VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DHE PYETJET MBETEN - LETËR BURRIT TIM
Nga JUTTA BENZENBERG

E Djelë, 04.28.2013, 01:58pm (GMT1)



Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të publicistit dhe përkthyesit të njohur, Ardian Klosi, e shoqja, fotografja Jutta Benzenbeg, sjell një rrëfim të ndjerë për mungesën dhe jetën përkrah tij...


Para pak ditësh, pas gati një viti, gjeta fotot në shtëpinë tonë. Ato ishin në dollap, poshtë fotokopjuesit tënd, aty ku ti vendosje gjithnjë sendet e tua personale, çelësat, portofolin, orën, paratë e vogla, stilolapsin, kur ktheheshe në shtëpi nga lufta jote e përditshme në qytet.

Më kujtohet se si vije në shtëpi çdo ditë, me xhaketën tënde të bardhë prej leshi të firmës BOSS, të cilën ta kisha blerë kur isha shtatzënë me Katin dhe me pulovrën e gjelbër, të cilën e kishe pasur që kur të kisha njohur në Mynih.
Në dimër, ndonjëherë, ti vishje ndonjë nga rrobat e mia për t'u ngrohur. Kjo më pëlqente shumë dhe më jepte një ndjesi të këndshme.

Sa herë që ktheheshe në shtëpi, gjëja e parë që bëje ishte përqafimi që u bëje vajzave, duke i pyetur me një zë të ulët, por plot dashuri:

Si jeni?
Si shkoi dita sot?
Oh sa të bukura që jeni!
Morët ndonjë notë sot?

Kur ato merrnin nota të mira, ty të shndriste fytyra. Kur nuk ishin të mira, më hidhje një vështrim mua. Unë, pastaj, të shpjegoja se në jetë ka edhe gjëra të tjera më të rëndësishme sesa vetëm fakti që të jesh më i miri nga notat, sidomos kur sheh se sa të zgjuara janë vajzat dhe që kanë një moral të mirë. Këto fjalë ty të bënin të rrudhje pak buzët, por dhe të vije buzën në gaz, pasi ato të kujtonin kohën tënde të shkollës, kur babai yt, Bilbili, mendonte ashtu si unë, por ti bashkë me nënën tënde kishit të njëjtin mendim lidhur me notat.

Ti nuk ke qenë një baba i rreptë. E rëndësishme për ne të dy ka qenë që vajzat të ishin të lumtura dhe të mos vuanin asnjëherë.
Ti ishe një baba i mrekullueshëm, gjithmonë dorëzoheshe kur të luteshin, u ke dhënë shumë dashuri dhe i ke mbrojtur.
Shpesh tregoje nga koha jote e shkollës histori, që fëmijët dhe unë i dëgjonim me shumë kënaqësi. Ti na ke treguar kaq shumë histori interesante.

Kur ulesha pranë teje ti i tregoje në gjermanisht, ndërsa fëmijët pyetjet i bënin në shqip, duke folur sa në njërën ashtu edhe në tjetrën gjuhë, ndërsa për mua përktheje. Por, kur nuk doje që fëmijët të merrnin vesh, ti flisje me mua në frëngjisht. Ndoshta kjo është një arsye që vajzat nuk e pëlqejnë këtë gjuhë të bukur...

Pas buke, ti i përqafoje përsëri vajzat, më hidhje një vështrim plot dashuri dhe pastaj shkoje në dhomën e punës, ku i kushtoheshe punës tënde, ku dua të them se ti i kushtoheshe punës me mish e me shpirt. Librat për ty ishin një dashuri tjetër, duke u zhytur në ta për orë të tëra.

Ajo çfarë sodisja vazhdimisht dhe që më pëlqente shumë, ishin flokët e tu, forma që u jepje, sidomos, kur ishe zhytur e kishe humbur në mendime të thella.

Fytyra jote ishte e butë dhe e bukur dhe energjia jote derdhej deri në flokët e tu pis të zinj.
Dhe pastaj, të pesë kurorat bëheshin më të dukshme.

E më pas, kur kishe punuar shumë dhe ishe zhytur shumë thellë në botën e autorëve të tu, ti përsëri ktheheshe te ne, në dhomën e ndenjjes, duke i përqafuar dhe dhënë nga një puthje vajzave, bëje çajin tënd të kamomilit, uleshe në tavolinën e kuzhinës dhe na vështroje në ato që bënim, duke këmbyer disa fjalë me ne. Pra, ti ktheheshe përsëri në botën tonë, derisa vinte koha të ktheheshe përsëri tek autorët e tu.

Ne ishim si një litar, ku mund të mbaheshe, kur të rrëmbente intelekti yt.

Po le të kthehem te fotografitë që kam gjetur, të cilat me siguri i ke seleksionuar vetëm pak më parë, çka e tregojnë edhe shënimet e freskëta mbi to. Janë shumë zarfe, të seleksionuar sipas datave: para 1993, pas 1993 deri më 1995, para 1999 dhe pastaj të gjitha kujtimet e vjetra me shënimet "familja", "miqtë". Ti ke futur në këto zarfe të bardha të gjithë jetën tënde, në formën e fotove. Ti e dije që unë nuk jam njeri i fjalëve, por që botën e shpreh dhe e kuptoj nëpërmjet fotove.

Isha vetëm në shtëpi, kur i gjeta këto foto. Isha duke kërkuar diçka tjetër, por një ndjesi më çoi te ky dollap. Po pse pikërisht tani mbas një viti? Unë e kisha seleksionuar dhe parë të gjithë trashëgiminë tënde, por jo fotot. I hapa zarfet dhe me këto foto më ktheve në historinë tonë dhe tënden. Foto nga dasma, foto të fëmijëve tanë, nga lindja e tyre, në kopsht, në shkollë, ditëlindje, të dy bashkë të qeshur dhe të gëzuar, në një festë në Gjermani, ti me miqtë e tu, shumë foto nga ti e Edi, në Paris, në Gjermani, përsëri në Paris, pastaj vijnë foto të vjetra, ku je ti Ardian i vogël më vëllain, Titin, me babanë dhe motrat Mira, Etleva, Lule, me kushërinj, me Aleksandër Xhuvanin dhe qindra foto të nënës tënde, por edhe si adoleshent me miqtë, me Brikenën dhe me grupin tënd revolucionar të shkollës. Pastaj foto bashkë me vajzat tona dhe foto, ku jemi ne të dy në ceremoninë e dasmës në Mynih, por edhe nga festimet e Krishtlindjeve në Gjermani dhe Shqipëri, me prindërit e mi.

Ishte sikur ti kishe dashur që unë t'i tregoja botës Ardianin, ashtu sikurse ishe.
Ky koleksion ishte si një vepër e plotë e emocioneve të tua, të cilat nuk mund të kishe mundur t'i shprehje në mënyrë kaq të vërtetë, por kur i shihja ishin aq të fuqishme, sa që më dukej se isha pranë teje, por e mbytur në lot, ndërsa ti nuk mund të qaje.
Të gjithë këta njerëz të dashur në foto, ti i ke lënë me dëshirën tënde dhe është e vështirë për ta kuptuar apo pranuar.

Në letrën tënde të fundit ti e ke shpjeguar, me plot dashuri, se nuk mund t'i duroje më dhimbjet dhe se asnjeri nuk është fajtor, por se nuk kishte asnjë rrugëzgjidhje tjetër, veç asaj për të ikur.

Unë e kuptoj mirë se kur ti nuk mund të qëndroje as për vajzat e tua, si mund ta bëje këtë për gjithë të tjerët.
Gjatë gjithë viteve që ishim bashkë ne kemi kaluar shumë kohë të vështira. Fillimisht largimin tënd nga puna në vitin 1999, mbas 6 muaj pune si drejtor i Përgjithshëm në Radio Televizionin Shqiptar, mbasi kishe sjellë të gjithë familjen nga Gjermania në Shqipëri, pastaj armiqësitë e bëra vetëm e vetëm se ti shpreheshe ndershmërisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, pastaj erdhi djegia e shtëpisë në 2008, vdekja e vëllait dhe e mikut tënd, Adhurimit, si dhe shumë tragjedi të tjera. Por të gjitha këto i përballove me forcë. Bile ti u bëre më i fortë, vure në lëvizje shumë gjëra, u bëre zëri i atyre që nuk ishin dëgjuar në mjerimin e tyre, luftove për Shqipërinë tënde të dashur si një intelektual i pavarur për njerëzit dhe ruajtjen e natyrës. Ti ke ndikuar shumë në fushën e kulturës. Ti ndihmove miqtë e tu, familjen tënde, na ndihmove ne, duke e kthyer këtë si një detyrë tënden dhe asgjë nuk të përkuli. Ti kishe një besim të fortë për të ndryshuar gjërat. Ti kishe forcën për të përballuar kohë të vështira.

Dhe pastaj, papritur erdhi kjo sëmundje, kjo monstër me emrin depresion, që është kaq e tmerrshme, mbasi ne të gjithë, mjekët gjithashtu, nuk mund ta kuptonin, ashtu sikurse nuk e kuptojmë shpirtin tonë dhe atë të të tjerëve.

Monstra, kështu dua ta quaj edhe në emër të shumë të prekurve të tjerë, e cila në mënyrë të tmerrshme u ka marrë familjeve të pashpresa baballarë, nëna, djem dhe vajza.

Do të duhet shumë kohë derisa ta kuptojmë me gjithë zemër vendimin tënd për të na lënë, me atë zemër që do të duam gjithmonë.

Së fundi, dua të të falënderoj për gjithçka më ke dhuruar. Faleminderit që na solle në Shqipëri. Faleminderit për vajzat tona. Faleminderit që ato të ngjajnë kaq shumë ty dhe që tek to mund të të shoh ty çdo ditë. Faleminderit për dy dekada që jetuam bashkë në gëzim e dhimbje.
Të përqafoj,
Jutta
















JUTTA BENZENBERG


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.