VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DASH - SHTETI I KOSOVËS NUK I OFROI SIGURI AMBASADORES JACKSON

E Premte, 06.28.2013, 02:47pm (GMT1)





Prishtinë, 28 qershor   - Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar lidhur me pengimin e ambasadores amerikane në Prishtinë,  Tracey Ann Jacobson  teksa ajo po hynte në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës për të marrë pjesë në seancën e ratifikimit të Marrëveshjes Kosovë-Serbi.

DASH e ka thirrur në takim ambasadorin e Kosovës në SHBA, Akan Ismajli për t'ju ankuar për dështimin e shtetit të Kosovës për t'i ofruar sigurinë e nevojshme ambasadores Jacobson.

Ndryshe, dje janë zhvilluar protesta nga aktivistë të Lëvizje Vetëvendosje për të kundërshtuar ratifikimin e Marrëveshjes së parë ndërkombëtare për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ata kanë penguar deputetët si dhe ambasadorët e akredituar në Kosovë për të hyrë në Kuvend. Ndër të penguarit, ka qenë edhe ambasadorja amerikane, Tracey Ann Jacobson, e cila thuhet se ka qenë e penguar edhe fizikisht për të hyrë në Kuvend.

Përveç institucioneve vendore, për protestat e djeshme dhe pengimin e hyrjes së deputetëve në Kuvend, ka reaguar edhe vetë Ambasada amerikane në Kosovë. "Duke u mbështetur vazhdimisht në taktika të dhunshme, Vetëvendosja dëmton reputacionin e Kosovës së një demokracie në zhvillim", është thënë mes tjerash në reagimin e Ambasadës amerikane.


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.