VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Xhuda: Kosova nuk mund ta pengojë marrëveshjen
E Martë, 09.08.2009, 02:11pm (GMT1)

 

 

Analisti britanik, Tim Xhuda, thotë se Kosova nuk mund ta pengojë marrëveshjen ndërmjet EULEX-it e Serbisë, meqë atë e ka mbështetur edhe presidenca suedeze e BE-së. Sipas tij, kundërshtimi që Prishtina i bën kësaj marrëveshjeje ka të bëjë me çështje të brendshme politike në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË: Sa mund të ndikojë kundërshtimi i Prishtinës ndaj protokollit në rritjen e tensioneve në këtë pjesë të rajonit?
TIM XHUDA: Mendoj se bëhet mjaft zhurmë për asgjë, për sa i përket nënshkrimit të protokollit ndërmjet EULEX-it e Beogradit dhe kjo në Kosovë po bëhet për shkaqe të brendshme politike. Mendoj se Kosova nuk do të mund të bëjë shumë rreth kësaj dhe EULEX-i këtë marrëveshje do ta realizojë. Nervoza të cilën e kemi parë në Kosovë nuk do të zgjasë gjatë dhe në fund do të qetësohet.

RADIO EVROPA E LIRË: Disa analistë ndërkombëtarë, sikur ata në agjencinë amerikane STRATFOR, parashohin rritje të tensioneve në relacionin Prishtinë EULEX...
TIM XHUDA: Jo, mendoj se nuk ekziston një rrezik i tillë. Nëse nuk gaboj, edhe kryesia suedeze e Bashkimit Evropian e ka mbështetur nënshkrimin e këtij protokolli dhe mendoj se kjo marrëveshje do të kalojë, çkado që Kosova të mendojë për të.

Mendoj se këtu është shumë me rëndësi të kuptohet konteksti në të cilin shprehet pakënaqësia në Prishtinë. Në radhë janë zgjedhjet lokale në Kosovë, ku secili dëshiron që sa më shumë t'i dëgjohet zëri. Jam i sigurt se të gjitha që po ndodhin rreth këtij protokolli, janë më tepër të lidhura me këtë se sa më gjërat e tjera.

Mendoj se Kosova nuk do të ketë kurrfarë ndikimi në nënshkrimin e këtij protokolli. Kosova është një pikë e vogël në hartën e Evropës dhe Bashkimi Evropian do ta bëjë atë për të cilën ka mandat, i pëlqeu kjo Kosovës apo jo.

RADIO EVROPA E LIRË: Thoni që Kosova nuk mund ta pengojë nënshkrimin e marrëveshjes EULEX Serbi, por çfarë është çmimi politik, nëse do të ndodhte ndonjë dhunë?
TIM XHUDA: Rrezik nga ndonjë dhunë më të madhe, sipas mendimit tim, nuk ka. Mendoj se përmbysja e 24 veturave të EULEX-it nga ana e aktivistëve të lëvizjes "Vetëvendosje" nuk është akt i dhunës serioze.

Siç thashë, duhet të shihet si shprehje e politikës së brendshme. Pos kësaj, aktivistët e Vetëvendosjes dëshirojnë të tregojnë se ende ekzistojnë. Pa aksione të këtilla njerëzit thjeshtë do t'i harronin.

Pra, nuk shoh paralajmërime të ndonjë dhune dramatike dhe nuk ka arsye për frikë nga kjo. Përfundimisht, nëse diçka e tillë ndodhë, ajo do të ishte në dëm të Kosovës.

Më duket se gjasët për një skenar të tillë praktikisht janë kurrfare. Atë që e kemi parë para do kohe, duhet ta shohim vetëm në pozicionimin për zgjedhjet e ardhshme lokale.

RADIO EVROPA E LIRË: A shihni diçka kundërthënëse apo problematike në këtë protokoll ndërjmet EULEX-it e Serbisë për bashkëpunim policor?
TIM XHUDA: Jo gjithaq, pasi ai protokoll, në masën më të madhe, thjesht është vazhdim i marrëveshjeve të mëparshme për bashkëpunim policor ndërmjet Serbisë e Kosovës, nëpërmjet UNMIK-ut. Pra, UNMIK-u më herët ka nënshkruar marrëveshje të këtillë dhe ajo ishte shumë e mirë.

Ky është vazhdim i bashkëpunimit të njejtë, por në formë tjetër.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.