VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Huffington Post - AMFITEATRI I DURRËSIT NË RREZIK

E Martë, 05.21.2013, 08:02pm (GMT1)




Gazeta prestigjoze amerikane "Huffington Post", në një artikull të saj i kushtoi vëmendje 14 objekteve kulturore dhe historike në rrezik zhdukjeje në Europë. Në listën e cituar nga kjo gazetë është edhe Amfiteatri i Durrësit. Muajin e kaluar, shkruan Huffington Post, organizata e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe historike "Europa Nostra", rënditi një listë me 14 objekte të trashëgimisë kulturore në rrezik në gjithë Europën. Mes këtyre objekteve janë kisha, zona arkeologjikë dhe vendbanime të hershme.

"Huffington Post" shkruan se ky amfiteatër me vlera të rralla arkeologjike dhe kulturore, rrezikohet seriozisht nga ndërtimet urbane në Durrës, që kanë prekur një pjesë të tij si dhe nga mungesa e vëmendjes.

Më 16 qershor, shtatë nga 14 objektet më të rrezikuara në Europë do të përzgjidhen për t'u bërë pjesë e një plani shpëtimi që do t'i paraqitet Organizmit të Ruajtjes së Trashëgimisë Europiane gjatë konferencës që do mbahet në muajin dhjetor në Bruksel.

Amfiteatri i Durrësit, i zbuluar në vitin 1966 është më i madhi dhe më i rëndësishmi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Ai është ndërtuar në fillim të shekullit të parë të erës sonë, gjatë sundimit të perandorit romak, Trajan.

Amfiteatri ka formë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi 20 metra. Ka qenë qendër e rëndësishme e organizimit të lojërave olimpike romake dhe kapaciteti i tij përllogaritej diku nga 15 deri në 20 mijë shikues.


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.