Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878 - 1881) zyrtarisht filloi me tubimin e 300
përfaqësuesve të të gjitha krahinave shqiptare në kuvendin shqiptarë të mbajtur
në Prizren më 10 qershor 1878. Në takim kishte edhe boshnjakë nga Bosnja dhe
Sanxhaku (Shqiptarë të asimiluar). Qëllimi i takimit ishte formimi i një shteti
autonom shqiptar që do të mbulonte vilajetet osmane të Prizrenit, Shkodrës,
Manastirit dhe Janinës. Lidhja ishte lëvizja e parë e madhe e organizuar
politikisht, adminstrativisht dhe ushtarakisht për të krijuar një rajon të
bashkuar shqiptar qysh nga dështimi i forcave të Skënderbeut në Mesjetë.
Komiteti i Stambollit dhe platforma e tij politike dhe Gagausi i Ohrit
Qëndresa osmane e Plevnës vazhdoi pesë muaj. Ndërkohë patriotët shqiptarë, edhe
pse bisedimet e Janinës u ndërprenë, nuk hoqën dorë nga ideja e kryengritjes
çlirimtare kundërosmane. Ata i vazhduan përpjekjet për t'i shkrirë komitetet
shqiptare lokale në një komitet kombëtar, për formimin e komitetit qendror
kombëtar dhe për përgatitjen e kryengritjes së armatosur. Por, ndërsa në malet
Ballkan dhe në sektorin e Kaukazit ushtritë osmane ndalën përparimin e ushtrisë
ruse, në frontin malazez, në Shqipërinë e Veriut në gusht 1877, mbrojtja turke
u thye dhe ushtria osmane filloi të tërhiqej drejt jugut. Kjo ngjarje tronditi
opinionin publik në Shqipërinë e Veriut. Në këto rrethana u formua në Shkodër
një komitet shqiptar i përbashkët për qytetarët myslimanë e katolikë, i
kryesuar nga Pjetër Gurakuqi. Në memorandumin e këtij komiteti kërkohej të formohej
një shtet kombëtar më vete nën vasalitetin e sulltanit, siç ishin në atë kohë
Serbia dhe Rumania. Por gjendja në frontin me Malin e Zi u stabilizua shpejt.
Përparimi i ushtrisë malazeze u ndal. Gjatë vjeshtës së vitit 1877 patriotët
shqiptarë i kushtuan kujdes edhe fushatës së zgjedhjeve për parlamentin e dytë
osman. Megjithëse zgjedhjet qenë indirekte dhe u zhvilluan nën diktatin e
valinjve, nën trysninë që vinte nga poshtë dolën deputetë edhe disa
personalitete atdhetare, ndër të cilat ishte edhe Abdyl Frashëri. Çeljen e
parlamentit në dhjetor të atij viti patriotët shqiptarë, sidomos antarët e
Komitetit të Janinës, e shfrytëzuan për të organizuar në kryeqytetin perandorak
një takim në shkallë kombëtare. Për këtë qëllim, përveç deputetëve të parlamentit,
u thirrën në Stamboll edhe personalitete të njohura shqiptare që përfaqësonin
pothuajse të gjitha krahinat e Shqipërisë. Në mbledhjen e parë, që u mbajt më
18 dhjetor 1877, u miratua forumi i organizatës atdhetare revolucionare me
emrin Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, ose
siç u quajt shkurt Komiteti i Stambollit. Kryetari i Komitetit u zgjodh Abdyl
Frashëri. Megjithëse nuk dihet ende përbërja e plotë e këtij Komiteti, janë
njohur tanimë si anëtarë të tij Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zija
Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Koronica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali
Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mane Tahiri Kadri Bajri etj. Në
programin politik të Komitetit të Stambollit përfshihej teza mbi organizimin me
ngutësi të kryengritjes së armatosur kundërosmane dhe krijimin e shtetit
kombëtar shqiptar. Komiteti vendosi gjithashtu që të zhvilloheshin bisedime me
Greqinë për të arritur një aleancë shqiptaro-greke sipas platformës së
parashtruar nga Abdyl Frashëri. Ndërkohë ngjarjet në front pësuan një kthesë
rrënjësore. Më 10 dhjetor 1877 qëndresa e Plevnës u thye. Ushtritë ruse filluan
të përparonin përmes maleve Ballkan. Serbia e Mali i Zi morën zemër nga
përparimi rus dhe rifilluan veprimet luftarake kundër Turqisë. Perandoria
Osmane tani dukej se ishte në pragun e katastrofës së plotë. Në këto rrethana
qeveria e Athinës e pranoi propozimin e ri të paraqitur nga patriotët shqiptarë
për të rifilluar bisedimet dypalëshe që ishin ndërprerë në fund të korrikut.
Turi i dytë i bisedimeve shqiptaro-greke u zhvillua në Stamboll gjatë gjysmës
së dytë të muajit dhjetor 1877. Këtë radhë qeverinë greke e përfaqësonte
Stefanos Skuludhi, deputet në parlamentin e Greqisë. Abdyl Frashëri, i cili
kryesonte përsëri delegacionin shqiptar, tani nuk përfaqësonte Komitetin
Ndërkrahinor të Janinës, por Komitetin Kombëtar të Stambollit. Abdyli i
parashtroi Stefanos Skuludhit planin e hollësishëm të shpërthimit të
kryengritjes shqiptare, e cila do të fillonte në Shqipërinë e Jugut. Menjëherë
pas saj do të formohej qeveria e përkohshme e Shqipërisë, që do të njihej nga
Greqia, e cila do të hynte gjithashtu në luftë kundër Perandorisë Osmane në
Thesali. Kryengritja do të shtrihej në Gegëri e në Kosovë. Greqia do t'i
ndihmonte shqiptarët me armatime. Projekti i Abdyl Frashërit ishte i
leverdishëm për të dyja palët. Shqipëria siguronte tërësinë territoriale, duke
përfshirë në kufijtë e saj edhe vilajetin e Janinës (Epirin), ndërsa Greqia
hiqte dorë nga Epiri, por do të aneksonte pa luftë Thesalinë, me ndihmën e
oficerëve shqiptarë që komandonin ushtrinë osmane. Abdyli u përpoq edhe një
herë ta bindte qeverinë e Athinës, se ishte në interes të Greqisë që ajo të
kishte si aleate, kundër Perandorisë Osmane e kundër rrezikut rus, një Shqipëri
të fortë, prandaj nguli këmbë që aleanca dypalëshe të ndërtohej sipas parimit
të njohjes së një principate të pavarur shqiptare në kufijtë e saj etnikë, në
krye të së cilës mund të vihej edhe një princ me origjinë nga dinastia që
mbretëronte në Greqi. Por pala greke nuk hoqi dorë as këtë radhë nga
pretendimet ndaj Shqipërisë. Si rrjedhim, në ditët e fundit të dhjetorit, me
urdhrin telegrafik të ardhur nga Athina, bisedimet shqiptaro-greke u ndërprenë
përsëri. Në fillim të vitit 1878 situata në front u përmbys plotësisht. Pasi
kaluan malet Ballkan, ushtritë ruse filluan të përparonin me shpejtësi në
drejtim të jugut, pa ndeshur ndonjë rezistencë serioze nga ana e ushtrive
osmane. Më 4 janar 1878 ato pushtuan Sofjen, më 18 janar Edrenenë dhe më 28
janar arritën në fshatin Shën-Stefan, në periferi të Stambollit. Nga paniku që
pushtoi Perandorinë Osmane përfituan ushtritë serbe, të cilat marshuan pa
vështirësi drejt vilajetit të Kosovës dhe, pasi morën Pirotin, Nishin,
Kurshunlinë dhe Vranjën, në fund të janarit arritën në Gjilan. Po ashtu,
ushtritë malazeze pushtuan më 10 janar Tivarin, më 19 janar Ulqinin dhe një
javë më vonë dolën në brigjet e liqenit të Shkodrës e të lumit të Bunës.
Disfata e plotë e ushtrive osmane i shqetësoi të gjitha Fuqitë e Mëdha. Në
mënyrë të veçantë ajo tronditi Britaninë e Madhe, e cila, për të penguar hyrjen
e ushtrive ruse në Stamboll, dërgoi flotën e saj luftarake në detin Marmara. Në
të njëjtën kohë, me nxitjen e saj, Porta e Lartë i kërkoi komandës ruse
armëpushim. Duke parë se Anglia ishte e vendosur të mbronte me çdo kusht
kryeqytetin osman, Rusia nënshkroi në Edrene, më 31 janar 1878, armëpushimin me
Perandorinë Osmane dhe filloi bisedimet për të përfunduar Traktatin e Paqes me
të. Situata e re ndërkombëtare, që u krijua pas disfatës së plotë turke, e
detyroi Komitetin e Stambollit ta rishikonte programin e vet. Sipas tij,
shpërthimi në këto rrethana i kryengritjes kundërosmane në Shqipëri do të ishte
një hap i dëmshëm, që do ta lehtësonte përparimin e ushtrive serbe, malazeze e
greke në brendi të trojeve shqiptare dhe do t'u jepte rast monarkive fqinje që
ta sanksiononin me anën e fitores ushtarake aneksimin e viseve të pushtuara
prej tyre. Për këtë arsye Komiteti hoqi dorë përkohësisht nga projekti i
kryengritjes së armatosur dhe hartoi një program të ri politik për Lëvizjen
Kombëtare Shqiptare. Programi i ri, i cili u përpunua në ditët e para të vitit
1878, përmbante ndryshime taktike e jo strategjike. Udhëheqësit e Komitetit të
Stambollit nuk hoqën dorë nga synimi i tyre i mëparshëm, nga formimi i shtetit
kombëtar shqiptar. Por tani para Shqipërisë qëndronte si detyrë e ngutshme
ruajtja e tërësisë së saj tokësore. Përveç kësaj, ata mendonin se në kushtet e
reja pavarësia kombëtare e Shqipërisë ishte e parealizueshme, pasi ajo nuk
gëzonte asnjë mbështetje në arenën ndërkombëtare. Për më tepër, tani që kishte
filluar pushtimi i trojeve shqiptare nga ushtritë fqinje, rreziku i copëtimit
të Shqipërisë ishte bërë shumë serioz. Në këtë gjendje të re shqiptarët u
kthyen përsëri në programin e mëparshëm. Në vend të pavarësisë së plotë
kombëtare, ata vendosën të kërkonin bashkimin e trojeve të tyre amtare në një
vilajet autonom shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane. Udhëheqësit e
Komitetit të Stambollit shpresonin se krijimi i një vilajeti të tillë do të
gjente përkrahës në arenën ndërkombëtare, të paktën mbështetjen e atyre Fuqive
të Mëdha që nuk e dëshironin shpartallimin e plotë të Perandorisë Osmane. Veç
kësaj, për të mbrojtur tërësinë territoriale, shqiptarët do të luftonin të veçuar
nga Perandoria Osmane, do të hynin në betejë kundër rrezikut sllav, grek,
austriak ose italian në emër të interesave kombëtarë të Shqipërisë. Ata ishin
të bindur se një luftë e tillë, si edhe formimi i vilajetit autonom shqiptar,
do ta sanksiononte në plan ndërkombëtar ekzistencën e shqiptarëve si komb dhe
tërësinë territoriale të Shqipërisë. Këto fitore do të shërbenin si bazë për ta
kthyer vilajetin autonom shqiptar, në rrethana koniunkturale më të favorshme,
në një shtet të pavarur shqiptar. Për të arritur bashkimin politik dhe
organizativ të mbarë vendit rreth kësaj platforme, udhëheqësit e Komitetit të
Stambollit vendosën të formonin një lidhje shqiptare me karakter kombëtar, ku
të përfaqësoheshin të gjitha shtresat shoqërore dhe të gjitha krahinat
shqiptare që bënin pjesë në të katër vilajetet perëndimore të Gadishullit
Ballkanik. Projektin për formimin e saj e përgatiti qysh në fillim të vitit
1878, Pashko Vasa, që në atë kohë ishte këshilltar i valiut të Kosovës.
Udhëheqësit e Komitetit të Stambollit shpresonin se me programin e tyre të ri,
i cili e përjashtonte përkohësisht konfliktin e armatosur shqiptaro-turk, Porta
e Lartë nuk do ta pengonte formimin e Lidhjes Shqiptare. Kjo liri veprimi
kishte rëndësi të veçantë për ta, pasi u jepte atyre mundësi që ta shpejtonin
formimin e lidhjes kombëtare dhe organizimin e forcave të saj të armatosura.
Për këtë qëllim Komiteti i Stambollit ngarkoi një komision të posaçëm, të
kryesuar nga Pashko Vasa, për të nxjerrë lejen përkatëse nga Porta e Lartë. Për
një kohë të gjatë Stambolli nuk dha asnjë përgjigje. Gjatë muajit shkurt 1878
tensionin politik të shqiptarëve e rriti edhe më shumë ekspedita që organizoi
qeveria greke kundër trojeve kombëtare të Shqipërisë. Që ta vinte Rusinë para
faktit të kryer dhe të merrte parasysh aspiratat e saj territoriale, qeveria e
Athinës e detyroi Komitetin e Korfuzit që, para se të nënshkruhej Traktati i
Paqes me Turqinë, të provokonte në Shqipërinë e Jugut një kryengritje të
armatosur kundërosmane dhe të nxiste kryengritësit vendas që të kërkonin
bashkimin e krahinave të tyre me Mbretërinë e Greqisë. Sipas planit të saj të
përgatitur me kujdes, më 12 shkurt 1878 një bandë e madhe greke me rreth 600
"vullnetarë" të ashtuquajtur epirotë, të rekrutuar në Greqi, midis të cilëve kishte
edhe disa mercenarë të huaj, të pajisur me armë e topa të ushtrisë helenike dhe
të komanduar nga oficerë grekë, zbarkuan nga ishulli i Korfuzit në fshatin
Lëkurës, në afërsitë e Sarandës. Pasi ngritën këtu flamurin e Greqisë, shpallën
fillimin e kryengritjes "greke" në viset e Epirit. Të nesërmen, më 13 shkurt,
internacionalistët grekë pushtuan Sarandën; pastaj një pjesë e tyre u drejtua
për në fshatin Çukë, pjesa tjetër për në fshatin Gjashtë, duke shpresuar se
aksioni i tyre do të ishte sinjali për shpërthimin e kryengritjes së
përgjithshme nga ana e popullsisë vendase. Ndërkaq popullsia shqiptare vendase
jo vetëm nuk u bashkua me bandën greke, por, përkundrazi, u ngrit në këmbë
kundër saj. Nën thirrjen e krerëve lokalë, me mijëra vullnetarë shqiptarë
rrëmbyen armët për mbrojtjen e vendit. Përparimi i forcave greke u ndal në
kodrat e Gjashtës. Më 17 shkurt vullnetarët shqiptarë, së bashku me forcat
turke që erdhën nga Janina, u shkaktuan atyre dy disfata të rënda, njërën në
Karalibej, tjetrën në Gjashtë, dhe i detyruan të tërhiqeshin me humbje të mëdha
në Lëkurës. Pas një luftimi tjetër, që u zhvillua më 23 shkurt 1878 në Lëkurës,
banda u shpartallua plotësisht. Komandanti i tyre mundi të shpëtonte së bashku
me 110 veta, duke u tërhequr gjatë bregdetit, derisa u hodh në Korfuz. Të
tjerët u vranë ose u zunë robër gjatë luftimeve.
Themelimi i Lidhes së Prizrenit
Shqipëria dhe Traktati i Shën-Stefanit (3 mars 1878) Një muaj pas armëpushimit
të Edrenesë u nënshkrua në Shën-Stefan, më 3 mars 1878, Traktati i Paqes
ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane. Traktati i Shën-Stefanit i
shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80% të zotërimeve të saj në Gadishullin
Ballkanik. Me shpresë se do të shmangte kundërshtimin e fuqive të tjera të
mëdha, Rusia nuk mori për vete asgjë nga këto territore. Ajo u kufizua vetëm
duke i shkëputur Rumanisë, të cilën e kishte aleate në luftën që fitoi,
krahinën e Besarabisë në veri të lumit Pruth dhe duke aneksuar disa krahina që
zotëronte Perandoria Osmane, në jug të Kaukazit (Kars, Ardahan, Bajazid e
Batum). Synimet e saj hegjemoniste në Evropën Juglindore Rusia cariste do t'i
siguronte kryesisht nëpërmjet Bullgarisë së madhe autonome që u krijua me
Traktatin e Shën-Stefanit. Bullgaria do të ishte një principatë autonome me qeverinë
e saj, tributare ndaj sulltanit. Formimi i saj ishte në vetvete një hap
pozitiv, pasi e çlironte popullin bullgar nga zgjedha shekullore osmane. Por,
Rusia krijoi një Bullgari të madhe, të cilën ajo do ta kishte si një satelite
të saj me qëllim që të vendoste nëpërmjet saj zotërimin e vet në Gadishullin
Ballkanik. Në kufijtë e saj do të përfshihej shumica dërrmuese e tokave që i
shkëputeshin Perandorisë Osmane. Kjo do të shtrihej në lindje deri në Detin e
Zi, në jug deri në detin Egje, në veri deri në Danub dhe në perëndim deri në
malet e Voskopojës. Sado që Bullgaria e madhe do të mbetej nën sovranitetin e
sulltanit turk, Porta e Lartë nuk do të kishte të drejtë të vendoste brenda
kufijve të saj asnjë garnizon ushtarak osman. Pjesa tjetër e territoreve
perandorake do t'i jepej Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi, që ktheheshin nga
principata autonome në shtete të pavarura. Greqia nuk përfitonte asgjë. Ajo do
të mbetej ashtu siç ishte, një shtet i pavarur brenda kufijve të saj të
paraluftës. Traktati i Shën-Stefanit nuk e zinte fare në gojë Shqipërinë, e
cila për Rusinë nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike. Sipas Traktatit
të Shën-Stefanit, gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave
ballkanike. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, krahinat shqiptare të
Korçës, të Bilishtit, të Pogradecit, të Strugës, të Dibrës, të Kërçovës, të
Gostivarit, të Tetovës, të Shkupit, të Kaçanikut etj. Serbia, e cila do të
shtrihej kryesisht drejt jugperëndimit, do të aneksonte edhe viset veriore e verilindore
të Kosovës, deri në afërsi të Mitrovicës. Mali i Zi, sipërfaqja e të cilit do
të rritej më tepër se tri herë, do të përfshinte brenda kufijve të tij
gjithashtu një varg krahinash shqiptare, si atë të Ulqinit, të Krajës, të
Anamalit, të Hotit, të Grudës, të Tuzit, të Kelmendit, të Plavës, të Gucisë dhe
të Rugovës. Pjesa tjetër e Shqipërisë do të mbetej nën sundimin e Perandorisë
Osmane. Si rrjedhim, me Traktatin e Shën-Stefanit trojet shqiptare do të
copëtoheshin ndërmjet katër shteteve të huaja. Perandoria Ruse e gjymtonte
kështu rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe e vështirësonte në kulm luftën
e popullit shqiptar për krijimin e shtetit kombëtar. Zemërimin e thellë që
shkaktoi në Shqipëri Traktati i Shën-Stefanit e rriti më tej terrori i ushtrive
serbo-malazeze mbi shqiptarët e viseve të pushtuara prej tyre dhe shpërngulja
me dhunë nga këto krahina e dhjetëra mijë familjeve shqiptare, të cilat
vërshuan si muhaxhirë në krahinat e papushtuara nga ushtritë ballkanike. Vetëm
në vilajetin e Kosovës endeshin rreth 100 mijë burra, gra e fëmijë, të
shpërngulur nga zona e pushtimit serb. Gati 38 mijë veta të dëbuar nga ushtritë
ruse e bullgare qenë shpërndarë, sipas konsullit anglez Blunt, në viset e
vilajetit të Manastirit. Sipas të dhënave të konsullit austro-hungarez Lipih
(Lipich), mbi 26 mijë shqiptarë, të dëbuar nga zona e pushtimit malazez, ishin
vendosur në vilajetin e Shkodrës. Por numri i shqiptarëve të shpërngulur ishte
më i madh, po të kemi parasysh se jo pak prej tyre mërguan në vilajetet e Selanikut,
të Stambollit, të Izmirit, të Adanasë e të Sirisë. Zemërimi kundër Traktatit të
Shën-Stefanit përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare, që nga
fshatarët e zejtarët e deri te qarqet çifligare e tregtare. Ky zemërim i
shqiptarëve nuk drejtohej vetëm kundër Perandorisë Ruse dhe aleatëve të saj
ballkanikë, por edhe kundër Perandorisë Osmane, e cila kishte nënshkruar një
akt të tillë, që e dënonte me vdekje atdheun e tyre. Fakti se asnjë nga fuqitë
e tjera të mëdha nuk e ngriti zërin për të drejtat kombëtare të Shqipërisë, i
bindi përfundimisht shqiptarët se ata tashmë ishin krejtësisht vetëm. Gjendja e
re që u krijua nga vendimet e Shën-Stefanit dhe nga ngjarjet që rrodhën më pas,
në mars-prill 1878, kur u duk qartë se Fuqitë e Mëdha perëndimore ishin të
vendosura të mbronin me çdo kusht sundimin e Perandorisë Osmane në Ballkan dhe
si rrjedhim nuk ishin të prirura të merrnin parasysh të drejtat kombëtare të
shqiptarëve, Komiteti Qendror i Stambollit arriti në përfundimin se si
kryengritja e armatosur kundërosmane, ashtu edhe kërkesa për pavarësinë e
Shqipërisë nuk mund të qëndronin më si pika kryesore të programit të tij
politik. Tani që copëtimi i trojeve shqiptare filloi të vihej në jetë dhe doli
në plan të parë detyra e mbrojtjes së tërësisë tokësore të Shqipërisë,
kryengritja e armatosur kundër Perandorisë Osmane jo vetëm që nuk e zgjidhte
çështjen shqiptare, por e ndërlikonte edhe më keq atë e fatin e atdheut. Në
rrethana të tilla ndërkombëtare, Komiteti Shqiptar i Stambollit adaptoi, për aq
kohë sa do të vijonte kjo gjendje e ndërlikuar, një platformë të re politike, e
cila kërkonte mobilizimin e mbarë vendit për plotësimin e dy detyrave kryesore:
për të kundërshtuar me luftë të armatosur, në emër të kombësisë shqiptare, çdo
vendim që do të merrnin Fuqitë e Mëdha, qoftë edhe me pëlqimin e Perandorisë
Osmane, në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe, në të njëjtën kohë,
për të arritur bashkimin e të gjitha trojeve të atdheut në një vilajet të vetëm
shqiptar, të pajisur me disa të drejta autonomiste, që mund të realizoheshin pa
hyrë në konflikt me Portën e Lartë. Përmbushja e këtyre objektivave bënte të
nevojshëm formimin e një fronti të vetëm politik mbarëshqiptar dhe pranimin nga
ana e këtij fronti të platformës politike të përpunuar nga Komiteti Kombëtar i
Stambollit. Për krijimin e frontit të bashkuar politik, që do të kishte formën
e një lidhjeje kombëtare shqiptare, kishte tashmë në Shqipëri një truall deri
diku të përgatitur edhe nga pikëpamja organizative. Qysh në dhjetor të vitit
1877, në krahinat periferike të Shqipërisë, kur ato filluan të kërcënoheshin
nga pushtimi serb e malazez, ishin organizuar besëlidhje shqiptare krahinore
ose, siç quheshin në disa vise, komisione lokale të vetëmbrojtjes, të cilat u
përpoqën të mobilizonin shqiptarët për të hyrë në veprim sapo të lëshohej
kushtrimi. Traktati i Shën-Stefanit i dha një nxitje të fuqishme krijimit të
besëlidhjeve të reja. Por me evolucionin ekonomik, shoqëror, politik e kulturor
që kishte pësuar Shqipëria, gjatë dekadave të fundit, ndryshe nga periudhat e
mëparshme, ndërgjegjja e bashkësisë krahinore ishte tejkaluar tanimë te
shqiptarët. Çdo krahinë kishte filluar ta ndiente veten si gjymtyrë e një trupi
të vetëm, si pjesë e një atdheu të përbashkët. Ky evolucion në ndërgjegjen
kombëtare të shqiptarëve ishte një faktor i favorshëm për veprimtarinë e
Komitetit Kombëtar të Stambollit, të cilit tani i takonte detyra t'i bashkonte
besëlidhjet krahinore në një trup të vetëm organizativ dhe me një platformë të
vetme politike. Derisa të shkriheshin në një organizatë kombëtare, përballë
besëlidhjeve krahinore qëndronin tri detyra themelore: të mobilizonin shtresat
e gjera popullore në lëvizjen e madhe të protestës kundër vendimeve të padrejta
të Traktatit të Shën-Stefanit; të përgatiteshin ushtarakisht për të
kundërshtuar me armë copëtimin e trojeve shqiptare, në rast se vendimet e
Traktatit do të mbeteshin në fuqi; të kujdeseshin për të ndihmuar dhe për të
sistemuar rreth 150 mijë muhaxhirët shqiptarë, të grumbulluar në vilajetet e Kosovës,
të Shkodrës e të Manastirit, të cilët kishin mbetur pa bukë e pa strehë.
Ndërkaq, në prill të vitit 1878, opinioni publik shqiptar u informua nga shtypi
ndërkombëtar për kundërshtimin që kishte gjetur Traktati i Shën-Stefanit në
fuqitë e tjera të mëdha. Në të vërtetë, kundërshtimin më të rreptë ai e pati
nga Anglia dhe nga Austro-Hungaria, të cilat u shqetësuan së tepërmi nga rritja
e shpejtë e ndikimit të Rusisë në Gadishullin Ballkanik nëpërmjet Bullgarisë së
Madhe. Për këtë arsye, me këmbënguljen e tyre, u vendos që kushtet e
përcaktuara në Traktatin e Shën-Stefanit të rishikoheshin nga një kongres i
posaçëm i Fuqive të Mëdha, i cili, sipas vendimit që u mor më vonë, do të
mblidhej në Berlin më 13 qershor 1878. Shqiptarët ishin të bindur se Fuqitë e
Mëdha, ndonëse e kundërshtuan Traktatin e Shën-Stefanit, përsëri nuk ishin të
prirura që t'i merrnin parasysh interesat kombëtarë të Shqipërisë. Megjithatë,
pezullimi i tij deri në thirrjen e kongresit të Berlinit u jepte në dorë
patriotëve shqiptarë një kohë të çmueshme për ta organizuar më mirë qëndresën
politike e ushtarake. Por, nga ana tjetër, leja që kishte kërkuar Komiteti i
Stambollit për të formuar një lidhje shqiptare, ndeshi më në fund në
kundërshtimin e Portës së Lartë. Në parim qeveria osmane nuk e shihte me sy të
keq lëvizjen e protestës së popullsive të saj kundër Traktatit të
Shën-Stefanit, por ajo nuk e pranonte në asnjë mënyrë që kjo lëvizje të
zhvillohej e të organizohej ashtu siç e kuptonte Komiteti i Stambollit, si një
lëvizje kombëtare shqiptare. Porta e Lartë kërkonte që shqiptarët të
protestonin kundër Traktatit të Shën-Stefanit si nënshtetas myslimanë, që nuk
donin të shkëputeshin nga Perandoria Osmane dhe nga sulltani i saj halif.
Patriotët shqiptarë, të cilët nuk mund të pajtoheshin me këto kushte, vendosën
që ta formonin lidhjen shqiptare duke u mbështetur në lëvizjen popullore dhe në
besëlidhjet lokale.
Rrymat politike dhe protestat shqiptare
Gjatë pranverës së vitit 1878, krahas hovit që mori lëvizja e protestës kundër
Traktatit të Shën-Stefanit, ngadhënjeu edhe ideja për të kundërshtuar me armë
vendimet që mund të merreshin në [[Kongresi i Berlinit|Kongresin e Berlinit[[
në dëm të tërësisë tokësore të shqiptarve. Në këto rrethana, kërkesa për të
formuar një lidhje të përgjithshme u bë mjaft popullore. Megjithatë forcat e
ndryshme atdhetare të lëvizjes kombëtare nuk e konceptonin njësoj karakterin
dhe programin që duhej të kishte kjo lidhje e përgjithshme. Qarqet atdhetare
shqiptare, të përfaqësuara, në përgjithësi, nga Komiteti Kombëtar i Stambollit,
që formuan grupimin ose, siç u quajt nga vëzhguesit e huaj të kohës, rrymën
radikale, synonin të themelonin një lidhje shqiptare, e cila duhej të
mobilizonte popullsinë e vendit në emër të të drejtave kombëtare të Shqipërisë
dhe ta drejtonte atë në luftë për ruajtjen e tërësisë tokësore të atdheut, duke
kërkuar në të njëjtën kohë krijimin e një vilajeti autonom shqiptar ose, po ta
lejonin rrethanat ndërkombëtare, të një shteti shqiptar autonom. Sipas
udhëheqësve të kësaj rryme, lidhja shqiptare duhej përgatitur për të luftuar,
në përshtatje me rrethanat që do të krijoheshin, jo vetëm kundër shteteve
shoviniste fqinje, por edhe kundër Perandorisë Osmane. Një grupim ose rrymë e
dytë në lëvizjen kombëtare ishte ai i të moderuarve, siç u cilësua po nga
bashkëkohësit, që përfaqësohej nga personalitete të njohura atdhetare, si Ali
bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Abedin pashë Dinoja, Mahmud pashë Biçaku, Omer
pashë Vrioni etj. Ashtu si radikalët, edhe të moderuarit kërkonin që lidhja e
përgjithshme të kishte karakter kombëtar. Ata e pranonin në parim edhe idenë e
një vilajeti të bashkuar autonom shqiptar, të pajisur me një autonomi
administrative e kulturore. Por, ndryshe nga elementët radikalë të Komitetit të
Stambollit, këta nuk e shikonin vilajetin e bashkuar shqiptar si një hallkë, si
një shkallë për të shkuar më tej drejt një shteti të bashkuar e të pavarur
shqiptar. Përveç kësaj, të moderuarit nuk ishin gjithashtu të prirur për t'iu
kundërvënë Portës së Lartë. Ata shpresonin se vilajeti shqiptar mund të
krijohej me pëlqimin e vetë sulltanit, të cilin, besonin se do ta bindnin,
pasi, sipas tyre, krijimi i këtij vilajeti ishte në interesin e vetë
Perandorisë Osmane. Përgjithësisht qarqet e moderuara, duke pasur parasysh
rrezikun e jashtëm, prireshin ta kufizonin lëvizjen vetëm me mbrojtjen e
territoreve të kërcënuara, vetëm me luftën kundër copëtimit të vendit. Si
rrjedhim, ata e përfytyronin besëlidhjen shqiptare jo si një front politik
kombëtar të veshur me atribute shtetërore, por si një federim ose aleancë
krahinash të krijuar vetëm për të luftuar bashkërisht kundër shovinistëve
fqinjë. Megjithatë, ndërmjet platformës së qarqeve radikale dhe platformës së
të moderuarve kishte mjaft pika takimi, siç qe ajo e karakterit kombëtar
shqiptar të lidhjes së përgjithshme dhe pranimi në parim i formimit të një
vilajeti autonom shqiptar. Në situatën dramatike, që u krijua në pranverën e
vitit 1878, këto pika të përbashkëta merrnin rëndësi të dorës së parë përballë
pikëpamjeve të ndryshme që kishin ato për kohën e mënyrën se kur dhe si duhej
të sendërtohej ky vilajet, të cilat mund të zgjidheshin pas formimit të lidhjes
shqiptare. Në këto rrethana, u arrit bashkëpunimi i të dy rreshtimeve politike
për formimin e një lidhjeje shqiptare me karakter kombëtar, që do të udhëhiqte
luftën e popullit shqiptar kundër copëtimit territorial të atdheut dhe do të
parashtronte nevojën e bashkimit administrativ të mbarë viseve shqiptare në një
vilajet autonom shqiptar. Jashtë këtyre dy grupimeve atdhetare, që përfaqësonin
Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, në jetën politike të Shqipërisë vepronte edhe një
rreshtim i tretë sulltanist, i udhëhequr nga nëpunësit turkomanë të
administratës së vilajeteve, nga elementë feudalë e klerikë turkomanë, të cilët
e identifikonin veten me qarqet sunduese perandorake, anonin plotësisht nga
vija politike e Portës së Lartë dhe i shërbenin asaj. Të interesuar për të
kundërshtuar vendimet e Traktatit të Shën-Stefanit, edhe pasuesit e këtij
grupimi u bashkuan me lëvizjen për organizimin e qëndresës së armatosur
nëpërmjet "lidhjes" së përgjithshme, e cila duhej të vepronte sipas orientimeve
të sulltanit. Ata nuk ishin për një lidhje shqiptare, por për një lidhje
islamike, ku të merrnin pjesë të gjitha popullsitë myslimane të Gadishullit
Ballkanik, pavarësisht nga kombësia e tyre, nga e cila, logjikisht, do të
përjashtoheshin shqiptarët e krishterë, si ortodoksë, edhe katolikë. Veç kësaj,
sulltanistët, siç u quajtën në atë kohë, nuk e pranonin as në parim idenë e një
vilajeti shqiptar, sepse ky vilajet, sipas tyre, do t'i ndante shqiptarët
myslimanë nga "vëllezërit" myslimanë të Gadishullit Ballkanik dhe të
Perandorisë Osmane. Këto qëndrime u kundërshtuan nga atdhetarët shqiptarë,
radikalë e të moderuar, që nuk mund të pajtoheshin me platformën e qarqeve
sulltaniste dhe në mënyrë të veçantë me idenë konservatore të një lidhjeje
islamike, e cila po të krijohej do ta shuante emrin e Shqipërisë. Në të
vërtetë, qarqet sulltaniste nuk kishin ndonjë mbështetje në shtresat e gjera të
popullsisë shqiptare. Veprimtarinë e tyre e udhëhiqnin valinjtë e katër
vilajeteve shqiptare, që zbatonin me besnikëri udhëzimet e Portës së Lartë.
Megjithatë, ato luanin ende një rol të rëndësishëm në jetën politike të vendit,
pasi kishin në dorë aparatin shtetëror - administratën, ushtrinë,
xhandarmërinë, financat dhe mjetet e telekomunikacionit që lidhnin krahinat me
njëra-tjetrën. E vetmja pikë që dukej sikur i afronte sulltanistët me qarqet
atdhetare, ishte gatishmëria e tyre për të luftuar me rrugë jashtëqeveritare,
kundër shkëputjes së zotërimeve perandorake në Ballkan, pra edhe kundër
shkëputjes së trojeve shqiptare, ndonëse këtë luftë ata kërkonin ta zhvillonin
nën flamurin islamik. Për të mos shkaktuar në atë çast kritik përçarjen e
forcave politike të vendit, Komiteti i Stambollit dhe rrethet e tjera atdhetare
të vendit iu shmangën përkohësisht luftës së hapur kundër qarqeve sulltaniste.
Madje, duke u kapur pas gatishmërisë që tregonin këto qarqe për të luftuar
kundër Traktatit të Shën-Stefanit, udhëheqësit atdhetarë mendonin se, me një
punë të mëtejshme sqaruese, do ta tërhiqnin masën e tyre në platformën e
lidhjes shqiptare. Platformën e vet politike Komiteti i Stambollit e ngriti
gjatë pranverës edhe në arenën ndërkombëtare. Qysh në muajin mars, kur
përmbajtja e Traktatit të Shën-Stefanit ende nuk ishte shpallur, Pashko Vasa i
paraqiti ambasadorit britanik në Stamboll një promemorje në emër të popullit
shqiptar, në të cilën lufta kundër copëtimit territorial të Shqipërisë lidhej
organikisht me kërkesën për autonominë e saj administrative. Shqiptarët,
shkruante ai, nuk mund të kënaqen me administratën e kalbur osmane. Ata janë të
bindur se Porta e Lartë, as nuk dëshiron dhe as nuk është në gjendje t'u japë
atyre një administratë më të mirë se atë që u ka dhënë deri sot. Shqiptarët,
theksonte patrioti rilindës, janë të vendosur t'i këputin të gjitha lidhjet që
i bashkojnë me Turqinë dhe nuk duhet të përjashtohen nga ajo e drejtë që kanë
popujt sllavë të Ballkanit për të formuar shtete të pavarura ose autonome.
Megjithatë, përfundonte Pashko Vasa, shqiptarët kërkojnë një administratë
autonome që t'u përgjigjet më shumë nevojave dhe traditave të tyre. Një vend të
veçantë në veprimtarinë politike që zhvilloi Komiteti i Stambollit gjatë
pranverës së vitit 1878 zënë shkrimet e Abdyl Frashërit, të cilat ai i botoi në
shtypin e huaj, brenda dhe jashtë Perandorisë Osmane. Në një artikull të botuar
në muajin prill në gazetën turke "Basiret" (Stamboll), ai i tërhiqte tërthorazi
vëmendjen Portës së Lartë që të mos pranonte asnjë lëshim në kurriz të trojeve
të Shqipërisë dhe t'u njihte shqiptarëve të drejtat e tyre kombëtare. Askush,
pra, as Perandoria Osmane, shkruante kryetari i Komitetit të Stambollit, nuk ka
të drejtë t'u japë të tjerëve tokat që u takojnë shqiptarëve. Duke evokuar luftën
që zhvilluan shqiptarët në shek. XV kundër Perandorisë Osmane, Abdyl Frashëri u
linte të nënkuptonin qeveritarëve të Stambollit se Shqipëria ishte gati të
përsëriste epopenë e Skënderbeut, në rast se nuk do t'i njiheshin të drejtat e
saj kombëtare. Në një seri artikujsh të botuar gjatë prillit e majit në organin
austriak "Messager de Vienne" ("Mesazher dë Vjenë"), Abdyl Frashëri
argumentonte para opinionit publik evropian të drejtat politike që i takonin
popullit shqiptar, si një nga kombet më të lashta të Evropës, me gjuhë, me
territor, me kulturë, me ndërgjegje dhe me histori të përbashkët mijëravjeçare.
Kombi shqiptar, nënvizon ai, nuk aspiron asgjë tjetër, veçse të jetojë i lirë,
të dalë nga prapambetja dhe të zërë vendin që meriton në radhët e kombeve të
qytetëruara të Evropës. Në rast se Fuqitë e Mëdha, theksonte Abdyli, do ta
dënojnë këtë popull trim e liridashës të mbetet në robëri dhe ca më keq të
copëtohet ndërmjet shteteve fqinje, Gadishulli Ballkanik nuk do të ketë kurrë
qetësi, sepse shqiptarët nuk do të pushojnë asnjëherë së luftuari për të fituar
pavarësinë e tyre kombëtare. Përkundrazi, në rast se shqiptarëve do t'u njihen
të drejtat e tyre kombëtare, Shqipëria do të bëhet faktor i paqes dhe do të
kthehet në një digë kundër ekspansionit carist, i cili rrezikon jo vetëm
Gadishullin Ballkanik, por edhe Kontinentin Evropian. Në të njëjtën kohë
anëtarët e Komitetit të Stambollit e shtuan veprimtarinë e tyre politike edhe
brenda në Shqipëri. Por këtu ata ndeshën në pengesat e qarqeve sulltaniste, të
cilat, duke shfrytëzuar terrorin që po ushtronin organet ushtarake
serbe-malazeze kundër shqiptarëve në veri dhe provokacionet që po kurdisnin
agjentët shovinistë grekë në viset shqiptare jugore, përpiqeshin ta
vështirësonin organizimin e popullit shqiptar në shkallë kombëtare dhe t'i
nxisnin shqiptarët që të hidheshin në një luftë të parakohshme e të
paorganizuar kundër shteteve fqinje. Anëtarët e Komitetit të Stambollit dhe
atdhetarët e tjerë i bënë ballë me sukses, në shumicën e krahinave të vendit, këtij
presioni të qarqeve qeveritare e sulltaniste. Ata arritën të shmangnin
konfliktet e parakohshme që ishin gati të shpërthenin, sidomos në veri, në
sektorin shqiptaro-malazez. Me këtë rast Komiteti i Stambollit e shpalli edhe
një herë publikisht platformën e vet. Me një proklamatë drejtuar më 30 maj 1878
popullit shqiptar dhe, për njoftim, opinionit ndërkombëtar, ai shprehte
keqardhjen që në një çast aq kritik për Shqipërinë, vendi po u nënshtrohej
sulmeve fatkeqe dhe persekutimeve të shëmtuara nga qeveria malazeze, serbe e
greke, veçanërisht nga fqinjët malazez. Megjithatë, Komiteti i Stambollit,
thuhej në proklamatë, e "konsideron të ngutshme nevojën për të ndalur një luftë
midis dy popujve (shqiptarëve dhe malazezëve - shën. i aut.), të cilët kanë
pasur mjaft raste ta matin fuqinë dhe trimërinë e tyre, dhe për të larguar
kështu rreziqe të reja për paqen në Lindje". Proklamata përfundonte: "Ne
dëshirojmë nxehtësisht të jetojmë në paqe me të gjithë fqinjët tanë, Malin e Zi
dhe Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë. Ne nuk kërkojmë, nuk dëshirojmë asgjë prej
tyre, por jemi krejtësisht të vendosur të mbajmë me këmbëngulje çdo gjë që
është jona. T'u lihet pra shqiptarëve toka shqiptare!" Shqetësimi që pushtoi
shqiptarët për fatin e atdheut, u shpreh me një lumë protestash, që shpërthyen
gjatë muajve prill e maj 1878 nga të katër anët e vendit kundër Traktatit të
Shën-Stefanit. Pothuajse në çdo qendër kazaje u zhvilluan mbledhje popullore,
në të cilat u morën vendime për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve
shqiptare. Në shumicën e rasteve, në përfundim të këtyre mbledhjeve u hartuan
protesta me shkrim drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilat shprehej vendosmëria e
shqiptarëve për të mbrojtur deri në njeriun e fundit çdo pëllëmbë të tokës
amtare. Funksionarët e admnistratës dhe përkrahësit e tyre sulltanistë ushtruan
në këto mbledhje presion të fuqishëm për t'i detyruar pjesëmarrësit që t'i
nënshkruanin protestat e tyre jo si banorë shqiptarë, por si nënshtetas
islamikë të lidhur me Perandorinë Osmane. Por këto presione nuk dhanë rezultat.
Në asnjë nga krahinat shqiptare, pjesëmarrësit e mbledhjeve nuk pranuan ta
cilësonin veten e tyre si banorë islamikë. Në të gjitha aktet drejtuar Fuqive
të Mëdha banorët myslimanë dhe të krishterë, protestonin si shqiptarë, si pjesëtarë
të një kombi të vetëm. Madje, në shumë raste, pjesëmarrësit e mbledhjeve
popullore hartuan peticione drejtuar Portës së Lartë, me anën e të cilave
kërkonin reforma autonomiste për Shqipërinë.
Themelimi i Lidhjes së Prizrenit (10 qershor 1878)
Një nga çështjet kryesore, që u shtrua gjatë pranverës së vitit 1878, në
mbledhjet popullore të krahinave të vendit ishte formimi i lidhjes shqiptare,
karakterin kombëtar të së cilës e mbrojtën si patriotët radikalë, ashtu dhe
qarqet e moderuara. Si procedurë për formimin e saj udhëheqësit politikë
vendosën të shfrytëzonin traditën e lashtë shqiptare. Sipas kësaj tradite, sa
herë që vendin e kërcënonte rreziku i jashtëm, secila krahinë thërriste
kuvendin e vet krahinor dhe pastaj përfaqësuesit e tyre mblidheshin në një
kuvend të jashtëzakonshëm, i cili formonte, sipas rastit, besëlidhjen
ndërkrahinore ose lidhjen e përgjithshme. Ekzistenca, në pranverën e vitit
1878, e besëlidhjeve lokale ose e komisioneve të vetëmbrojtjes, e lehtësonte
punën e udhëheqësve politikë. Duhej vetëm thirrja e kuvendit të përgjithshëm
dhe organizimi me sukses i punimeve të tij.
Lidhja e Prizrenit
Nismën për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm e mori Komiteti i Stambollit.
Por, për të mos shkaktuar reagimin e hapur të organeve qeveritare osmane,
Komiteti i Stambollit vepronte, si edhe më parë, në rrethanat e fshehtësisë së
plotë. Si vend për mbledhjen e Kuvendit u caktua Prizreni, qyteti kryesor i
Kosovës dhe një nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë, që ndodhej në afërsi të
krahinave, ku do të zhvillohej qëndresa e armatosur e Lidhjes për mbrojtjen e
tërësisë së atdheut. Me organizimin e drejtpërdrejtë të veprimeve për thirrjen
e Kuvendit u ngarkua një Komision i posaçëm, shumica e anëtarëve të të cilit
ishin nga Prizreni e Gjakova. Ndërmjet tyre njihen Ymer Prizreni dhe Ahmet
Koronica, ndërsa thirrjen për mbledhjen e Kuvendit e lëshoi qysh në fund të
prillit një nga përfaqësuesit më të shënuar të qarqeve atdhetare të moderuara,
Ali bej Gucia (më vonë: Ali pashë Gucia), pronar i madh tokash dhe kundërshtar
i vjetër i Tanzimatit e i Traktatit të Shën-Stefanit. Lëvizja për thirrjen e
Kuvendit Kombëtar u gjallërua në kulm gjatë gjysmës së dytë të majit. Sapo u
përhap lajmi se Kongresi i Berlinit do të mblidhej më 13 qershor 1878, në viset
e të katër vilajeteve u zhvilluan mbledhje për të zgjedhur delegatët që do të
niseshin për në Prizren. Nga viset shqiptare të vilajetit të Kosovës, të
Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës, nuk u caktua si delegat për në Prizren
asnjë nga elementët sulltanistë. Megjithatë, ulematë dhe funksionarët osmanë,
duke përdorur mjete nga më të ndryshmet, bënë që në ato kaza, ku banonin në
mënyrë të përzier popullsi myslimane shqiptare, boshnjake, turke dhe pomake
(bullgarë të islamizuar), të caktoheshin si delegatë edhe mjaft pashallarë e
bejlerë sulltanistë. E shqetësuar nga zhvillimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare,
Porta e Lartë nuk e la fatin e politikës së saj në Shqipëri vetëm në duart e
autoriteteve shtetërore të vilajeteve, por ndërhyri edhe vetë për të ndryshuar
rrjedhën e ngjarjeve. Për këtë qëllim ajo thirri në Stamboll, në fund të majit,
personalitetet më të dëgjuara të jetës politike shqiptare, si Iljaz pashë
Dibrën, Ali bej Gucinë, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Ahmet Koronicën, Zija
Prishtinën, Mustafa pashë Vlorën, sheh Mustafa Tetovën, Vejsel bej Dinon dhe
disa dhjetëra të tjerë, ndaj të cilëve ushtroi për disa ditë me radhë një
trysni të fortë për t'i detyruar që t'i jepnin besëlidhjes karakterin e një
organizate islamike ballkanike. Personalitetet shqiptare, që i rezistuan
presionit të qeverisë osmane, Porta u përpoq t'i mbante në Stamboll me
pretekste të ndryshme, për të penguar pjesëmarrjen e tyre në Kuvendin Kombëtar.
Por ata u nisën për në Prizren pa lejen e saj. Prizreni kishte marrë në ato
ditë të para të qershorit një pamje festive. Përveç banorëve të përhershëm
qarkullonin në qytet mijëra mysafirë të tjerë të veshur me rrobat e krahinave
të tyre dhe të armatosur. Kuvendi Kombëtar u hap më 10 qershor 1878. Por atë
ditë në Prizren nuk kishin arritur të gjithë delegatët e krahinave shqiptare.
Mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës, nisjen e të cilëve e kishin penguar
intrigat e valiut turk, Hysen Pashës. Po ashtu, nga vilajeti i Janinës arritën
vetëm dy delegatë (njëri nga të cilët ishte Abdyl Frashëri), pasi të tjerët
ishin ende në udhëtim. Nga të dhënat e derisotme dokumentare nuk ka qenë e
mundur të përcaktohet lista e plotë e delegatëve, as numri i saktë i atyre që u
ndodhën të pranishëm në ditën e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes.
Njihen më se 110 emra, shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës. Ishin
këta përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë,
tregtarë e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktarë e malësorë. Kishte
personalitete të shquara politike të së kaluarës, por edhe emra të rinj që po
hynin në jetën politike të vendit, figura që kishin marrë pjesë në kryengritjet
kundër Tanzimatit ose që kishin luftuar prej kohësh kundër ushtrive të
monarkive fqinje ballkanike. Ndër figurat më të shquara që merrnin pjesë në
Kuvendin e Përgjithshëm njihen: Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë
Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizator të Kuvendit), Abdullah
pashë Dreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Zija bej Prishtina, Jashar bej
Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra
(Neza), Abdyl Frashëri etj. Në Prizren kishin ardhur gjithashtu delegatë disa
feudalë sllavë e sulltanistë nga viset e Bosnjë-Hercegovinës. Kuvendi i
Prizrenit i filloi punimet në ditën e caktuar, me qëllim që kërkesat shqiptare
t'u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i Berlinit (13
qershor 1878). Kuvendi i Përgjithshëm i zhvilloi punimet në një nga sallat e
medresesë së ndërtuar në shek. XVII nga Mehmet Pasha; kjo ndërtesë ndodhet
pranë xhamisë ose Bajrak-Xhamisë, siç quhej nga qytetarët prizrenas. Kryetar i
Kuvendit u zgjodh delegati më i moshuar, Iljaz pashë Dibra (Qoku)?. Delegatët
që morën pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kishin për çështjen kryesore të ditës
një unitet të plotë mendimi; të gjithë qenë të vendosur për të kundërshtuar me
çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të
Shqipërisë. Mendim të njëjtë shprehën delegatët që u takonin qarqeve atdhetare
edhe për karakterin dhe programin politik të organizatës, që do të themelonte
Kuvendi. Ata kërkuan me këmbëngulje që Kuvendi, ashtu siç ishte parashikuar
prej tyre, të formonte një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar. Ndryshe nga
këta, delegatët, që i takonin krahut sulltanist, u përpoqën që organizata që do
të themelohej të kishte një karakter islamik e jo kombëtar shqiptar dhe t'ia
nënshtronin atë interesave të Stambollit. Në ditën e parë të punimeve në Kuvend
folën delegatë të të gjitha grupimeve politike. Nga fjalimet që u mbajtën në
këtë ditë ruhet vetëm një fragment i fjalës së Abdyl Frashërit, kryetar i
Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë (i vilajetit të Janinës). Duke
mbrojtur platformën atdhetare të lëvizjes kombëtare, ai i ftoi të gjitha
krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të mbrojtur mbarë
atdheun nga rreziku i asgjësimit. Abdyli ndër të tjera tha: "Qëllimi i Kuvendit
është që t'ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe
duke u betuar që t'i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe
stërgjyshërit tanë". Fjalimi
i Abdyl Frashërit la përshtypje brenda dhe jashtë sallës. Delegatëve të
grupimit atdhetar, iu desh të përballeshin në Kuvend si me qendrimet e dëmshme
të qarqeve sulltaniste, ashtu edhe me trysninë e autoriteve qeveritare osmane,
të përfaqësuara nga mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu, që ishte i
pranishën në këtë tubim. Të dyja këto forca u përpoqën të pengonin bashkimin e
shqiptarëve në një lidhje kombëtare. Megjithatë, Kuvendi i Prizrenit e
përmbushi misionin e tij historik kombëtar. Akti më i rëndësishëm i tij ishte
vendimi për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, të një
Lidhjeje (Ittifaku), me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të
gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me
çdo mjet interesat e vendit. Po atë ditë Kuvendi Kombëtar miratoi tekstin e një
proteste, drejtuar Kongresit të Berlinit, me anën e së cilës ngrihej zëri
kundër shkëputjes së krahinave shqiptare në favor të shteteve fqinje. Sipas
traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e
përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha
veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfaqësuar në
Kuvendin e Prizrenit. Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për themelimin e Lidhjes
ishte një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pasi me anën e tij iu
dha goditja e parë dhe e fuqishme përpjekjeve të Stambollit për ta veshur
Lidhjen me karakter islamik dhe u hodhën themelet e një organizate kombëtare
shqiptare, e cila, qysh në ditën e parë të saj, pati një karakter atdhetar.
Menjëherë pas themelimit të Lidhjes u formuan organet e saj të larta. Në krye
të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative dhe me
seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore. Kryetar i tij u
zgjodh Iljaz pashë Dibra. Për të ushtruar funksionet ekzekutive u formua
Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare, i përbërë nga tri komisione, secili me
një përgjegjës të veçantë: komisioni i punëve të jashtme (Abdyl Frashëri),
komisioni i punëve të brendshme (Haxhi Shabani) dhe komisioni i të ardhurave
financiare (Sulejman Vokshi). Krijimi i organeve të larta të Lidhjes së
Prizrenit dhe pajisja e tyre me funksione pushtetore ishin një fitore tjetër që
korrën forcat atdhetare, pasi me anën e tyre u hodhën themelet për krijimin në
Shqipëri të një pushteti të veçuar nga ai i Portës së Lartë. Kjo fitore u
përforcua me caktimin në krye të organeve të larta të personaliteteve që
militonin në Komitetin e Stambollit (Abdyl Frashëri e Sulejman Vokshi), ose që
u takonin qarqeve të moderuara (Iljaz pashë Dibra e Haxhi Shaban Prizreni). Për
fitoren e plotë të krahut patriotik nuk mbetej tjetër hap, veçse pajisja e
besëlidhjes me një statut ose kanun, siç quhej në atë kohë, të ndërtuar mbi
platformën rilindëse.