VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Zëri i Amerikës: Rifillon prodhimi i verës në Rahovec
E Mërkurë, 09.23.2009, 07:09am (GMT1)

 

 

Para 10 vjetësh lufta i transformoi vreshtat juglindore të Kosovës në llogore ushtarake. Por tani, më shumë se një vit pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia, vreshtat po ringjallen sërish. Rajoni i komunës së Rahovecit në Kosovë është njohur për verën e tij, dhe me investimet e bëra tani, duket se kjo zonë do të fillojë të konkurrojë përsëri me prodhimet e verës në tregun ndërkombëtar.

 

Prodhimi i verës këtu është traditë e vjetër. Puna në këto fusha ka vazhduar njëlloj për breza të tërë. Prodhimi është në kulmin e tij, ku 500 hektarë japin rreth 20 milion litra vere të kuqe dhe të bardhë.

 

Firma prodhuese e verës Stonecastle është tani një nga më të mëdhatë në Evropë dhe shpreson ta rrisë kapacitetin e saj me 30 milion litra.

Vreshta u privatizua në vitin 2006. E blerë për vetëm 5 milion euro aty janë bërë deri tani gati 6 milion euro në investime.

Menaxheri i përgjithshëm Shani Mullabazi është krenar për arritjet e kompanisë. Ai thotë se lufta e ka lënë mbrapa prodhimin e verës në rajon, dhe investimet ishin të nevojshme për të hyrë përsëri në tregun ndërkombëtar.

"Ne kemi investuar në infrastrukturë si për shembull në linjën e shisheve, sistemin e ftohjes, përpunimin e verës etj."

Megjithëse popullsia shqiptare e Kosovës është kryesisht myslimane, prirja e saj është drejt laicizmit.

 

Zoti Mullabazi këmbëngul se feja nuk luan rol në prodhimin e verës në këtë rajon, megjithëse të korrat shpesh ndodhin gjatë muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit.

"Vera këtu është traditë dhe do të jetë gjithmonë në Rahovec. Çfarëdo kulture që të vijë këtu, prodhimi i verës do të vazhdojë. Nuk ka rëndësi se jemi myslimanë, ne do ta vazhdojmë këtë punë, sepse na pëlqen."

Vera më e mirë e këtij rajoni është "Stonecastle Vranac Premium" e prodhuar nga një nga varietetet më të vjetra të rrushit në botë, Vranacit, i cili rritet vetëm në Ballkan. Shishet e para tashmë kanë dalë në shitje në Mbretërinë e Bashkuar.

 

Konsulenti Dejvid Ro ka ardhur këtu nga rajoni Bordo i Francës, i famshëm për verërat e tij, për të ndihmuar në zhvillimin e kompanisë së re dhe verës Vranac.

"Tregu ndërkombëtar është mbytur nga varietetet e Shardonesë dhe Merlotit dhe njerëzit kërkojnë gjithmonë diçka të re. E çfarë mund të jetë më e re dhe më e veçantë se një verë nga Kosova, e prodhuar nga rrushi Vranac, për të cilin shumë pak njerëz mund të kenë dëgjuar."

Zoti Ro është shumë i kënaqur me verën e prodhuar nga Vranaci. Ai thotë se kur e ka ofruar këtë verë në tregun britanik, klinetët kishin mbetur shumë të kënaqur. Një shishe nga kjo lloj vere do të shitet rreth 9 euro. (http://www.voanews.com/albanian)

 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.