VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BBC: Mbyllen zyrat për pasaporta të Serbisë
E Mërkurë, 09.23.2009, 06:44am (GMT1)

 

Ministria serbe për Kosovën ka konfirmuar se pajisja e kosovarëve me pasaporta të Serbisë nuk do të bëhet më në vendbanimet serbe në Kosovë.

Sekretari shtetëror në këtë ministri, Oliver Ivanoviq ka thënë se të gjithë qytetarët e Kosovës që duan të marrin pasaporta serbe, duhet të aplikojnë në Beograd.

Serbia është detyruar që të respektojë kërkesën e Komisionit Evropian për moslëshimin e dokumenteve të saj në territorin e Kosovës.

Sekretari shtetëror në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq ka bërë të ditur se zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë që kanë funksionuar deri tani në Kosovë, nuk do të mund të lëshojnë pasaporta serbe.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës do të mund të pajisen me pasaporta biometrike të Serbisë, por aplikimi për këtë duhet bërë vetëm në Beograd.

Z.Ivanoviq nuk ka dashur të thotë nëse pajisja me pasaporta biometrike të Serbisë, do t'u mundësojë edhe qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë në BE pa viza, kur Serbia të përfitojë liberalizimin e vizave.

Por sipas një vendimi të mëhershëm të Komisionit Evropian, regjimi i liberalizimit të vizave me Serbinë nuk do të vlejë edhe për qytetarët e Kosovës të cilët kanë pasaporta serbe.

Qeveria në Prishtinë ndërkaq e ka mirëpritur mbylljen e zyrave të Serbisë që kanë lëshuar dokumente serbe në Kosovë.

Zvkryeministri Hajredin Kuçi tha se kjo tregon se në Kosovë nuk ka sistem tjetër të udhëheqjes, përveç atij të qeverisë kosovare. (http://www.bbc.co.uk/albanian)

 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.