E Enjte, 03.28.2024, 06:43pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
BESIRE CENA - SIMBOL I BUKUR I BREZIT TË RI TË FEMRËS SHQIPTARE NË KOSOVË, SHPALOS PASIONET, VIZIONET, AMBICJET E SAJ NË FUSHËN E SHKENCËS, POLITIKËS, DIPLOMACISË, MODËS SË LARTË...
Intervistoi ELIDA BUÇPAPAJ

E Hënë, 02.11.2013, 08:45am (GMT+1)



ELIDA BUÇPAPAJ: Besire HIDAJET Cena, Ju përfaqësoni brezin e ri të femrës shqiptare në Kosovë. A mund t'i tregoni lexuesit disa të dhëna të CV tuaj?
BESIRE CENA:
Së pari Ju falënderoj për këtë intervistë. Ndihem e nderuar që intervistohem nga një gazetare si ju.
Për CV-në time do të flas në pika të shkurtra.

Dëshira ime ishte të studioja Mjekësinë dhe të bëhesha kirurge, por fati nuk deshi që unë të regjistrohesha në Mjekësi, pastaj vendosa të studioj në shkencat ekzakte Fizikën. Si fillim, e pranoj se ishte shumë, ama shumë e rëndë, por me një këmbëngulje dhe me përkushtim absolut arrita që përgjatë rrugëtimit të studimeve universitare të fitoj edhe titullin "STUDENTE E DALLUAR" në Universitetin e Prishtinës. Më pas, u apasionova ndaj problemit global të mbrojtjes së mjedisit, atë e zgjodha edhe për studimet Master si dhe ta vazhdoj në gradën PhD. Ndërsa inkuadrimi im në studimet Master, në Shkencat Politike për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, ishte i ndikuar nga ana e disa mendjeve të ndritura të kombit tonë, që kam pasur rastin t'i takoj, të cilët e kane zbuluar këtë talent tek unë.


I paharruar mbetet momenti kur e kam dëgjuar përmes radios emrin e babait tim, që ishte vrarë nga forcat serbe


ELIDA BUÇPAPAJ: Çfarë kujtoni nga koha kur Kosova ishte e pushtuar, çfarë Ju ka mbetur e fiksuar gjithnjë në memorien tuaj nga ajo kohë?
BESIRE CENA: Kam shumë momente të rënda që i kujtoj, por i paharruar mbetet momenti kur e kam dëgjuar përmes radios emrin e babait tim, që ishte vrarë nga forcat serbe, moment ky që të bën ta ndjesh dhimbjen gjer në palcë.


Nuk ka vend për eufori, por as për nihilizëm dhe skepticizëm

ELIDA BUÇPAPAJ: Me çfarë trashëgimie politike vjen Kosova në pesëvjetorin e Pavarësisë?
Përgjigje:
Gjatë këtyre 5 viteve Kosova, me mbështetjen e shumanshme të SHBA-se, BE-së si dhe të Shqipërisë, ka bërë hapa pozitivë për konsolidimin e pavarësisë dhe të integritetit të saj territorial; të institucioneve legjislative dhe administrative; të drejtësisë dhe prokurorisë; të njohjes së saj nga rreth 100 shtete, anëtare të OKB-së; të anëtarësimit dhe përfaqësimit në takime dhe konferenca të shumë organizmave politiko-ekonomike-financiare evropiane dhe botërore si dhe në integrimin dhe bashkëpunimin rajonal. Shembull fare i freskët i zgjerimit të kontakteve dhe të përfaqësimit të Kosovës në konferenca ndërkombëtare ishte pjesëmarrja e Presidentes sonë, znj. Jahjaga, në Konferencën e 49-të të Sigurisë në Munih, më 2 shkurt 2013, ku u takua me shumë presidentë dhe kryeministra të vendeve të tjera. Siç dihet, Kosova është në prag të hapjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, që do të sjellë lehtësimin e procedurave të lëvizjes së qytetarëve tanë në vendet e BE-së, që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Është një trashëgimi politike modeste, po të llogarisim se kemi vetëm 5 vjet pavarësi si dhe pengesat e mëdha e shumëplanëshe, që na ka shkaktuar dhe na shkakton Beogradi. Sfidë për më tutje mbetet anëtarësimi në OKB si dhe ecuria e dialogut me shtetin fqinj Serbine. Pra, nuk ka vend për eufori, por as për nihilizëm dhe skepticizëm.


Pa shprehur asnjë dozë feminizmi, mendoj që inkuadrimi i femrës në politikë është vërtet esencial dhe i domosdoshëm

ELIDA BUÇPAPAJ: Ju, aktualisht, jeni asistente e Fizikës në Universitetin e Prishtinës, keni kryer Masterin në Inxhinierinë e Mbrojtjes së Mjedisit dhe po mbroni Doktoraturën në këtë fushë, jeni duke kryer Masterin për Diplomaci e Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe merreni edhe me Modë, pra keni një format shume të kompletuar. Femrat në Kosovë a kanë mundësi të zhvillojnë talentin dhe të përmbushin ambiciet për karrierë shkencore, akademike dhe politike?
BESIRE CENA: Fakti që Kosova ka pasur dhe ka një numër jo të vogël femrash të angazhuara dhe të afirmuara në fushat shkencore, akademike, letrare dhe artistike si dhe në politikë, shpreh një realitet. Femrat me ambicie dhe këmbëngulje ia kanë dalë, përgjithësisht me sukses, të shprehin dhe të afirmojnë talentet, aftësitë dhe veprat e tyre. Mjafton të kujtojmë 39 deputetet në Kuvendin e Kosovës, numrin jo të vogël të femrave si drejtuese fakultetesh, katedrash, mediesh, OJQ-shë, klinikash dhe pavijonesh në spitale etj. Por, pa shprehur asnjë dozë feminizmi, mendoj që inkuadrimi i femrës në politikë është vërtet esencial dhe i domosdoshëm. Kërko llogari prej vetvetes së pari, prej nga rrjedh edhe thënia e La Fontenit "Mos prit prej askujt tjetër përpos prej vetes".


Me punimin tim synoj të jem në një nivel sa më të lartë shkencor dhe bashkëkohor, e vlerësuar dhe e pëlqyer nga pjesëmarrësit dhe opinioni shkencor, e që në këtë rast është në rang botëror

ELIDA BUÇPAPAJ: Ju keni dërguar punimin tuaj në Simpoziumin e 15-të Ndërkombëtar (15th IFAC symposium on Control, Optimization and Automation in Mining, Mineral and Metal Processing in San Diego, California, USA) dhe ai është pranuar dhe jeni ftuar të merrni pjesë në këtë Simpozium, çfarë do të thotë kjo, se niveli i shkencëtarëve të rinj që ka Kosova ka një formim garues me atë Perëndimor?
BESIRE CENA: Po, unë kam fatin dhe nderin të përfaqësoj Kosovën në Simpoziumin e 15-të Ndërkombëtar në San Diego. Kam punuar shumë dhe gjatë mbi të, sepse paraqitja ime sa më e denjë do të jetë vlerësim jo vetëm për mua individualisht, por edhe për inteligjencien e Kosovës, për Universitetin e Prishtinës ku unë jam diplomuar si dhe për Universitetin e Tiranes ku jam duke i kryer studimet e PhD-së. Duke pranuar se jemi vetëm 14 vjet në liri dhe 5 vjet shtet i pavarur, natyrshëm dhe objektivisht, nuk mund të themi se jemi plotësisht në një stad apo nivel me kolegët tanë në vendet me 100, 200 apo më shumë vite si shtete të pavarura dhe me universitete me moshë 500 apo 800-vjeçare. Gjithsesi, edhe personalitetet shkencore dhe akademike të Kosovës, si ata që janë diplomuar dhe kanë kryer doktoraturat nëpër universitetet e kryeqyteteve të ish-republikave të Jugosllavisë, ashtu dhe jo pak të diplomuar në UP apo UT, kanë bërë emër në fushat e tyre të studimeve dhe kërkimeve, edhe përtej Kosovës dhe rajonit. Pra, pa kapërcyer kufijtë as të mbivlerësimit të vetvetes dhe as të modestisë së tepruar, guxoj të shprehem se me punimin tim synoj të jem në një nivel sa më të lartë shkencor dhe bashkëkohor, e vlerësuar dhe e pëlqyer nga pjesëmarrësit dhe opinioni shkencor, e që në këtë rast është në rang botëror.


Në rolin e pedagoges, mund t'iu jepja politikanëve dhe qeveritarëve tanë notë të ulët, por kaluese

ELIDA BUÇPAPAJ: Meqë keni një profil, edhe si shkencëtare, edhe të orientuar nga shkencat humanitare, më thoni, si e komentoni situatën politike në Kosovë?
BESIRE CENA: Përgjithësisht normale dhe e pranueshme për një vend me 14 vjet në liri dhe me 5 vjet si shtet i pavarur dhe sovran. Këto vite janë fare pak në historinë tonë, aq më tepër duke pasur parasysh nivelin ekonomiko-shoqëror nga e kemi nisur startin tonë si dhe pengesat e shumta, që na ka ngritur Serbia dhe aleatët e saj historikë, sidomos Rusia. Klasa jonë politike dhe qeverisëse është përgjithësisht e re, pa përvojë të mjaftueshme administrative, menaxhuese dhe pjesës së madhe i është dashur të mësojë shumë gjëra në procesin e përditshëm të kryerjes së detyrave. Gjithashtu, drejtuesit dhe kuadrot tanë kanë pasur shansin dhe fatin të mësojnë apo « vjedhin » plot sekrete të qeverisjes politike, ekonomike, juridike nga drejtuesit dhe specialistët e organizmave ndërkombëtare në Prishtinë apo gjatë periudhave të seminareve apo specializimeve në vendet kryesore të BE-së apo në SHBA. Pozita dhe opozita aktuale, duke ruajtur pozicionimet dhe programet e tyre politike dhe partiake, po tregojnë hapa konkretë, pjekuri dhe aftësi, që të jenë sa më konstruktive dhe të dobishme për vendin dhe popullin e tyre. Natyrisht, kanë bërë edhe gabime dhe « mëkate », ndërsa unë në rolin e pedagoges, mund t'iu jepja politikanëve dhe qeveritarëve tanë notë të ulët, por kaluese. Sepse duhej dhe mund të bënin plot gjëra më shumë, më mirë, më me cilësi, më me efikasitet, transparencë dhe me përgjegjshmëri kombëtare dhe qytetare. Por, fatkeqësisht, disa prej tyre, për të mos thënë shumica, nuk u kanë shpëtuar« viruseve » të klanizimit mbi baza fisnore apo partiake, të partishmërisë së ngushtë, korrupsionit etj.

ELIDA BUÇPAPAJ: Si e shihni përfaqësimin e institucionit të Presidentit të Kosovës përfaqësuar nga një femër, Zonja Atifete Jahjaga?
BESIRE CENA: Një hap shumë pozitiv, inkurajues, emancipues dhe që na nderon në botë. Zgjedhja e Znj. Jahjaga ka qenë befasi edhe për ne shtetasit e Kosovës, edhe për miqtë tanë ndërkombëtarë dhe opinionin botëror, në përgjithësi. Është shumë shprehës fakti, që në një vend të Ballkanit, me një shoqëri apo opinion publik përgjithësisht maskulist, zgjidhet kryetare e shtetit një femër. Sociologu dhe politologu frëng, Rajmon Aron, konstaton se intelektuali është individ i devotshëm ndaj ideve, njohurive dhe vlerave, por kur ai ia del që këto tri kategori t'i mishërojë në vete dhe t'i jetësojë për të mirën e kombit, ai shndërrohet në udhëheqës të shkëlqyer. Personalisht, pavarësisht paragjykimeve dhe mendimeve mosbesuese e nënvlerësuese ndaj saj, kam opinionin dhe bindjen se po e kryen me vizion bashkëkohor dhe në nivel të kënaqshëm detyrën e saj të lartë, duke nderuar vetveten dhe vendin tonë.


Edhe klasa politike e Tiranës, ashtu si kjo e Prishtinës, nuk ka kulturë kompromisi, konsensusi dhe bashkëpunimi

ELIDA BUÇPAPAJ: Po situatën politike në Shqipëri, si i shihni deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë?
BESIRE CENA: Për mua, jo aq të pranueshme dhe të kënaqshme për një shtet me 100 vjet pavarësi dhe vetëqeverisje dhe me rreth 22 vjet në demokraci. Gjithsesi, Shqipëria, sidomos në 10 vjetët e fundit ka bërë hapa shumë pozitivë përpara. Ajo është anëtare e NATO-s; qytetarët e saj gëzojnë lëvizjen e lirë në vendet e BE-së. Gjithashtu, Shqipëria ka tregues pozitivë në drejtim të rritjes ekonomike, në fushën e infrastrukturës, turizmit, të mirëqenies, edhe në këtë periudhë të krizës botërore, deri fare afër saj, në vendet fqinjë, si Greqia dhe Italia. Kam mendimin se Shqipërinë po e pengon më shumë vetvetja, e shprehur në formë të tendencës së shumicës së politikanëve për përfitime ngushtësisht personale, klanore, partiake. Është e pafalshme për klasën politike të Tiranës djegia për tre vjet radhazi, e shansit për t'iu dhënë Shqipërisë statusi i vendit kandidat në BE, duke mos u votuar nga opozita tri ligjet e fundit, që janë përcaktuar si kusht nga Brukseli. Thënë edhe më shqip: edhe klasa politike e Tiranës, ashtu si kjo e Prishtinës, nuk ka kulturë kompromisi, konsensusi dhe bashkëpunimi, edhe për ato raste apo zgjidhje që lidhen drejtpërdrejt me interesat e qytetarëve, të vendit dhe të kombit.

Lidhur me deklaratat e Kryeministrit të Shqipërisë, z.Sali Berisha, kam mendimin se me këto ai vazhdon rrugën e tij të veprave në dobi apo shërbim të aspiratës mbarëkombëtare të bashkimit kombëtar. Pa përjashtuar motivin e përfitimeve elektorale si PD dhe si koalicion i së djathtës, deklaratat e Berishës meritojnë vlerësim dhe mbështetje mbarëshqiptare. Në fund të fundit, ai po kërkon atë që e duam të gjithë dhe që na e kanë mohuar për 100 vjet.

Analizuar edhe nga pikëpamja e së drejtës kushtetuese dhe legjitime, Shqipëria ka të drejtë dhe detyrim ta shprehë këtë kërkesë. Dihet se në kushtetutën e Shqipërisë shprehet qartë detyrimi i politikës shqiptare për t'u interesuar dhe angazhuar edhe për pjesëtarët e kombit shqiptar jashtë Shqipërisë, pra kjo është e drejtë kushtetuese e shtetit shqiptar. Ndërsa sa i përket Kosovës, shteti ynë edhe pse ka konceptin qytetar të organizimit, mund të arsyetojë të drejtën legjitime në bazë të arsyeshmërisë së faktit se interesohet për shqiptarët jashtë Kosovës, duke u bazuar në reciprocitetin e Serbisë ndaj serbëve të Kosovës, ku sipas Pakos së Ahtisarit kontaktet e serbëve të Kosovës me shtetin e Serbisë janë të arsyetuara dhe gëzojnë legjitimitet. Andaj edhe Kosova duhet të dijë se si të shfrytëzojë këtë të drejtë duke kërkuar më shumë kontakte me shqiptarët jashtë Kosovës. E rëndësishme është se Shqiptarët janë në rrugën pa kthim të integrimit mbarëkombëtar, rajonal dhe të integrimeve euro-atlantike.


Do ta këshilloja Dr. Berishën të vetëpërmbajë rënien e tij në delir dhe të vazhdojë me vepra konkrete pa zhurmë, bujë e propagandë për bashkimin kombëtar

ELIDA BUÇPAPAJ: Sot po flitet për bashkim kombëtar në kontekste fushatash politike, po ju si shqiptare e Kosovës si ndiheni në raport me Shqipërinë?
BESIRE CENA: Jemi një komb, kemi një gjak, një gjuhë, një trashëgimi, një kulturë. Ajo që u zhbë më 1913, nga Evropa, në Konferencën e Londrës (shkëputja e trojeve shqiptare nga Shqipëria etnike) nuk ka pse të mos i kërkohet po ashtu Evropës ta shikojë si mundësi reflektimi dhe korrigjimi. Aq më tepër, që tani Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete sovrane dhe me integritet territorial. Nëse shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri shprehin me referendum dëshirën e tyre 100-vjeçare për ribashkim kombëtar, nuk ka pse të pengohen dhe ndalohen, me gjysmë-argumentin se kështu ka ndryshim kufijsh në Ballkan. Bashkimi Kosovë Shqipëri nuk do të prekte dhe përfshinte asnjë metër katror tokë të Serbisë dhe Greqisë. Ky bashkim është de facto dhe de jure çështje ekskluzive mbarëshqiptare. Por, do ta këshilloja Dr. Berishën, të ketë kujdes, të vetëpërmbajë rënien e tij në delir dhe të vazhdojë me vepra konkrete, si Rruga e Kombit, njësimi i Abetares, plan-programeve mësimore, teksteve shkollore etj., pa zhurmë, bujë e propagandë për bashkimin kombëtar. Kjo këshillë vlen edhe për Vetëvendosjen në Kosovë dhe AK-në në Shqipëri. Ky është një proces i pandalshëm dhe që do të realizohet më shumë nën presionin e vetë qytetarëve të thjeshtë shqiptarë sesa të politikanëve, aq më tepër që tani kufiri gjeografik midis nesh po formalizohet dita-ditës gjithnjë e më shumë.


Teza për komb shqiptar e komb kosovar - pa mbështetje

ELIDA BUÇPAPAJ: Po në lidhje me pretendimet se shteti i ri i Kosovës ka krijuar një komb të ri?
BESIRE CENA: Siç e thash në përgjigjen e pyetjes më lartë, ne jemi një gjak, një gjuhë, një traditë, një flamur, pra, një komb. Shkëputja përfundimtare nga Serbia më 1999 dhe shpallja e Pavarësisë më 17 Shkurt 2008, janë ngjarje historike jo vetëm për ne shqiptarët e Kosovës, por edhe për ata në Shqipëri dhe në mbarë Botën Shqiptare. Personalisht kam mendimin se teza për komb shqiptar e komb kosovar, të ndarë nga njëri-tjetri, nuk justifikohet dhe mbështetet as gjenetikisht, as historikisht, as gjuhësisht, as nga pikëpamja kulturore dhe e traditës, as gjeografikisht dhe demografikisht, as juridikisht dhe as shpirtërisht. Vetëkuptohet se kush apo cilët janë më të interesuarit për mbështetjen e kësaj teze.

ELIDA BUÇPAPAJ: Si njohëse e realitetit në Kosovë, për cilin politikan të Shqipërisë do të votonin shqiptarët e Kosovës?
BESIRE CENA: Pa dyshim për Sali Berishën. Mjafton të kujtojmë se si është pritur ai gjatë vizitave të tij në Kosovë, sidomos në Gjakovë, Prizren, Prishtinë, Pejë etj.


Nivelet e larta të varfërisë, papunësisë, korrupsionit, kriminalitetit, janë shprehës dhe tregues për paaftësinë e klasës sonë politike

ELIDA BUÇPAPAJ: Si e vlerësoni nivelin e partive politike, çfarë mendoni për LDK-në, për AAK-në po për VV-në?
BESIRE CENA: Nivelet e larta të varfërisë, papunësisë, korrupsionit, kriminalitetit, janë shprehës dhe tregues për paaftësinë e klasës sonë politike për të ndërtuar një shtet të fortë ligjor dhe një ekonomi, që të sigurojë një nivel të kënaqshëm apo bashkëkohor jetese dhe mirëqenieje për shumicën e qytetarëve. Aspirata jonë është të integrohemi sa më shpejt në BE, por me treguesit që kemi në drejtimet e lartpërmendura, realisht jemi shumë larg standardeve që kërkohen.

LDK-ja është partia e parë politike jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Botën Shqiptare, që u krijua dhe u identifikua me emrin, figurën dhe rolin historik të Ibrahim Rugovës. Ajo lindi, u rrit dhe u fuqizua në një periudhë tejet të vështirë e kritike për Kosovën, duke kryer vepra dhe duke dhënë një kontribut të paharrueshëm dhe të pamohueshëm për afirmimin e vetvetes, të qëndresës popullore kundër pushtuesve serbë, të Kosovës dhe të çështjes kombëtare shqiptare. Por, janë të pashmangshme edhe disa gabime, mosrealizime, vërejtje e kritika. AAK-ja është parti me histori dhe me kontribut të pamohueshëm, me një lider, që ka dhënë dhe sakrifikuar shumë, individualisht dhe si familje, për Kosovën dhe për çështjen kombëtare shqiptare. Edhe Lëvizja Vetëvendosja, me liderin e saj, Albin Kurti, me meritë është pjesë e historisë dhe e klasës sonë politike. Kanë kryer mjaft punë të mira, por duhet të ruhen kurdoherë nga rreziku i shkarjes në nacionalizëm destabilizues, të mendojnë më shumë në cilësinë dhe dobinë e punëve të tyre sesa për efektin propagandistik.

Liderët dhe shtetarët duhet të jenë koshient në thënien "Rroni e lini që edhe të tjerët të rrojnë", duhet të kenë të qartë dhe të dinë se ku jemi, por të projektojnë edhe atë se ç`mund të bëhemi.

ELIDA BUÇPAPAJ: Po për nivelin e shtypit, lirinë e fjalës së lirë, Ju si intelektuale çfarë perceptimi keni?
BESIRE CENA: Për fat të mirë për këtë pyetje më ndihmon raporti më i ri i Reporterëve pa Kufij. Siç është bërë e njohur për Indeksin e Lirisë së Shtypit 2013, Kosova radhitet e 85-ta, që paraqet përparim për një vend nga raporti i fundit, ku gjendej në vendin e 86-të. Vlen të theksohet se Maqedonia është në vendin e 116-të, Mali i Zi në vendin e 113-të, ndërsa Shqipëria është klasifikuar e 102-ta, ndërsa në raportin e kaluar ishte e 96-ta, prej gjithsej 179 vendeve. Megjithatë nuk duhet të gëzohemi dhe kënaqemi se kemi shënuar ngritje me një vend dhe se jemi më mirë se disa nga vendet fqinjë. Gjykoj se, institucionalisht, duhet të bëhet më shumë për rritjen e lirisë dhe të kurajës së medieve në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.

ELIDA BUÇPAPAJ: Vokacioni juaj është i orientuar edhe nga fusha e modës, më tregoni pak për shtëpinë e modës « DIELLI fashion », çfarë roli keni ju aty?
BESIRE CENA: "DIELLI fashion" është shtëpi mode nga Prishtina, në të cilën pronarë janë Fitim dhe Bekim ORANA, të dy fotografë dhe dizajnerë mode. Kjo shtëpi mode, përveç Kosovës, ka realizuar revy mode në Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoni. Në vitin 2007, ka garuar për Kreatorin më te mirë shqiptar, ku e ka fituar vendin e parë (Velloja më e mirë, 2007). Në vitin 2008, në garën për Kreatorin më të mirë shqiptar, i ka fituar dy vendet e para (Velloja më e mirë dhe Kreatorët më të mirë të vitit 2008). Po ashtu, në Fotografi, është fituese në konkursin e Filatelisë se Kosovës, në edicionin e pullave postare, me temën "Atraksionet turistike ne Kosove".

ELIDA BUÇPAPAJ: Cili është roli yt në këtë shtëpi mode?
BESIRE CENA: Pasi hobi im është modelizmi dhe fusha e modës, roli im aty është i veçantë. Duke parë mjeshtërinë dhe seriozitetin e qasjes në punë nga ana e "DIELLI fashion", si dhe profesionalizmin e krijimtarisë së tyre në stilin "HAUTE COUTURE", unë kam privilegjin të jem bashkëpunëtore dhe ideatore e realizimit të projekteve, të cilat i realizon "DIELLI fashion".

Ky event, që do të mbahet në një nga metropolet evropiane njëkohësisht do ta pasqyrojë profesionalizmin dhe arritjen më të madhe në fushën e modës të dizejnerëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare

ELIDA BUÇPAPAJ: A mund të më tregoni pak për eventin e «DIELLI fashion » në një nga metropolet e Evropës, pasi diaspora shqiptare sot gjendet gjithkund?
BESIRE CENA: Ky event, që do të mbahet në një nga metropolet evropiane njëkohësisht do ta pasqyrojë profesionalizmin dhe arritjen më të madhe në fushën e modës të dizejnerëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare. "DIELLI fashion" ka arritur ta realizojë kontratën me palën ndërkombëtare. Unë jam bartëse e këtij projekti. Ministria jone e Kulturës nuk ka mundur ta mbulojë koston e këtij projekti kaq madhështor dhe të nevojshëm për Kosovën, edhe pse një pjesëmarrje e tillë do të ndikonte sado pak për ndryshimin e imazhit të Kosovës jashtë, megjithatë, kemi shprese dhe jemi të bindur se do të hasim në përkrahjen financiare për ta realizuar projektin tonë me interes kombëtar. Pritet të shihet se si do të shkojnë punët në këtë drejtim.


Kam bindjen se femrat politikane, drejtuese dhe qeveritare preken më pak dhe më me vështirësi nga virusi i korrupsionit

ELIDA BUÇPAPAJ: A mendoni se femrat shqiptare për të mirën e shoqërisë duhet të jenë më aktive për pjesëmarrje në politikë dhe të mos e lënë fatin e tyre në "mëshirën e burrave".
BESIRE CENA: Falë imponimit nga ndërkombëtarët dhe të Kushtetutës, në listat e deputetëve të Kuvendit tonë, kemi pasur dhe kemi rreth 30% femra. Është domethënës dhe premtues fakti se aktualisht nga shoqëria jonë femërore kemi Presidenten, një shefe të grupit parlamentar, dy poste të zv.kryeministrit si dhe dy ministre. Mund të kishim më shumë, por edhe kaq sa kemi, tani për tani nuk mund të thuhet se është edhe fare pak. Kam bindjen se femrat politikane, drejtuese dhe qeveritare preken më pak dhe më me vështirësi nga virusi i korrupsionit, nga bërja e punëve të politikës dhe qeverisjes nëpër kafene, restorante dhe hotele. Angazhimi i më shumë femrave në politikë dhe qeverisje nuk është vetëm në dobi të tyre, duke mos e lënë fatin femëror në mëshirën e burrave, por edhe të gjithë shoqërisë, sepse kujtoj se femrat janë më të përkushtuara dhe më të përgjegjshme në punë, më të ndjeshme apo më të dhimbshme ndaj halleve të njerëzve dhe të qytetarëve në përgjithësi.


Kam bindje të fuqishme që të qenit shqiptar është privilegj, edhe pse nganjëherë të shtyrë nga përditshmëria, pa arsye të fuqishme, ne dyshojmë në këtë

ELIDA BUÇPAPAJ: E dashur Besire Cena, ku e shihni veten tuaj në të ardhmen?
BESIRE CENA: Jam duke punuar shumë e me përkushtim në atë drejtim ku e shoh veten time në të ardhmen.

ELIDA BUÇPAPAJ: A ndiheni krenare që jeni shqiptare?
BESIRE CENA: Po. Edhe sikur 100 herë të kisha rastin të zgjidhja, sërish do të doja të lindja shqiptare, në familjen ku jam lindur, në rrethin ku jam rritur e formësuar.

Kam bindje të fuqishme që të qenit shqiptar është privilegj, edhe pse nganjëherë të shtyrë nga përditshmëria, pa arsye të fuqishme, ne dyshojmë në këtë.




Intervistoi: ELIDA BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
BOTOHET FJALORI I PARË SHQIP-SUEDISHT ME RRETH 35000 FJALË (02.11.2013)
KADRI (OS)MANI, NJERIU I RISIVENga IDRIZ ZEQIRAJ (02.11.2013)
YOKO ONO PO I MBUSH TETËDHJETË VJET - 'JOHN ËSHTË KËTU, POR KJO BOTË NUK I PËLQEN' (Intervistë) (02.10.2013)
DOKTORESHË ME ZEMËR T'BARDHË(Kushtuar Zonjës Dr.Beatrice Parthey, Dermatologe dhe alergeologe, Düren) Nga AGIM GASHI (02.09.2013)
DRITËHIJET E 21 JANARITPas vrasjeve të 21 janarit, dy njerëz ndiheshin më të gëzuarit: Berisha dhe Rama Nga ALFRED ÇAKO (02.09.2013)
PROF. MAZLLUM HASIMJA ISHTE NJË ATDHETAR E INTELEKTUAL I PALODHSHËM - E PAMJA DHE AKADEMIA PËRKUJTIMORE IU KRYEN NË FRYMËN ATDHETARENga LEKË PREÇI (02.09.2013)
HILLARY CLINTON - MË POPULLORE EDHE SE PRESIDENTI (02.09.2013)
SHKUP - SHQIPTARËT E MAQEDONISË PROTESTOJNË NË MBËSHTETJE TË LUGINËS SË PRESHEVËS (02.08.2013)
SKËNDER HASKO: JA ÇFARË MË THA MEHMET ELEZI PËR SALI BERISHËN DHE QEMAL SAKAJEVËN NË VITIN 1970 (Lajm dhe fotogaleri) (02.08.2013)
Independent - 'SUPERSTUHIA' DIELLORE PO VJEN, KEMI 30 MINUTA KOHË (02.07.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart�]