VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LËVIZJA SKV THËRRET PËR PROTESTËN GJITHËPOPULLORE MË 29 MAJ

E Shtunë, 05.25.2013, 08:29am (GMT1)




Prishtinë, 25 maj - Lëvizja studentore për barazi-STUDIM KRITIKE VEPRIM mbështet fuqishëm organizimin e protestës së BSPK-së që është paralajmëruar të mbahet me 29 maj.

"Jemi në dijeni se kohën e fundit ka pasur shumë përçarje brenda BSPK-së, por mendojmë se është esenciale që këto të tejkalohen. Mendojmë se të gjithë punëtorët duhet të bashkohen në sindikatë dhe populli duhet të bashkohet me sindikatën kundër Qeverisë. Duhet të punojmë që në shesh të takohen mes vete studentë, profesorë, mjekë, inxhinierë, minatorë, pensionistë, veteranë, etj. Të gjithë së bashku duhet të ngrihen dhe të kërkojnë të drejtat e tyre. Të kërkojnë ndryshimin", thuhet në një komunikatë për opinion të kësaj lëvizje studentore.

Duke arsyetuar ftesën për thirrje në protestën e 29 majit, Lëvizja SKV vlerëson se situata sociale e politike në Kosovë është shumë e rëndë. Për më keq, ajo çdo ditë vjen dhe rëndohet. "Qeveria e Kosovës në vend që të merret me zhvillimin e ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës, po i vazhdon dhe intensifikon dy proceset tepër të dëmshme për shtetin e Kosovës: Negociatat pa kushte me Serbinë dhe procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike të Kosovës. Qeveria e Kosovës po merret me këto dy procese pasi që është e korruptuar dhe e shantazhuar dhe pasi këto dy procese janë të pashkëputshme mes vete", thuhet në komunikatë.

Sipas SKV-së, mendësia e tashme qeverisëse po e bën të pamundshme jetën e qytetarit.  "Derisa gjysma e popullsisë është e papunë, pra, çdo i dyti njeri në Kosovë, në anën tjetër edhe ata që punojnë nuk gëzojnë as të drejta minimale. Shkelja e të drejtave të punëtorëve është si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Mosrespektimi i orarit 8 orësh, duke vazhduar të punojnë pa kontrata të punës, duke mos pasur rrogë minimale të garantuar, duke mos qenë të mbrojtur nga ligji në rast të lëndimit apo rrezikimit të shëndetit të tyre, mos-pagesa për orët shtesë etj, etj. Punonjësit e vendit tonë janë të shfrytëzuar rëndë, trajtohen çnjerëzishëm ndërsa paguhen vetëm sa për mbijetesë.

Ngjashëm është gjendja edhe të studentët. Në Universitet janë rreth 50 000 studentë, të cilët nuk llogariten si të papunë. Përderisa padrejtësisht paguajnë për tu arsimuar në Universitet publik, ata nuk gëzojnë as edhe të vetmin shërbim nga universiteti, duke hasur në shumë vështirësi banimi, ushqimi si dhe probleme tjera lidhur me literaturën", pohon pos tjerash lëvizja SKV. 


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.