Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaip Muja, ka sqaruar në një
intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, se pse kundërshton që kategoria e grave
të dhunuara gjatë luftës në Kosovë nuk bën të përfshihet në një kategori në
kuadër të ligjit për veteranët e luftës.
Zoti Muja është përfshirë në një debat me deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje në
Kuvendin e Kosovës, lëvizje kjo e cila ka inicuar që në shenjë kujdesi për
gratë e dhunuara, atyre t'u sigurohet një përkujdesje institucionale në kuadër
të ligjeve në fuqi.
RADIO EVROPA E LIRË
Çka ndodhi në kuvend, dhe çfarë debati u inicua për gratë e dhunuara gjatë
luftës, si një kategori për të cilën po kërkohet një përkujdes institucional,
dhe çfarë thatë ju në Kuvend që shkaktoi gjithë këto polemika?
SHAIP MUJA
Propozimin që gratë e dhunuara, të mbrohen me ligj nuk e ka kundërshtuar Partia
Demokratike, në asnjë moment. Dhe asnjë deputet i Partisë Demokratike nuk e ka
kundërshtuar. Mirëpo, përzierjen e kategorisë së grave të dhunuara me ushtarët
e UÇK-së, unë e kam quajtur një spekulim politik, dhe nuk e ka në esencë
dhembshurinë e grupit politik të Vetëvendosjes dhe të një pjese e
deputetëve, por është më shumë spekulim politik që të marrin vota, dhe mendojnë
se do të marrin vota.
Në Kuvend kam thënë se këta nuk janë marrë asnjëherë me këtë kategori, kurse
unë personalisht jam marr me këtë kategori. Gjithë ato gratë që e dëgjojnë këtë
emision, e që ju kam ndihmuar për 12 vjet, e dinë shumë mirë se çka ju kam
ndihmuar. Kam sjell edhe grupe të ekspertëve psikiatër nga SHBA-të.
RADIO EVROPA E LIRË
Po çfarë keni thënë saktësisht?
SHAIP MUJA
Saktësisht kam thënë se këto gra janë të atakuara nga Post-Trauma Sindromi
(PTSD-ja), dhe se ky sindrom do të jetë në rritje, e jo zbritje. Jo vetëm për
ato gratë e dhunuara, por edhe për tërë familjen e saj, për rrethin shoqëror të
ngushtë, dhe rrethin e gjerë. Të themi shumë thjesht, ne do t'i futim në ligj,
ua japim edhe 200 euro ose 250 euro, një pagë dhe i harrojmë ato. Kjo nuk është
zgjidhje.
Kam kërkuar që institucionet e Republikës së Kosovës të ngrisin kapacitete në
Ministrinë e Shëndetësisë, me grupe të veçanta të specializuara për t'i
trajtuar nga aspekti psikiatrik, sepse këto kanë lëndime shpirtërore shumë
specifike. Duhet me qenë grupe të profesionalizuara, të shihen ato a janë në
gjendje të ri-socializohen dhe të integrohen në sistem, apo të mbesin në skedat
sociale të Ministrisë për përkrahje sociale. Kjo ka qenë kërkesa ime në
parlament. Ndërsa, spekulimet që po bëjnë disa nëpër Facebook, nëpër...
RADIO EVROPA E LIRË
Një ka qenë se keni thënë se "duhet të kontrollohen ato gratë e dhunuara"?
SHAIP MUJA
Nga PTSD-ja, post-trauma sindromi. Është proces verbali, i cili...unë jam mjek,
unë jam profesional. Ata të cilët e kanë devijuar janë spekulantë. Lëre që janë
spekulant, por nuk janë marrë asnjëherë me çështjen e Kosovës. Nuk ka asnjë
vlerë kontrolli gjinekologjik sot! Ka niveli psikiatrik, kam thënë dhe
psikologjik, prandaj këta spekulantë, të cilët janë të ulur në parlament, nuk
kanë as vlerë kombëtare dhe as intelektuale.
Unë e ndiej për turp të debatoj me ta në këtë drejtim, sepse nuk janë marrë me
këtë kontingjent asnjëherë. Këto gra meritojnë një përkrahje, një statistikë të
mirë dhe diskrete, një grup shumë profesional, sepse ato janë një pjesë, së
cilës i takon në mënyrë permanente përkujdesja. Jo vetëm sot t'i fusim në ligj
dhe t'i harrojmë.
RADIO EVROPA E LIRË
Por, a nuk mendoni se është një hap i parë, që ato të kenë një ndihmë sociale,
para se të bëhet shkallë-shkallë sic e thoni ju, pasi dhatë një shpjegim për
sistemin e tërë, e në shkallën e parë do të ishte ndihma sociale, ta themi!?
SHAIP MUJA
Fatkeqësisht në Kosovë, me to kanë punuar shumë grupe. Unë e di që kanë punuar
shumë grupe. Në mesin e grupeve kam punuar edhe unë. Unë kam nxjerr nga
psikiatria gra të tilla, përmes një fondacioni të psikiatrisë amerikane që
quhet "Through Field Therapy", është terapi pa medikamente bëhet vetëm me
shkarkimin e energjisë negative, që e kanë brenda. S
ecili nga ne kemi energji negative, por këto gra, dhe ata të cilët kanë qenë
direkt të atakuar nga sistemi i dhunës, edhe fizike, edhe seksuale, të
gjitha, janë me energji jashtëzakonisht negative. Ata duhet të shkarkohen
nga ajo energji negative, dhe fillojnë ta kuptojnë realitetin, por realiteti
nuk i ngarkon më.
Prandaj, kjo ka qenë edhe një intencë, por fatkeqësisht unë nuk gjeta fonde që
të përkrahem tutje, dhe të aktivizohet ajo. Ne kemi ndihmuar shumë gra, sa kam
qenë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, dhe jashtë TMK-së kur kam dal. Mirëpo, ky
grup duhet në mënyrë permanente të monitorohet. Ky grup duhet në mënyrë
permanente të shihet dhe të risocializohet në jetën normale.
Duke u gjetur punë të adaptueshme, sipas kualifikimit, apo sipas rrethanave.
Kjo ka qenë kërkesa ime. Hapi fillestar që të futen ato në ligj, në ligjin e
kategorisë së veteranëve të luftës, unë nuk e besoj që dikush, edhe nga aspekti
juridik, por edhe nga aspektet tjera mund të thotë se është i qëlluar.
RADIO EVROPA E LIRË
Pra, kërkoni një diferencim?
SHAIP MUJA
Një diferencim, me një ligj tjetër. Me një grupim tjetër. Edhe grupimi duhet të
jetë i klasifikuar fiks. Me obligimet shtetërore, të cilat duhet të jenë
permanente, ndaj kësaj kategorie.
RADIO EVROPA E LIRË
për shembull për Viktimat e Luftë , apo nuk munden të futen gratë e dhunuara në
kategorinë e viktimave të luftës?
SHAIP MUJA
Nuk mundesh me i quajt viktima, sepse nuk janë të vrara. Viktimat janë të
vrarët. Të lutem ato janë spekulime, fjala në fjali. Prandaj për atë ju
kam thënë se janë spekulantë. Unë kam qenë pjesëtar i Shtabit të Përgjithshëm
të UCK-së. Edhe nuk mund ta ndiejnë ata persona që kanë nënshkruar më shumë
sesa unë dhimbjen.
Unë kam pa shumë foshnje, e shumë fëmijë, e shumë gra të dhunuara, e të
lënduara. Unë kam vet të humbur nga familja, jam i atakuar. Prandaj, këta
spekulantë të cilët janë sot politik, janë duke e dhunuar edhe publikun, duke
krijuar percepcion.