VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Shtajnbah: Protokolli nuk është në dëm të Kosovës
E Enjte, 09.10.2009, 04:11pm (GMT1)

 

 

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Diter Shtajnbah tha sot se protokolli ndërmjet EULEKS-it dhe Serbisë për bashkëpunim policor nuk është në dëm të Kosovës. "Kjo është marrëveshje teknike dhe jam i bindur se përmes dialogut do të gjendet një zgjidhje", tha Shtajnbah. Për protokollin sot u deklaruan edhe krerët e Institucioneve të Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari, Jakup Krasniqi.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Hans Diter Shtajnbah tha se nënshkrimi i protokollit të bashkëpunimit në mes EULEX-it dhe Serbisë nuk do ta dëmtojë sovranitetin e shtetit të ri të Kosovës.

Çështja e sovranitetit ka luajtur një rol jashtëzakonisht të madh në javët dhe ditët e fundit në Kosovë. Dua të theksojë pozicionin e qeverisë gjermane se marrëveshja e cila do të duhej të nënshkruhet në mes Serbisë dhe EULEX-it është teknike dhe ajo nuk do ta dëmtojë sovranitetin e Kosovës. Ju duhet të jeni të sigurtë që qeveria gjermane e cila e ka njohur shtetin e Kosovës ndër shtetet e para nuk do t'i mbështeste masat të cilat do ta dëmtonin sovranitetin apo integritetin territorial të shtetit të ri të Kosovës. Jam i bindur se për të gjitha çështjet e hapura do të gjendet një zgjidhje nëpërmjet dialogut, "tha Shtajnbah .

Presidenti, Fatmir Sejdiu tha se nuk jemi akter sa i përket protokollit.

"Ne nuk kemi koment nga ato që është thënë më herët. Unë e dhashë përgjigjen edhe një herë Kosova nuk është akter në këtë çështje. Kosova do të bashkëpunojë me EULX-in, ICO-në më KFOR-in me bashkësinë ndërkombëtare që ka investuar shumë dhe do të investojë në Kosovë për zhvillimet e përgjithshme", tha Sejdiu.
Kryeministri Hashim Thaçi tha se institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë koordinimin me të gjithë faktorët relevant për luftën pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

"Kosova nuk është pjesë e atij pretendimi të aranzhmanit teknik por Kosova si shtet i pavarur sovran dhe demokratik do të vazhdojë përkushtimin e saj shumë serioz në luftë kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar bashkëpunimin gjithashtu shumë të ngushtë me autoritetet e Bashkimit Evropian me të gjitha vendet e rajonit, në mënyrë që të kemi paqe, stabilitet, rend dhe ligj dhe perspektivë evropiane për shtetin e Kosovës dhe të gjitha vendet e tjera," tha kryeministri Thaçi .

Kryetari i parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi tha se pas njohjes së shtetit të Kosovës nga 63 vendet më të fuqishme të botës, sovraniteti nuk mund të vihet në pikëpyetje dhe është i garantuar.

"Nëse qëllimi i aranzhameneve ose protokollit teknik është për të rritur sundimin e rendit dhe ligjit në të gjithë Kosovën, nëse është për të penguar krimin e organizuar nga Serbia në Kosovë, nëse është për të siguruar doganat dhe ndërprerjen e kriminalitetit dhe kontrabandës në atë pjesë të Kosovës realisht është çështje e EULEX-it, ndoshta edhe e Bashkimit Evropian, por e konsideroj që është në këtë rast edhe në interes të Kosovës që të sundojë rendi dhe ligji, tha Krasniqi..

Krasniqi tha se Institucionet e vendit së bashku me ato perëndimore do të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për Kosovën dhe rajonin sa i përket kësaj çështjeje. RTK

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.