VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Evropa e Lirë: Protestë e qetë kundër protokollit
E Hënë, 09.14.2009, 03:36pm (GMT1)

 

 

Pamje nga protesta

 

Një rrjet organizatash joqeveritare, në Prishtinë kanë mbajtur protestë kundër nënshkrimit të protokollit në mes të EULEX-it dhe Qeverisë së Serbisë. Organizatorët e protestës kanë akuzuar krerët e institucioneve se "nuk po punojnë për Kosovën".


Mijëra qytetarë kanë protestuar në Prishtinë kundër protokollit të nënshkruar në mes të EULEX-dhe Serbisë në fushën e policisë, javën e kaluar.

Protesta është organizuar nga rrjeti i organizatave joqeveritare, të udhëhequra nga Lëvizja "Vetëvendosje".

Protestuesit mbanin në duar flamurin kombëtar shqiptar, si dhe parulla kundër ndarjes së Kosovës.

Masa e njerëzve u nis nga Biblioteka Kombëtare, vazhdoi marshin përpara Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës dhe, në fund, edhe para ish-selisë së UNMIK-ut, tash EULEX-it.

 

Pamje e protestuesve para BKUK-së

 

Duke iu drejtuar masës së mbledhur, lideri i Lëvizjes "Vetëvendosje!", Albin Kurti, ka kritikuar liderët e vendit duke thënë se ata po shikojnë interesin e tyre, e jo të vendit.

"Fatmir Sejdiu e Hashim Thaçi, bënin naze para se ta pranonin protokollin; Jakup Krasniqi u bë zëdhënës i EULEX-it; kurse Ramush Haradinaj nuk guxonte ta thoshte asnjë fjalë", u shpreh Kurti.

Në vazhdim, Kurti ka kritikuar punën e lidershipit të Kosovës karshi zhvillimeve të fundit politike.

"Kosova është sovrane veç jashtë, atje ku i ka ambasadat e saj, por jo edhe brenda veriut. Pavarësia e Kosovës është bërë si një qyp, të cilin po e gërryejnë prej të dy anëve".

"Serbia e 6-pikëshi i Ban Ki Munit, po e gërryejnë prej jashtë; kurse, EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës po e gërryejnë prej brenda",
tha ai. 

"Bac u kry, e shitën Kosovën", "Kosova në BE, jo nën BE", "Institucionet e Kosovës lejuan protokollin të vazhdojë", ishin disa nga slloganet e kësaj proteste.

Ndërkaq, kryetarja e rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, Igballe Rogova, që ishte pjesëmarrëse e organizatave në protestë ka kërkuar dorëheqjen e liderëve institucionalë.

"Me Planin 6-pikësh të Ban Ki Munit, kjo ndodhi edhe me protokollet, ose t'i quajmë pazarllëqet në mes EULEX-it dhe Serbisë. Mendoj që është koha që këta njerëz, që kanë kësi lloj reagimesh, të japin dorëheqje", tha zonja Rogova.

Nga ana tjetër, Avni Zogiani nga Organizata "Çohu", tha se para një viti liderët kosovarë thanë se 6-pikëshi ka vdekur, por, siç ka thënë ai, protokolli EULEX-Serbi është rezultat i 6-pikëshit të Ban Ki Munit.

"Ata po thonë se, edhe protokolli EULEX- Serbi është i vdekur, por protokolli u nënshkrua. Ata thonë se nuk e njohin protokollin, por do të bashkëpunojnë me EULEX-in, që është nënshkrues i protokollit. Pra, ata nuk e kanë kundërshtuar protokollin EULEX-Serbi, ata po rrejnë", tha Zogiani.

Protesta ka përfunduar e qetë dhe pa incidente, por, siç u tha, organizime të ngjashme do të ketë në vazhdimësi.(http://www.evropaelire.org)
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.