VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VAJZA E LIRI GEGËS - NËNËN MA PUSHKATUAN SHTATZËNË, IA DOGJËN ESHTRAT ME ACID
Flet Lavdie Merlika (Ndreu) e bija e çiftit të dënuar me vdekje - I arrestuan te shtëpia e xhaxhait në Sllovë e thanë se i kapën në kufi duke u arratisur

E Hënë, 05.13.2013, 09:53am (GMT1)




Lavdie Ndreu / Liri Gega e Dali Ndreu me familjen

Flet Lavdie Merlika (Ndreu), e bija e çiftit që u dënua me vdekje. "I arrestuan te shtëpia e xhaxhait në Sllovë dhe thanë se i kapën në kufi duke u arratisur"

Lavdie Merlika, vajza e vetme e Dali Nderut dhe Liri Gegës, dy figurave të njohura të lidershipit historik të dënuar me vdekje në mesin e viteve "˜50, e rindërton ndarjen tragjike me prindërit duke veçuar tri momente kulmore: çastin e arrestimit, lajmin për vdekjen e tyre dhe pushkatimin e nënës shtatzënë.

Ka qenë vetëm tetë vjeçe atëherë, por mban mend me detaje rrethanat e tragjedisë dyfishe. Sa kishim shkuar te xhaxhai në Sllovë, kur erdhën dhe i arrestuan papritur, kujton ajo.
Thanë se i kapën në kufi duke u arratisur. Pas tre muajsh mbërriti lajmi se i dënuan me vdekje si armiq të popullit. Çfarë ndodhi më tej, ishte një fatkeqësi më vete, shton Lavdija duke rrëfyer kalvarin e vuajtjeve në kampin e Shtyllasit, përçudnimin e të tjerëve si familjarë të armiqve e tradhtarëve dhe stërmundimet sfilitëse në kërkim të eshtrave të prindërve që nuk i gjetën kurrë. Sidoqoftë, për të, pushkatimi i nënës shtatzënë ka qenë brenga më e madhe. Përtej mëdyshjeve për këtë akt makabër, të denoncuar zyrtarisht nga Hrushovi, vajza e çiftit të dënuar me vdekje s'ka as dilemën më të vogël për faktin rrëqethës se nëna e saj është pushkatuar shtatzënë. Me dëshmi e prova të pakontestueshme, ajo të krijon bindjen se ka ndodhur pikërisht kështu, pavarësisht përpjekjeve të regjimit për të pohuar të kundërtën...

Zonja Lavdie! Prindërit tuaj, dy nga personazhet e njohura të lidershipit komunist, janë pushkatuar në një ditë, me akuzën për tradhti ndaj atdheut dhe tentativë arratisjeje. Çfarë kujtoni nga ndarja tragjike me ta?

Kanë kaluar vite e dekada qysh atëherë. Tashmë jam bërë nënë e gjyshe. Koha shumë gjëra i ka venitur, vitet kanë bërë të tyren, por palca e ndodhive, pasojat, nuk mund të shqiten lehtë. Tri janë momentet kulmore që ruaj nga ajo ndarje tragjike: çasti i arrestimit të prindërve, lajmi për vdekjen e tyre dhe pushkatimi i nënës shtatzënë. Jam rritur me brengën dhe dhimbjen e tyre. Kam qenë e vogël, shumë e vogël kur jam ndarë me prindërit. Pa përkujdesjen e njerëzve të babait, nuk do të isha kjo që jam. Xhaxhallarët, por sidomos gratë e tyre, kanë bërë gjithçka për të kompensuar dashurinë e prindërve të vërtetë. E them me plot gojën që jetën time ua dedikoj atyre, përkushtimit dhe përkuj-desjes së pakursyer që reguan për mua. Megjithatë...

Megjithatë, pas asaj që ndodhi, fjalët "nënë" e "babë" nuk t'i nxuri më goja...

Nuk e di ç'ka ndodhur në raste të ngjashme, por në rastin tim, fjalët "nënë" e "babë" nuk i kam shqitur kurrë nga vetja. Në shqiptimin e tyre, kam ndier gjithnjë diçka hyjnore, të shenjtë. Po, po. Si mund t'u flisja ndryshe atyre që s'më lanë kurrë pa ngrohtësi atërore. Paçka se edhe vetë jetonin në mjerim e terror të skajshëm. I kam thirrur baba me plot gojën, me gjithë shpirt xhaxha Beshirit dhe nënë Mynyres, gruas së tij. Për ta u bëra fëmija i tetë, por më e privilegjuara ndër shtatë të tyre...

E keni fjalën për kohën kur keni humbur prindërit? Po kur jetonit me ta, ju kujtohet?

Me ta jam ndarë kur isha tetë vjeçe. Asokohe jetonim në katin e dytë të një shtëpie private te Rruga e Kavajës. Prindërit kishin ardhur aty fill pas luftës. Babai, me sa mbaj mend, ishte drejtor i ndërmarrjes së ndërtimit, po shpesh i flisnin gjeneral. Mamaja punonte mësuese në shkollën pedagogjike te Rruga e Elbasanit. Unë vazhdoja shkollën te "Hasan Vogli". Si fëmijë, kuptohet nuk kisha si t'i dija peripecitë që kishin kaluar prindërit deri atëherë. Ajo që ndieja ishte rrallimi i vizitave të miqve dhe shokëve të tyre, të cilët dikur hynin e dilnin shpesh.

Pra, një pjesë të fëmijërisë e keni kaluar në Tiranë, madje në kushte relativisht komode po të kemi parasysh kohën...

Si fëmijë i dy zyrtarëve, krahasuar me moshatarët e tjerë, kuptohet, jetoja më mirë. Të tjerët, në pjesën më të madhe, nuk e kishin këtë privilegj. Kam mbresat më të bukura nga ajo periudhë. Ndër to mbaj mend dhuratat e prindërve për ditëlindje. Babai sidomos ishte shumë i dhënë për to. Kur mbusha shtatë vjeçe, ai më bleu një fizarmonikë. E ruaj edhe sot atë. Është e vetmja relikte që kam nga ato vite. Ishte dëshira e babit të bëhesha instrumentiste. Mamaja nga ana tjetër kujdesej të isha e rregullt në shkollë, por edhe në veshje e sjellje.
Ajo ishte shumë e dhënë pas kuzhinës. Gatimin e kishte pasion. Mbaj mend sidomos byrekun me shumë petë. E tëhollte vetë, e përgatiste me kujdes dhe i rrinte te koka derisa piqej. I hidhte pak yndyrë. Shpesh për këtë babai e xhaxhallarët e thumbonin me shaka, duke i kujtuar origjinën si gjirokastrite. Shumë herë mamaja më merrte me vete në shkollën e saj. Aty më linte për orë të tëra në shoqërinë e vajzave të Pedagogjikes. Pak a shumë kështu rrodhi ajo pjesë e fëmijërisë deri ditën kur ata i arrestuan...

Keni qenë e pranishme kur janë arrestuar?

Atë skenë e kam parë nga afër. Atëherë isha tetë vjeçe.

(Panorama)


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.