VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Evropa e Lirë: Nënshkruhet protokolli EULEX-Serbi E Shtunë, 09.12.2009, 08:33am (GMT1)
Me gjithë kundërshtimet e Prishtinës, misioni i Bashkimit Evropian për rend dhe ligj në Kosovë ka nënshkruar protokollin e bashkëpunimit policor me Serbinë. Menjëherë kanë reaguar presidenti dhe kryeministri i Kosovës, të cilët përmes një deklarate me shkrim ritheksojnë se Kosova nuk është pjesë e kësaj marrëveshje. EULEX-i dhe Qeveria e Serbisë kanë nënshkruar protokollin e shumëpërfolur për bashkëpunim policor. Menjëherë pas, kanë reaguar presidenti dhe kryeministri i Kosovës duke ritheksuar pozicionin e Prishtinës zyrtare se Republika e Kosovës nuk është palë në aranzhimet teknike midis EULEX-it dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Serbisë për bashkëpunim në fushën e policisë. Sidoqoftë, me gjithë kundërshtimin e Prishtinës, nënshkrimi i marrëveshjes teknike midis EULEX-it dhe Serbisë është konfirmuar nga zëdhënësi i misionit të BE-së, Kristof Lamfalusi. "Po, e kemi nënshkruar këtë marrëveshje, këtë protokoll. Marrëveshja është nënshkruar në nivel teknik, siç kemi thënë edhe më herët, përkatësisht nga ana e kreut të komponentës së policisë së EULEX-it, Rainer Kuehn", tha Lamfalusi. Ai nuk ka dashur të bëjë komente tjera në lidhje me kundërshtimet e Prishtinës. Menjëherë pas nënshkrimit, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, përmes një deklarate të përbashkët konfirmojnë se Prishtina nuk është e përfshirë në këtë marrëveshje. Në deklaratë thuhet se ftesa e Republikës së Kosovës për vendosjen e misionit evropian për rend dhe ligj, kishte për qëllim ndihmën që ky mision duhet të japë për institucionet e Kosovës në këto dy fusha. "Me këtë rast ritheksojmë përkushtimin e palëkundur të institucioneve dhe të popullit të Republikës së Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me praninë evropiane në Kosovë dhe me institucionet e Bashkimit Evropian në drejtim të konsolidimit të mëtejmë të shtetësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, e në veçanti për të forcuar perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës", thuhet në deklaratën e liderëve kosovarë. Institucionet e Kosovës, vijon deklarata, në asnjë mënyrë nuk do ta zbehin përkushtimin e Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe në këtë kuadër të gjitha format e krimit tejkufitar. "Theksojmë, po ashtu, se aranzhime të tilla nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë ndikim në pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës", thonë Sejdiu e Thaçi përmes kësaj deklarate. Përderisa kundërshtimet e Prishtinës ndaj këtij protokolli tashmë janë shprehur hapur, EULEX-i konfirmon angazhimet edhe për dy marrëveshje tjera me Serbinë "Është shumë herët të flitet për drafte që janë ende në diskutim e sipër dhe se ende nuk jemi në atë fazë kur mund ta konfirmojmë nënshkrimin e këtyre dy protokolleve tjera në fushat e doganave dhe gjyqësisë", tha Lamfalusi. Marrëveshjet e EULEX-it dhe Serbisë janë përkrahur nga Bashkimi Evropian dhe vendet e Kuintit. (http://www.evropaelire.org) www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |