Shpërblimi i vendosur nga Policia e Shtetit në vlerën e 100 mijë dollarëve për
këdo që jepte informacion mbi vrasësit e kryekomisarit Dritan Lamaj, ka
shkaktuar një garë të vërtetë telefonatash. Mësohet se numri i telefonatave të
marra ka qenë i konsiderueshëm për raste të tilla, ndërsa një person ka
telefonuar dhe ka qenë më konkret në informacionet që ka ofruar për Policinë.
Ai ka pretenduar se e dinte se kush është autori i ngjarjes. "Sot paradite (25
shkurt) ndodhesha në një lokal pranë Doganës dhe dy persona që ndodheshin në
tavolinën pranë meje po flisnin për vrasjen e Dritan Lamajt. Ata flisnin me
dialekt nga veriu dhe njëri i tha tjetrit se Dritan Lamajn e ka vrarë një
familjar i Arben Frrokut dhe kushëriri i tij". Kjo, sipas Policisë, ka qenë telefonata
që dëshmitari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ka bërë në sallën operative
të Policisë së Tiranës. Pas këtij denoncimi, personi është marrë në pyetje nga
një prej specialistëve të grupit hetimor, duke shpjeguar rrethanat se si e
kishte mësuar këtë informacion. Burime nga grupi hetimor thanë se dëshmitari ka
pohuar se ndodhej rastësisht në atë lokal, ku edhe i ka shoqëruar shërbimet e
Policisë për t'ua treguar se ku ndodhej dhe aty ka dëgjuar bisedën. Ai
pretendon se nuk i njeh dy personat që po flisnin për vrasjen e Lamajt dhe që
pretendonin se kush janë autorët, por në rast se përballet me ta, ai arrin t'i
njohë. Policia tha se dëshmia e tij nuk mund të merret e mirëqenë, por çdo
detaj që ai ka dhënë gjatë deklarimeve do të verifikohet dhe ka nisur një
proces hetimi për të identifikuar personat që ka përshkruar dëshmitari. Në
kuadër të hetimit të vrasjes së kryekomisarit, Policia e Tiranës ka vazhduar
edhe dje me shoqërimin e pyetjen e personave që janë të punësuar në biznesin e
Arben Frrokut. Burimet nga grupi hetimor thanë se janë marrë deklarimet e 6
operatorëve të kompanisë "Xhoi Loto", si dhe të kamerierëve të kompleksit
"ALM", të cilët ndodheshin në punë natën e ngjarjes. Ata kanë deklaruar se
Arben Frroku ka qenë në mbrëmje në ambientet e zyrave të ALM dhe është larguar
nga aty bashkë me kushëririn e tij, Jak Jaku, rreth orës 17:1017:15. "Arbeni
erdhi këtu rreth orës 17:00, po nuk e pamë se me çfarë makine ishte. Më pas
erdhi edhe Jaku dhe u larguan nga këtu të dy bashkë, rreth orës 17:1017:15",
kanë deklaruar punonjësit e Frrokut.
Arben Frroku mohoi vrasjen e oficerit
Pak ditë pas arrestimit nga Policia greke, biznesmeni Arben
Frroku u dërgua para gjykatës ku iu bë e ditur se ishte shpallur në kërkim nga
Ministria e Brendshme e Shqipërisë në lidhje me vrasjen e kryekomisarit Dritan
Lamaj. Gjatë deklarimeve të tij në seancë gjyqësore, Frroku theksoi se nuk e
pranonte akuzën. Edhe publikisht ai tha se ka pasur konflikte me Lamajn, por
nuk ka gisht në vrasje. Në një mesazh drejtuar tifozerisë së skuadrës së
Tërbunit në Pukë, president i së cilës është Frroku, biznesmeni shprehej se
shumë shpejt do të jetë i lirë në Shqipëri.
Ish-vartësi i Lamajt u kanos me numër fals
TIRANE Pesë minuta pas vrasjes së kryekomisarit Dritan
Lamaj, në adresën e një tjetër efektivi të Policisë ka mbërritur një mesazh
kërcënues. Arianit Arapi, shef Komisariati në Pogradec, mësohet se ka marrë një
mesazh kërcënues në telefon vetëm pak minuta pasi në Tiranë ishte ekzekutuar
ish-shefi i Komisariatit Nr. 6. Kryekomisari i kërcënuar në telefon kishte
punuar bashkë me Dritan Lamajn në drejtimin e Komisariatit të Kombinatit. Ai ka
mbajtur funksionin e shefit të Krimeve dhe sipas Policisë, është ekspozuar në
të njëjtat konflikte ku ishte "përfshirë" edhe Dritan Lamaj. Prokuroria e ka
hetuar këtë kërcënim dhe nga verifikimet është mësuar se numri i përdorur për
dërgimin e mesazhit e ka pasur vendndodhjen në Tiranë. Ai ka qenë i blerë dhe i
regjistruar nën një emër fals.
Gruaja e Lamajt: Më tregoi kërcënimet nga dy biznese
Tiranë, Anila Lamaj në Polici: Kishte vazhdimisht telefonata kërcënuese
Bashkëshortja e kryekomisarit: E kanosën për detyrën
Dëshmia e bashkëshortes së kryekomisrit të vrarë, Dritan Lamaj, është një nga
provat më të rëndësishme të mbledhura nga grupi hetimor i ngritur për atentatin
ndaj kryekomisarit. Oficerët e hetimit të vrasjeve janë duke verifikuar
edhe një pistë tjetër në lidhje me vrasjen, nisur nga deklarimet e gruas së
Dritan Lamajt. Gjatë dëshmisë së saj për Policinë, Anila Lamaj është shprehur
se kohët e fundit i shoqi kishte marrë vazhdimisht telefonata kërcënuese, edhe
pse nuk i fliste shumë rreth tyre, pasi nuk donte që ta shqetësonte. Burimet e
Policisë kanë pohuar se në dëshminë e saj gruaja e kryekomisarit ka thënë se
ishte në dijeni të konflikteve që Lamaj ka pasur me pronarët e dy bizneseve,
një pa hyrë në Kombinat dhe një tjetër në Unazë të Re. Dy ditët e fundit,
bashkëshortja e kryekomisarit është marrë në pyetje për herë të tretë në lidhje
me vrasjen e bashkëshortit të saj më 24 shkurt 2013. "Tani nuk donte të më
shqetësonte dhe për këtë arsye nuk më fliste shumë rreth problemeve që kishte
me punën apo kërcënimeve që merrte. Por di që ka pasur probleme me dy biznese
private, një në hyrje të Kombinatit dhe një tjetër në Unazën e Re, pak para se
të arrish te Dogana", ka deklaruar e shoqja e kryekomisarit. Dëshmia e saj
është verifikuar menjëherë nga grupi hetimor dhe ka rezultuar që biznesi në
hyrje të Kombinatit është pikërisht subjekti në pronësi të Arben Frrokut. Sipas
Policisë, biznesi tjetër që gruaja përmend, është një lokal nate me muzikë, që
gjatë kohës kur Lamaj ishte shef i Komisariatit Nr.6 ka pasur disa
mosmarrëveshje me pronarët për shkak të zhurmës aty, si dhe nga kontrollet që
policia bënte vazhdimisht. Kjo është pista e dytë që është ngritur së fundmi
nga oficerët e Policisë së Tiranës dhe ata të Drejtorisë së Përgjithshme të
Policisë, të cilët po hetojnë vrasjen e Dritan Lamajt. Burimet e Policisë thanë
se, pavarësisht se i dyshuari kryesor është Arben Frroku, tashmë i arrestuar në
Greqi, do të verifikohen edhe të gjitha konfliktet e tjera që ka pasur në
detyrë kryekomisari Dritan Lamaj.
DESHMITE
Për shkak të problemeve shëndetësore që ka bashkëshortja e kryekomisarit Lamaj,
oficerët e grupit hetimor nuk janë zgjatur shumë në procesin e marrjes në
pyetje. Hetuesit janë mjaftuar me disa gjëra thelbësore që ajo ka deklaruar
gjatë rrëfimit të saj, dy ditë më parë. Burimet nga hetimi thanë se
bashkëshortja e Lamajt do të rimerret sërish në pyetje, pasi konsiderohet një
dëshmitare e rëndësishme rreth problemeve që ka pasur Dritan Lamaj, gjatë kohës
që ishte shef Komisariati në Kombinat, por edhe kërcënimeve që mund të ketë
marrë pas largimit nga kjo detyrë. Një dëshmi tjetër e rëndësishme për grupin
hetimor është edhe ajo e motrës së Lamajt, me të cilën ai kishte diskutuar herë
pas here problemet që ka pasur. Gjatë deklarimeve të saj, motra e kryekomisarit
është shprehur se një telefonatë kërcënuese i është bërë edhe disa minuta para
vrasjes, në kohën kur ajo ndodhej në makinë me të.
Ekstradimi i Frrokut, dosja drejt Greqisë
TIRANE Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar në Prokurorinë e
Përgjithshme dy ditë më parë relacionin shpjegues me gjithë provat e mbledhura
deri tani në lidhje me kërkesën për ekstradimin nga Greqia të Arben Frrokut.
Ndaj biznesmenit u vendos masa e sigurisë "arrest me burg" pa afat në mungesë
në datën 27 shkurt 2013. Ky vendim i është përcjellë Prokurorisë së
Përgjithshme dhe Interpolit menjëherë pas shpalljes nga Gjykata. Ndërkaq së
fundi, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë një përmbledhje shpjeguese të
ngjarjes së ndodhur në Tiranë, duke argumentuar kërkesën për ekstradimin e
biznesmenit Arben Frroku. Në shpjegimin e kërkesës për ekstradim, Prokuroria ka
pohuar se kryekomisari i Policisë, Dritan Lamaj, u qëllua me 11 plumba më 24
shkurt 2013 pranë banesës së tij. Sipas Prokurorisë, atentati ka ndodhur për
shkak të detyrës dhe në të kanë marrë pjesë së paku dy persona. Pas ngjarjes,
Policia e Shtetit filloi hetimet dhe mes personave të dyshuar ishte biznesmeni
Arben Frroku. Natën e krimit dhe më pas, më shumë se 40 banesa u kontrolluan në
Tiranë. Një prej tyre ishte shtëpia e biznesmenit Frroku. Policia nuk e gjeti
në banesë të dyshuarin dhe më pas mësoi se ai ishte larguar drejt Greqisë pak
orë pas vrasjes së Dritan Lamajt. Rreth 24 orë pas vrasjes së Lajamt, Policia
gjeti makinën e braktisur në Domje, periferi e Tiranës. Prokuroria thekson se
biznesmeni Frroku është person ndaj të cilit zhvillohen hetime në lidhje me
ngjarjen. Ekstradimi i tij kërkohet për të mundësuar kryerjen e procedurave të
nevojshme
hetimore.
Dëshmia e policit
Mes provave kryesore që rendit grupi i hetimit në adresë të
biznesmenit Arben Frroku, është dëshmia e dhënë vullnetarisht nga një efektiv
Policie. Bëhet fjalë për oficerin e rendit që ka ruajtur në spital për nëntë
ditë biznesmenin Arben Frroku, pas shoqërimit të tij në polici në fund të
shtatorit 2012. Pas ndalimit në Komisariatin e Policisë Nr.6 më 26 shtator
2012, Arben Frroku u transferua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe më pas
u dërgua në spital, ku u mbajt në gjendje arresti për 20 ditë. Gjatë qëndrimit
në spital, sipas policit, biznesmeni ishte shprehur se shefi i Komisariatit Nr.6,
Dritan Lamaj, i kishte shkatërruar gjithçka dhe se oficeri do ta paguante atë
që kishte bërë.
(Artikullin e plote e lexoni sot ne gazeten Panorama)