VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
MINAT SERBE Nga REXHEP SHAHU E Shtunë, 05.25.2013, 07:51am (GMT1)
Marsi na gjeti me pavarësi të Kosovës. Edhe Pavarësia e saj si dhe liria, për shqiptarët në Kosovë, erdhi falë shpirtit të dhimbshëm të shqiptarëve, që s'bën dot masakra mbi asnjë qenie njerzore, siç kanë bërë serbët mbi shqiptarët, falë LOTIT TË BURRAVE, grave e fëmijëve të Kosovës, po po falë lotit, (PLEQTË nuk nxorën lotë...), lotë që drodhën zemrat e qytetarëve amerikanë dhe evropianë, falë edhe gjakut që kanë derdhur vetë e që ka çliruar energji dhe shpresa tek kushdo... Liria e Pavarësia erdhi, po po erdhi se e sollën miqtë e shqiptarëve amerikanë e evropianë, ata që na e thanë me gojën e Klintonit, "ne luftën e ju paqen". Por ne shqiptarët dimë vetëm të harrojmë. Dhe në ditën e shpalljes së pavarësisë mu duk se ne thamë atë fjalën e mosmirënjohjes proverbiale "kalova lumin ta q...kalin". Por liria e pavarësia ndjehet e kërcenuar prej minave serbe. Të minave prej hekuri e tritoli dhe prej mishi e gjaku. Prej njerëzve - mina. Hafije të UDB - së. Minat prej hekuri e tritoli serbët i kanë mbjellë përgjatë kufirit Kosovë - Shqipëri. Në të dyja anët e tij. Që të mbetet, sipas tyre, e ndarë Kosova me Shqipërinë. Të dytat, minat serbe - njerëz, Serbia i ka mbjellë në mesin tonë. Lum si ne... me mina serbe nëpër këmbe, nëpër udhë, zyra, seli, dikastere, partira, arkiva, muzeume, policira, drejtorira, seksione, akademira, institute, fondacione. Nëpër administrata, kadastra, OJQ, kafe, redaksira radiosh, gazetash, revistash, axhensishë, televizionesh... Nëpër ambasada, konsullata, përfaqësi, nëpër diasporë... Lum si ne... Mina me dashje e padashje, me dije e pa dije, me vëtëdije e pavetëdije... Lloj lloj markash e racash... Vendas e të huaj... Të rinj e të vjetër... Me efekt të menjëhershëm e me efekt të ngadaltë. Me mision urgjent por edhe afatmesëm apo afatgjatë... Që të pengohet Shqipëria. Të pengohet Kosova. Të ndalohet njësimi i tyre. Që të mos lejohet kurrë shembja e murit të Berlinit mes shqiptarëve. Por ta thellojnë hendekun mes shqiptarëve, atë hendek që e pati krijuar dhe ruajtur Serbia edhe me ndihmën e ketyre minave serbe - njerëz. Që ta mbjellin sa më thellë mendimin se presidenti, kryeministri apo ministri i Shqipërisë është president, kryeministër, apo ministër shqiptar. Për të nënkuptuar se është i gjithë shqiptarëve. Ose se shqiptarë janë vetëm keto që janë brenda Shqipërise së cunguar administrative dhe s'ka kund tjetër shqiptarë... Dhe të ndalohet kushdo tjetër të quhet shqiptar. Të mos i besohet nëse thotë se jam shqiptar... Duke shpallur kështu se kjo është Shqipëria. Se presidenti, kryeministri, ministri i Kosovës nuk është shqiptar... Dhe nuk na duhet më, më shumë Shqipëri... Nuk na duhen më, më shumë shqiptarë... Se duket e dinë mirë se po të bëhet Shqipëria - Shqipëri as për llustraxhi këpucësh s'dalin më të denjë... Ata, "baballarët e kombit" që u thirrën shqiptarëve, (sikur t'u drejtoheshin grekërve apo kinezëve) "shqiptarë, hapni portat për vëllezërit tuaj..." pasi shqiptarët i kishin hapur portat vetë, pritur dhe strehuar shqiptarët e Kosovës që mbërritën në Shqipërinë administrative, pa lejen, urdherin apo thirrjen e"baballarëve te kombit".
Serbët janë të bindur se Kosovën s'do ta kenë kurrë më as për ta shfrytëzuar e
për t'u pasuruar me të, as për t'i përdorur shqiptarët si skllevër, as për të
ushtruar eksperimentet e tyre (më saktë masakrat). Historia e tyre nuk njeh
luftë të ndershme, por veç masakra mbi civilë, fëmijë, gra, pleq. Të ndezur tej
çdo mase prej inferioritetit që ndjejnë, të irrituar pse Amerika s'i la ta
bënin Kosovën tokë të djegur e të pastër prej shqiptarëve, vendosën ta mbjellin
tokën shqiptare me vdekje. Me vdekje të papritur. Të përditshme. Të përjavshme.
Të përmuajshme e të përvitshme. Vendosën t'u shkaktonin zi pas zije
shqiptarëve. Dhe e mbollën tokën tonë përveçse me mina serbe - njerëz edhe me
mina serbe anti njeri e anti tank ... Në fakt, serbët kishin mbjellë mina ndër
shqiptarë shekuj me radhë. Por sidomos pasi e bënë shtetin e tyre. Që nga koha
e Garashaninit, e Çubrilloviçit, Rankoviçit, Titos, Milosheviçit... Nëse minat
që i ka mbjellë në tokën tone, që janë prej hekuri, baruti, tritoli, me kauçuk
mbështjellë, me kapsolla a ku ta di çfarë, Serbia i ka prodhuar vetë (dhe vetë
mina si minë s'ka faj, anipse mallkimin e ka në shpinë), minat serbe - njerëz
Serbia i ka blerë. Herët e vonë... I ka blerë edhe në mesin e shqiptarëve. Me
pare, me dinarë, me marka, me dollarë... Që flasin edhe shqip... Që nuk
mendojnë shqip. Që hanë bukën e pinë ujin e shqiptarëve. Që jetojnë në tokën e
shqiptarëve. Që marrin rrogë nga shteti i shqiptarëve. Në bordero bashkë me
shqiptarët... Që shpesh marrin edhe votën apo miratimin për t'u bërë drejtues
të shqiptarëve diku, prej shqiptarëve. Që të gjitha të mirat dhe privilegjet i
duan prej shqiptarëve, por vetë të punojnë kundër shqiptarëve. Kundër gjuhës së
shqiptarëve. Për t'ia përdhosur leksikun dhe sintaksën.Për të vënë mbiemrin
para emrit... Që ndonjë bashkëtingëllore të zhurmëshme të shqipes të përbërë
prej dy germave të forta ta "zbusin"... Që këngë shqipe apo melodi
shqiptare mundësisht të mos degjohet në asnjë skaj të Shqipërisë cunge, në
asnjë lokal, kafe, bar, restorant. Në asnjë mjedis. Që në mediat e reja servile
shqiptare dhe keshe moderne të mos lejohen këngë e melodi shqipe. Se janë shumë
anakronike dhe injorante... Veç sa më shumë të huaja... Dhe ato shqiptarë që
punojnë si argatë te i huaji thonë se edhe ndonjë zog mali po gaboi e këndoi
apo fërshelleu shqip, të huajt e vrasin dhe e djegin... Që punojnë kundër
trashëgimisë, dokeve, zakoneve e traditave shqiptare. Dhe shpesh përpiqën t'i
bëjnë serbe... Si këngët popullore shqiptare që i përkthejnë në serbishte apo
zhargone të saj dhe i trumpetojnë si serbe... Që nga pranvera e 1998 e deri sa hyri NATO në Kosovë, kufiri Shqipëri - Kosovë u mboll me mina serbe. Në gjithë rajonin e Tropojës, Hasit dhe Kukesit kufiri është plot mina. Thellësia e teritorit të minuar arrin deri në 2000 m në brendësi të teritorit të Shqipërisë administrative, duke filluar nga 30, 50 e 500 m. Bile, (siç u tha në TVSH,) deri 25 km. Gjatësia e kufirit të minuar është mbi 100 km. Sipërfaqja e mbjellë me mina është 1400 ha. "Milosheviçi iku, serbët e thyen qafën, por na e lanë tokën të mbjellme plot me milosheviçë të vegjël, plot ushtarë që s'shihen e po duhet me i shkelë me këmbë, por që po na vrasin e po na lënë sakatë përditë" - thonë në Letaj të Hasit, në lagjen e Kurpalëve. Shkelzen Kurpali, veç në oborrin e shtëpisë së vet ka mbledhur 200 mina antinjeri apo milosheviçë të vegjël, siç i quan ai. I ka mbledhë vetë me duart e veta, pa asnjë mjet mbrojtës. I ka çaktivizuar dhe i ruan në një thes... Këtë lagje të Letajve serbët e patën pushtuar që nga data 29 prill 1999 deri me datën 12 qershor 1999. Aty në kullat e Kurpalëve kanë ngrënë e pirë ushtarët e pushtuesit. Banorët e Kurpalëve i patën leshuar kullat. Se nuk i mbrojtën dot. As nuk u doli kush zot. As ushtria jonë "legjendare". Pas luftës dhe fitores së NATO, pasi ikën serbët që mbollën 1400 ha me mina serbe në teritorin e Shqipërisë administrative, shumkush u dekorua, u gradua, u mbush me pllaka, me lule, me urdhëra, medalje për trimërinë që duhej të tregonte ose që e pati ndër mënd ta tregonte për të mbrojtur teritorin (të paktën) e Shqipërisë administrative, për të ruajtur integritetin e shtetit te Shqiperise. Për qëndresën... Megjithëse nuk e di a quhet cënim integriteti e shkelje e teritorit prej pushtuesve, kur ato kanë ardhur në këmbë në teritorin tonë dhe kanë germuar me vegla pune për të mbjellë mina serbe në tokën tonë në një sipërfaqe 1400 ha ( sipas ekspertëve të E O D - së dhe popullit të rrethuar prej minave serbe)... Nuk e di a përbën dot shkak për t'u kundërshtuar një dhunim i tillë... Aty, mbase (ose diku rrotull), kanë qenë ushtarët dhe policët tanë kufitarë trima, kur ushtarët serbë kanë ardhë dhe kanë patur nge të mbjellin mina edhe nëpër oborret e shtëpive hasjane apo tropojane përgjatë kufirit me Kosovën... Aty, pranë (ose diku rrotull), kanë qenë patjeter, në mbrojtje të teritorit te Republikës së Shqipërisë dhe të flamurit shqiptar nëpër postat e kufirit (që i patëm lënë pa flamur dhe i patëm leshuar për ca kohë "për levizje taktike" sa për t'u përgaditur për mësymjen e madhe për t'i "shafitur" serbët) policët e kufirit (që sot janë pak të zhgenjyer pse s'u kendohet ndonjë këngë trimërishte...). Aty, pranë, mbase kanë qenë, nëpër restorantet e Kukësit, ose, të futur nëpër tanke, p. sh: në fshatin Gjegjan të Kukësit, poshtë minierës së bakrit, veç 12 km larg kufirit me Kosovën, ushtarët e ushtarakët "trima e të lavdishëm" të ardhur prej Tirane, me tanke a ku di çfarë, që shkruajnë historira trimërishte (që kanë patur ndër mend të tregojnë po t'u jepej rasti) me luftë imagjinare në Gjegjan të Kukesit (ushtarët e fundit serbë që kanë kaluar nëpër ato vende që thonë ato, i përkasin periudhës së vitit 1913 kur serbët patën masakruar Përbregun... si dhe deri nga 8 dhjetori i vitit 1921...) mbi 12 km në brendësi të teritorit të Shqipërisë administrative, dhe i botojnë në gazetën "Ushtria". Pra, 1400 ha të mbjella me mina. 1400 ha, varr i hapur që pret kufoma përditë. Që nga pranvera e 1998 e deri sa mbaroi lufta në qershor 1999, zoti veç e di sa njerëz kanë mbetur në mina. Sa kanë vdekur e sa janë sakatë. Flas për banorët e Kosovës. Ndersa për Tropojën, Hasin, Kukësin, dihen keto shifra : Nga qershori 1999 deri në qershor 2001 kanë vdekur nga minat 22 banorë të prefekturës së Kukësit. 150 banorë të tjerë kanë mbetur invalidë me duar a këmbë të këputura ose pa sy. I aksidentuari i 147 - të është Giovanni San Filipo , shtetas italian, njëri ndër 27 punonjësit e kompanisë "Ronco", plagosur 200 m në thellësi të teritorit të Shqipërisë administrative, në afersi të fshatit Letaj pranë Qafë Prushit tek po çaktivizonte një minë ... Sipërfaqja e markuar (e kufizuar apo rrethuar) prej ushtrisë së Shqipërisë është 200 ha. Boll është, nuk i thonë shaka...Tash do të kemi suksese. Kemi komitet antimina... Do të gjejmë donatorë për dollarë... Do të... Që ta besosh apo ta dish se ç'janë minat dhe ç'do të thotë teritor i minuar apo kufi i ruajtur e i pakalueshëm prej minave, duhet t'i shohësh. Duket e pabesueshme për një njeri që s'ka qenë në keto anë. Sidomos për të huajt, duket edhe tregim fantastiko - shkencor. .Dhe, se heqin mina vetë banorët, kjo ngjan me një përrallë. Por në fakt është një nga realitetet tragjike shqiptare. Duhet ti shohësh të vdekurit kufomëcoptuar prej minave. Duhet t'i shohësh sakatët që kanë mbetur keshtu prej minave. Të shkosh në lagjen Kolosh i Poshtëm në fshatin Bele të Kukësit dhe ta shohësh 27 vjeçarin Shaqir Koloshi që s'ka më këmbë se ia kanë keputur të dyja minat në shtator 1999 në kufirin Shqipëri - Kosovë. Vajza e tij e vetme 3 vjeçe mallkon serbet që "kanë fshehë mina në tokë me ma vra babën...". Mallkon edhe Shaqiri që ka 10 muaj pa u ngritur në këmbë. Pa u kujdesur askush në këtë botë për të. E rroftë e qoftë pastaj Kryqi i kuq. Rrofshin OJQ - të... Pastë jetë qeveria... Rroftë shoqëria civile humane... Nga të mbeturit pa këmbë, nje pjesë e vogël ka marrë proteza nga Kryqi i Kuq. Por shumica jo. As shpresë jo...Vertet janë shumë viktima minash që kanë nevojë për ndihmë. Por do të ketë edhe më shumë nesër e pasnesër. Se minat nuk kalben... Ndokush ka vënë proteza duke i ndertuar vetë. Sipas Rojterit, kjo ka ndodhur në një fshat të Tropojës. E ka turpëruar shtetin që çirret gjithë ditën se jam human. Ka turpëruar edhe kryqin e kuq... Kjo që ka ndodhur është vetëm fillimi. Tmerri do të vazhdojë. Izet Ademi nga Bardhoci i Kukësit s'do të ketë më këmbë të vetën për të ecur. Korab Mula, 18 vjeçar, gjimnazist i shkollës së Golajve, nga Dobruna e Hasit s'do të ketë më duar për ta mbajtë lugën a gotën e ujit... Që të mos flasim për të vdekurit si Xheladin Dauti nga Golaj apo Hamdi Mulaj që s'mund të flasin më. Si dhe 17 - të të tjerët, për të cilët flasin varret, që thonë troç se Shqipëria është e pushtuar prej minave serbe që në Has i quajnë "Milosheviçë të vegjël"... Për një vit askush s'e vu ujin në zjarr pse 1400 ha tokë në teritorin e Shqipërisë administrative është e mbjellur me mina serbe. Ndersa sa dimë prej shtypit, në Kosovë përgjatë kufirit me Shqipërinë, të gjitha shifrat që përmendëm shumëzoji me tre. Dhe nuk po flasim asnjë fjalë për bagëtitë e pafajshme që kanë mbetur në mina dhe po mbesin përditë. Ato janë me qindra. S'po flasim as për shtepitë e shkatërruara. As për arat që kanë mbetë djerrë e livadhet pa kositë po prej minave. Banoret e ketyre zonave janë të rrethuar. S'kanë ku ti nxjerrin bagëtitë për kullotë. S'shkojnë dot te burimi a puseta e ujit prej minave. Jetë i thënshin... Se një jetë njeriu u pagua nga qeveria e Shqipërisë me një milion lekë të vjetra. Ose rreth 650 dollarë amerikanë. Kush vdiq prej minave mori për familjen e tij një milion lekë të vjetra... Kontribut e jo shaka... Ndoshta të shtyrë edhe nga ky biznes... shumë banorë po provojnë të luajnë me vdekjen. Meqë s'ka ndihmë nga askush për të heq mina anipse bëhen seminare, shkruhen parulla e pankarta kunder minave, hahen dreka kunder minave, si në Novosej të Kukësit, ku s'ka patur mina kurrë, nga një OJQ..., bëhen programe nga ndonjë anglishtbëlbëzues e merren dollarë kunder minave...nga OJQ të ndryshme, fondacione të ndryshme që marrin e japin para sikur është bërë propagandë kundër minave, duke bërë letra sekrete, nënshkrime sekrete..., biznes - mashtrim e jo shaka, e organizma antiminë, apo struktura shtetërore antiminë..., banorët kanë hequr e po heqin mina vetë. Kanë hequr e grumbulluar me mijëra mina. I kanë nëpër shtëpia. Mbase edhe se pati dalë llafi se do ti blejë minat NATO - ja. Kjo doli rrenë. Por banorët i kanë heqë "me çelë sytë tonë he burrë. Me shku te kroi, te baçja... Me nxjerrë dhent a lopën prej vathe... se berret s'na kanë faj he burrë...". Ka ardhë një kompani "Ronko" me heqë mina në Has. E specializuar. Por për 20 ditë, me mbi 20 specialistë, ka pastruar 4, 5 dynym teritor dhe ka heqë 51 mina... Punon as nje km larg shtëpise se Shkelzen Kurpalit, i cili ka hequr i vetëm 200 "milosheviçë të vegjël". Keshtu i pamë edhe minat që kishte mbledhe Skender Bajaziti apo Gent Ramadani të cilit ia kishin këputur edhe këmbën në Kodrën e zezë të Borjes. Ndersa fenomen është një 13 vjeçar në Kamenicë të Tropojës që ka turpëruar edhe ushtrinë (ushtarakët e kanë urdhëruar të mos heqë më mina). Ka hequr me dorën e vet 406 mina, deri në fillim të qershorit ( sipas gazetës "Shekulli"). Shumëçka e keqe që ndodh në Shqipëri vjen prej minave serbe. Prej minave metalike qe sakatojnë e vrasin individë, por kryesisht prej minave njerëz, që vrasin shpresat dhe ardhmërinë, që tellallojnë se shqiptarët janë vetëshkatërrues. Dhe bota, zonja botë, shpesh i beson. Se minat flasin si njerëz. Flasin edhe shqip. Por flasin edhe gjuhet që deshirojnë ekspertet e botës...
Rreziku prej minave të tilla është shumëfish më i madh se i minave metalike të
mbjellura në 1400 ha përgjatë kufirit me Kosovën. Keto lloj minash nuk
shpërthejnë kollaj. Janë shumë të sofistikuara. Shumë të durueshme. Mund të
presin me dhjetra e mbase me qindra vjet. Ato shpërthejnë veç kur urdhërohen.
Ato janë edhe të trashëgueshme. Po. Të trashëgueshme nga i ati te i biri. Nëse
s'i ka rënë të shpërthejë i ati, duhet të presë e të bëhet gati i biri. Se
paratë janë paguar. I ka marrë i ati. Ani pse ka vdekur. Shpërthimin duhet ta
bëje i biri... Por përgjithësisht minat serbe - njerëz nuk shpërthejnë përditë.
Ato veç flasin .Ashtu urtë e butë. Për të mbjellë ca simpati për Serbinë...
Ëmbël. Në vendin dhe kohën e duhur. Në një çast si padashje. Në një mjedis edhe
të papërshtatshëm. Dhe shpesh veshur edhe me petkun e të nervozuarit për shkak
të prapësive shqiptare. (...për fajin tonë bre...ne nuk dimë të bëjmë
shtet...Nuk dimë të qeverisim...Bota po shkon drejt zhdukjes se kufijve, drejt
Evropës së Bashkuar e Berisha zgjon nacionalizmin bre burë...Nacionalizmi ne
shekullin e 21... Paradoks. Berisha na çon ne shekullin e 18... Ah, bre
burë...Ne nuk jemi vitalë si serbët...Shih si na e kanë mbushur vendin me
toponimet e tyre...Ende edhe sot ne s'kemi mundur të krijojmë shtet. Le më, të
kemi ushtri... Shih gjuhën tonë, bre Rexhep, plot sllavizma e serbizma e
kemi... ). Kështu "shpërthen" kjo lloj mine. Pak nga pak e herë pas
here. Prej më se një shekulli, pa u mërzitur, pa ju humbur durimi, pa u thyer
prej deshtimeve, serbët kanë minuar dhe shpesh hedhur në erë, përpjekjet
shqiptare. "Ne shqiptarët krijuam shtet vonë, universitet shumë vonë, bre
Rexhep, akademi shumë vonë. Në krahasim me serbët, ne jemi në pelena, bre
Rexhep...". Kjo minë ha bukë me ne, flet si ne dhe shpesh ia kemi bërë
nderet si më të mirit shqiptar... Duke i dhënë poste e zyra në këtë shtetin e
"vobektë", besuar edhe institucione shpirtërore, që nuk ju duken boll.
Duan të sajojnë e të shpallin, si fillim, "minoritete kulturore", për
t'u përfaqësuar në veprimtari kombëtare shqiptare. Ashtu urtë e butë. Pa
derdhur pikë djerse. Jo më të bëhet fjalë për me derdhë gjak... Me i nxjerrë
gështenjat prej zjarri me gishtat e duart e shqiptarëve... Ecin drejt synimit
me çapin e breshkës, por ecin, nuk ndalën, deri sa një ditë "të shpëtojnë
prej përsekutimit e terrorit shqiptar... prej mospohimit e heshtjes vrasëse të
shqiptarëve...". Po thonë se dikush paska pa një ëndërr. Po rriheshin,
vriteshin e priteshin do njerëz që dinin një gjuhë e një biçim, prej do njerzve
që dinin veç një gjuhë. Ndeshja po zhviillohej tek një shesh pranë një...
Viktimat po kërkonin të drejtat e tyre. Si njëherë e një kohë. Pushtet të
pakicës mbi shumicën. Natyrisht, pushtet jetik... e shpirtëror. Dhe po
piskatshin në kupë të qiellit sa dielli, hëna edhe yjet ishin ndalë e kishin
kthye kryet për me pa... Policia kishte ndërhyrë. Megjithëse policët kishin
mbajtë anën e të shumtëve, prapë do njerëz i kishte rrasë në burg. Gjykatat, që
e dinë mirë nga "kcen kandari", do njerëz i kishte denuar me gjoba e
do me heqje lirie... Si shqiptarët e Kosovës, de. Që u rritën nëpër protesta. U
kalbën burgjeve... U vranë e prenë e derdhën gjak vetëm për pak të drejta. Për
një "grimë" pavarësi... Për një shuplakë flamur kombëtar... Për një
trohë liri... Bile protesta qe shndërruar në demostratë. Qenë vrarë edhe nja dy
vetë. Thonë se ishin liderët shpirtërorë të protestuesve... Punë ëndrre, punë
muti. Por kjo ëndërr filloi me marrë dhenë. Shumë njerëz filluan me pague lekë
për me e gjetë a është parë vërtet kjo ëndërr apo është rrenë. Po thonë se kanë
dalë do hajmalixhij që shëndoshin të sëmurë dhe sëmurin të shëndoshë dhe po
duan me e zanë këtë lloj biznesi... Zot na ruaj prej ëndrravë të liga... Minat - njerez u aktivizuan shumë dhe mbase qenë edhe efektivë si kurrë në historinë e minimit të Shqipërisë prej serbëve gjatë vitit 1996 e deri ne vitin 2000. E veçmas në kohën e piramidave që sherbyen si pretekst për të penguar (shpërthimi i minave s'njohu masë...) revanin që realisht pati marrë Shqipëria drejt progresit. Piramidat ishin mina serbe. Por me sahat. Të tilla ishin edhe qeniet që ngritën tre gishtat lart në disa qytete. Pasojat i pamë. Tentuan të ndajnë shqiptarët. Synuan atë Republikën e Toskëve e Republikën e Gegëve. Apo kantonizimin... që u synua në 1912... Shkatërruan imazhin tonë në botë. (Ndonëse vetëm për disa kohë, pasi bota e pa se shqiptarët janë kryeqytetasit botërorë të bujarisë e humanizmit njerzor... Se shqiptarët e kanë gjithmonë, siç e kanë patur, një odë miqsh e një sofër për miq...). I thanë botës se ja që vërtet nuk dinë të bëjnë e as të mbajnë shtet shqiptarët. Duan princ Vid (a princ Vranick...). Por bota e pa se s'ishin shqiptarët as ato që dogjën e shkatërruan e as ato që shkërmoqën shtetin. Por botës së nderuar iu desh bajagu do kohë për tu bindur se në Shqipëri ujku ka veshë lëkurën e qingjit. Dhe për t'u bindë se pa shqiptaret asnjë llogari nuk del, asnjë bilanc nuk mbyllet në rajonin e Evropës juglindore...
Ndersa në ditët e sotme të pas luftës së Kosovës, janë aktivizuar shumë minat-
politikanë "modernë, europianizues të Ballkanit, e të rajonit më
gjërë", (përjashto Shqipërinë që e kanë sa për t'ia shfrytëzuar emrin dhe
flamurin), "gazetarë që ndërrohen si kamarierët e banakierët e
paradokohshëm të kioskave të Tiranës". Që Kosovën e quajnë etni tjetër
(kosovare) e Shqipërinë etni (shqiptare). Që Morinit të Kukësit që është
ngulitur në memorien e miliona shikuesve e dëgjuesve nga gjithë globi i
thërrasin Qafa e Morinës (që është në rrethin e Tropojës). Që kufirin me
Kosovën e konsiderojnë si me Greqinë, ani pse ndan padrejtësisht shqiptarë. Që
mallrat e Kosovës (miell e mish) i cilësojnë me radioaktivitet që duan të lënë
rakitikë fëmijët e Shqipërisë... Njerzit që hanë në Kosovë atë miell e atë mish
nuk janë shqiptarë... (Sipas ketyre lloj gazetarëve që nxorën edhe një herë në
skenë social imperializmin sovjetik i cili po na dergoka miell prej Rusie me
lënë rakitikë fëmijët e Shqipërisë se nuk ka gjetë udhë dhe mënyrë tjetër Rusia
me e nënshtrue Shqipërinë...). Kur ishim të vegjël na thoshin , mos i prekni
çakmakët apo plaçkat që gjeni në Dri të Bardhë se jane titiste, revizioniste, i
kanë hedhë në Dri me na helmue... Ishte koha e "vëllezërve kinezë dhe
miqve kosovarë". Në Kukës kanë qenë shumë aktivë njerzit - mina. Sidomos që nga periudha e demostratave te studentëve të Beogradit në fundin e 1996 - ës e deri sot që është krijuar përshtypja e dehjes së shqiptarëve prej lirisë së Kosovës. Për këtë periudhë i kam provuar mbi kurriz kercënimet e minave. Vetëm për shkak të promovimit të UÇK - së në medien elektronike të Shqipërisë, për shkak të publikimit të betimit të UÇK - së... Për shkak të simpatisë e përkrahjes morale që mundëm të ngjallnim në popull për UÇK - në. Pa lejen e qeverisë së Tiranës ( ishte viti 1998...) për të cilën UÇK - ja ishte herezi...
Shpesh Serbia ka pasë kohë të artë për të mbjellë apo instaluar mina serbe në
Lumë dhe krahinat e tjera të Shqipërisë. Ishte fat i madh të merrje një vizë 6
- mujore për në ish Jugosllavi ku bëje tregëti të vogël me karburant e fitoje
para të madhe. (Mallkuar piramidat që i morën keto para). Lum kush e pati atë
fat. Por edhe mes ketyre njerzve të thjeshtë, Nebojsha, Latifi e dreqi e i
biri, që punonin në doganën jugosllave të Vërmicës, kanë zgjedhur ndonje njeri
qe u eshte dukur i përshtatshëm për ta bërë minë... Të nesërmën e ditës që u bë
një demonstratë ne Prizeren, te Shatërvani ku u gris flamuri serb ( në fakt
s'kish ndodhë asgjë, as demonstrate, as ish grisë ndonjë flamur, por e sajova
vetë) dhe e dhashë lajm në Radio Kukësi e Radio Tirana, Nebojsha që rrinte në
doganën e Vërmicës (Nebojsha ka qenë i ngarkuar nga qeveria e Beogradit si
misionar për të punuar në Kosovë, përgjatë kufirit me Shqipërinë, për të sjellë
sa më shumë serbë pa plang e shpi e për t'i vendosur në Kosovë, në vendbanimet
afër Shqipërisë...Në zbatim të dekretligjit serb të 15 shkurtit të vitit 1919.
Në zbatim të platformës së Çubrilloviçit të 1937 - ës...) i kthen mbrapsht
tregtarët e çantaxhinjtë dhe nuk i lejon të hyjnë në Kosovë. Shkak kishte
përmendur emrin tim për lajmet dhe emisionet në radio... Disa njerëz tek
ktheheshin më kishin sharë më nënë, me të gjallë e të vdekur, nëpër furgona
derisa kishin mbërritur në Kukës... Nebojsha bile atë ditë më kishte derguar
edhe një mesazh nëpërmjet një "dërgate". Si Nebojsha, Latifi apo
Asllan Kleçka i cili u dinte telefonat, adresat dhe kish fuqi t'i urdheronte
minat të udhëtonin për gjithë natën nga Durrësi, Tirana, Shkodra apo kudo të
ishin, për në Kukës dhe të uleshin në tavolinën dhe klubin ku ai urdhëronte, në
orën kur ai urdhëronte, pra, si këta kishte bërë mesuesi i tyre Stojan Dajiç i
cili ka vepruar në Kukës në vitet 1915 - 1916 dhe 1918 - 1921 si kajmekam a
nënprefekt... Dhe padyshim që ka mbjellë edhe mina... Thone se e patën ftuar në
një dasëm Nebojshën që kishte disa "miq" në Kukës, të cilët ishin gati për ta
krijuar edhe Shoqatën "Miqtë e Nebojshës". Festën e kurban Bajramit të vitit
1998 Nebojsha e festoi pikërisht me këta miq, kur lufta sapo kishte nisur dhe
shqiptarët po vriteshin... Ai ishte gjithë gaz e hare mes miqsh, kuadrosh të
lartë. Rrezatonte kënaqësi. Si miku mes miqsh. Vetëm të mos nxirrte pengesa në
doganë...Se shpesh bëhej i mërzitshëm atje në doganë. I detyronte ndonjëherë
"turistët" e shkretë (kur nxehej se edhe ai ishte njeri e nxehej ndonjëherë)
të pastronin sheshin e doganës së Vërmicës edhe prej bishtave të cigareve...
(Ndonjëri thotë sot : Eh shtet, eh rregull o bir...Policia polici, ushtria
ushtri, sigurimi sigurim... Eh... bre burë...), i bezdiste me do kontrolle
bajate... nëpër zyrat e ndryshme të godinës së doganës serbe... Sa qe detyruar
dikush të shprehej se na lodhen çvish e vish sa herë hyjmë e dalim... Sa pati thënë e shkreta, më mire ta kishim pasë në
ballë... Ka ndodhur që udhëtarë të Kosovës të jenë grabitur e vjedhur pas luftës. Ka patur edhe të vrarë nga bandat. Por edhe mes bandave ka patjetër njerëz që minojnë qarkullimin e shqiptarëve nëpër Shqipëri. Që ata të udhëtojnë përmes Greqisë e Maqedonisë. Që të mos bëhet udhë e vertetë ajo Durrës- Kukës- Prishtinë... Natyrisht minat njerëz e kemi mbase më të vështirë t'i pengojmë apo t'i mbledhim siç ka bërë Shkelzen Kurpali. Se këto ta bëjnë gjëmën me fjalë, që i vjellin nga podiumet e larta... Nëpër mikrofona, gazeta e revista, në Tiranë e në Prishtinë, që të shuhet shqiptaria... Të mos bezdisen më me Kosovë... Me çeshtje shqiptare... Ani pse janë më fjalëmëdhenjtë për komb e atdhe. Ani pse na dalin para kamerave si hallemëdhenjtë më të mëdhej të globit... Para shqiptarëve të vërtetë, sidomos para shqiptarëve të Kosovës, minat serbe - njerëz shfaqen të bukur, gojëmjaltë. Servilë deri në mëshirë, në dhimbje, të mbërthyer deri në grykë me kostumin e militantit partiak. Ani pse për to nuk voton as gruaja, prindërit e femijët. Ata imitojnë shefat deri në neveri, nuk bëjnë gjumë të qetë, janë gati të vdesin nëpër salla për liderët, por me një kusht, që të përshëndeten prej tyre dhe të mos guxojë kush t'i cilësojë me emrin e vertetë. Minat serbe votojnë ashtu siç i kurdisin. Përherë kundër interesave shqiptare. REXHEP SHAHU
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |