VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Shkencëtarët gjejnë prova të qarta të pranisë së ujit në Hënë
E Premte, 09.25.2009, 09:55am (GMT1)

 

Shkencëtarët që analizojnë informacione të marra nga tre misione hënore kanë gjetur prova të qarta të pranisë së ujit në Hënë.

Informacionet e mbledhura nga tre anije të hapësirës, duke përfshirë atë indiane Chandrayaan-1, gjeti sasi të vogla uji të pranishme në pjesëza të ndryshme që përbëjnë materialin hënor.

Studimet do të botohen në numrin e nesërm të revistës Science.

Shkencëtarët thonë se molekulat e ujit u gjetën duke analizuar të dhëna nga tre sonda të pajisura me instrumente të NASA-s për të hartuar përbërjen minerale të materialit hënor.

Sipas shkencëtarëve, provat tregojnë se në pjesët më të ftohta të Hënës si krateret në polet e saj, mund të ketë sasi më të mëdha uji.

Studimet e reja përmbysin idetë e mëparshme se sipërfaqja e Hënës është e thatë, duke i hapur rrugën shkencëtarëve që një ditë të ngrejnë një bazë të përhershme kërkimesh në Hënë.

Muajin e ardhshëm, një sondë e NASA-s për vëzhgimin e kratereve do të përplasë një satelit në polin jugor të Hënës në përpjekje për të diktuar atje ujë dhe akull.

(http://www.voanews.com/albanian)

 

 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.