VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BOTOHET NË FRËNGJISHT LIBRI 'MOSMARRËVESHJA' NGA SHKRIMTARI ISMAIL KADARE

E Mërkurë, 04.24.2013, 02:27pm (GMT1)



Këto ditë ka dalë në qarkullim në Francë "Mosmarrëveshja"e shkrimtarit Ismail Kadare, nga "Fayard".

Ky libër ka pasur një jehonë të gjerë në shtypin francez, sidomos në Sallonin e Librit (Panairi i Librit në Paris).

Në shënimin e botuesit francez theksohet:

"Në qoftë se do të kërkohej ngjashmëria midis popujve, ajo do të gjendej, në radhë të parë, në gabimet e tyre."
Ismail Kadare, ndërsa përmend, midis të tjerash, gabimet e vendit të tij, kalon në një shqyrtim të simbolikës së Shqipërisë, nën sundimin otoman për një gjysmë shekulli, dhe më pas, në shekullin e njëzetë, kur ajo njohu radhazi republikën, monarkinë, pushtimin hitlero-musolinian, komunizmin stalianian dhe atë maoist, e së fundmi edhe demokracinë e rrëmujshme, për të trokitur sot këmbëngulshëm përpara portave të një Europe që po e lë në pritje.

Këto simbole janë himni dhe flamuri, i pari, jo pa arrogancë, ballë për ballë me pjesën tjetër të botës, i dyti i dykuptimshëm, me shkabën dykrenore, që simbolizon një komb të ndarë dhe një popull me një mosmarrëveshje të dhimbshme. I treti simbol është Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili, për tridhjetë vjet, luftoi për të ndaluar hordhinë otomane që kishte arritur në portat e Vjenës, dhe u përpoq deri në fund ashtu siç bën me përkushtim Kadare tani për kthimin e Shqipërisë së vogël në gjirin e kontinentit mëmë, në Europë.

Besnik ndaj idesë krenare për rolin e shkrimtarit, libri i Kadaresë jep një reflektim madhor, me përmasë universale, që nis nga rasti i kombit të vet, ndaj të cilit ai gjykon si një magjistër erudit dhe i rreptë."

"Mosmarrëveshja" është përkthyer nga shqipja në gjuhën franceze nga Artan Kotro.



www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.