VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Zëri i Amerikës: Nënshkruhet protokolli Beograd-EULEX
E Shtunë, 09.12.2009, 08:12am (GMT1)

 

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nënshkruan protokollin e diskutueshëm të bashkëpunimit policor. Zyrtarë të EULEX-it thanë se nënshkrimi është bërë në nivelin teknik nga shefi i përbërjes policore të EULEX-it, Rainer Kuehn.

Nënshkrimi pasoi një periudhë të gjatë debatesh të ashpra që pasuan refuzimin e udhëheqësve të Kosovës për të mbështetur këtë protokoll. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi nëpërmjet një deklarate të përbashkët të lëshuar pak pas njoftimit për nënshkrimin e protokollit, thanë se 

"Republika e Kosovës nuk është palë në arranzhimet teknike midis EULEX-it dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Serbisë për bashkëpunim në fushën e policisë". 

Në deklaratë thuhet se ftesa e Republikës së Kosovës për vendosjen e EULEX-it në Kosovë, për të ndihmuar institucionet e Republikës së Kosovës në fushat e rendit dhe ligjit është akt sovran i udhëheqjes së Republikës së pavarur të Kosovës.

"Edhe me këtë rast ritheksojmë përkushtimin e palëkundur të institucioneve dhe popullit të Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me praninë evropiane në vend dhe me  institucionet e Bashkimit Evropian në drejtim të konsolidimt të mëtejmë të shtetësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, e ne veçanti për të forcuar perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës".

Të dy udhëheqësit theksuan në deklaratë se kjo në asnjë mënyrë nuk do të zbehë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe në këtë kuadër të gjitha format e krimit tej kufitar.

"Theksojmë po ashtu se aranzhime të tilla nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë ndikim në pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës", - thuhet në deklaratën e përbashkët të presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi.

Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë thanë se protokolli është më rëndësi thelbësore për luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa i siguruan udhëheqësit në Prishtinë se ai nuk e dëmton sovranitetin e vendit.

Kundër këtij protokolli janë paralajmëruar edhe protesta të lëvizjes Vetëvendosje dhe një grupi të organizatave joqeveritare. (http://www.voanews.com/albanian)
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.