VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Zëri i Amerikës: SHBA përshëndesin përmirësimin e zgjedhjeve në Shqipëri
E Enjte, 09.17.2009, 09:52am (GMT1)

 

Ambasada amerikane në Tiranë bëri komente mbi raportin përfundimtar të zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri publikuar dy ditë më parë nga ODIHR-i.

Ambasada amerikane shprehet se mirëpret përmirësimet e bëra në krahasim me zgjedhjet e shkuara duke nënvizuar kuadrin e përmirësuar ligjor, procesin e regjistrimit të votuesve, fusha të cilat sipas ambasadës shënuan një progres të prekshëm.  

Më tej në deklaratë komentohen edhe mangësitë e vëna në dukje nga raporti. U shënuan probleme lidhur me numërimin dhe regjistrimin e votave si dhe anshmërinë e medias për partitë kryesore politike, thuhet në të.

Po ashtu sipas përfaqësisë diplomatike amerikane, ODIHR-i nxjerr në pah veprime dhe presione problematike nga partitë politike dhe qeveria gjatë fushatës elektorale.  

Në përfundim të deklaratës, ambasada amerikane nxit qeverinë shqiptare dhe të gjitha partitë politike që ta shfrytëzojnë raportin dhe rekomandimet e tij për të përmirësuar zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme në vend.  

Në Shqipëri aktorët kryesorë politikë i bënë lexime të ndryshme raportit të ODIHR-it.

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se vendi i tij ka dalë përfundmisht nga harta e vendeve me zgjedhje problematike.

Ndërsa Kryetari i Partisë Socialiste, forcës kryesore të opozitës, Edi Rama, ka vlerësuar se raporti është një këmbanë alarmi për situatën e zgjedhjeve dhe të demokracisë në Shqipëri, duke qenë se sipas tij vendi nuk arriti standartet e kërkuara. (http://www.voanews.com/albanian)

 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.