VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
LINDJA E TELEVIZIONEVE PRIVATE NË SHQIPËRI Studim nga Msc. ELVIN LUKU, gazetar në tv Vizion Plus, PHD Candidate on Communications E Mërkurë, 05.01.2013, 03:04pm (GMT1)
Në këtë punim merret në shqyrtim një nga periudhat më të rëndësishme të
historisë së televizionit shqiptar: lindja e televizioneve private në vend nga
viti 1995-2000.
Për të realizuar këtë studim janë shfrytëzuar materialet arkivore të dorës së
parë, si: vendime, raporte dhe dokumenta të tjerë nga KKRT; analizë e artikujve
e periodikëve të kohës; analizën e studimeve dhe raporteve nga institutet dhe
organizatat e huaja; intervista me gazetarë e drejtorë televizionesh, pronarë e
ish-pronarë televizionesh, ish-kryetarin e punonjës në KKRT; studimin e ligjeve
për median eletkronike; referimin e autorëve bashkëkohor të komunikimit dhe të
dhënave sasiore ekzistuese të paraqitura me tabela dhe në mënyrë grafike.
Televizioni në Evropën Qendrore dhe Lindore post-komuniste
Pas rënies së komunizmit, u shtrua nevoja e një pluralizmi të medias dhe
krijimit të të ashtuquajturit treg mediatik. Në rastin e televizionit, gjatë
kësaj periudhe, në shtetet e Evropës Qëndrore dhe Lindore u vunë re dy
tendenca: E para ka të bëjë me transformimin e televizionit nga shtetëror në
publik, ndërsa fenomeni i dytë lidhet me liberalizimin e tregut dhe lindjen e
televizioneve të para private, një pjesë e mirë e të cilave në mënyrë të
jashtëligjshme.1
Ndonëse ishte shteti i fundit që rrëzoi komunizmin më 1990,2 as Shqipëria nuk
mbeti jashtë këtyre zhvillimeve. Më 25 dhjetor të vitit 1995 nis transmetimin
televizioni i parë privat në Shqipëri, Shijak TV,3 ndërsa ligji për "Median
Elektronike", që e cilëson TVSH-në një televizion publik dhe parashikon hapjen
e TV-ve private, u aprovua më 30 shtator 19984 dhe hyri në fuqi më 4 tetor
1998.5 Deri në këtë periudhë të miratimit të këtij ligji, në Shqipëri ishin
hapur gjithsej 31 televizione private dhe dy studio prodhimi,6 pjesa më e madhe
e tyre u licensua në tetor-dhjetor 2000.
Në Evropës Qëndrore dhe Lindore është përzgjedhur si model zhvillimi ai i
televizioneve në Evropë në krahasim me modelin amerikan, duke mos e privatizuar
të gjithë tregun, por duke ruajtur televizionin publik. Zgjedhja e modelit në
vendet ish-komuniste është pasuar në terren: a) liberalizim tërësor i tregut;
b) hartimi ose përmirësimi i ligjit; c) rregullimi i disa prej problemeve të
hasura në terren mes operatorëve dhe institucionit rregullator.7
Hapja dhe konsolidimi i televizioneve private në Shqipëri
Pikërisht në këtë kohë, ndonëse jo nga ligjvënësit dhe nga TVSH-ja, ndryshimi
erdhi. Më 25 dhjetor 1995 nis transmetimet e para televizioni Shijak TV, datë
kjo që shënon lindjen e televizionit të parë privat në Shqipëri.11 Ky
televizion ndante ambjentet e një godine të përbashkët me Pallatin e Kulturës
dhe Xhaminë.12 Sikurse tregon vetë pronari i këtij televizioni, Gëzim Ismaili,
i diplomuar në mjekësi, por me profesion biznesmen, ideja për hapjen e një
TV-je lindi nga një bisedë e rastësishme miqsh, mes tij dhe inxhinjer Muhamer
Çipit, të dy këta bashkëpronar të një dyqani "Riparim Televizorësh", në Shijak.
13 Në qershor të vitit 1995, z. Ismaili blen në Maqedoni një transmetues, për
të ritransmetuar kanale të televizioneve të huaja,14 por modeli që Shijak TV
ndoqi, sipas tij, ishte ai italian. Programi i parë që u transmetua, në
televizionin e parë privat në Shqipëri, Shijak TV, në formatin e transmetimit
VHS, ishin filmimet me një kamera amatore në disa shkolla 8-vjeçare, ku fëmijët
festonin Vitin e Ri dhe Krishtlindjet.15
Që nga ky moment e deri në nëntor të vitit 1998, një muaj pas hyrjes në fuqi të
ligjit për radion dhe televizionin, Shijak TV zhvendos studion qendrore në
Tiranë dhe kalon nga sistemi VHS në Super VHS dhe Beta.16 Pas transferimit,
televizioni numëron edhe studiot në Shijak, Durrës, Kavajë dhe Lezhë, me një
personel prej 19 punonjësish me kohë të plotë, nga të cilët 7 prej tyre
gazetarë.⃰
Megjithëse Shijak TV konsiderohet si televizioni i parë privat në Shqipëri, një
studim i Soros-it, thekson se transmetimet e para televizive të një stacioni
shqiptar datojnë pak muaj më herët, në mes të vitit 1995, me shfaqjen e logos
së Telenorbës Shqiptare me qendër në Bari të Italisë, në ekranet shqiptare.
Megjithatë TNSH-ja, pjesë e Telenorba Italia, merr autorizimin zyrtar për të
transmetuar në Shqipëri nga qeveria shqiptare, në prill të vitit 1996, muaj që
shënon zyrtarisht lindjen e këtij televizioni privat në vend.17
Përpara nisjes së transmetimeve të Shijak TV, në Tiranë, në fund të vitit 1995,
themelohet studioja e parë e prodhimit "Gjeli Vizion", nën pronësi të Agim
Buxhelit. "Gjeli Vizion" ishte një studio televizive prodhimi e lëvizshme, që
mundësonte një transmetim me katër kamera.18
Nga viti 1995 e deri në shtator të 1998-ës, kur aprovohet ligji për "Median
Elektronike", në Shqipëri ishin hapur rreth 33 operatorë privatë, ndërsa deri
në fund të vitit 2000 janë hapur 51 televizione,⃰ ndër të cilët Shijak TV më 25
dhjetor 1995, televizioni i dytë privat Antena Jug në Gjirokastër më 21 prill
1996, televizioni i parë që nisi transmetimet në kryeqytet në maj të 1996 Alba
TV, TVA në Tiranë dhe TV Rozafa në Shkodër në dhjetor 1996, Teuta TV në Durrës,
në mars të 1997, TV Klan në tetor 1997, TV Koha në nëntor 1998 e Vizion TV në
nëntor të 1999 në Tiranë etj...*
Televizioni privat TVA, i cili më 14 nëntor 2000, licensohet nga KKRT si një
nga dy televizionet kombëtare private bashkë me TV Klan,19 ka nisur
transmetimet e tij me sistemin VHS në dhjetor 1996 nga Qendra Ndërkombëtare e
Kulturës (Piramida). Ndryshe nga pjesa më e madhe e televizioneve të tjera
private, Tele Arbëria nisi transmetimet me program 24 orë, pa asnjë ndërprerje,
dhe valët e tij mbulonin vetëm kryeqytetin. Programi i TVA-së në nisje të tij
ka patur karakter artistik. Pas mesnate, TVA lidhej drejtpërdrejt me satelit me
kanalin muzikor "MCM" ose me stacione të tjera të huaja.20 Për t'u evidentuar
është fakti që filmat dhe lidhjet satelitore të cilat transmetoheshin në TVA,
ashtu si dhe në pjesën më të madhe të televizioneve private, ishin pa
përkthim.21 Ky fenomen nis të ndryshojë në fund të viteve '90, në disa nga
televizionet private të cilat nisin të konsolidohen, nga pikëpamja e financave,
stafit, strukturës e programacionit.22
Miratimi i ligjit për Radiotelevizionin e gjen TVA-në të zhvendosur në katin e
dytë të një ndërtesë në Rrugën e Kavajës, në një ambient të marrë me qera, ku
qëndroi deri në fillim të vitit 2000, para se të ndërtoheshin zyrat e reja në
Pallatin e Kulturës.23 Gjatë kësaj kohe, ky televizion privat ndërton
gradualisht stafin dhe deri në janar të 1999-ës është ekrani me numrin më të
madh të punonjësve të angazhuar me kohë të plotë, që përllogaritet në 43 vetë.⃰
Nga këta një personel prej 10 vetësh (gazetarë e kameramanë) punojnë për
departamentin e lajmeve, që, sikurse pohon edhe drejtori i informacionit të
TVA-së në atë kohë, Rezear Xhaxhiu, përbënte fokusin kryesor të këtij
televizioni. Në vitin 2002 inspektimet e Departamentit Teknik të KKRT-së, e
përcaktojnë zonën e mbulimit të TVA-së me sinjal cilësor në 27.39% të
territorit të vendit.24
Televizioni Klan, operatori i dytë që licensohet nga KKRT-ja në fund të vitit
2000 si televizion kombëtar, nis transmetimet e para në Tiranë, më 25 tetor të
vitit 1997. Ndryshe nga stacionet e tjera, ky kanal fillon transmetimin me
sistemin Super VHS, nga një vile trekatëshe në rrugën "Myslym Shyri",25 me një
programacion vetëm me filma, por pa përkthim. Në qershor të 1998-ës, ky
televizion nis të ndryshojë gjithë sistemin e transmetimit në Beta.26 Krahas
teknologjisë së përparuar në raport me kanalet konkurrente, televizioni Klan
prezantohet në treg me 24 orë program, nga të cilat 7 orë e gjysmë transmetim
në gjuhën shqipe. Deri në këtë kohë ky televizion transmetonte dy edicione
lajmesh, në orën 19 e 30 dhe 23.00, për ta ndryshuar programacionin më vonë me
4 edicione lajmesh.27 Përpara se ky kanal të ndryshonte ambientet e tij në të
ashtuquajturën "Salla e Lojrave" në shkurt 1999,28 Klan TV numëron një personel
prej 41 punonjësish, nga të cilët 14 gazetarë dhe kameramanë. Emisioni i parë i
transmetuar në frekuencat e këtij kanali televiziv ka qenë "Francë 1998", një
program sportiv i prezantuar nga Pandi Laço, Bledar Laço dhe Agron Llakaj. Ky
operator pretendonte se deri në fund të vitit 2000 do të mbulonte 70% të
territorit me sinjal, 29 megjithatë kjo statistikë e prezantuar në KKRT është e
pasaktë, pasi në matjet teknike që institucioni rregullator ka kryer në vitin
2002 rezulton se, TV Klan mbulon 40.91% të territorit të Shqipërisë.30
2.2 Arritjet dhe ploblematikat e operatorëve televiziv deri në vitin 2000
Sa i takon sistemit të transmetimit, pjesa më e madhe e operatorëve i kanë
nisur transmetimet e para me kamera amatore VHS dhe, më pas, kanë kaluar në
sistem gjysmë profesional Umatik apo SVHS. Në vitin 1999, vetëm TV Klan, TNSH
dhe Alba TV, rezultojnë të kenë tërësisht një sistem transmetimi profesional
Beta, ndërsa pjesa tjetër e televizioneve operonte me sisteme
gjysmëprofesionale.32
Të ardhurat e një televizioni përmes reklamave deri në fund të vitit 1998 kanë
qenë të pamjaftueshme për të nxjerrë shpenzimet e një televizioni, sidomos në
rrethe. Koncernet e mëdha, që përbënin numrin më të madh të financimeve
nëpërmjet reklamave si Coca Cola, kompania e sigurimeve INSIG, Deka Co.,
Albanian Interlines dhe Orbit Gum, operonin kryesisht në Tiranë. Çmimet e
spoteve për një reklamë 30 sekonda (standardi i reklamave në atë kohë), varion
nga 1000 lekë deri në 6000 lekë për transmetim, sipas stacioneve. Jashtë
Tiranës, reklamat zgjasin nga 20 sekonda deri në disa minuta dhe pagesat
variojnë nga 100 lekë deri në 3000 lekë për transmetim. Një burim kryesor të
ardhurash për shumicën e stacioneve është përshëndetja nga ekrani i shikuesve,
të cilët dërgojnë fotografi të shoqëruara me njoftime të ndryshme për
ditëlindje, martesa apo thjesht për argëtim.
Nga viti 1995 deri në fund të 1999-ës vërehet një mungesë serioze e personelit
me përgatitje apo përvojë në televizion. Ndonëse ka punonjës të TVSH-së të
cilët ndihmojnë privatisht disa stacione, shumica e stafit nuk kanë patur
ndonjë trajnim apo specializim në këtë fushë. Vërehet një mungesë e theksuar
njohurish në përdorimin me efikasitet të pajisjeve që zotërojnë, ndërsa pjesa
më e madhe e teknikëve në këtë periudhë kanë mbaruar inxhinieri elektrike.33
Sa i përket gazetarëve, pjesa tjetër e tyre vinin kryesisht nga gazetat ose nga
bankat e shkollave të degëve gjuhë-letërsi, ekonomik dhe më vonë gazetari.34
Duhet thënë se puna si gazetar, sidomos ata me më shumë përvojë, paguhej mirë
në raport me profesionet e tjera në Shqipëri. Po të bëjmë një krahasim, një
drejtor drejtorie në ministri në vitin 1999 kishte një pagë bruto 44 330 lekë
në muaj,35 ndërsa një kryeredaktor ose një drejtor televizioni, në të njëjtën
periudhë, kishte një pagë nga 50 000 100 000 lekë në muaj.36
Në këtë periudhë, sipas një studimi të qendrës së mediave dhe fondacionit
Soros, pjesa më e madhe e programacionit 24 orësh mbushej, në një mesatare të
mbi 30 televizioneve, me 7 orë trasmentim në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa tjetër
me lidhje direkte me kalalet e huaja që në mbrëmje vonë e deri të nesërmen në
mëngjes.37
Pavarësisht këtyre konstatimeve, duhet thënë se këta operatorë kanë punuar në
kushtet e një destabiliteti politik dhe social, sidomos gjatë krizës së marsit
1997. Shumë kanale u detyruan në atë kohë të ndalonin transmetimet për periudha
të ndryshme. Një ndër ekranet më shumë të prekura nga trazirat e 1997-ës është
televizioni Antena Jug në Gjirokastër, i cili pati humbje financiare që
përllogaritej në 25 mijë $, gjë që e detyroi këtë stacion të mbyllte
transmetimin, për ta filluar atë disa muaj më vonë.38
Themelimi i KKRT-së dhe licensimi i televizioneve private Më 30 shtator 1998 miratohet Ligji për median elektronike, i cili shfuqizon ligjin e miratuar më 1997 dhe atë të 1991-ës "Për Statusin e Radiotelevizionit Shqiptar",39 rregullon organizimin e mediave publike dhe përcakton KKRT si një organ rregullator të operatorëve radioteleviziv privatë me të drejtë të licensimit ose pezullimit të licenses së tyre. Megjithatë, edhe pse kuadri ligjor ishte i plotë, për më shumë se një vit asnjë nga operatorët privatë nuk u licensua dhe KKRT ekzistonte vetëm në letër. Në zbatim të ligjit "Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë", në verë 1999, Parlamenti miratoi KKRT-në dhe më 21 janar 2000, ky institucion nxorri njoftimin nëpër gazeta se do të fillonte procedurën e licensimit për të gjitha stacionet e radios dhe të televizionit që kishin filluar të transmetonin para datës 8 dhjetor 1999,40 datë kjo që shënon lindjen e këtij organi regullator për mediat elektronike.
Në fillim të vitit 2000, KKRT ndodhet përballë një realiteti konkret ku
televizionet operonin në kushtet e ilegalitetit. Nga njëra anë, ky institucion
rregullator kishte në tryezë ligjin, ndërsa, nga ana tjetër, ishin operatorët
me probleme të mëdha në spektrin e frekuencave,41 detyrimet fiskale, shtrirjen
dhe cilësinë e sinjalit, programacionin dhe problemet etike, filmat pa titrim,
piraterinë e programeve, punën në të zezë të gazetarëve etj., dhe presioni i
tyre mediatik, sidomos në prag të dhënies së licensave lokale e kombëtare. 42
Nëse do të zbatohej në mënyrë rigoroze ligji, atëherë KKRT duhet të urdhëronte
mbylljen e të gjithë transmetuesve deri në procesin e licensimit. Por ky
institucion nuk veproi në këtë mënyrë me arsyetimin se një masë e tillë mbi
median do të ishte një goditje për demokracinë dhe gjithë shoqërinë, e cila
vinte nga zhvillime dramatike si ato të 1997-ës.43 Këshilli Kombëtar zgjodhi
rrugën tjetër, atë të "amnistisë". Televizionet, të cilat që nga miratimi i
ligjit e deri para licensimit nuk kishin paguar asnjë lloj takse për këtë
veprimtari ,44 qëndruan të hapura, u njohën me kushtet teknike dhe ligjore që
duhet të plotësonin për të përftuar një licensë dhe kishin në dispozicion një
afat të caktuar për përmbushjen e këtyre kushteve për licensë lokale dhe
kombëtare.
Pavarësisht akuzave politike, dhënia e kufizuar e dy licensave kombëtare në
fund të vitit 2000, rezulton të jetë për shkaqe teknike,45 ndërsa tarifat që
televizionet paguanin për licensë ishin 10 000 dhe 15 000 lekë në vit për TV
lokale e 5 milionë në vit për TV kombëtare. Ndryshe nga media e shkruar,
operatorët radiotelevizivë i nënshtrohen një procesi licensimi të posaçëm për
shkak se përdorin një burim të kufizuar kombëtar, spektrin e frekuencave. KKRT
e ka siguruar hartën e frekuencave në rang kombëtar vetëm në fund të vitit
2002.46 Ish-kreu i KKRT-së, z. Sefedin Çela thekson se mundësia e kufizuar për
licensa bën që ato të jenë privilegj i atyre që e fitojnë këtë të drejtë duke
konkurruar sipas ligjit, pasi në fund të fundit duhet thënë se frekuencat janë
një pasuri kombëtare.47 Sa i takon faktit se pse janë dhënë dy licensa, z. Çela
sqaron se së pari është dhënë më shumë se një licensë për të shmangur mungesën
e konkurrencës, së dyti për shkak se mungonte harta e frekuencave dhe së treti
sepse numri i operatorëve kombëtarë nuk mund të jetë i pakufizuar për arësye
teknike, por edhe sepse nuk ka treg për licensa televizionesh kombëtare të
palimituara.48
KKRT, në mbledhjet e datave 23 dhe 30 tetor, 14 nëntor dhe 11 dhjetor të vitit
2000 licensoi 80 operatorë privatë lokal dhe kombëtarë, nga të cilët 45 për
transmetim të televizioneve lokale, dy për televizione kombëtare, një për
transmetim satelitor49, - pra rreth 30 % e operatorëve vizivë aktualë në treg.
Ndryshe nga sa është përcaktuar në raportin e Institutit Shqiptar të medias për
vitin 2007 dhe punimin e koleges Tare të botuar në vitin 2008, në të cilin
thuhet se "në Shqipëri, shumimi i stacioneve televizive ndodhi vetëm pas vitit
2000",50 na rezulton se numri i televizioneve private të licensuara në
periudhën 1995-2000 është 48 televizione, thuajse i barabartë me licensimet që
janë bërë deri në 2005, me 47 operatorë të rinj.51
Në vitin 2001, KKRT licenson 15 televizione dhe 3 radio, të cilat dalin në
transmetim vetëm pas miratimit të licensës, fakt ky që përbën progres për
disipliminin e operatorëve dhe moslejimin e transmetimeve të paautorizuara.52
Kjo periudhë e në vijim shënon fazën kur Këshilli Kombëtar konsolidon
gradualisht infrastrukturën që shënon kulmin pasi ky institucion rregullator vë
në punë Qendrën Lëvizëse të Monitorimit në të ashtuquajturin projekti "DANIDA",
dhe ku gëzon autoritetin e plotë mbi operatorët pasi fiton të gjitha betejat
ligjore me ta.53
Përfundime
Skema e veprimit në terren me tregun mediatik në gjithë këto shtete ka qënë a)
liberalizim tërësor i tregut; b) hartimi ose përmirësimi i ligjit; c)
rregullimi i disa prej problemeve të hasura në terren mes operatorëve dhe
institucionit rregullator.
Televizionet operonin në kushte shumë të vështira financiare, ndonëse deri në
vitin 2000 ato kanë qenë të regjistruara vetëm si biznese dhe nuk janë taksuar
për përdorimin e frekuencës si pasuri kombëtare. Në 75% të rasteve TV-të kanë
qenë të përshtatura në ambjente vilash apo apartamentesh të marra me qera. Një
pjesë e mirë e gazetarëve punonte në të zezë, ndërsa fitimet nga reklamat ishin
shumë të vogla, edhe për shkakun se bizneset më të mëdha operonin në Tiranë.
Në 1999 rreth 75% e operatorëve kanë transmetuar 24 orë në ditë, por vetëm 7
orë kanë qenë transmentim në gjuhën shqipe. Pjesa tjetër mbushej me filma,
lidhje direkte me kanale ndërkombëtare muzikore, ndeshje sportive, dokumentarë
etj., të piratuar dhe pa përkthim në gjuhën shqipe.
KKRT nis punën në një kohë kur televizionet private ishin një realitet.
Institucioni rregullator nuk i mbyll këto televizione por i "amniston" dhe i
krijon mundësinë të futen në garë për të plotësuar kushtet teknike dhe ligjore,
për përftimin e një license kombëtare ose lokale.
Në katër mbledhjet e mbajtura deri në fund të vitit 2000, KKRT licenson 48 nga
51 televizionet në treg, nga të cilët 45 me licensë lokale, dy me licensë kombëtare,
një si televizion stelitor dhe skualifikon tre televizione.
Frekuenca e licensimit të televizioneve private rezulton të jetë e njëtrajtshme
në 5-vjeçarin e parë (1995-2000) me 48 operatorë televiziv dhe 47 të tillë në
5-vjeçarin e dytë (2000-2005).
KKRT konsolidohet si institucion në fund të vitit 2002, kur zotëron hartën e
frekuencave në rang kombëtar, vë në punë Qendrën Lëvizëse të Monitorimit në të
ashtuquajturin projekti "DANIDA", dhe ku gëzon autoritetin e plotë mbi
operatorët pasi fiton të gjitha betejat ligjore me ta. Bibliografi
Periodikë: Ligje:
Dokumenta:
Intervista:
Tabela: Abstract
This study deals with one of the most important periods of the history of the
Albanian televisions: the birth of private televisions in the country from 1995
to 2000. The study focuses on
three main issues. Firstly, it focuses on the comparative approach of the
opening of private televisions in Central and Eastern European post communist
countries. Secondly in the creation, development and consolidation of private
operators in Albania and thirdly, it focuses on the approval of the law for the
electronic media, the establishment and consolidation of National Council of
Radio and Television. The study points out the common characteristics that the period of the opening of televisions shares with other ex-communist countries, as well as the distinctions that mainly come as a result of the internal socio-political developments. The study focuses particularly on the creation and development of the first private television in Albania, TV Shijak, and two other televisions that later get the national licence, TVA and TV Klan. Also it offers an outline of the conditions in which the TV operators have operated with their achievements and problems. The study looks upon the approval of the law for the electronic media, the contestations made by the operators and on the establishment of National Council of Radio and Television until its consolidation period.
For this study have been used archive materials like decisions, reports and
other materials from National Council of Radio and Television; analyses of
articles from newspapers of the time; analyses of studies and reports from
institutions and foreign organisations; interviews with journalists and
directors of televisions, owners and ex-owners of televisions, former chairman
and officials of National Council of Radio and Television; the study of laws
for the electronic media, references from contemporary authors of communication
and the quantitative data shown in table and graphically. Gazetar në televizionin Vizion Plus, Doktorant pranë Shkollës Doktorale,
Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit, Fakulteti i Historisë dhe
Filologjisë, Universiteti i Tiranës. ELVIN LUKU
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |