VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

THANK YOU NATO! THANK YOU USA!
Editorial nga ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ

E Djelë, 03.24.2013, 08:17am (GMT1)

Erdhi përsëri 24 Marsi, i katërmbëdhjeti me radhë pas atij të vitit 1999, i katërmbmbëdhjeti me radhë që e gjen Kosovën pa okupatorin barbar të cilin Kosova dhe aleatët e saj, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përzunë njëherë e përgjithmonë. Presidenti Bill Klinton, në librin "Jeta ime", në kapitullin 52, shkruan, ndër të tjera, për këtë ngjarje të përmasave epokale botërore: "Më njëzet e katër, unë i tregova popullit amerikan për atë që isha duke bërë dhe pse isha duke e bërë. Unë shpjegova se Millosheviçi ua kishte hequr shqiptarëve të Kosovës autonominë e tyre, duke ua mohuar edhe të drejtën e tyre kushtetueshmërisht të garantuar për të folur gjuhën e tyre, për të pasur shkollat e tyre dhe për ta qeverisur veten e tyre. Unë i përshkrova mizoritë serbe: vrasjen e civilëve, djegien e fshatrave dhe përzënien e njerëzve nga shtëpitë e tyre, gjashtëdhjetë mijë në pesë javët e fundit në tërësi. Më në fund, unë i vendosa ngjarjet e kohës në kontekstin e luftërave që Millosheviçi kishte bërë tashmë kundër Bosnjës dhe Kroacisë, si dhe pasojat shkatërrimtare e vrasjeve të tij për të ardhmen e Evropës. Fushata e bombardimeve kishte tre objektiva: për t'i treguar Millosheviçit se ne ishim serioz rreth ndalimit të spastrimit etnik, për të penguar një ofensivë madje edhe më të përgjakshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë, dhe, nëse Millosheviçi nuk dorëzohej shpejt, ta dëmtonim seriozisht aftësinë ushtarake të Serbisë. Atë natë gjuajtjet e NATO-s filluan. Ato do të zgjatnin për njëmbëdhjetë javë, ndërkohë që Millosheviçi vazhdonte të vriste shqiptarë të Kosovës dhe t'i përzinte së paku një milion njerëz nga shtëpitë e tyre." 24 Marsi 1999 do të mbetet në historinë e njerëzimit vija më e pakalueshme e ndarjes midis kauzës së lirisë, paqes, pavarësisë, drejtësisë, nga njëra anë, dhe kauzës së luftës, robërisë, pushtimit, kolonializmit, fashizmit, padrejtësisë, nga ana tjetër. Kosova dhe kombi shqiptar në tërësi, për shekuj të tërë objekt i padrejtësive më flagrante dhe më të përbindëshme, prej 24 Marsit 1999 nuk janë më një komb i pambrojtur, janë një komb që kanë mbrojtësen, miken dhe aleaten më të fortë dhe më të paepur, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 24 Marsi i tanishëm, e sheh Kosovën shtet të pavarur dhe sovran me njohje zyrtare ndërkombëtare, prandaj urojmë me gjithë shpirt dhe me gjithë zemër që 24 Marsi ardhtë përherë i bardhë, ardhtë përherë duarplot për Kosovën, kombin shqiptar, miqtë dhe aleatët tanë, për të gjithë adhuruesit e përkushtuar të kauzës sonë të përbashkët që do të triumfojë në mbarë botën.





ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.