Ramës. Për këtë të fundit do të shohim nëse do të thirret me një aktakuze të
re që mund të ngrejë prokuroria në vazhdimin e mëtejshëm të procesit në
shkallët e tjera. Për këtë bindemi nga ndikimi që ka ambasada e SHBA-ve mbi
prokurorinë, pasi drejtuesja e mëparshme e prokurorisë dukej se kishte një anim
nga ana e liderit të opozitës. Ngjarje të tilla të bujshme kanë ndodhur
shpeshherë në Perëndim për të larguar nga politika "˜fëmijë plangprishës',
sidomos nëpërmjet shërbimit inteligjent të strukturës ushtarake të NATO-s, e
cila kur u zbulua u quajt GLADIO.
GLADIO ka pasur ndikim në largimin nga
politika të shumë politikanëve të papërgjegjshëm, sidomos të majtë e komunistë,
ku spikasin emra të tillë si Aldo Moro. Njëri prej bashkëpunëtorëve më të
famshëm të GLADIO-s ka qenë Gjenerali Franko në Spanjë. Një libër mbi
aktivitetin e GLADIO-s gjatë Luftës së Ftohtë në vendet perëndimore e gjeni nga
autori Daniele Genser edhe në gjuhën shqipe me të njëjtin titull, për të gjithë
ata naivë që mendojnë se ajsbergun e lëviz era duke luajtur me kapuçin e tij,
dhe jo ujërat që japin e marrin me 5/7 e volumit të fundit të tij poshtë
syprinës. Gjithsesi, 21 janari është pengu ku janë zënë të dy liderët e
pangopur me pushtet. Ndërsa mendohej se Berisha po ia hidhte pa lagur deri në
fund të demonstratës, që derisa nuk ishte errur dhe gjatë kulmit të saj nuk u
derdh asnjë pikë gjak, duket e çuditshme se çfarë ndodhi dhe përse u vranë
njerëz të parrezikshëm, larg Kryeministrisë dhe në kohën kur kishte rënë tempi
i përqendruar i goditjes së revoltës. Sipas kësaj logjike, mund të nxjerrim
përfundimin se, ose Berisha është mikluar nga Arvizuja me telefon, si një
"burrë shteti" që e kishte mahnitur atë me trimërinë e madhe në mbrojtje të
institucioneve, (ndryshe nga shumë të tjerë që e kishin braktisur si lepuj atë)
dhe pas kësaj mori një superevansh për t'ia bërë Ramës mësim me humbjen e disa
jetëve - në këtë rast gishtin mund ta kenë tërhequr disa njerëz besnikë të
rëndomtë të Berishës në ose jashtë Gardës, ose vrasja mbetet e zhytur në mister
dhe ndoshta atë mund të mos e kenë kryer ata që akuzohen, por të tjerë, njerëz
më të specializuar. Naivëve shumë të indoktrinuar nga historitë e gënjeshtërta
zyrtare që nuk besojnë në "teorinë e ajsbergut" në histori, do t'u kujtoja
parimin kryesor të veprimit në raste të tilla, që "njëra dorë nuk e di se çfarë
bën dora tjetër", njëlloj siç ndodhi me vrasjen e Xh.Kenedit, për të cilën u
akuzua Lee Harvy Osvald, i cili ra në grackë pa qenë ai autori i vërtetë i
vrasjes (në fakt atentatin fals e udhëhiqte Hauard Hunt, i cili nuk e dinte se
Kenedi do të vritej vërtet nga kapot e grupit A.Dallas, Xh.Bush plaku,
E.Huveri). Osvaldin dihet që e eliminoi publikisht duke dalë nga gjykata,
"˜shoku' i tij që e kishte futur në kurth, Xhek Rubinshtejni. Në fakt vrasjen e
kryen njerëz të specializuar nga shërbimet e 5 shteteve me katalizatorin e
përbashkët, shërbimin më të sofistikuar të Permindex (nën udhëheqjen e Louis
Bloomfield) dhe gishtin mendohet se e ka tërhequr një agjent francez i OAS-s
Michel Mertz. Operacioni u drejtua nga Shamir dhe Engëlltoni (CIA).
Permindex-GLADIO i patën organizuar atentat dy herë edhe gjeneral De Golitm kur
ai hyri në konflikt me NATO-n për të mos e lënë Francën brenda strukturave
euroatlantike të mbrojtjes, pasi e quante atë si një strukturë të ngritur në
mbrojtje të interesave anglo-amerikane dhe jo atyre evropiane. I njëjti grup ka
eliminuar mbi parimin e "˜njëra dorë s'di se ç'bën dora tjetër' edhe figura të
tjera si Bob Kenedi, M.L.King, Malkolm X. etj.
2. Një nga arsyet se përse Berisha e ka pasur halë në sy ish-presidentin Topi
ka qenë dëshira e tij për të shtënë në dorë gjykatat, shteg të cilin z.Topi nuk
ia lëshoi për 5 vjet, me përpjekjet e tij të sforcuara për të mos e lënë
sistemin shtetëror në dorën e një Don Kishoti, i cili harron relativitetin e
fuqisë së gjithkujt, harron se ka fuqi të tmerrshme mbi të që nuk do e lejojnë
të shtypë pafundësisht shqiptarët, edhe pse përrunjet si një skllav përpara
tyre me objektivin e vetëm të pushtetit me çdo kusht. Berisha, me sa duket e ka
kapur Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës me kryetarin e ri, i cili është në
krye të saj prej disa muajsh. Pasi ka kapur gjithë Policinë e Shtetit, sektorin
fitimprurës të ilaçeve, pasi futi në surdinë gjithë sferën e investimeve në
buxhet nëpërmjet farsës së prokurimeve të përqendruara dhe shpenzimeve
administrative në një shifër mbi 1,2 miliardë $ amerikanë në vit, pasi
kontrollon një sektor të licencave për aktivitet financiar në Bankën e
Shqipërisë, pasi la mbrapa dyshime për disa eliminime fizike gjatë kohës së tij
presidenciale në bashkëpunim me SHIK-un e Gazidedes dhe policinë e A.Shehut të
disa personave që konspironin për Shqipërinë e Madhe, pasi së bashku me
socialistët është autori i ngjarjeve të vitit '97, prej të cilave u vranë rreth
5 mijë njerëz, pasi vrau pasivisht afro 30 punonjës në Gërdec, pasi dyshohet si
i përfshirë në çështjen e Kosta Trebickës, pasi dyshohet si vrasësi i 3
protestuesve të parrezikshëm e në një moment largimi të demonstruesve më 21
janar, pasi dyshohet se ka dijeni për vrasjen e F.Xhindit (për shkak të
ndikimit të tij në zonën naftëmbajtëse ku operon kompania kanadeze e
shfrytëzimit të fushave naftëmbajtëse, "Bankers", në bashkëpunim me disa
rrugaçë vagabondë të LSI-së duke shkatërruar mjedisin dhe të bazuar mbi parimin
e plaçkitjes) dhe një kryetari komune në Kukës, pasi dyshohet si kontrolluesi i
disa lloj trafiqeve kriminale e i lidhur me aktivitetin e proceseve të krijimit
të drogave të forta në Lazarat, ky njeri ka menduar gabimisht se "˜semodus
operandi' (mënyra e veprimit) e tij për aktin e fundit të shpëtimit dhe larjes
prej të gjitha këtyre gjynaheve, do të ishte shtënia në dorë e gjyqësorit dhe
prokurorisë. "˜Modus operandi' në fakt nuk kishte se si të fillonte ndryshe,
veçse duke kapur Presidencën me njeriun e tij të bindur, B.Nishanin, i cili nuk
ka ditur të tregojë integritetin e nevojshëm, duke i dhënë për pak ditë shumë
leva në duar njeriut-shtet, diktatorit modern, S.Berishës, duke filluar me
SHISH-in. Po kështu, në këtë masakër antidemokratike kanë gisht edhe njerëz pa
ekuilibër të fortë e plot me oshilacione në qëndrimin e tyre politik, si
ministri i sotëm i Mbrojtjes, A.Imami.
Nga ana tjetër, po të shohim Ramën, kulmi i "˜suksesit' të të cilit është rruga
"Komuna e Parisit", edhe ky mund të ketë rënë në grackën e parimit të
shërbimeve inteligjente në nivelet diplomatike "˜njëra dorë nuk di se çfarë bën
dora tjetër' në lidhje me 21 janarin. Etja për të marrë pushtet pa rregulla
loje dhe me dhunë të provokuar nga organizatorët, është dhe duhet të jetë e
papranueshme si instrument, pasi një gjë e tillë do të ruante kaosin politik
dhe institucional, si dhe një "˜quasi' luftë civile politike midis palëve që
kanë pushtetin dhe atyre që kërkojnë revansh pa rregulla loje. Zgjedhjet e
certifikuara nga faktori ndërkombëtar nuk duhen diskutuar, edhe kur ato kanë
probleme. Madje duket se vetë faktori ndërkombëtar e ka lejuar këtë lloj votimi
primitiv, me qëllim që të rritet mundësia e arranxhimit të rezultatit
përfundimtar. Gjëja e parë që duhet të synojë një forcë e re politike me ndikim
në pushtet duhet të jetë dixhitalizimi i sistemit elektronik të votimit dhe
mosdiskutimi i rezultatit të zgjedhjeve, si edhe demokratizimi i sistemit
zgjedhor dhe qeverisjes nëpërmjet ndryshimit të kodit zgjedhor, duke e rritur
proporcionalitetin në rrafsh kombëtar. Gjithsesi, institucionet nuk duhet të
synohen kurrë të merren me dhunë, por kjo s'do të thotë që Policia e Shtetit të
vrasë njerëz, pasi ajo nuk u sulmua prej tyre me armë. Dukshëm policia tregoi
që ishte shumë e papërgatitur profesionalisht dhe e papajisur me pajimet e
nevojshme për të përballuar raste të tilla, dhe për këtë gjendje mizerabël të
saj mbajnë përgjegjësi të gjithë shtetarët tanë kryesorë të këtyre viteve. Rama
në zgjedhjet e këtij viti është përgatitur për fitore, por edhe mbi shpatullat
e tij duhet të rëndojnë tri arkivolet e "˜miqve' të tij që ia nxori në pritën e
"˜dorës' tjetër, Berishës. Ndoshta ashtu si në Italinë e para 20 viteve kur
sistemi gjyqësor shpëlau gjithë "˜stallat e Avgjisë' së politikës, edhe në
Tiranë mund të nisë një shpëlarje e tillë nga ky sistem, forca dhe ndershmëria
e të cilit është në pelena. A do përpiqet që shkëndijën ta japë i pari
Kryeprokurori? Këtë do ta shohim. Skema është pak e ndërlikuar.
3. Të gjithë e mbajmë mend aktivitetin e ethshëm e plot protagonizëm më 20-23
janar të ambasadorit të porsaardhur të SHBA-ve, z.Arvizu. Të gjithë kujtojmë
takimet e tij me Policinë dhe frymëzimi i saj për rezistencën ndaj dhunës. Kemi parë se si ai e quajti Berishën një burrë shteti.
Në fakt ky term është shpjeguar nga strategu i teorive konservatore ushtarake
prusiane Klausevici, i cili quante kështu një person që kishte treguar cilësi
të larta drejtuese, edhe në luftë, edhe në paqe. Kështu mund të quhet pak a
shumë Çurçilli, De Goli, Ajzenaueri, madje te ne shqiptarët të tillë mund të
quhen sot, aq sa mundet, H.Thaçi e R.Haradinaj, të cilët kanë luftuar në
bashkëpunim me NATO-n, si edhe kanë qeverisur për një kohë të gjatë Kosovën.
Nëse zoti Arvizu ka pasur parasysh këto shabllone standarde, ai padyshim që e
ka quajtur 21 janarin, një betejë të fituar me sukses nga kryeministri i
suksesshëm, z.Berisha! Por Klausevici quan një ushtarak të suksesshëm, jo kur
ai fiton vetëm një betejë, por një luftë të gjatë në kohë e të gjerë si front.
Me kalimin e kohës, kemi parë që z.Arvizu ka qenë i lëkundur në pozitat e tij
në lidhje me 21 janarin, ose ka folur një gjuhë me shumë kuptime ose fare pa
kuptim. Pasi dështoi procesi i Gërdecit nga drejtësia shqiptare, një proces që
analizoi një ngjarje që ndodhi jo rastësisht më 15 mars, për "idetë e Marsit",
ditë kur vëllazëritë e fuqishme ndërkombëtare godasin njëra-tjetrën qysh nga
lashtësia, ku kujtojmë ditën e vrasjes së perandorit romak Cezar e deri
rrëmbimin e Aldo Moros, është hera e parë kur ambasada amerikane shpalosi me
një gjuhë pa ekuivoke qëndrimin e saj mosaprovues ndaj vendimit të Gjykatës së
Shkallës së Parë, madje me deklaratën e z.Arvizu pas takimit me Kryeprokurorin,
kërkoi edhe hapjen e procesit për organizatorët (z.Rama?!). Dihet se në aferën
e Gërdecit kanë qenë në lojë 300 milionë $ nga buxheti i SHBA-ve, si edhe një
pasuri e zhvlerësuar pa inventar e municioneve ushtarake nga djersa e popullit
shqiptar në 45 vjet komunizëm. Kjo ka qenë një minierë floriri dhe ndoshta
vazhdon të jetë e tillë, për njeriun-shtet, z.Berisha, si edhe për një klan të
vogël rrotull tij.
A kanë qenë ngjarjet e 21 janarit një kurth për të dy politikanët kryesorë të
vendit? Këtë do ta shohim më vonë. Ka siguri në idenë se z.Berisha do ndalohet
me çdo kusht të aranxhojë rezultatin e zgjedhjeve. Ai këtë e ndjen, ndaj e ka
si liman shpëtimi z.Nishani, për të rrëmbyer sa më shpejt drejtësinë, sidomos
Gjykatën e Lartë ku gjykohen deputetët (pasi z.Berisha do të jetë, njëlloj si
F.Nano më 2005-2009, edhe katër vjet deputet e ndikimi i tij do përpiqet të
bjerë mbi suksesorin e tij). Pas daljes së PD-së në opozitë më 23 qershor,
pritet që kjo parti të rrezikohet nga lufta klanore për të marrë drejtimin prej
2-3 klaneve krahinore, nepotike e religjioze që e sundojnë brenda saj. Nëse
z.Berisha do të reagojë para zgjedhjeve si gjithmonë duke e tërhequr kërrabën
vetëm nga ana e vet, atëherë 21 janari do t'i qëndrojë me 3 viktimat e tij si
një shpatë Damokleu mbi kokë dhe atëherë kjo datë do të dukej si një shaka dhe
si një ogur i keq për të gjithë. Ndërsa Rama mund të thirret me statusin e tij
të ulët ligjor, qysh tani para Gjykatës së Apelit, nëse këtë e kërkon organi i
akuzës. Po Lul "˜Buzëqeshja', a do të thirret si i pandehur së bashku me
punonjësit e tij të Gardës, si ish-ministër i Rendit?
Gjithsesi, 21 janari duhet të jetë një mësim i madh për të gjithë brezat e
politikanëve që do të vijnë, me qëllim që ata të jenë më të maturuar e të mos
bien në lak, pasi pushteti nuk mund të mbahet me gjakun e popullit tënd e as
mund të merret me gjakun e tyre të panevojshëm.