E Premte, 03.29.2024, 03:36pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
PARADOKSI I NACIONALIZMIT TË SALI BERISHËS
Nga AUGUSTIN PALOKAJ

E Mërkurë, 02.13.2013, 09:27am (GMT+1)






Republika e Shqipërisë këtë qershor do të ketë zgjedhjet parlamentare. Për të satën herë në 20 vjetët e fundit zgjedhjet e tilla do të shihen si test i pjekurisë së shtetit për të ecur drejt procesit të integrimeve evropiane. Bashkimi Evropian tashmë i ka vendosur këto zgjedhje si testin dhe kushtin kryesor për t'i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kjo është thënë nga diplomatët e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian që kanë qëlluar të jenë edhe miq të shqiptarëve. Këtë qëndrim e kanë Gjermania, Holanda, Franca dhe Britania e Madhe.  A është përmendur qartë në Konkluzionet e BE-së apo jo kushti i zgjedhjeve, a pajtohen me këtë Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian apo jo, është më pak e rëndësishme dhe është më shumë çështje e manipulimeve për nevojat e  brendshme.  Të gjithë ata të cilët sadopak përcjellin procedurat në BE dhe qasjen e vendeve të saj kryesore ndaj procesit të zgjerimit e dinë se Shqipëria pa zhvilluar zgjedhje të lira, demokratike, të pakontestuara dhe të pavjedhura, nuk mund të marrë statusin e vendit kandidat. Prandaj edhe shqetëson insistimi i Qeverisë së sotme në Shqipëri se "zgjedhjet nuk janë kusht" dhe se vetëm "tri ligjet" na qenkan të vetmet kushte.Ky qëndrim i Qeverisë së Shqipërisë është shqetësues, sepse dikush, me apo pa të drejtë, mund ta kuptojë këtë si mosbesim në mirëvajtjen e zgjedhjeve.

Qeveria e Shqipërisë përmend "tri kushtet" për të vazhduar fushatën e saj kundër opozitës dhe për ta fajësuar atë pse Shqipëria ende nuk ka status kandidati. Kështu Shqipëria bëhet sot i vetmi vend në Evropë ku për dështime të shtetit fajësohet opozita. Ndërsa opozita po ashtu nuk ka ditur ta menaxhojë këtë çështje dhe ka lejuar qeverinë të manipulojë me "tri kushtet" e Komisionit Evropian. Edhe opozita e Shqipërisë, edhe partitë që përbëjnë koalicionin e sotëm qeveritar, e dinë se edhe po ta kishte përmbushur kushtin e "tri ligjeve"Shqipëria nuk do ta kishte marrë statusin e kandidatit nga BE-ja para zgjedhjeve. Ndoshta më e zgjuar nga opozita do të ishte sikur të kishte ndihmuar që ato "tri ligje" të kalohen në Kuvend dhe atëherë do të ishte e qartë për të gjithë se është Qeveria ajo e cila nuk ka arritur ta sigurojë statusin e vendit kandidat.

E vërteta e "tri ligjeve" është se pa miratimin e tyre Komisioni Evropian nuk do të raportojë fare lidhur me përmbushjen e kushteve nga ana e Shqipërisë. Por kur kërkon që ato ligje të miratohen Komisioni Evropian nuk thotë doemos se ato duhet të miratohen në formën që i propozon qeveria. E vërteta tjetër është se edhe kur të përmbushet ai kusht, shtetet anëtare do të thonë se "ky është një përparim i mirë", por prapë do të thonë se presin të shohin se si do të zhvillohen zgjedhjet për të vendosur më vonë për dhënien e statusit të kandidatit. Por duket se në Shqipëri pak ka rëndësi se çfarë është e vërteta, sepse secili, në bazë të asaj se cilën parti e mbështet, edhe vendos se cilit interpretim do t'i besojë e cilit jo.

Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë të parët e as të fundit në Ballkan të cilët proceset e integrimeve në BE i shfrytëzojnë për fushata të brendshme politike. Këtë e kanë bërë të gjithë: nga Zagrebi e deri tek Shkupi, dikush me më pak e dikush me më shumë sukses. Në Kroaci, e cila pas pesë muajsh bëhet anëtare e 28-të e Bashkimit Evropian, në fillim të këtij shekulli mediat nuk raportonin se si "Kroacia mori statusin e kandidatit", porse "kryeministri Sanader siguroi statusin e kandidatit për Kroacinë" e kështu me radhë. Në fund kur Kroacia po hyn në BE, Sanader ndodhet në burg për korrupsion dhe udhëheqje të një sistemi paralel pushteti në shtet, partia e tij është dënuar nga qytetarët me humbje dramatike të votave, ndërsa tash është e vetmja parti politike në Evropë e cila ndodhet para gjyqit për vjedhje të parasë publike. Edhe në Serbi ish-presidenti Boris Tadiq i humbi zgjedhjet, edhe pse pak ditë para tyre siguroi që Serbia të marrë statusin e kandidatit.

Në Shqipëri qeveria e sotme krijon përshtypjen se si ishte kryeministri Sali Berisha ai i cili u siguroi shqiptarëve lëvizjen e lirë në Evropë pa viza. Kjo strukturë e pushtetit priste që ndoshta disa muaj para zgjedhjeve Shqipëria do të fitojë statusin e kandidatit për BE dhe këtë ta përdorë në fushatën zgjedhore. Edhe një politikë e tillë është legjitime. Por Berisha e ka kuptuar se kësaj radhe nuk mund të luajë në kartën evropiane. Për shkak se ajo nuk mund t'i ndihmojë shumë, sepse suksesi mungon dhe pasaportat janë shumë larg nga realizimi.

Dhe kur u bë e qartë se nuk mund të fitojë shumë në kartën evropiane, Berisha vendosi ta luajë atë që edhe miqtë e shqiptarëve po e quajnë "kartë nacionaliste".  Në përdorim të përditshëm shpesh "nacionalizmi" përmendet edhe në kontekst pozitiv, që është gabim. Askund në botën e  civilizuar nuk kuptohet pozitivisht "nacionalizmi". Ai keqkuptohet kur ngatërrohet me "patriotizmin" apo siç është fjala e bukur shqipe "atdhedashurinë" që nuk janë nacionalizma.         

 Fakti se disa zyrtarë të lartë perëndimorë, duke përfshirë edhe ata amerikanë, kanë shfaqur shqetësim me  atë që e quajnë "retorikën nacionaliste" të kryeministrit të Shqipërisë të bën të mendosh se ata po e marrin tepër seriozisht këtë "nacionalizëm" të rizbuluar. Problemi në rastin e Berishës qëndron në dy fakte: e para është se retorika e tij po u bën dëm Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi dhe e dyta se ai "nacionalizëm" nuk është i sinqertë.

Ta marrim si shembull idenë që të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë,  të mund të pajisen me pasaporta të Republikës së Shqipërisë. Berisha, sa në pushtet, sa në opozitë,  ndodhet në krye të politikës në Shqipëri tash e më shumë se 20 vjet. Ka pasur mjaft kohë ta realizonte këtë ide po ta kishte të sinqertë dëshirën. Dhe askush nga jashtë nuk mund t'ia mohojë këtë të drejtë. E ka Kroacia për kroatët, e kanë edhe vendet tjera. Edhe sot nuk mund ta kundërshtojë dikush këtë ide nëse Shqipëria e bën ligj. Por problemi qëndron në momentin. Ja një test: Nëse Shqipëria e konsideron heqjen e vizave për shtetasit e saj për të udhëtuar në vendet e BE-së si "arritjen më të madhe në historinë e Shqipërisë që nga kthimi i Skënderbeut në Krujë", atëherë a do të ishte i gatshëm Berisha ta rrezikonte këtë, duke u dhënë pasaporta qytetarëve të Kosovës. Do të mjaftonte ardhja dhe aplikimi për azil e disa qindra kosovarëve me pasaporta të Shqipërisë në vendet e BE-së që Shqipëria me shpejtësi të madhe të kthehej në listën e zezë të Schengenit. A do ta bënte Shqipëria një sakrificë të tillë.

Ajo që është zbulim edhe më paradoksal i kryeministrit Sali Berisha është "albanofobia". Zbulimi i një frike të tillë patologjike që kanë fqinjët nga shqiptarët është tërësisht jashtë kohe. Në fakt shqiptarët asnjëherë në historinë e tyre nuk i kanë pasur më të mira raportet me fqinjët sesa që i kanë sot.

Ja disa fakte: Greqia është shtet aleat i Shqipërisë në NATO.  Me anëtarësimin në NATO Shqipëria ia ka dhënë besën edhe Greqisë se do t'i dalë në mbrojtje nëse dikush ndonjëherë merr guximin për ta sulmuar shtetin Aleat, sikur edhe cilindo nga 28 shtetet anëtare të NATO-s. Sipas nenit 5 të Traktatit të NATO-s "sulmi mbi një shtet anëtar konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve". Në Greqi edhe në këtë kohë të krizës së madhe ekonomike rreth gjysmë milioni shqiptarë fitojnë bukën për familjet e tyre.  Retorika nacionaliste dhe fashiste e grupeve ekstreme në Greqi nuk e përfaqëson qëndrimin e këtij shteti. Njësoj është rasti edhe me Italinë, një tjetër aleat në NATO.  Turqinë jo vetëm se Shqipëria e ka aleat në NATO, por vetë kryeministri Sali Berisha ka thënë se "jemi të një gjaku". Me Malin e zi, shtet të pavarur, kurrë shqiptarët nuk i kanë pasur raportet më të mira. Mali i Zi e fitoi pavarësinë edhe falë votave të shqiptarëve në këtë shtet dhe ata janë të kënaqur me pozitën e tyre. Edhe nga Shqipëria shumë qytetarë shkojnë në pushime verore në Mal të Zi, ku vështirë se mund të gjesh sot "albanofobi" për të cilën flet Berisha. As për Maqedoninë nuk mund të thuhet se është "albanofobe", sepse nuk mund të jetë e tillë një qeveri pjesë e së cilës janë vetë shqiptarët.

Madje kanë ndryshuar gjërat edhe me Serbinë me liderët e së cilës kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ha e pi në Bruksel, me të cilët me kënaqësi takohet edhe presidentja e Kosovës, Jahjaga. Vetë liderët kosovarë pranojnë se "me Serbinë po bëhen hapa historikë në normalizimin e marrëdhënieve". Dhe nëse kosovarët i kanë punët mirë me Serbinë, atëherë vështirë se mund të thuhet se Shqipëria ka ndonjë problem me Serbinë.  Të gjitha vendet fqinje i kemi edhe partnerë të rëndësishëm tregtarë  dhe kemi liberalizim tregjesh me ta. Mallrat e Serbisë konsumohen me kënaqësi jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri.

Nëse nuk mendon në sharjet të cilat dëgjohen nga huliganët apo tifozët në ndeshjet e futbollit, atëherë nuk mund ta gjejmë arsyen pse tash Berisha sheh "albanofobi" për të cilën nuk fliste as kur regjimi i Serbisë përzinte nga trojet e tyre qindra e mijëra shqiptarë.

Motivet e Berishës mund t'i gjejmë vetëm në frikën nga humbja e pushtetit dhe nga anketat të cilat tregojnë rritje të mbështetjes për Aleancën Kuq e Zi. Cilat do të jenë motivet prapa retorikës së fundit të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, ajo nuk i sjell asgjë të mirë as Shqipërisë e as shqiptarëve.  Nacionalizimi shpesh është përdorur si ikje nga realiteti, ndërsa Shqipëria dhe shqiptarët sot kanë probleme shumë më të mëdha me veten e tyre sesa me fqinjët. Nuk kanë faj fqinjët pse në Shqipëri dhe në Kosovë vidhen votat. Nuk kanë faj fqinjët se në Shqipëri dhe Kosovë lulëzojnë krimi i organizuar dhe korrupsioni. Nuk kanë faj fqinjët për vrasjen e njerëzve në Tiranë më 21 janar, kushdo që të ketë qenë fajtorë. E as që kanë faj fqinjët për çmimin e energjisë në Kosovë. Për "albanofobinë" kurrë nuk ka qenë kohë më e gabuar për të folur sesa që është sot.


AUGUSTIN PALOKAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
VETERANËT E UÇK BOJKTOJNË INSTITUCIONET NË SHËNIMIN E PAVARËSISË (02.13.2013)
ULRIKE LUNAÇEK - DEKLARATA E BERISHËS PËR PASAPORTAT SHQIPTARE PËR KOSOVARËT KA KRIJUAR SHQETËSIM NË PARLAMENTIN EVROPIAN (02.12.2013)
KUJTIMI PËR KOLONELIN TAHIR ZEMAJ DHE BRIGADËN MËRGIMI ËSHTË THESAR PËR HISTORINË TONË KOMBËTARE Intervistë me z. BERNARD PERLASKAJ, oficer i Brigadës MërgimiIntervistuan XHEVAT REXHAJ dhe AFRIM OSAJ (02.12.2013)
5 VJET MË PARË NDAHEJ NGA JETA MIKU I MADH I SHQIPTARËVE TOM LANTOSH (02.12.2013)
PAS PAPNISË, JOSEF RATZINGER DO TË JETOJË NË MANASTIRIN E MOTRAVE NË VATIKAN – PASUESIT E TIJ AFRIKANËT TURKSON, ARINZE OSE KANADEZI OUELLET (02.11.2013)
PAPNIA E BENEDIKTIT XVI - 8 VJET NËN SHENJËN E FESË (02.11.2013)
BESIRE CENA - SIMBOL I BUKUR I BREZIT TË RI TË FEMRËS SHQIPTARE NË KOSOVË, SHPALOS PASIONET, VIZIONET, AMBICJET E SAJ NË FUSHËN E SHKENCËS, POLITIKËS, DIPLOMACISË, MODËS SË LARTË...Intervistoi ELIDA BUÇPAPAJ (02.11.2013)
BOTOHET FJALORI I PARË SHQIP-SUEDISHT ME RRETH 35000 FJALË (02.11.2013)
KADRI (OS)MANI, NJERIU I RISIVENga IDRIZ ZEQIRAJ (02.11.2013)
YOKO ONO PO I MBUSH TETËDHJETË VJET - 'JOHN ËSHTË KËTU, POR KJO BOTË NUK I PËLQEN' (Intervistë) (02.10.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart�]