Tiranë, 2 maj - Komunizmi ka funksionuar në Shqipëri deri në vitet "˜90, ku
shërbimi sekret i drejtuar prej tij ka eliminuar afro 100 të rinj në pika të
ndryshme kufitare të vendit, teksa tentonin të kalonin kufirin.
Ndryshimi i ligjit për kalimin e paligjshëm të kufirit më 8 maj 1990 nga
ish-presidenti Ramiz Alia, duket se ka qenë një farsë, pasi urdhri i vërtetë
përtej këtij ndryshimi ka qenë eliminimi, për çdo person që do të shkelte
kufirin. Foto të vrasjeve makabre, që janë marrë nga arkivat sekrete, shihen në
albumin e prezantuar dje nga Muzeu Historik Kombëtar "Terrori komunist në
Shqipëri", përgatitur nga Enver Kushi dhe Fatmir Boshnjaku.
Çdo vrasje është e dokumentuar me kronologjinë e ngjarjes dhe fotot e personit
të vrarë. "Fotot e vrasjeve në kufi në vitin 1990 botohen për herë të parë. Në
maj të vitit 1990, doli një dekret i firmosur nga Ramiz Alia ku thuhej se
arratisja dhe kalimi i kufirit nuk quheshin më tradhti e nuk mund të vriteshin
ata që kalonin kufirin. Rinia shqiptare e gënjyer nga ky dekret filloi në masë
të kalonte kufirin", thotë Enver Kushi.
Sipas tij, mosha e të rinjve të vrarë është nga 18-32 vjeç. "Sigurimi i shtetit
dokumentonte çdo gjë. Përkrah informacioneve janë dhe fotot. Janë fotot më
tronditëse që unë kam parë në arkiv. Këto foto flasin sa për dhjetëra libra, sa për dhjetëra tragjedi. Janë
mbi 100 të vrarë. Janë arratisur nga Jugu e sidomos nga Mali i Zi", thotë
Kushi. Përveç vrasjeve në kufi, ky album kërkon të tregojë dramën shqiptare nga
viti 1948-1990, shrkuan gazeta "Shqip".
Sipas Kushit, një tjetër dokument që botohet për herë të parë është edhe një
letër e Edip Tërshanit dërguar Enver Hoxhës, një njeri i cili merr guximin dhe
i shkruan udhëheqësit komunist se ka shkelur idealet dhe parimet e Luftës
Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në album janë dhe letra nga të burgosur
politikë të viteve "˜50 ku shprehin revoltën. Historia e Shërbimit Sekret
Shqiptar paraqet një pamje mjaft të rëndë për periudhën e sundimit komunist në
Shqipëri.
Nga të dhënat jo të plota të arkivit të Ministrisë së Brendshme rezulton se
gjatë këtij regjimi u vranë 5157 njerëz dhe vdiqën në burgje 9052 vetë, u
burgosën si të dënuar politikë 17.900 njerëz, u internuan me motive politike
30.383 të tjerë. Nga viti 1945-1988 nga Shqipëria janë arratisur 11,800 vetë.
Për motive politike u dënuan me burgime, punë të detyruar dhe me konfiskim të
pasurisë 19.250 persona.
Në burgjet shqiptare, në kampet me punë të detyruar dhe internimi kanë vuajtur
për motive politike edhe shtetas italianë, grekë, jugosllavë, gjermanë,
austriakë, polakë, rusë, etj. Shqipëria kishte rreth 40 burgje të mbyllura dhe
mbi 50 kampe me punë të detyruar me të dënuar për motive politike. Në këto
burgje dhe kampe me punë të detyruar kanë gjetur vdekjen 980 të dënuar politikë
dhe 380 persona kanë pësuar trauma psikike. Nga nëntori i vitit 1944 deri në
mars të vitit 1991 u ekzekutuan 450 gra.
--
Simon Stefani
(Diskutim në takimin me shokët zv/ministra dhe të komandës së kufirit më 19
mars 1990)
Thamë se janë rritur tendencat për arratisje e në disa zona për këto flitet
hapët. Këtë situatë nuk duhet ta lejojmë, prandaj ligjet që kemi duhet t'i
zbatojmë. Nëse në ndonjë rast është bërë politikë në interes të atdheut e të
personit të gënjyer e të çoroditur nga ideologjia borgjeze, kjo nuk do të thotë
se do të bëhet vijë.
Ata që do të kalojnë në rrugë të fshehtë, të kalojnë kufirin, do të dënohen në
bazë të ligjit dhe nëse nuk do t'u binden kërkesave të kufitarëve, dënimi do të
jetë dhe kapital. Këtu nuk duhet të ketë asnjë lëshim e iluzion.
Disa çështje të tjera që edhe mund të lidhen me problemin e mësipërm.
Është e vërtetë që tendenca e arratisjes ka qenë dhe është e mprehtë. Organet
tona për këtë tendencë kryejnë një volum të madh pune, në ndjekjen e tyre
harxhojnë mjaft kohë, forca, mjete dhe para.
Për këtë tendencë nga viti 1984 e deri tani, janë ndjekur afro 2 mijë vetë,
janë arrestuar 398 persona, janë këshilluar e demaskuar 11000 persona të tjerë
nga organet e Partisë, të pushtetit dhe degët e punëve të brendshme.
Me gjithë këto masa nga viti 1984 deri në 6-mujorin e parë të vitit 1988 mundën
të realizojnë arratisjen jashtë shtetit 354 persona. Veç këtyre u kapën me
tentativë për t'u arratisur në zonat kufitare 495 vetë. Që nga çlirimi e deri
në vitin e fundit janë arratisur në moshë madhore nga Shqipëria 11.800 vetë.
---
Ministri i Punëve të Brendshme
Hekuran Isai
ERSEKA
-Më darë 2.2.1990, rreth orës 24:00, njësiti i shërbimit i postës kufitare
Rehovë, në rajonin e piramidës 6, kuadrati 6776, ra në përpjekje të tre
shkelësve kufiri nga brenda jashtë.
Si rezultat i zjarrit të njësitit mbeti i vrarë Ilirjan Ismail Zari, vjeç 30,
banues në Tiranë, roje në depon e armatimit të çetës vullnetare Kinostudio. Dy
shkelësit e tjerë u kthyen në thellësi të tokës sonë. Si rezultat i masave në
orën 05:00, të datës 3.2.90 u kap Agim Ismail Zari, vëllai i të vrarit. Vazhdon
kërkimi për kapjen e të tretit, i cili është Ylli Qemal Keti, me origjinë nga
Kolonja dhe banues në Tiranë, martuar me motrën e dy shkelësve të mësipërm.
SHKODRA
Më datën 14.6.1990, në postën kufitare të Hanit të Hotit, nga kontrolli i kryer
në pengesën klon, u konstatua një gropë dhe një granatë dore luftarake. U
njoftua posta kufitare e cila nisi njësitin e kontrollit së bashku me qenin
kërkues, të cilët ranë në përpjekje me shkelësit e kufirit me drejtim nga
brenda jashtë. Njësiti bëri paralajmërim duke qëlluar me armë në ajër, për
shkak se nuk u ndalën, qëlloi në drejtim të tyre duke vrarë Pëllumb Pëllumbin
nga Shkodra, i pa zënë në punë, ndërsa në orën 01:50, të datës 15.6.90 u kap
shkelësi tjetër Marjan Zef Ndoja, nga Shkodra. Vazhdon bllokimi i kësaj zone.
ERSEKA
Më datën 10.6.1990 u ndalua Irfan Sali Liçi, vjeç 27, banues në Pojan të
Korçës, kooperativist, për arsye se karakteristikat e tij të jashtme janë të
njëshme me shkelësin e kufirit që u largua në drejtim të paditur në përpjekje
me njësitin kufitar të postës Shelegur. Në përpjekjen e orës 8:00, më 10.6.90 u
vra në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit Fatmir Ismail Duro, vjeç
25, banues në Orman, Pojan i Korçës.
SHKODRA
Më datën 12.6.1990, në postën kufitare Zogaj u asgjësua në tentativë për kalim
të paligjshëm të kufirit Nin Rok Hoti, vjeç 25, rrobaqepës, banues në Shkodër.
POGRADECI
Më datën 17.7.1990, në sektorin e postës kufitare Peshkëpi, nga njësiti i
kontrollit u kap në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit Artan Ahmet
Kushi, vjeç 16, banues në Elbasan, nxënës, i cili u ndalua.
GJIROKASTRA
Në datën 17.7.1990, ora 11:45, në sektorin e postës kufitare Radat në tentativë
për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, u kapën dy persona dhe u vra një
tjetër: Arjanit Ali Vashaj, vjeç 27, shofer, Shkëlqim Avni Deçaj, vjeç 27,
banues në Vlorë, punëtor, të cilët u ndaluan, Muharem Fejzo Velaj, vjeç 25,
banues në Klos Mallakastër Fier, kooperativist, i cili u vra nga njësiti pas
zbatimit të kërkesave të rregullores për kapjen e tij të gjallë.
SHKODRA
Më datën 18.7 1990, realizuan kalimin e paligjshëm të kufirit në sektorin e
postës kufitare Reç Frederik Kol Petraqi, vjeç 25, punëtor dhe Mark Noc Çuçia,
vjeç 25, punëtor në peshkim.
Më datën 18.7.1990, u kapën në tentativë për kalim të paligjshëm të kufirit në
sektorin e postës kufitare Reç Rakip Myftar.
KORÇA
Më datën 18.7.1990, në sektorin e postës kufitare Ponçarë, njësiti i shërbimit
në orën 03:05 ra në përpjekje me shkelësit e kufirit Nardi Kujtim Ravolli e
Osman Xhakolli, të cilët tentuan t'i merrnin armët njësitit të shërbimit dhe
pastaj të realizonin kalimin e kufirit. Njësiti i shërbimit asgjësoi Osmanin
dhe plagosi rëndë Nardin.
Letër e Edip Tërshanës dërguar Enver Hoxhës
(Botohet për herë të parë)
Enver! Ideali kombëtar më ka ba që jam kundër Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Unë
isha në Dibër krijuesi i saj. Lëvizja Nacional Çlirimtare është në tradhti të
Atdheut, se jo vetëm që hoqi dorë nga Kosova e Dibra, por sot me Pushtetin
Popullor, Shqipëria është në robëri të Beligradit politikisht dhe ekonomikisht.
Sot, organizatorët sllavë janë ata që drejtojnë punët shtetërore dhe
parashtetënore. Kjo është tradhti. Sot politika e jashtme e juaj sllave ka
shkaktuar që U.N. të jetë kundër nesh, humbi shumë miq. Kjo është tradhti.
Jam kundër për vrasjet me gjyq dhe pa gjyq që i bëhen këtij populli, pse kështu
don sllavi. Për 20000-30000 shqiptarë që dergjen në burg se s'janë "komunistë
sllavë". Kjo është tradhti. Jam kundër se e plaçkiti. Ky është Pushteti që
varfëroi tregun shqiptar për të vesh këlyshët e Rusisë dhe e la popullin
bythëlakuriq, ndërkohë që ne kishim për 20 vjet veshmbathje, kjo është pra
tradhtia. Jam kundër këtij Pushteti se është spekulator tue e grabit popullin
me ligj dhe mallin e sekuestruar nga tregtarët po ia shet ma shtrenjt se ç'e
kishin ata, duke lanë në rrugë një numër familjesh të tregtarëve, kinse janë
spekulatorë. Kurse Pushteti është më spekulator se ia mori misrin 10
lekë e ia shiti 11.50. Ia
mori grurin 10 lekë ia shiti 15, mori duhanin 15-20, ia shiti 100-120.
Mallin
e U.N.R.A.S. nuk e pa populli, se një pjesë e madhe e tij shkoi në Rusi te
Titua. Kjo është tradhti. Jam kundër se për dy vjet kemi shpenzuar dy miliardë e
disa milionë Fr.Shq. për të ushqyer Pecot e hamshorët e Frontit. Sot thuhet
gjithçka për Pushtetin, ndërsa dje Nacionalistët thoshin gjithçka për Atdheun.
A nuk janë tradhti këto?
Jam kundër thirrjeve "Jemi bijtë e Stalinit", sepse e ulin poshtë rininë, aq
poshtë sa kur përmend Stalinin të gjithë ngrihen në këmbë. Jam kundër se
injoranca s'don kulturën, kështu duan sllavët. Kjo besoj është tradhti. Jam
kundër sepse s'ka liri fjale, e shtyp të lirë. Ka vetëm terror. Ky është
shqiptarizëm: të rrojnë të Frontit, të tjerët të vdesin? Jam kundër se në
historinë për shkollat unike thuhet: Ballkani në kohët e lashta banohej prej
grekëve e maqedonasve e se ilirët e lavdishëm u zhdukën.
Kështu i shërbejmë imperalizmit sllav. Pjetri tha: Rusia duhet të ketë tre sy:
Vlladivostok, Petrograd e Durrës dhe dishepulli i tij Stalini me pushtetin
tradhtar të sotëm në Shqipëri, ia mbërriti dhe te ne kësaj ëndrre. Jam kundër se grabitni teshat e "reaksionarëve", si i
quani ju pra, grabit dhe ha. Kësaj i thonë me vjedh lirisht. Jam kundër se
oficerë të Mbrojtjes këtu në Dibër arrijnë me grabit gratë e botës me grabit
karriollat e teshat shtëpiake e askush nuk tha ndal. Kjo është poshtërsi. Jam
kundër se tregtia, toka dhe nëntoka, ekonomia kombëtare janë në dorë të
sllavëve. Njëzet shoqni jugosllave në ekonominë shqiptare, a s'është kjo
tradhti e naltë?
Enver!
Tue i çfaq këto, tue qenë i vendosur me idealin kombëtar unë kam qenë, jam
kundër Pushtetit e këtë ia kam vu në dritë popullit, i cili e ka pa dhe pranue
se 95% është kundra Pushtetit. Revoltën veç terrori i madh e mban. Pret nënë e
mjerë pasi i ati do të vrasë të birin e të bijën e vet. Edhe kjo është tradhti
e Pushtetit popullor. Ky Pushtet futi përçarjen toskë e gegë, katolikë e
ortodoksë, myslimanë e ortodoksë, pra tradhti e naltë. More të mjerë, ju ka
verbu fanatizma e ideologjisë dhe nuk shifni faktin që po i bëni popullit
varrin. Këtë varr jeni tue ba Atdheut edhe me politikën tuaj të jashtme. A
s'është tradhti?
Rroftë Ideali Kombëtar
Rroftë Shqipëria me Kosovën që ju ia falët Jugosllavisë!
Rroftë Populli Shqiptar!
Rroftë Himni i Flamurit Kombëtar i panjollosur!
Edip Tërshana, 22.11.1947
--
TORTURAT
Deklaratë
Unë i nënshkruari Naum Bezhani, deklaroj sa më poshtë:
Po rreshtoj më poshtë tortura të ndryshme që u janë bërë të burgosurve, sidomos
gjatë viteve 1947-1948. Për të gjitha këto, Koçi Xoxe, Vaskë Koleci dhe të
tjerë kanë pasur dijeni dhe s'kanë marrë asnjëherë ndonjë masë kundër tyre që i
bënin, madje këta vetë na inspironin dhe na mësonin kështu, megjithëse në dukje
tregoheshin disa herë kundër.
Janë përdorur këto forma torturash:
1. Jeleku (tortura më e tmerrshme).
2. Kamxhiku dhe druri.
3. Të lënët pa bukë, pa ujë, pa gjumë dhe në këmbë me ditë të tëra.
4. Korrenti elektrik sa i binte tjetrit të fiktë.
5. Hedhja në qafë e zinxhirëve me peshë të rëndë.
6. Lidhja me duar nga pas në dritare ose në ndonjë dru, varur gjersa t'i
preknin majat e gishtërinjve.
7. Thyerje e kockave dhe ndukja e mishit me darë (kjo u përdor pas dënimit me
vdekje të Shefqet Bejës dhe kundër tyre).
8. Kripë në gojë
9. Shpiheshin gjoja sikur do të ekzekutoheshin ose do të vareshin dhe shtihesh
në ajër ose shpiheshin afër litarit.
10. Tortura morale në lidhje me familjen. Do të ta burgosim, do të t'i vrasim
bile në Shkodër. Për të thyer rezistencën e Dulo Kalit e shpunë në një dhomë
ngjitur me dy të burgosura vajza dhe dy të burgosur burra. Ata bënë gjoja sikur
ato ishin vajzat e tij dhe i kishin prurë aty t'i çnderonin.
11. Futja kokëposhtë në vozë plot me ujë.
12. Një herë Myftar Tarja i futi një Toptanit nevojë në gojë dhe çorape të
palara.
13. Djegie e mishit me cigare.
Dëshmitari Shaban Zereci, vjeç 45, nëpunës, banues në Tiranë, u betua
rregullisht, u pyet e tha: Kam qenë partizan qysh prej vitit 1942, kryetar
çete, komandant batalioni dhe kam pasur gradën kapiten. U arrestova më
14.VI.1947. Më kanë mbajtur 16 ditë varur prej këmbe. Pastaj më kanë torturuar
me sistemin e jelekut, më kanë vënë kripë në gojë, më kanë vënë me nder mut në
gojë dhe mbasi unë nuk hapja gojën më kanë thyer këmbët me dru, deri sa u
detyrova ta hap. Nuk e mora vesh asnjëherë pse u arrestova.
I pandehuri Vango tha: Në hetuesi qe metodë pune tortura. Janë praktikuar lloje
të ndryshme torturash, si p.sh. qëllesa me pëllëmbë, lënia pa bukë për ditë të
tëra, lidhur duar e këmbë me hekura të rënda, jeleku, ujë të ftohtë me litar të
lagur, kokën në kovë. Këto metoda bisedoheshin dhe janë ngritur edhe në
mbledhje dhe torturat kanë ardhur duke u perfeksionuar.
(Marrë nga dosja e gjyqit të Koçi Xoxes. Arkivi i MB)