VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

”DY HEROINA SHQIPTARE” (NGA ARKIV I DIELLIT)
Nga DALIP GRECA

E Enjte, 05.09.2013, 07:42am (GMT1)



Duke përgatitur lidhjen e koleksionit të Gazetës Dielli për vitin 1984 më ra në sy titulli hapës i faqes së parë të numrit 14 (Viti i 75-të i botimit), tetor 1984, i edituar atëherë nga ish gazetari i Zërit të Amerikës, mjeshtri i penës që shkruante me frymën e rilindasve, Xhevat Kallajxhiu, ish kryeredaktor i Gazetës Demokratia e Gjirokastrës në vitet '30-"˜40 të shekullit të shkuar. Ishte viti i tetë që Kallajxhiu editonte Diellin; e kishte pranuar thirrjen e Vatrës më 1 tetor 1976.

Gazeta e tetorit '84 hapej me aktin e dy motrave Zamira dhe Isabela Islami, të cilat kishin kapërcyer detin me not dhe kishin kaluar në Korfuz, ku ishin dorëzuar tek autoritetet greke. Motrat kishin shpëtuar vetë nga vuajtjet e ferrit komunist, por vëllai i tyre Klementi kishte humbur jetën. Dielli e përshkruan aventurën e dy motrave nëpër dallgët e detit, aventurë që kishte zgjatur 12 orë. Pena e Xhevat Kallajxhiut e përshkruan aktin e tyre heroik dhe i cilëson ato si "dy heroina."

Humbjen e vëllait, Kelmendit, Dielli e përshkruan kështu: Që të tre notuan pranë njëri tjetrit gjer në afërsi të Korfuzit, por atje nga korrentet e detit, e humbën njëri-tjetrin. Zamira dhe Isabela u gjetën dhe u muarën nga një Jaht Italian, i cili i çoi në Korfuz. I vëllai, mjerisht nuk u gjet dhe nuk dihet se si përfundoi fati i tij.

Duke u përpjekur të sjellë detaje, Dielli shkruan: Të dy motart dhe i vëllai e kishin bërë me kohë planin për t'u arratisur nga Shqipëria dhe kur u erdhi rasti i volitshëm, kur shkuan në Sarandë për pushime, e vunë në zbatim.

Arratisja e guximshme e Zamirës dhe Isabelës u lajmëruan nga Agjencitë dhe gazetat e Greqisë dhe të shumë vendeve të tjera të Botës, njoftonte Dielli. Gazetat botuan me tituj të mëdhenj hollësirat e arratisjes dhe intervistat si dhe fotografitë e këtyre dy heroniave shqiptare.

Kur Dielli botonte këtë koment për "Dy heroinat" njoftonte se ato ndodheshin përkohësisht në Athinë dhe pritej që të vinin shpejt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu Dielli paralajmëronte se ato do të vendoseshin për ca kohë në Detroit, ku ndodhej daiu i tyre (në fakt i priti djali i xhaxhait të nënës), zoti Isuf Selenica bashkë me familjen e tij. Në fakt motrat mbërritën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 19 dhjetor 1984 dhe u vendosën për gjashtë muaj në Detroit për të kaluar më pas në Washington.

Dielli shfaqte shpresën se për zonjushat Zamira dhe Isabela do të shkruante sërish dhe shtonte: Për tani kufizohemi vetëm duke i uruar që t'i marrë fati për mbarë!

Motrat Zamira dhe Isabela i përkisnin një familje atdhetare që kishtë dhënë shumë për Kombin, kishin dhënë kontribut për krijimin e shtetit shqiptar, si nga nëna ashtu edhe nga baba, por regjimi komunist i masakroi, pushkatoi, burgosi, internoi. Edhe gjyshja 90 vjeçare ishte internuar, edhe prindërit dy here. Vetë motrat kishin kaluar 10 vite internimi para arratisjes, ndërsa vëllai, para arratisjes kishte qenë në burg për "agjitacion e propogandë". Pikërisht kur ishte arrestuar i vëllai ato ishin internuar në Çermë të Lushnjës.


DALIP GRECA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.