VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LAMA - ZËVENDËSMINISTRI I FSK ËSHTË SPIUN I BEOGRADIT

E Premte, 05.03.2013, 07:12am (GMT1)



Prishtinë - Deputetja e Lëvizjes "Vetëvendosje", Alma Lama, në seancën parlamentare të së enjtes e ka pyetur ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Agim Çeku, se pse nuk e thonë të vërtetën në lidhje me zëvendësministrin e FSK-së, Sllavisha Filipoviq i cili është zënë duke dërguar në Beograd informacion në lidhje me armatimin e FSK-së.

Çeku, në përgjigjen e tij, e ka konfirmuar se Filipoviq është zënë duke shkëmbyer e-mail me zyrtarët serbë, në të cilat, sipas tij, ata si ministri nuk kanë vërejtur se ka pasur rrjedhje të ndonjë informacioni të rëndësishëm.

Lama, në një prononcim për Telegrafin tha se në rast se një zyrtar i lartë apo çfarëdo shtetasi i Kosovës bën spiunazh, "ai ka kryer vepër penale që sanksionohet edhe me kodin penal të Republikës së Kosovës - neni 131".

"Të kryhet një vepër e tillë nga zëvendësministri, minimumi që duhet të bëhej ishte të shkarkohet nga pozita e tij dhe pastaj të akuzohej edhe për spiunazh", shprehet ajo.

Sipas saj, përpjekja e Ministrisë së FSK-së ka qenë që ky problem të mbetet në hije dhe të mos bëhet e madhe në publik.

"Krejt kjo për shkak të koalicionit, sepse ai është person politik. Mirëpo, kjo është shumë e rrezikshme, sepse të dërgosh të dhënat e FSK-së (që pretendon të jetë Ushtria e Kosovës), në Beograd, do të thotë të rrezikosh seriozisht sigurinë e Kosovës në të ardhmen. Të dhënat që i ka dërguar zëvendësministri, kanë qenë në lidhje me llojin e armatimit, por me siguri ka dërguar edhe të dhëna të tjera. Nuk mund të lejohet që në institucionet e Kosovës të punojnë njerëz të cilët bëjnë spiunazh për ndonjë shtet tjetër", ka theksuar Lama.

Në anën tjetër, drejtori për informim në Ministrinë e FSK-së, tha për Telegrafin se qëndron prapa fjalëve të ministrit Çeku të thëna në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa, zëvendëskryetari i parë i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Fadil Demaku ka deklaruar se nuk ka ndonjë informacion shtesë për rastin e zëvendësministrit Filipoviq, përveç asaj që është thënë dje në Kuvendin e Kosovës nga Agim Çeku.


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.