- Përcillini 5.550 fjalë, në 30 përgjigje të dhëna nga Prof. as. Dr. KOLË
TAHIRI, gjatë një interviste të gjërë me redaktorin e kulturës të ZShsë Zeqir Lushaj -
Hyrje: - Një burr i mençëm atje në Malësi, kur njerëzit i drejtoheshin: -A po
më kallxon diçka o Filani, përgjigjej: -Po, në ditësh me m'dvetë! Më dukej si
çudi kjo shprehje, por Ai-Plaku paska patur fort të drejtë... Nuk është kollaj as me ba pyetje, pra, me dvetë. E
sidomos një prof. dr. të shkencave psikologjike! Por, unë marr kurajo se e kam
mik! -
I. Jeta epike në Nikaj-Mërtur dhe Kolë Tahiri.
1. - A jeni i kënaqur profesor Kola: - Nga student në kryeqytetin e Lindjes,
Moskë..., tani pensionist në kryeqytetin e Perëndimit, në Bruksel?
Pergjigje: - Po! Pa dyshim, jam fort i kënaqur. Por, përpara Moskës dhe
Brukselit, ndjehem krenar se, që nga klasa e parë fillore e në vazhdim, në
Shkoder, si bursist, mora shkollimin , kulturen qytetare, formimin shkencor dhe
u pergatita per sfidat e mëvonëshme. Pasatj, në Moskë u diplomova per shkencat
psikologjike dhe i sherbeva per më se gjysëm-shekulli arsimit dhe shkollës
shqipe. Mirënjohje, atdheut tim dhe atyre njerëzve të mirë, të cilët më
ndihmuan per realizimin e ëndërrave.
Në kryeqytetin e BE, vazhdoj punën studimore dhe botuese. Mbretëria demokratike
e Belgjikës, familjarisht më garantoi të sotmen dhe të ardhmen. I jemi
mirënjohës. Gjatë jetës, shpeshherë më është kujtuar shprehja popullore: " Kur
shkulet guri nga mali/, nuk e mban fusha as vatani! " - Ky, paska qenë edhe
fati im...
2. Duke harruar per një çast metropolet e mëdha të Europës, si e përkujtoni
fëmijërinë kur kullosje qingjat në Kore të Mërturit? Deri ku guxonte andrra
juaj aso kohe?
Pergjigje: - Ah!, fëmijëria, kurora më e bukur e jetës së njeriut. Cilit nuk i
drithërohet zemra kur e kujton?! Fatkeqësisht, fëmijëria ime ka qenë e
ngarkuar, plus varfërisë edhe me peshen e emocioneve e frigën e luftës. Jeta
baritore, bjeshka, njerëzit, varfëria proverbiale, perjetimet e thella, patën
lënë në vetëdijen time gjurmë të pa-harruara per tërë jetën... Ëndëra ime e
viteve të fëmijërisë ka qenë: - të vazhdoja shkollën, të vazhdoja mësimet.
3. A të ka marrë malli të freskohesh në gurrën e "Hasan Gashit", nën Qafë-Kolç,
apo të mahitesh me ndonjë çobaneshë nën hije të ahut?
Pergjigje: - Shumë! Sa më s'bën. Nuk i shpreh dot me fjalë ato emocione, atë
mall e dashuri që ndiej pikërisht per ato vende: per vërrinin, per bjeshkën,
pyjet, krojet, rudinat, çetat, ru-pat, thepat, shtigjet, bagëtinë, çobanët e
çobaneshat, njerëzit e gjithëçka tjetër të atyre mje-diseve që per mua mbeten
përrallore. Sa më larg vendit tënd dhe per sa më shumë kohë që të shkëputesh,
aq më teper të zhuritë malli per çdo gjë që lidhet me vendlindjen. Çobaneshat,
në bjeshken tonë kan qenë të respektuara, motra të vërteta. Në ato vite, ne,
adoleshentët dëgjonim me kënaqësi kur më të rriturit i këndonim "dashnores" se
imagjinuar, duke iu drejtuar: "Moj e mira, vetull-hollë!", " Moj e mira, në ato
çeta!", "Moj e bukura, në mriz të dhenet!" Perdoreshin me emocion epitete
prekëse, shumë njerëzore...
4. A mendon, se ke shprehur vetveten në librin, rreth 400 faqe që i keni
kushtue babait tuaj të nderuar Tahir Sheremetit? Cili keni qenë më i mençëm:
Tahiri analfabet, apo Kola prof. dr. i psikologjisë?
Pergjigje: - Në atë liber të nisur thjeshtë per mahi, por që më vonë u bë
itimend (i vertetë) kam shprehur shumëçka. Libri është i Atij, (pra i babës),
unë vetem kam bërë konceptimin, kam hedhur materialin, grupuar e evidentuar
mesazhet që percjellin. Krenohem, që humori i tij gjurmëlënës ka qenë i pelqyer
nga bashkëkohësit dhe vazhdon të kujtohet. Kan qenë krenari per mua vlerësimet
e bëra per këtë botim nga poetet dhe shkrimtarët e mirënjohur, si Anton
Papleka, Hamit Alia, publicisti Marash Mehilli etj.. Mbi të gjitha është një
liber kujtesë. Ai u thotë lexuesve: - Kurrë më, mos lejoni që të ndalohet
fjala, të vritet fjala. Se fjala i ka me vete LIRITË ! Është rasti të ju
falënderoj edhe Ju e revisten tuaj ZemraShqiptare që i keni dhënë goxha vend
këtij botimi. Per krahasimin e mençurisë më erdhi ne mendje rasti i atij
malësorit të urtë të cilin kur e pyeten djemët e vet (njëri merrej me punët
bujqesore, ndersa tjetri me ato blegtorale), se cili prej tyre ishte "më i
mençur" dhe "kishte burreri" më shumë, iu pat pergjigjur: "Per punët e
bujqësisë, - i tha të madhit,- je ti më i mençur", e "per punët e blegtorisë, -
iu kthye tjeterit,- je ti më i zoti e më i mënçur", per burrenine tuaj flasin
të tjerët (katundi).
5. Si spjegohet nga Ju, si psikolog që jeta aq e varfer dhe e zorshme në malet
tona na ka hyrë kaq thellë në shpirt sa, as që mund të shkulet dot?
Pergjigje: - Shkaqet kanë të bëjnë me tezën e psikologjisë së moshave. Vitet e
para (Frojdi thotë, 5 vitet e para) të jetës së njeriut lënë vulë, gjurmë ta
pashlyera per tërë jetën. Në moshen 80 vjeçare, Leon Tolstoi pat thënë: "Kam
mesuar më shumë, nga lindja deri në moshen 5 vjeçare, se sa ne vitet e tjera të
jetës". Një Papë i Vatikanit ka thënë: "M'i jepni femijët e Botes, nga lindja
deri në moshën 5 vjeçare dhe tërë Botën do t'a bej katolike!". Truri, në rritje
e sipër i ngjan sfungjerit, i cili thithë çdo gjë që i jepet në shqisa e rroket
nga perceptimi direkt i shoqeruar me emocione e ndjenja delikate, gjurmëlënëse.
Të dhenat "ma-gazinohen", per t'u ruajtur, në forme gjurmësh, mbresash,
imazhesh dhe perdorur sipas nevojes. Jeta e zorshme, varferia, mjerimi dhe
perpjekjet per t'i perballuar ato, perjetohen thellë emocionalisht, brumosen në
vetëdijen e atij që i provon, nuk shkulen tërë jeten. Niçe thekson, se " Vetem
vuajtja fal urtësi" dhe se "Dhëmbja e urtëson njeriun". Ato, lënë gjurmë në
jetë, më tepër se pasuria dhe jeta e dhënë pas qejfeve. Per me tepër, këtu
implikohet edhe bota e se Pavetedijeshmes Kolektive, e quajtur nga Karl Gustav
Jungu "Arketipi Kolektiv", i trasheguar e percjellur në shekuj, ngjizur
brez-pas-brezi, i cili shfaqet në forma nga më të larmishmet në jetë e
krijimtari. Kam pershtypjen se edhe jeta e të dy protogonisteve të kësaj
interviste, pra e imja dhe e jotja Zeqir, "çon ujë në këtë mulli...!".
II. Bota e librave dhe ndergjegj-ja individuale.
1. Kur e ke kuptuar se magjia e librave të ka bërë per vete?
Pergjigje: - E kam ndjerë konkretisht se "magjia e librit" më ka rrembyer
perjetesisht, si-domos atë vit, kur varferia me shkeputi per gati dy vjet nga
librat. Libri më mungonte tme-rresisht. Në këtë situatë, në ajrin e fresket të
bjeshkës, me bagëti, një si rreze drite "hyjno-re", per shpirtin e mendje time
u bë leximi dhe mësimi permendësh i disa prej këngëve të Lahutës së Malsisë, të
cilat u vulosen perjetësisht në kujtesen e shpirtin tim të njomë...Falë
sakrificave të nënës sime të ndjerë, Sube Alieja (Hasaj), e cila më dhuroi
jeten dhe me shumë mundime më dha shkollen u ktheva në Shkoder, rifillova
mësimet. Kurdoherë i kujtoj me respekt e mirënjojhje ata qe krahas nënës sime
më kanë dhënë perkrahjen e pare, si Nikë Zogu (Pjetërnikaj), Ukë Hamza (Kuka),
ish mësues në Shëngjergj, Dedë Zefi (Hasaj) dhe per zgjedhjen e deges, Evrinomi
Panda, ish profesoresha e psikologjisë në shkollë të mesme.
Që ateherë e deri më sot nuk iu ndava shkollës dhe librin nuk e lëshova nga duart.
Në shekullin e XX-të, jeta pa librin nuk kishte kuptim, ashtu siç nuk ka sot pa
internetin. Libri per ata që dinë të "lexojne" kur-doherë ushtron ndikim të
pazëvendësueshëm në formimin e ndergjegjes së njeriut dhe besoj, se kështu do
të vazhdojë edhe per shumë kohë.
2. Ku je ndie më rehat në profesion: pedagog, studjues, historian apo si
publicist?
Pergjigje: - E kam ndier vehten mirë në secilin prej këtyre pozicioneve, por më
mirë, ose siç thuhet, jam ndier në "karrigen" time: si pedagog në universitet
afro dy dhjetëvjeçar. Sinqerisht i jam permbajtur porosise së Niçes : "Një
filozof per të qenë i respektuar duhet të predikojë nëpërmjet të shembullit të
vet". Po në ç'masë e kam arritur këtë? ...Ua kam lënë fjalën ish studentëve të mi
dhe në vleresimet e tyre të shumta ndjehem shumë mire. Mendoj se siç ka të
drejtë çdo veteran ta zbukuroje gjoksin e vet me medaljonet që ka marrë në jetë
ashtu edhe arsimtari gjen kënaqësinë kur ish nxenesit e vet e kujtojnë me
dashuri.Si studjues dhe historian i arsimit edhe kjo "karrige" per më se një
çerek shekulli më ka dhënë dhe vazhdon të më jap kënaqësi. Me publicistikë të
mirefilltë nuk jam marrë por kam propoganduar të dhënat e shkencave
psikologjike e pedagogjike per gjatë më se 50 viteve, në mbi 10 revista e buletine
shkencore dhe mbi 15 organe shtypi të kohës.
3. Pa e politizuar problemin, në ç'farë raporti e shihni traditen arsimore të
Lindjes me at' të Perëndimit dhe ç'ka mendon per këtë raport?
Pergjigje: - Tradita Lindore jepte informacion duke vene theksin në formimin
mendor, në kujtesen mekanike, në të menduarit statik, shabllon. Por, ajo nuk i
pergatiste nxënësit dhe, as sot e kesaj dite nuk i pergatite si duhet per
jetën, per praktiken. Perfytyroni që një student i inxhinierisë elektrike
studjonte per 5 vite me radhe formula matematike e merrke diplomën perkatese pa
qënë një herë në një kabinë elektrike, pa zotëruar as profesionin e
elektriçistit! Mbivleresimi i formimit mendor, shpinte në njëanshmeri të
ndjeshme, per të cilen një filozof shprehej se : "Marksi është pa zemër",
ndersa " Frojdi pa tru". Këto disproporcione shpinin në mangesi të ndjeshme në
formimin artistik, muzikor, estetik, kulturor, human, pra shpirtëror të
nxënësve. Mjaft i dukshëm po shfaqet ky boshllek, (në mungesë të shkollimit të
rregullt të brezit të ri) edhe gjatë periudhës së tranzicionit. Ecuria jonë
"shqiptare" është shquar per kalime ekstreme nga njëra traditë tek tjetra. Por
dua të shtoj se gjatë tërë historisë së shkollës sonë perkushtimi atdhetar e
profesional i mësuesve shqiptare ka qenë i admirueshëm. Pjesa më madhe e tyre,
sipas traditës së normalistëve të Elbasanit janë shquar edhe per mjeshtri
metodike të spikatur. Këto dhe arsimdashja e shqiptarëve e kanë mbajtur gjallë
shkollën shqipe.
4. A të jep mend shkolla? ...A kishe menduar ndonjëherë se diplomat e
universitetit si dhe titujt shkencor do të shit-bliheshin në sheshin
Skenderbej?!
Pergjigje: - Ekziston një raport midis asaj që njeriut i jepet nga natyra kur
lind e asaj që fitohet në shkollë. Shpesh keqkuptohen dy koncepte që lidhen me
shkollen: "Jep mend" dhe " Zhvillon mendjen" që janë të ndryshme. Pra, po të
shprehem me thjeshtë: "të jep", në rast se di t'i perdoresh, po nuk dite, po
nuk pate, mos i bjer në "qafë" shkollës. Shkolla, në kuptimin empirik nuk jep
mend, po zhvillon mendjen e nxënësit, nxitë të menduarit, disiplinon e kulturon
atë, aktivizon aftesite potenciale qe dremisin, njohurit ua pershtatë veçorive
të moshës duke mprehur e shkath-tësuar mendjen, logjiken, aftesitë njohëse etj.
Shitblerja e diplomave në sheshin Skenderbej është "risi" e pa ndeshur më parë
në historinë e arsimit dhe shkollës botrore, "risi" që do të mbetet pikë
referimi si "Epoka kur shiteshin e bliheshin diplomat në pazar!" Po t'i shtojmë
kësaj tërë frymën e korrupsionit shtetror na mbetet vetem që të "vajtojmë me
ligje". Blerja e diplomave nga polikanë, deputetë, biznesmenë etj. fuqizon
lidhjen "politikë-karrige".
5. Të njohim shkurtimisht lexuesit me botimet tuaja dhe planet per të
ardhshmen? Pergjigje: - Kam nisur të botoj në shtyp që nga viti 1965, në
Institutin e Studimeve Peda-gogjike në Tiranë. (Koinçidencë interesante: kjo
intervistë shenon 50-jetorin e botimit në gazeten "Mesuesi" të shkrimit tim të
parë: "Mendime per tekstin e psikologjisë"). Veprimtaria ime botuese shtrihet
në disa fusha: 1. Probleme psikologjike e pedagogjike të shkollës fillore: Të
dhenat e ketij eksperimentit sherbyen si baze per aprovimin, në vitin 1971 të
Ligjit: "Mbi zbritjen e moshes se pranimit te femijeve në shkollë, nga 7 në 6
vjeç, ne Republiken Popullore të Shqiperisë". Ndjekja per vite me radhe e ketij
eksperimenti me ka sherbyer si mbeshtetje per hartimin e disertacionit per
graden shkencore "Kandidat i shkencave" e cila më vonë u konvertua në "Doktor i
shkencave pedagogjike".
2. Studime e botime per psikologjine e moshave të vogla.
3. Tekste dhe libra shkollore psikologjike: Veçohen: Librat: "Psikologjia" per
shkollat e mesme që pergatisnin mësues per shkollat fillore dhe edukatoret e
kopshteve. Këto tri libra shkollore janë perdorur në të gjitha shkollat
pedagogjike të vendit si të vetmet tekste psikologjie per me se 25 vite me
radhë. "Psikologjia e pergjitheshme", per te gjitha deget e mesuesise te
Universitetit te Tiranës dhe per Institutet e Larta Pedagogjike të rretheve.
"Psikologjia" per Institutin e Kultures Fizike "Vojo Kushi. "Psikologjia
moshore", per kursin 1-vjeçar, pasuniversitar të pedagogjisë e psikologjisë,
(gjithsej 6 libra mesimore) ku kam qene hartues i programeve të tyre, autor i
një pjese të konsiderueshme kapitujsh (5 e deri 7) dhe redaktor i tyre. Ato
janë perdorur nga studentet e Universitetit dhe të shkollave të tjera të larta,
si të vetmet tekste psikologjie per më se 15 vite me radhë.
4. Çeshtje të historisë së arsimit dhe shkollës shqipe: Nga historia e SHSHMP
në Belgjikë, (liber në doreshkrim, në formë kujtimesh).
5. Probleme psiko-pedagogjike të arsimit të lartë. Veçori psikologjike të punes
mesi-more në shkollen e larte, psikologjia e moshes studentore, kualifikimi
psiko-pedagogjik i profesoratit.
6. Botime memorialistike : Kujtime per vendlindjen, siç është libri " Tahir
Sheremeti-mahi-tet me njerëzit e kohen (Tiranë, 2009), kujtime per LDB, në
krahinën e Nikaj-Mërturit, etj. Gjithashtu, kam botuar shkrime, kumtesa,
studime etj. në revista e në organet e shtypit në Tiranë, Prishtinë, Bruksel,
Zvcër, Nju Jork, në internet, si edhe në "ZemraShqiptare" e "ShqipëriEtnike"
etj. por, edhe në gazetat rajonale si, "Dukagjini", Nikaj-Mërturi"etj. Krahas
botimeve kam perkthyer librat: "Historia e Mafies" dhe "Psikologjia e
seksualitetit" e Frojdit të cilat kan parë driten e botimit. Perkthimin e
librit të autorit amerikan Paoul Bregg, "Sekrete e jetegjatësise", akoma e kam
në dorëshkrim. Në projekt-plane, kam synime e deshira per të shkruar per
traditen popullore në edukatë, shenime etno-psikologjike, figura mësuesish,
kujtime nga jeta ime etj. (Per këto të fundit, vajza ime Valbona e cila me
ndihmon në veprimtarinë time botuese thotë se, -ato do t'u duhen nipave e
mbesave që të mos harrojnë origjinen dhe "udhëtimin" e gjyshit per të arritur
deri në Bruksel). Këto "ëndërr-projekte", me ngjajnë me ato "vepra" të cilave
shtetarët tanë ua presin shiritat e fillimit të punimeve, po se kur do të
përfundojnë ato, një Zoti e di...!
III. Shkencëtari dhe rendimenti në punën krijuese.
1. Ç'farë raporti ka tek Ju, puna studimore me atë krijuese dhe kush të tërheq
më shumë, hulumtimi apo interpretimi?
Pergjigje: - Po bëhen mbi 25 vite që jam angazhuar në hulumtime e grumbullime
materia-lesh të cilat perbejnë themelin e punës krijuese. Keshtu, mbi bazen e
hulumtimeve të cilat zene shumë me teper kohë hidhesh në punen krijuese. Në të
njëten kohë, kjo mbetet nevojë e detyrë e perherëshme si punë e dyfishtë,
paralele, ku fitojnë epersi herë njera anë e herë tjetra. Më tepër me sjellin
kënaqësi: interpretimi, nxjerrja e perfundimeve.
2. Nga anon kohë- puna për Ju, shtëpi-bibliotekë apo arshiva?
Pergjigje: - Në kohë-punën time gjatë viteve të qendrimit në Institutin e
Studimeve Pedago-gjike në Tiranë vendin qendror e kan zënë arkivi dhe
biblioteka. Ndersa, gjatë dy dhjete-vjeçareve të punës në Universitet kohë-puna
ime është zënë nga mesimdhenia në fakultete. Pas daljes në pension , kam qenë i
detyruar te "gozhdohem" në studion time.
3. - Jeni dhënë shumë mbas Fishtës dhe Konicës... Ç'farë presim të re?
Pergjigje: - Po! P.sh., nga njohja e afërt me revisten prestiçioze "Albania" të
Konicës, botuar në Bruksel e në Londer, pikerisht 115 vite më parë, më
rezulton, se ajo është një enciklo-pedi e vertetë e botës shqiptare, ende e pa
arritur në shtypin shqiptar. Botimi i permble-dhjes së numrave të reviste
"Albania", do t'i bente nderë kultures kombëtare.Veprat e Koni-ces e Fishtes
paraqesin interes aktual per çeshtjen shqiptare. I ka ikur koha qendrimit
diskri-minues ndaj ketyre rilindesve të medhenj. Do të vazhdoj gjurmimin ne
veprat e ketyre dy autoreve në kendveshtrimin etno-psikologjik. Në to
pasqyrohet thellë bota shpirtërore e shqiptareve të kohës. ZemraShqiptare më ka
mbeshtetur dhe ju falënderoj sinqerisht.
4. Emigracioni dhe kultura shqiptare në optiken e një psikologu?
Pergjigje: - Në raportin midis integrim-asimilimit nga njera anë dhe
identitetit etnik e kulturor shqiptar shtrohet problemi që secili emigrant të
ndjehet krenar per vendlindjen dhe kulturen shqiptare, e kjo, jo propogande por
një e vertetë e pamohueshme. Per raportin integrim dhe identitet etnik e
gjuhësor, egzistojne moskuptime e paqartësi te cilat bien në kundershtim me
ligjet, konventat dhe normat ndërkombëtare. Këto të fundit e lejojne dhe e
kerkojnë zhvillimin etno-kulturore të etnive të ndryshme, si kusht per
zhvillimin dhe pasurimin e kulturës botërore. Njëkohësisht është vertetuar se
gjuha dhe kultura kombëtare nuk behen pengesë per integrimin në asnjë shtet të
botës...Ne kemi të drejtë legjitime të krenohemi me origjinën tonë, historinë tonë,
personalitetet shqiptare që i kemi dhënë dhe vazhdojmë t'i japim njerëzimit. A
nuk kemi të drejtë të krenohemi me lashtësinë e forcën shprehëse të gjuhës
shqipe, me atdheun tonë, natyren, klimen, detin, njeriun tonë energjik
shqiptar, me poziten gjeografike etj., me genin shqiptar i cili i ka rezistuar
asimilimit në shekuj. Me sa duket, kështu do të jetë edhe në të ardhmen.
...Konica i madh tregonte se një herë kur po perpiqej t'i shpjegonte një lordi
anglez diçka per cilesitë e shqiptarve, ai e nderpret e i thotë: "Nuk është
nevoja të lodhesh, per t'i folur askujt per bashkatdhetaret e tu; mjafton që
t'i prezantohesh se -ti je shqiptar!".
5. - Si paskemi bërë deri sot pa Internetin?!
Pergjigje: - Kemi qenë si huti në errësirë. Përfytyrim të saktë per mungesën e
internetit na japin fshatrat e sotme shqiptare, të braktisura barbarisht. Pa
internetin, e ardhmja nuk imagjinohet dot ! Le ta gëzojnë brezat e sotëm dhe
ata që do të vijnë!
IV. Prof dr Kolë Tahiri... dhe jeta politike.
1. Një shkencëtar, a mund ta ketë përparësi edhe politikën?
Pergjigje: - Po, per njëfarë kohe. Dhe kete kalim t'a bëjë, sidomos në momente
kyç, në kthesa historike. Pretendimi per t'i bërë të dyja njekohesisht nuk
është fort rezultativ. Unë e provova një kalim të tille por shpejt u ktheva tek
profesioni im i mësimdhënies dhe shkenca. E quaj fat të mirë që gjatë tërë
jetës nuk bëra pjesë në asnjë parti politike. Pata zgjedhur që në fillim
"partinë" e mësuesve atdhetarë.
2. Ke qenë kandidat per deputet i Partisë Demokratike në fillim të viteve '90,
(dhe unë personalisht të kam mbështertur, bile nga faqet e "Zerit të popullit",
që at'here nuk ish edhe shumë e lehtë). A e mërziti lufta politike psikologun
Kolë?
Pergjigje: - Lufta politike e at'herëshme, mua si qytetar dhe si psikolog më
pat merzitur shumë. Demokracia në vendlindjen time Tropojë erdhi, por mjerisht
me shumë dhimbje e fatekeqësi të pamerituara. Kjo më zhgënjeu e më pezmatoi.
Ndaj u largova jo vetem nga politika, por edhe nga vendlindja. Politika e
sotme, me streson dhe më çuditë. Politikanet tanë ende nuk arrijnë që mbi
interesat e ngushta vetiake e partiake, të venë interesat kombëtare. Në situata
të tilla, Konica u drejtohej shqiptarve: "Të vimë në ment!" Per perkrahjen tuaj
të at'herëshme, trimërore e fisnike, i bazuar në theniën: "Me mirë vonë, se
kurrë!" me mbeti ky falënderim publik. Një mbeshtetje të tillë, aq më teper në
organin qendror të diktaturës mund t'a bente vetem një njeri me origjinë e
formim të fisëm e me "fije burrërie". Mirënjohje, i dashur mik i ditëve të
vështira! Mirënjohjen time me gjithë zemër, të sinqertë e shpalosi në një organ
mbarëkombetar siç është "Zemra Shqiptare".
3. Jeni nder të rrallët ish-kuadro të asaj kohe që keni bërë autokrtikë me
shkrim përpara fshatarëve të zonës Nikaj-Mërtur për propoganden që ju ke bërë
në kohën e kolektivizmit. Pse aq e thellë ajo autokritikë, sikur ishe porositë
nga vet Jezuesi?!
Pergjigje: - Kam bërë autokritikë nga që e kam ndjerë. Kam reflektuar per ato
që pata "pro-poganduar" dhe per faktin se i "doli kallaji" propogandes së
at'hershm. Daja im, Mark Ze-nuni i Hasajve (Curraj Poshtëm), ditën që
"vullnetarisht" dorëzoi pasurinë e grumbulluar prej disa brezave, pat thënë:
"Mbas sodit, mos pyetni ma per mua, per të gjallë !" Me këtë brengë në shpirt,
në varfëri legjendare e mbylli jeten ashtu si gati krejt bashkë-fshatarët e
tij. Ajo autokritikë si para Jezusit, siç e percaktove ti Zeqir, pat ardhur nga
njohja e thellë e gjendjes së atyre njerëzve, e kthimit të tyre në skllevër në
tokën e vet. Mund të konsiderohet ajo autokritikë vazhdimësi e figurës së
intelektualit i cili reflekton, i kupton gabimet, pendohet per to dhe kërkon
publikisht ndjesë duke lehtësuar edhe shpirtin e tij.
4 . Nikaj-Mërturi, janë zonë tipike që nuk e kan dashur Komunizmin dhe janë
ngritur me armë në luftë kundër tij. Sot, janë ndër njerzitë që e "shajnë" më
pak at' kohë! Burrëria juaj, apo diçka më shumë?
Pergjigje: - Pyetje interesante! Brezi i kaluar i nikaj-mërturasve, vertetë nuk
e pat pranuar e as perkrahur komunizmin sepse ai u lidh me sllavët, serbët e
rusët. Mbase, në raste të veçanta ka ndikuar edhe një grimë "burrërie"
malësore, tradicionale, sipas së ciles, i vdekuri rrespektohet, i ruhet
"fytyra", nuk i mirret arma etj.. . Ka ndikuar edhe mentaliteti i krahinës,
sipas të cilit "sharja nuk është burrëri". Sharja flet per dobësi, prandaj shan
më shumë i dobëti, i ligu.Ndërsa, sipas po këtij mentaliteti burri nuk shan,
po, në rast se e meriton dhe i krijohet mundesia ai "të vret, ose të falë".
Dhe, po të fali nuk mirret ma me ty. Kam pershtypjen se këto janë shfaqje
fisnikërie të vertetë ku nuk duhet të abuzohet. Ne shqiptaret po t'i denonin
sinqerisht krimet e komunizmit do t'a kishim me të lehtë, do të kishim më të
drejte të udhehiqeshim në teori dhe në praktikë nga urtësia e Nenë Terezës, per
të perqafuar dashurinë njerëzore dhe mësimet e Martin Luter Kingut, i cili
predikonte perpara botës zezake amerikane: "Errësira nuk mund ta debojë
errësiren; vetëm drita mund t'a bëjë këtë. Urrejtja nuk mund të dëbojë
urrejtjen; vetem dashuria mund t'a bëjë këtë!". Historia 100 vjeçare e shtetit
shqipter njeh dy burra të cilët të udhëhequr nga parime të larta u vunë në krye
të shqiptarëve dhe arriten të krijojnë dy shtetet e sotme të shqitarëve: Ismail
Qemali dhe Ibrahim Rugova.
5. Pa dashur të ju vë në pozitë të veshtirë, por kur flas me një profesor
doktor, me një psikolog si Ju, guxoj të ju pyes:-Jeni në dhomën e fshehtë të
qendrës së votimit. Keni përpara dy kuti ku shkruhet: AHMET ZOGU dhe ENVER
HOXHA. Per cilin voton Kolë Tahiri?... (Kujdes, kutinë e gabuar ... ha-ha-ha!)
Pergjigje: - Në rastin kokret, Kolë Tahiri nuk ka ndonjë preferencë per
asnjërin prej perso-nazheve të mësipërme, si individ privat as si karaktere të
veçanta. Kur behet fjalë per institucionet, kohën që secili prej tyre ka
perfaqesuar, per vepren që kanë lene pas, puna ndryshon dukshem. Po të
veshtrohet sot harta e Europes, del në pah dallimi dhe niveli i jetes midis
vendeve me sistem qeverisës mbreteror dhe atij diktatorial. Dhe në fund i
dashur: -që të mos ngatërroja "kutinë e gabuar...", u largova nga Shqiperia. Po
t'a them si dashamirë e si mik që të kam se : -Vota në demokraci është e
fshehtë, per rrjedhojë, as "në besë të burrave", nuk ta them dot!
V. Pesë pyetje, gati-gati, si intimitete
1. Puna intensive e një studiuesi, a mos i hyn në pjesë më tepër se duhet jetës
familjare?.
Pergjigje: - Po! Tmerrësisht shumë, padrejtesisht dhe nga pakkush e vleresuar.
Bashkeshortet e shkencetareve, shkrimtareve e krijuesve të ndryshem janë
heroina. Një pjesë e mirë e meri-tave të mia, shkencore e botuese, në rast se
mund të quhen të tilla, i takojnë bashkëshortes sime, Ollga. Me keqardhje, kjo
gjendje vazhdon edhe sot e kësaj dite ndonëse, vazhdimisht bëj autokritikë. Po
bashkëshortja tolerante, me mirëkupton, me krijon kushtet e më jep kohen në dispozicion
per punë e botime. Mbetem borxheli dhe mirënjohës. Lapidarë, bashkë-shorteve të
krijuesve kudo që ato janë.
2. A të dhemb zemra per Nikaj-Merturin që ka mbetur gati shkret?!
Pergjigje: - Edhe Po, edhe Jo! Po! Më dhemb zemra fort, sepse gjithçka u
braktis "partizançe". Levizja masive erdhi si protestë ndaj mungeses së lirisë
të ketyre banorëve gjatë "natës" diktatoriale per të levizur lirëshëm nga një
vend në tjetrin. Në këtë situatë vepruan edhe forca të pavetedijeshme,
destruktive, të dala jashtë çdo kontrolli. Jo! Nuk më dhemb zemra per atë që
ndodhi, sepese banoret e asaj krahine, me fare pak tokë bujqësore prodhuese e
me lindshmeri të lartë, kanë qenë të gozhduar në ata shkrepa si Krishti. Një
largim i planifikuar, me ligje e rregulla të menduara mirë, një largim gradual,
ka qenë berë prej kohësh domosdoshmeri historike.
...Ajo krahinë nuk e meriton të mbetet bosh! Në ato bjeshkë të shendetëshme e të
bukura do të kthehen njerëzit, me shpejt seç mund të mendohet tanipertani. Atje
do te lulëzojnë turizmi malor, sportet verore e dimërore, kerkimet arkeologjike
(disa kisha paraturke), speloelogët (eksplorues ) e shpellave të panumerta e me
shumë legjenda, e sidomos, stili i njohur i "Verimit familjar në bjeshkë", një
mënyrë jetese e harruar në vitet e monizmit etj.
3. Kush të vjen më tepër në ëndërra, kush ringjallet me shpesh në trurin tend
djaloshar; bjeshkët e vendlindjes, apo ndonjë bjonde moskovite e kohës
studenteske?!
Pergjigje: - Më tepër me shfaqen në ëndërra bjeshkët e Vendlindjes me njerezit
e saj të varfer por të ndershem, të sinqertë, të drejtë që betoheshin: "Pasha
të drejtën e Zotit!", " Pasha Kishen e Deçanit", " Pasha buken që na mban
gjallë!"...
Per afro një gjysem shekulli me bashkestudentet e brezit tim e kemi patur të
ndaluar rrebtesisht të kujtonim, të zinim në gojë vendin e bjondinave, jeten
atje dhe ato vet. Gjithëçka u ndaluar me dhunë nga çensura dhe autoçensura:
korrespondenca, telefonatat, librat, pllakat e gramafonit, albumet, fletoret me
shenimet të atye viteve, letrat e shkëmbyera më parë, gjithçka e dukshme dhe e
padukshme, shpirterore e materiale, gjithëçka duhej zhdukur, duhej fshirë nga
truri. Qenë ndaluar edhe ëndërrat e gjumit...! Terrori dhe frika kishin depertuar
deri në katakombet e së pavetëdijëshmes dhe "frenonin" edhe... ëndërrat e gjumit.
Ky ka qenë realiteti i jetuar nga studentet e asaj kohe, pra edhe nga unë.
4. Kush len më shumë gjurmë në jetë: vuajtjet e përplasjet, apo pasuria e
rehatia?
Pergjigje: - Filozofi i madh Niçe thekson: " Vuajtjet, perjetesisht gerryese,
lemeritese i hapin rrugen shkrifterimit të shpirtit"! Dhe diku tjeter: "Dhembja
e urteson njeriun". Pra, në formimin dhe kujtesen e njeriut lënë më teper
gjurmë dhe kujtohen më shumë vuajtjet, perplasjet, veshtirësit, sakrificat,
humbjet, se sa pasuria e rehatia, se sa fitoret e lehta. Kjo mund të vertetohet
lehtesisht me jeten e secilit që i ka provuar e perjetuar ato. Jeta e të
burgosurve politik, kur arrihet të paraqiet si në veprat e Arshi Pipës, Sami
Repishtit, Visar Zhitit, Spartak Ngjelës etj janë tregues autentike të kesaj që
pohuam me lart.
5. A kan nevojë nipërit e mbesat për dashurinë (tënde) për Tropojën? Nëse "po", pse?
Pergjigje: - Tani per tani, jo edhe aq. Janë të zënë me misteret e kësaj bote.
Por, besoj se gjuha amtare të cilen ua mesojnë gjyshja dhe gjyshi dhe prinderit
e tyre, udhetimet e takimet me njerëzit dhe Shqiperinë, emisionet televizive,
bisedat tona etj. lënë gjurmë në vetedijen e tyre. Geni shqiptar është
transmetuar tek ata dhe dihet se, ai është shumë rezistent. Nipat e mbesat,
dashurine time per Tropojen, me kalimin e viteve do t'a sjellin në kujtesë
sëbashku me nevojën dhe krenarinë per origjinen, per identitetin e vet. Në
jetën e njeriut dhe të kombeve shumë gjëra vijnë me pjekurinë moshore. Me
habiti një ditë Adriani, nipi i cili sapo mbushi 11 vite : "Gjyshi,-më tha,-ti
e ke kollaj të kujtojsh Tropojen, po per mua që prej "tre brezash" jetoj në
Belgjikë është më veshtirë". Si me shaka por shprehi një të vertetë.
VI. Këtu, për çdo pyetje, pres vetem nga dy-tre rrjeshta përgjigje:
-Miqësisht: -Prap detyrim?! Prap dhunë ?! Dhunë im zot, dhunë! ha, ha, ha...,
(K.T.)-
1. Vet jeta është një ëndërr, apo ne ëndërrojmë në jetë?
Pergjigje: - Jeta është një ënder, me personazhe reale ose të fantazuara, ënder
që zgjatë sa një "ëndër". Njerëzit ëndërrojnë per një jetë më të mirë e më të
lumtur. Njeriu duhet të zbulojë perherë dhe të dijë të kapet vazhdimisht pas
ënderrave e qëllimeve të reja, shpresave optimiste, të mendojë kurdoherë vetëm
pozitivisht. Kur të mjegullohen qëllimet dhe shuhen ëndërrat, droe se gjithëçka
i afrohet fundit dhe "ëndërra" mbaron!
2. Cili është raporti i ndërgjegjes me frikën, dhe diktatin (dhunën)?
Pergjigje: - Frika, dhuna, terrori, diktati janë nga armiqet të rrezikshëm të
ndergjegjes se njeriut. Frika kultivon veset me negative. Terrori dhe diktati,
me mjetet e tyre, dhunen dhe demagogjine e propogandes e shplajnë trurin, ashtu
siç ben edhe droga. P.sh., frika e çensures diktatoriale ka
demtuar rëndë krijimtarinë artistike dhe shkencore në periudhen e monizmit.
Frika e çensures, polli edhe simotren e vet, një frikë tjeter edhe më
destruktive në vetedijen krijuese, "Autocensuren" .Terrori e dhuna arriten deri
në mohimin e Zotit. Një shembull: E vonova afro një muaj këtë intervistë nga
frika se : -a do të ma pelqejë redaksia apo jo?, Ç'farë do të mendojne lexuesit
(opinioni)? Mëdyshja, a mund të jepen pergjigje pa disa "gram" shpjegime
teorike , në ç'raport do të vendosen akademikja me shakanë, humorin? Por edhe
dyshimi, nëse e meritoj të renditem, midis atyre figurave të shquara, të cilat,
me mjeshtri i ka zgjedhur redaktori Lushaj per këtë rubrikë etj. A është edhe
ky shembull i atij ndikimi që ushtron frika edhe në ditet tona tek
intelektualët? -Po.
3. Ke patur besim se do e shohësh Kosovën të pavarur?
Pergjigje: - Të falënderoj shumë per një pyetje të tillë, i dashur Zeqir! -Ti,
e di fort mirë, se mjaftonte që unë e ti të hypnim, jo në maje të bjeshkës së
Shtyllës..., po në maje të Blinit të Grisë, që të rroknim me veshtrimin tonë
dheun e pa-anë të Kosovës. Ti gjithashtu e di se emrin e saj, monizmi e kishte
perjashtuar nga hartat shqiptare, nga zemrat e shqiptareve. Madje ka qenë me
zarar zenia në gojë e emrit Kosovë e Çameri! Po, a mund të harrohej se atje
kishim varret e të parëve, motra tona të martuara, gjinitë e nënave, grave
tona, kishim vëllezërit tanë, miqtë, kumbarët, gjakun tone? Në këto kushte a
mund të dyshoja në pavarsimin e saj ? A mund të harrohej sa gjaku shqiptar
ishte derdhur atje dhe se ai mund të shkonte kot? Gjithesesi, kurresesi, Jo! Më
lejoni të sjell vetem një shembul, i cili tërë jeten më ka pikua në zemer: U
linda dhe u rrita në Malesine e Gjakoves dhe e solli jeta që të udhtoja që nga
Shen Perterburgu e Moska në Rusi e deri në New York të SHBA e nëpër Europë
cep-më-cep, por diktatura, per më se 50 vjet nuk më lejoi të shkelja as deri në
Gjakovë, ku babai im e i yti shkonin në këmbë per te bere pazar per pak orë.
Ishte e pamundur të shkoja që të kryeja amanetin e babajt per të vizituar
varret e xhaxhallareve të mi të mbetura pertej kufirit shtetror, në dheun e
Kosovës.
4. Një profesor psikologjie si
Ju, a mendon shpesh për vdekjen?
Pergjigje: - Më shumë mendjen e kam të zënë me punët që duhet të përfundoj
përpara se të mbyllet "ëndërra e gjatë"..., sa një ndeshje futbolli. Fundi është
i pashmangshëm dhe vjen ashtu natyrshëm, vetvetiu. Nuk ka ndryshim të madh, me
atë "vdekjen" që provojmë kur na zë gjumi çdo ditë. Ajo nuk ka nevojë as të
ftohet as të mendojmë shumë per të, as të kemi frikë prej saj. Më e rëndë se
frika e vdekjes per shqiptarin ka qenë frika e turpit, marres, faqes së zezë,
pabesia (spiunlleku), trathëtia etj.. Burrëri është që edhe vdekjen ta presësh
me dinjitet e pa u trembur.
5. Si e sheh Atdheun në këtë fillim-shekulli të ri të shtetit shqiptar?
Pergjigje: - E perfytyroj At'dheun, Nënën Shqipëri si një frymë perendie, si
një "Zanë Mali", si një "Zonjë e Rëndë", dinjitoze e krenare. E shoh perditë më
të burrëruar, të gatëshëm per sfida të reja, per të kërkuar atë që i takon, atë
që i është mohuar padrejtësisht. E shoh Shqipërinë natyrore duke percjellë kudo
dashuri, paqe, mirëkuptim e tolerancë. Po, e shoh edhe më të shqetësuar per
bijtë e bijat e saj të shpëndarë nëpër botë. ... Zoti e ka thënë se kombi ynë do
të bashkohet! Amin!
- Në emër të redaksisë, ju falënderojmë per këtë bisedë interesante me 5.550
fjalë:
- Qofsh sa më jetëgjatë dhe sa më i lumtur!
- Falënderoj Ju dhe redaksinë që më dhat mundësinë per tu takuar me lexuesit e
ZSh-së. Nuk e dita se "po mi numëron fjalët" miku im i mirë e nëse u zgjata
pak, ju kërkoj ndjesë! Ini të mrekullueshëm dhe ju dua. Zoti ju bekoftë e ua
priftë mbarë!
-------------------
- Pyetjet nga NJ, USA dhe përgjigjet nga Brukseli