VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
A U THA TADIQI NË SHKODËR: KOSOVA ËSHTË SERBI? Opinion nga GANI MEHMETAJ E Shtunë, 04.27.2013, 10:37am (GMT1)
Në të gjitha fushatat e deritashme socialistët nuk e patën simpatinë e
shqiptarëve të Kosovës, nuk e kanë as tash. Po të pyeteshin "kosovarët"
socialistët s'do të fitonin kurrë. Arsyet janë të shumtat. E para, Partinë
Socialiste të Tiranës e konsiderojnë trashëgimtare të komunistëve më të egër në
Evropë, ndërsa shqiptarët e kontinentit mbajnë në mend më gjatë se sa bashkëkombësit
e tyre mesdhetar. E dyta, emërtimi socialistë u zgjon asociacione në Partinë
Socialiste të kriminelit Milosheviq, që u shkaktoi aq shumë fatkeqësi në
Kosovë. E treta, socialistët e Tiranës në emër të internacionalizmit socialist
(proletar) u treguan shpërfillës ndaj çështjes kombëtare, që të mos helmonin
marrëdhëniet me serbët e grekët.
Shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni e në Luginën e Preshevës nuk e kanë asnjë
parti me emërtime socialiste. Madje rrëqethën kur e dëgjojnë këtë emërtim.
Socialistëve shqiptar nuk u bënë përshtypje ky paragjykim apo kjo urrejtje e
bashkëkombësve përtej alpeve. Nuk u bëri përshtypje asnjëherë. Prandaj s'kanë
si ta marrin simpatinë e Prishtinës, Preshevës apo të Shkupit.
Me shpërfilljen e emocioneve të gjysmës së kombit, socialistët u treguan cinik
edhe me ftesën që i bënë Tadiqit, njërit ndër eskponentët më të egër të
shovinizmit serb. Tadiqi ishte trashëgimtar i kriminelit serb që vdiq në Hagë.
Tadiqi nuk e hoqi asnjëherë nga goja sloganin e urrejtshëm: Kosova është Serbi.
Kur mori dhënë lajmi për ardhjen e tij në Shkodër si kumbar i kurorëzimit të dy
krahëve socialistë shqiptar, shumë bashkëkombës të mi me pyetën: "athua ua
përplasi Ramës e Metës në surrat: Kosova është Serbi?" "Edhe po t'ua ketë
thënë, vëllezërve të vet ua thotë", tallej tjetri.
Socialistët do ta ftonin edhe Milosheviqin po të qe gjallë. Është ish kryetari
i socialistëve shqiptar ai që e takoi në Kretë, në kohën kur krimineli nga
Beogradi bënte kërdinë në Kosovë. Kështu frymon kjo kastë politikanësh shqiptar,
as që u bënë përshtypje çka ndjejnë në Kosovë, ndërsa vijnë si lypsarë të
kërkojnë mbështetjen e tyre nëpër promovime e fushata. Madje vajtojnë pse
shumica absolute kanë simpati për Sali Berishën.
Praninë e Tadiqit në Shkodër, ditën e kurorëzimit të qiftit Rama-Meta, në
Prishtinë e përjetuan si veprim i paparë, akt mjeran, thikë pas shpine. Disa
filluan t'i përgjithësojnë gjërat nga mllefi i çastit: "e sheh ata nuk bëjnë pa
shki dhe pa ndihmën e Beogradit?" Prania e Tadiqit në Shkodër qe provokim edhe
për ndjenjat e shkodranëve të cilët pësuan më së shumti nga serbët e Tadiqit
gjatë Luftës së Dytë e më vonë, kur i vrisnin xhelatët komunist më urdhër të
Beogradit. Vizita fatkeqe në Shkodër qe një goditje e shurdhër pas koke për
shqiptarët e Kosovës, që një zhgënjim dëshpërues, sepse nuk mund ta besonin se
një parti shqiptare, pavarësisht të kaluarës kriminale, do të ftonte
ish-presidentin e shtetit më armiqësor të shqiptarëve në qytetin, i cili kurrë
nuk e mori vetën nga vrasjet e elitës intelektuale e priftërore të Shkodrës.
Kurorëzimi i dy partive socialiste nga shkjau i Beogradit më simbolikën e
kumbarës, ishte diçka që nuk e prisnin as nga Edi Rama. Si do të arsyetohet
Rama me këtë kumbari para simpatizuesve të vet në Prishtinë, nëse i mbeti ndonjë
syresh?
Një kategori e opinionit të ne, filluan të kthejnë kujtesën e aleancave më
antikombëtare që u bënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në kurriz të Kosovës.
Cili është kumti ogurzi i aleancës më të re? Shqipëria atë botë nuk qe me
aleatë kundër nazizmit, por kishte aleancë me Jugosllavinë e Rusinë, kundër
qytetërimit perëndimor. Le të çirren sa të duan historianët e tipit Milo e
Xhufi se ishin aleatë më anglo- amerikanë. Tadiqi në Shkodër sikur nxiti ca
paragjykime më të hershme me prirje të ndasive të frikshme krahinore, kur
toskët i identifikonin me komunistë serb e malazezë, fal Enver Hoxhës, ndërsa
gegët me kombëtarët shqiptar. "E sheh? Ata prapë u bënë me Serbinë, na e dhanë
edhe një thikë pas shpine si në kohën e Enver Hoxhës", qarkullojnë dyshime të
vjetra. "Nipërit e Enverit vuajnë nga sëmundja patologjike e inferioritetit
ndaj shkjaut", vazhdojnë komentet nëpër kafenetë e kryeqytetit ët Kosovës.
Tadiqi në Shkodër i skandalizoi dhe i bëri shqiptarët e Kosovës t'u mbetej
hatri edhe ndaj qytetit të tyre më të dashur: si është e mundur që Shkodër
locja, të mos reagoj, të mos e dëbojë me gurë e me shkopinj shkjaun? Kur morën
vesh për ardhjen e Tadiqit në Shkodër, njëra ndër pyetjet e para ishte: ku
mbeten shkodranët e moçëm, prijësit e nacionalizmit dhe shtylla e kombit? Ku
janë ata shkodranë të cilët dikur dërguan oficerë elitar për të mbrojtur
territoret etnike nga sulmet e shkjaut në Rozhaje e Berane e në tërë
Mbasbjeshkën.
Tadiqi në Shkodër i mobilizoi edhe më shumë shqiptarët e Kosovës t'i forcojnë
paragjykimet e urrejtjen ndaj nipave të Enverit. "Si do tu dukej çamëve sikur
në Kosovë të vinin nipat e gjeneralëve grekë që masakruan popullatën e
Çamërisë?" Shtrohej njëra nga pyetjet, më përgjigjen e atypëratyshme: "S'do të
guxonte asnjë parti "kosovare" të bënte një hap të këtillë". Ndërkaq, socialistët nga Tirana morën bekimin e krye
socialistit nga Athina! Për "kosovarë" e për "çamë" s'u bëhet vonë.
Maskenballi i Shkodrës me shkjaun Tadiq, kumbar i kurorëzimit të socialistëve
shqiptarë, e forcoi edhe më shumë simpatinë tradicionale për të djathtën
shqiptare. Maskenballi i Shkodrës e forcoi lidhshmërinë emocionale për Sali
Bersihën, jo pse është i veriut, sepse janë shqiptarët e Kosovës, ata të cilët
më shumë se të gjithë shqiptarët e tjerë e luftojnë ndarjen toskë-gegë, e cila
përvijohet tek-tuk në Shqipëri. E djathta shqiptare gëzon popullaritetin më të
madh jo vetëm në Kosovë, por edhe në territoret etnike. Ndërkaq, Sali Berisha
gëzon simpatinë e shqiptarëve përtej alpeve jo vetëm pse është deklaruar më
shumë se të gjithë politikanët e tjerë për shtrirjen historike e gjeografike të
kufijve shqiptar, duke rrezikuar t'u nënshtrohet kritikave të rrepta të
analistëve pro grek të cilët u brengosen pse Berisha kërkon Janinën a Prevezën,
ndërsa nuk e thanë asnjë fjalë brenge, kur nipi i Milosheviqit ia behu në
Shkodër. Lideri i së djathtës e ka mbështetjen e përtej alpeve, jo vetëm pse e
bëri rrugën e kombit, me të cilën e ngjalli bregdetin shqiptar, sepse nga
Velipoja në Ksamil turizmi qe buzë falimentimit, po të mos vinin "kosovarët".
Për rrugën e kombit, Berishën duhet ta votojnë shqiptarët nga Velipoja deri në
Butrint, sepse atyre ua hapi dyert e turizmit.
Po erdhi Berisha në Prishtinë, çfarë do të bëhej? Do të mbusheshin rrugët e
sheshet. Kjo u dëshmua sa herë erdhi në ndonjë çelje rruge a ngjarje tjetër:
pati simpatizues më shumë se sa politikanët e Kosovës. Prandaj është mirë t'ua bëjë qejfin simpatizuesve të vet. GANI MEHMETAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |