VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Abdurrahman Aliti: Enciklopedi me të pavërteta historike
E Martë, 09.22.2009, 12:21pm (GMT1)

 

 

Ish-politikani dhe diplomati shqiptar në Maqedoni, Abdurrahman Aliti, në një prononcim për BBC-në, e ka quajtur botimin e Enciklopedisë Maqedonase një primitivizëm shkencor që, thotë ai, do t'u sjellë më shumë dëm vetë maqedonasve.

 

Me zotin Aliti bisedoi Seladin Xhezairi dhe fillimisht e pyeti se si vëzhgues si e shikonte paraqitjen e Enciklopedisë dhe polemikat që po e shoqërojnë publikimin e saj?

Zoti Aliti: Këto kualifikime lidhur me shqiptarët këtu janë dhënë në kontinuitet edhe më herët, por tragjedia tash është se fjala është për një enciklopedi dhe një dokument afatgjatë, ndaj dhe revolta është shumë e madhe. Mendoj se është një primitivizëm edhe nacional, edhe shkencor, edhe si ta marrësh, që maqedonasit po mundohen në vazhdimësi ta zhvlerësojnë praninë e shqiptarëve këtu dhe kështu kinse të tregojnë diçka për vete. Në fakt, ndoshta habitet edhe bota se shqiptarët janë të vetmit që nuk kontestojnë identitetin kombëtar të maqedonëve, për dallim nga të tjerët rrethepërqark, por prapëseprapë maqedonasit kanë urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve.

 

BBC: Po zoti Aliti, si e komentoni faktin se, ta zëmë, në vijimësi, që nga pavarësia e Maqedonisë e këtej, ekziston një, ta quaj, lidhje mes politikës zyrtare maqedonase dhe Akadamisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve?

Zoti Aliti: As që ka pasur tendenca që të fshehet ai bashkëpunim dhe kjo njëmendësi, por ka qenë në pyetje mënyra se si është komunikuar,se si është thënë,disa kanë qenë më të kujdesshëm, më të rafinuar, më të sofistikuar, e të tjerët pak më ndryshe, por në vijimësi ajo ka qenë e tillë.

 

BBC: Dhe në këtë rrafsh, cili është parashikimi juaj përsa u përket raporteve ndëretnike maqedono-shqiptare dhe gjasëve për integrimin më të shpejt të vendit në strukturat euroatlantike. Mund të ndikojë kjo?

Zoti Aliti: Unë mendoj se edhe ky hap i të ashtuquajturës akedemi e shkencave është konform logjikës politike të qeverisë aktuale maqedonase e cila vetëm bën llafe se dëshiron integrimin në Evropë, ndërsa në realitet bën punë që të mos ndodhë integrimi.Pra, nuk ka asgjë të re, kemi vetëm një mënyrë tjetër të manifestimit të qëndrimit të politikës antiperendimore dhe antievropiane.

 

BBC: Dhe, karshi kësaj, si vëzhgues, si e shikoni reagimin e deritashëm të faktorit shqiptar, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Tiranë e Prishtinë?

Zoti Aliti: Mendoj se kësaj here ka qenë kënaqësi të shohësh se si shqiptarët, të gjithë, me një zë, i kundërvihen një të padrejte, në realitet një të pavërtete historike e cila po lansohet nga ana e maqedonasve. Unë, ç'është e vërteta, jamë thellësisht i bindur se kjo nuk u bën keq shqiptarëve, përkundrazi do t'u bëjë mirë shqiptarëve, por do t'u bëj keq vetë maqedonasve. (http://www.bbc.co.uk/albanian)

 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.