VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

'PLEASE PLEASE MI' E BEATLES MBUSH 50 VJET

E Shtunë, 03.23.2013, 10:08am (GMT1)



Dita e sotme shënon 50 vjetorin e daljes së albumit të parë të grupit të famshëm The Beatles. Albumi titullohet "Please Please Me".

Ky album i parë, i përbërë nga 14 këngë, u publikua në Britani të Madhe më 22 mars 1963. Albumi ishte incizuar për një ditë të vetme, gjatë 12 orëve që grupi i kaloi më studio.

"Please Please Me" arriti të jetë albumi numër një në Britani për 30 javë radhazi, dhe u rrëzua nga kjo pozitë vetëm nga albumi i dytë i Beatles,i titulluar "With the Beatles".

Dalja e albumit të parë të Beatles, e filloi atë që quhet "Beatlemania", gjatë së cilës kohë 11 nga 12 albumet e tyre, u zgjodhën numër një në Britani.

Gjatë një viti, "Beatlemania"  u shpërnda në tërë botën.

Edhe pse grupi u nda në vitin 1970, "Beatlemania" jeton edhe sot. Në fakt, në një ankand që do të mbahet në New York, një kitarë që është përdorur nga John Lennon, pritet të shitet 200 deri në 300 mijë dollarë.

Gjithashtu, një kopje e albumit "Please Please Me", e nënshkruar nga të katër pjesëtarët e grupit, pritet të shitet 40 mijë dollarë.

Shifrat zyrtare të shitjeve të albumeve në mbarë botën, vënë numrin e përgjithshëm të shitjes së albumeve të Beatles në rreth 600 milionë, duke i bërë ata artistët më të shitur të të gjitha kohërave, por vlerësime tjera e shpien këtë shifër në afër 1 miliard, sepse shitjet ende vazhdojnë me anë të internetit.

Dy anëtarët e mbetur të grupit, Paul McCartney dhe Ringo Starr, jetojnë si yje të muzikës, dhe ende bëjnë muzikë solo në mbarë botën.


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.