VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Fate njerëzish nën diktaturën komuniste ÇAMËRIA, KRYETRADHTIA KOMBËTARE E ENVER HOXHËS Nga IDRIZ ZEQIRAJ E Enjte, 06.06.2013, 09:07am (GMT1)
Hapësira lëvizëse kufizohej në një kilometër. Punoja në shkulje drunjësh, për
hapje të tokave të reja kodrinore. Banoja në një dhomë përdhese, në gjysmë
errësirë e gjithë lagështirë, me derë e dritare të thyera. Minjtë e xhirizeve
lodronin shpengueshëm në dhomën time. Dhomë i thënçin, sepse ishte një
vjeturinë dhe më shumë ngjasonte me një strehë bagëtish. Unë mbuloja kokën me
batanije, bilëz, edhe në vaposjen e verës, nga frika e gërvishtjes apo të
kafshimit nga minjtë. Librat e bibliotekës time ishin "loja" e tyre e
preferuar, meqë ishin vendosur përtokë, në kartona rrethanorë.
Një ndërtesë për banim ishte në përfundim e sipër. Një dhomë, pa kuzhinë, ishte
planifikuar për mua; dhomë e kuzhinë për familjen e ish-admiralit të flotës
ushtarake shqiptare, Teme Sejko dhe dy dhoma e kuzhinë për ish të parin e
luftës të Shkodrës, ish-gjeneralin, ish-Heroin e Popullit Shqiptar, malësorin
vuthnjan - Sadik Bekteshi, i internuar familjarisht.
Rrjedha e ngjarjeve prishi planin fillestar për popullimin e kësaj ndërtese. I
pari u arrestova dhe u dënova unë me burg poltik. Pastaj u dënua ish-drejtori i
Drejtorisë Politike të Shtypit në Ministrinë e Mbrojtjes, Sadik Bekteshi, me 25
vjet burg të rëndë dhe, më vonë, do të takoheshim në "Dyqanin e
Lëkurave", siç emërtohej nga vendorët Burgu i Burrelit, meqë prej aty
shpresat e lirisë ishin utopi, iluzive dhe një gropë-varr i përbashkët, "bythë
një qershie", brenda rrethimit të burgut, i priste, për strehim të
përjetshëm, banorët e prangosur të këtij burgu namkeq.
Dhuna ndaj familjes Sejko, dhunë ndaj Çamërisë
Familja jetonte në Tiranë. Bashkëshortja ishte motër e të vetmit vëlla korçar,
dëshmor i luftës. Ajo, me dy djemtë, Edmondin dhe Sokolin, u internua në Berat.
Prindërit e saj të moshuar, ndonëse nuk kishin fëmijë të tjerë, shkuan pas
vajzës, për të jetuar sëbashku.
Djali i vogël, Sokoli, u akuzua për tentativë të djegies të Kombinatit të
Tekstilit në Berat! Një vajzë 16 vjeçare paska ndez një deng pambuku, në një
qoshe të koridorit në hyrje të fabrikës. Dhe, këtë, gjasmë, e ka bërë me porosi
të Sokolit! Dhe, dihet se sa "shpejt" digjet pambuku!! U organizua një
gjyq farsë. Pjesëmarrja e familjes Sejko në gjyq u kushtëzua, vetëm nëse e ëma
e Sokolit të akuzuar do ta mohonte djalin në sallën e gjyqit! Por, ajo ishte
nënë e shkolluar dhe dinjitoze. "Dua ta dëgjoj procesin gjyqësor dhe nëse
bindem për fajësinë e djalit, do ta mohoj pa hezitim",- u tha ajo
pushtetarëve të këtij procesi gjyqësor të montuar. Ky kusht nuk u prana nga
gjykata! Sokoli u dënua me vdekje - pushkatim, me motivacionin "sabotim të
ekonomisë socialiste"!
21 vjeçari Sokol Sejko, në sallën e gjyqit, mohoi, madje në tërësi, akuzën e
bërë dhe denoncoi Sigurimin dhe Partinë për gjyqin e montuar, me qëllim të
shuarjes të familjes Sejko. Dhe, kërkoi nga familja një kostum, për të vdekur i
bukur. Dy javë pas dënimit, Sokoli u ekzekutua në shpatet e Ullishtës të Beratit.
Personi që e kishte varrosur, humbi lirinë më vonë, i tregoi të vëllait,
Edmondit, zonën e varrimit, por jo edhe vend-varrin, sepse i ekzekutuari duhej
të ishte "vulë-humbur", madje përjetësisht! Vetëvrasja e nënës të vëllezërve Sejko
Zemra e nënës nuk e përballoi ekzekutimin e djalit të pafajshëm. Përgjatë një
nate dimri pa gjumë, ajo shkruajti disa letra dhe ua hodhi, poshtë dyerëve,
disa familjeve të internara në qytetin e Beratit, duke denoncuar gjyqet dhe
dënimet e kurdisura për bashkëshortin Teme Sejko dhe djalin Sokolin. Dhe, duke
u gëdhirë dita e re, e veshur në kostum, xhaketë e pantollona, u hodh, me kokë
poshtë, nga balkoni i katit të 5-të të banesës të saj, duke i dhënë fund jetës.
Asaj nate djali i madh, Edmondi, ishte mysafir ke halla në Plug të Lushnjes, ku
ishte e internuar familja e çamit Rexho Plaku, ish-komandant i çetës partizane
"Çamëria", i dënuar dhe i ridënuar me burg politik dhe, pas më shumë
se dy dekadave vuajtjeje, vdiq në burg. Edmond Sejko udhëtoi, në mëngjez, me
autobusin e parë të linjes Lushnje-Berat. Zbriti me nxitim për të marrë rrobat
e punës dhe trastën me bukë. Por, oficeri i Sigurimit, i cili e priste atë, i
pushtoi krahun, duke i thënë: "Edmond, eja me mua, se kemi pak punë në
Degën e Brendshme (polici)."
Në hyrje të stacionit policor, një zyrtar tjetër i drejtohet: "Edmond
Sejko, në emër të popullit jeni i arrestuar"! Pyetja e parë e hetuesit për
Edmondin ishte: "Pse bëri vetëvrasje nëna jote"? Kjo ishte shokuese
për Edmondin, i cili po e mësonte vdekjen e nënës nga hetuesi. Dhe, e besoi
lajmin, sepse qe në zbritje nga autobusi atë e kishin parë me shumë kurreshtje
qytetarët e shumtë, ngaqë kishin mësuar për vetëvrasjen e bashkëshortës të Teme
Sejkos, përkatësisht, nënën e vëllezërve Edmond dhe Sokol Sejko. Ishte mengjez
i hershëm dhe shumësia e njerëzve nxitonin për në vendet e punës.
Trajtimi çnjerëzor në birucë dhe njohja me Edmond Sejkon
Ishte dimër, bënte shumë ftohtë. Mua më kishin zhveshur pallton, xhaketën,
trikon, nënkëmishën dhe më kishin lënë vetëm në pantollona dhe këmishë, pa
çorape, në çimento. Biruca (qelia) ishte e nëndheshme, me lagështirë enorme dhe
thonin se është i vetmi burg që i ka mbijetuar shekujt, ka mbetur në funksion
"që nga koha e turkut". Biruca kutërbonte urinë dhe pluhur duhani të
stazhionuar, të shtresuar. Ishte errësirë e gjithmonshme. Një gjysmë batanije e
grisur dhe e pistë, të cilën polici ma jipte në orët e vona të natës dhe ma
merrte ende pa u gëdhirë mirë, nuk arrinte të mbulonte, as për së afërmi trupin
tim. Për shtatë muaj hetimi asnjë dush, asnjë mundësi pastrimi e higjene
elementare personale. I vetmuar dhe fort i uritur, por më shumë i mërdhirë.
Pas dënimit, në një birucë, qeli, më bashkuan me Edmond Sejkon. Prisnim
transferimin në burg tjetër, për vuajtjen e dënimit. Edmondi ishte bukurosh dhe
thonin se është kopje e të atit, në rini të tij. Kur mësoi prejardhjen time, u
hap i tëri dhe më foli lirshëm për tragjizmin e familjes së tij. "Më
dhimbsën gjyshërit, si do ta përballojnë humbjen e vajzës së tyre, të nënës
time? Janë të moshuar dhe të sëmurë. Nëna ishte shpresa e vetme e pleqërisë së
tyre. Tani më shumë do të vuaj për gjyshërit e gjallë, se sa për prindërit dhe
vëllanë tmerrshëm të vdekur",- rrëfeu dhimbshëm e përvajshëm Edmond Sejko.
Ridënimi i Edmondit, në burgun e Spaçit, duke qenë ende në vuajtje të dënimit
fillestar, për ta ngritur kuotën e dënimit të tij në 18 vjet burg, na sjell
ndërmend fjalët e vëllait të vogël, Sokolit, drejtuar gjyqit komunist se
"qëllimi juaj është shuarja e familjes Sejko". Ndërkohë, xhaxhai i
tyre, Taho Sejko, i lodhur nga presioni dhe provokimet e Sigurimit të Shtetit,
bëri vetëvrasje në Shkodër.
Dhënia dhunshëm e shtetësisë çamërve, kryetradhti kombëtare
Dhënia e dhunshme e shtetësisë shqiptare çamërve të përgjakur dhe të përzënë,
nga trojet e tyre, nën tytat e armëve dhe të bajonetave, duke i dhënë
legjitimitetin qeverisë greke për heqjen e shtetësisë greke, ishte dhe mbetet kryetradhtia
kombëtare e Enver Hoxhës dhe e partisë së tij kriminale. Dhe, kjo kryetradhti
mbetet përjetësisht krim kombëtar dhe kupolë, maje e tradhtive seriale të
komunistëve shqiptarë, në dëm të çështjes shqiptare. Çuditërisht, komunistët
shqiptarë, kudo qofshin ata, iu ngjitën, si bajga këpucëve, ideologjisë së
mykur dhe regresive sllaviste - staliniste.
Miqësia e dlirë me dr. Beniamin Çettën
Kjo kategori, por edhe ish-kuadro të e lartë, zakonisht, duhet t`i linin kockat
brenda rrethimit të burgut, në "bythë të qershisë", në një
gropë-varr, ku shumësia e trupave, ka bërë të pamundur identifikimin e
kufomave, nismë e provuar në kohë të demokracisë. Numri i të burgosurëve në
burgun e Burrelit ka qenë i kufizuar, nga 80 deri në 100 të dënuar, shumë
syrësh të ridënuar, përgjatë vuajtjes të dënimit të parë, me qëllimin e vetëm:
për të mos e gëzuar lirinë kurrë!
Aty gjetëm kardiologun, specialistin e sëmundjeve të zemrës, i mirënjohur jo
vetëm në rrethin e Durrësit, por edhe mëtej në Shqipëri, mirditorin, dr.
Beniamin Çetta, vëllai i profesorit tonë të nderuar, Anton Çetta. Ai ishte
dënuar me grupin e madh të pacientëve të tij çamër, madje të gjithë me akuzën
klishe "të agjitacionit dhe të propagandës kundër partisë dhe pushtetit popullor",
duke u "shpërblyer" me nga një dhjetshe. Ishin, kryesisht, pleq. Dhe,
pleqëria ua kishte shtuar mallin dhe plasë zemrën për Vendlindjen e tyre,
Çamërinë e begatë dhe hyjnore.
Dr. Beniamin Çetta, edhepse kishte kaluar të 45 vitet, ende nuk ishte martuar.
Ai jetonte me nënën dhe tezen, të dyja të moshuara dhe me probleme
shëndetësore. Dhe, doktori më shumë mërzitej për dy plakat e vetmuara dhe të
pamundura për shërbime vetjake, se sa për prangosjen e tij. Në burgun e Tiranës
u miqësuam me dr. Beniaminin. Ai ishte i dashur, i çiltër, fort i
mirësjellshëm, modest dhe shumë i njerëzishëm. E pyeta, pse ishte vonuar për
martesë? "- Duke qenë beqar, kisha mundësi më shumë për t`u përkujdesur
për Nënën dhe Tezen dhe këtë barrë nuk dua ta këtë nusja ime", - më tha
doktori, jo pa keqardhje. Kjo na kujton librin e shenjtë "Biblën", ku
shkruhet se feja katolike nuk e ndalon martesën e priftërinjve, por duke qenë
beqarë të përjetshëm, priftërinjtë kanë më shumë kohë për t`iu përkushtuar
fesë, kishës, Zotit. Në vitin 1990 dr. Beniamini më kërkoi ta ndihmoja për ta realizuar një vizitë në Gjermani dhe për ta takuar vëllanë e madh, Antonin. Tashmë, unë isha aziluar në Gjermani. E vura në dijeni Profesorin, për kërkesën e vëllait, Beniaminit, i cili më falenderoi dhe premtoi se "do të shihemi së afërmi" dhe duke shtuar të mos bëj asnjë veprim për Beniaminin, pa e takuar atë. Profesor Çetta erdhi në Gjermani, më takoi mua, biseduam dhe e informova për dr. Benin, siç e thërrisnim në burg. Por, Ai më porositi t`i them dr. Benit se "duhet të presë edhe sa kohë dhe do t`ia rregulloj një vizitë në Kosovë, sepse duan ta shohin edhe familja tjetër". Dhe, ashtu u bë. IDRIZ ZEQIRAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |