Në prill të vitit 1999 qindra shqiptarë qenë vrarë në fshatin Mejë të komunës
së Gjakovës që cilësohet si vrasja më e madhe masive gjatë luftës në Kosovë.
Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, bëri të ditur se prokurorët
e këtij misioni kanë filluar hetimet për krime të luftës të kryera në komunën e
Gjakovës, më 27 dhe 28 prill 1999, duke i përfshirë fshatrat Mejë, Orizë dhe
fshatrat tjera të Luginës së Rekës së Keqe, në këtë komunë.
Në njoftim thuhet se deri tani, "prokurorët kanë identifikuar afërsisht 20 të
pandehur, të cilët mund të jenë subjekt i akuzave për krime të luftës kundër
popullatës civile, duke përfshirë edhe vrasjen e 372 vetave gjatë një sulmi të
kryer kundër popullatës civile shqiptare, e cila i qe nënshtruar torturës, trajtimit
çnjerëzor, vuajtjes së madhe, largimit dhe zhvendosjes, konfiskimit të pasurisë
dhe plaçkitjes, veprime këto jo të arsyetuara me nevojat ushtarake".
Shumica e trupave të viktimave të ngjarjeve në Mejë, ishin zhvarrosur nga një
varrezë masive në Batajnicë afër Beogradit, ku ishin dërguar nga forcat serbe
në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive në Kosovë.
Masakra e Mejës dhe e rrethinës pretendohet të jetë vrasja më e madhe masive që
ndodhi gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.
Në nderim të atyre ngjarjeve, Kosova ka shpallur 27 prillin, ditë kombëtare të
personave të zhdukur.
Edhe 14 vjet pas luftës, ende mbetet i paqartë fati i rreth 1 mijë e 700
personave, pjesa më e madhe e të cilëve, shqiptarë të Kosovës.
Çështja e të zhdukurve pritet të jetë temë e diskutimeve në vazhdimin e
bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve
ndërmjet tyre. (za)