VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TOPI: PD I PËRZURI DHJETORISTËT PËR HIR TË ISH ZYRTARËVE KOMUNISTË - BERISHA DUHEJ RRËZUAR PAS GËRDECIT

E Enjte, 05.02.2013, 08:02am (GMT1)



FRD ka mbajtur Konventën e saj të parë, në një vjetorin e formimit të saj. Gjatë fjalës së tij, kreu i kësaj partie, Bamir Topi, ka lëshuar akuza të forta ndaj ish-partisë së tij. Sipas Topit, PD ka përzënë të gjithë ish-dhjetoristët dhe ish-të përndjekurit, duke investuar tek zyrtarët ish-komunistë dhe duke bashkëpunuar me partitë komunistë dhe të spektrit të majtë.

"FRD operon në një mjedis problematik për shoqërinë shqiptare. Të gjithë e dinë që e djathta është në krizë, pasi investoi shumë për ish-komunistët, zyrtarë që për hir të interesave të pushtetit kanë braktisur çdo nocion të së djathtës. Kjo e djathtë në pushtet zgjodhi aleancë me ish-komunistët dhe gjysmën e opozitës së majtë, ndërkohë që dëboi ish-dhjetoristët dhe ish-të përndjekurit. Kjo e djathtë në pushtet nuk e njeh nocionin bazë të demokracisë, votën dhe oponencën. Nuk nxit dhe as mbështet një partneritet aktiv dhe të sinqertë me SHBA dhe BE. Nuk ka identitet dhe e konsideron moralin mbetje arkaike", tha Topi gjatë fjalës së tij.
Ai ka sulmuar ashpër edhe opozitën, duke thënë se ajo duhej të ishte më aktive pas Gërdecit, dhe jo të bashkëpunonte me Berishën, siç ishin ndryshimet e Kushtetutës.

"Pak fjalë për të majtën, e cila gëzon spektrin e vet të natyrshëm të atyre qytetarëve shqiptarë që kanë bindje majtas. E majta shqiptare është në krizë morale dhe përfaqësimi. Premtimet për rilindje vijnë në kontrast të thellë me aleancat dhe korrupsionet e koalicioneve. Sistemi korruptiv qeverisës tani është produkt konsensual mes lidershipit të së majtës dhe kryeministrit aktual. Pas shpërthimit të Gërdecit me 15 mars të vitit 2008, në momentin kur opozita shqiptare duhet të kishte qenë më shumë aktive se kurrë në pozicionin e saj për të nxjerrë të palarat e pushtetit, për atë që ndodhi në Gërdec, dhunimin dhe masakrimin e pushteteve, kjo e majtë në vend që të bënte opozitën, u fut në proces duke i dhënë oksigjen pushtetit, që vijoi dhe me 21 prill të vitit 2008, kur u u bënë bashkautore të dhunimit të Kushtetutës dhe bashkautorë të rënies së institucioneve njëri pas tjetri. Tani i pari që u bë pishman është kreu i opozitës", tha Topi.

Sipas tij, pasojë e marrëveshjes mes Berishës dhe Ramës më 2008-n, është edhe ajo që po ndodh sot me KQZ-në.
"KQZ ka qenë pjese e modifikime kushtetuese që prodhuan dhe vijojnë të prodhojnë pasiguri për zgjedhjet, kjo është arsyeja që KQZ i ngjan një organizmi dhe skeleti që operon vetëm me njërin krah, nuk është aspak funksional dhe nuk ka asnjë lloj garancie. Në atë institucion vijon të operojë një frymë despotike", vijoi Topi, që ka akuzuar ndërkohë edhe kryetaren e kuvendit, Jozefina Topalli, duke thënë se e ka kthyer Kuvendin në institucionin më të diskretituar në vend.

Në fund, ai është ndalur edhe tek fakti përse FRD vendosi që të dalë e vetme në zgjedhje.

"Me vjen keq, por të futesh në koalicione pa asnjë moral dhe princip, pa asnjë kohezion programor, nuk ka kuptim. Nuk mund të kthehemi në njerëz që lëvizin nga një ditë në tjetrën, për t'u bërë bashkë si ata që janë sharë dhe kanë përdorur institucionet më të rëndësishme të shtetit. Të fyejnë dhe të dalin të nesërmen sikur nuk ka ndodhur asgjë. Është moral që nuk na përket ne, por i përket politikes së vjetër, që nuk ofron asgjë për shqiptarët", përfundoi Topi.


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.