VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ASHASH KUNDËR NDËRHYRJES NË GJUHËN STANDARDE

E Mërkurë, 04.24.2013, 08:19am (GMT1)




Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, kundër ndërhyrjes në standard. Në përbërje të këtij institucioni të krijuar dy vjet më parë, është dhe shkrimtari i madh Ismail Kadare, si dhe gjuhëtarë e personalitete të njohura nga bota akademike ndërkombëtare Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave është shprehur dje, përmes një kumtese kundër ndërhyrjes në standardin e shqipes, dhe i sheh përpjekjet e fundit për të ndryshuar drejtshkrimin, si të pabaza shkencërisht dhe me pasoja të rrezikshme për gjuhën shqipe. Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave është një institucion i krijuar më 17 dhjetor 2011, dhe president nderi është shkrimtari i madh Ismail Kadare, e në përbërje të së cilës janë emra të njohur të kulturës shqipe, si: Xhevat Lloshi, Inva Mula, Sali Shijaku, Pëllumb Xhufi, Fatos Tarifa, Elena Kadare etj.

Sipas prof. Fatos Tarifës, kjo kumtesë ka dalë pas një mbledhjeje që Akademia pati dy ditë më parë dhe është shprehje e qëndrimit unanim të anëtarëve të saj, transmeton Gazeta Shqip. "Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave e vlerëson gjuhën e sotme letrare kombëtare, ose shqipen standarde, si një ndër arritjet madhore të qytetërimit modern shqiptar. Kjo vlerë e lartë kulturore dhe mjet zhvillimi, përparimi e përbashkimi i kombit tonë në të gjithë hapësirën e tij etnike e në diasporë, kërkon mbrojtje e përkujdesje shoqërore e shtetërore të pandërprerë, ashtu siç përcaktohet edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave vëren me shqetësim se në përpjekjet e sinqerta të shumicës së lëvruesve e studiuesve të gjuhës për ta përsosur më tej normën letrare, ndërthuren kërkesa e teza pa bazë shkencore, që eventualisht mund të jenë të rrezikshme dhe me pasoja", thuhet në kumtesën e bërë publike. Kjo Akademi e quan shqetësuese mënyrën jotransparente të punës së Këshillit Ndërakademik, si dhe mungesën e informacionit të drejtpërdrejtë për publikun e gjerë, duke qenë se vetë ky këshill është krijuar nga një bashkëpunim mes dy akademive të sipërpërmendura, statusi i njërës prej të cilave ka ndryshuar që nga koha e krijimit të tij, duke i bërë të diskutueshme si legjitimitetin, ashtu edhe kompetencën e vetë këtij Këshilli.

"Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave vlerëson se shqipja standarde i ka qëndruar më së miri provës së kohës, po ashtu dhe veprat themelore normative të saj, të cilat kanë, sigurisht, nevojë për plotësime e përmirësime të mëtejshme mbi bazë kriteresh shkencore, me pjesëmarrje të gjerë të botës akademike shqiptare dhe nga institucione të specializuara për atë qëllim, përfshirë sidomos departamentet e Gjuhësisë e të Letërsisë shqipe në të gjitha universitetet shqiptare", thuhet në kumtesë. Më tej, kjo Akademi shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar institucionalisht me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe me Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës, me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Tiranës, Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe Institutin e Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup për të dhënë kontributin e saj në këtë proces.


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.