Një fotografi e publikuar në rrjetin social "Twitter", në të cilën shihet dora
e mavijosur e ambasadores amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, lëndim i
marrë gjatë ditës së protestave të Vetëvendosjes, e ka bërë ministren e
Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku të ndihet e turpëruar.
Në emrin e saj personal, Çitaku i ka kërkuar falje ambasadores Jackobson për
lëndimin e marrë atë ditë, duke thënë se nuk e besonte që në Kosovë mund të
ketë njerëz që nuk e mirëpresin një ambasadore të vendit më miqësor që ka
shteti i Kosovës, respektivisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
"Po kërkoj falje në emrin tim. Ka qenë përtej imagjinatës së kujtdo. Unë po
ndihem keq që ambasadorja e një vendi mik është sulmuar pranë institucioneve të
Republikës së Kosovës nga një grup, i cili po synon të kthejë Kosovën prapa dhe
po synon që Kosovën ta shndërrojë në një arenë përplasjesh jo vetëm me
njëri-tjetrin, por edhe me miqtë tanë tradicionalë", ka thënë Çitaku.
Ndërkohë, zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje e mohojnë çdo mundësi që ambasadorja
amerikane të ketë pësuar çfarëdo lëndimi nga protestuesit. Dardan Molliqaj nga
kjo lëvizje thotë se sigurimi i ambasadores Jackobson dhe organet e rendit janë
ata që mbajnë përgjegjësi për lëndimin e lehtë të ambasadores.
Sipas tij, në ditën e protestës më 27 qershor, Vetëvendosje nuk kishte për
qëllim të ndalonte lëvizjen e asnjë ambasadori a diplomati të huaj, por vetëm
të pengonte hyrjen e deputetëve të Kuvend me qëllim që të mos lejohej
ratifikimi i marrëveshjes me Serbinë.
"Lëndimet që ia bën sigurimi ambasadores, nuk mund t'i bartë Vetëvendosja. Nuk
e kuptoj pse ambasadorja është dashur të futet përmes rrugëve anësore, qorre të
cilat nuk ekzistojnë. Futja e ambasadores ka qenë e rrethuar me policinë e
Kosovës dhe truprojat e saj personale".
"As edhe një aktivist, e ka pas edhe të pamundur, edhe po të kish tentuar, edhe
pse nuk ka tentuar, që ta prekë ambasadoren dhe për këtë ka dëshmi. Nëse
kërkohet që Vetëvendosja të distancohet nga lëndimet që i ka shkaktuar sigurimi
i saj, kjo është e pakuptimtë, sepse ne nuk kemi pas asnjë qëllim që të
lëndojmë dikë", ka thënë Molliqaj.
Ndryshe, incidenti i 27 qershorit
me ambasadoren amerikane po trajtohet në disa mënyra.
Vlerësimet janë nëse autoritetet e rendit nuk e kishin kryer si duhet punën e
tyre, ngaqë personali diplomatik gëzon të gjitha imunitetet dhe nuk lejohet që
të pengohet gjatë lëvizjeve brenda territorit të Kosovës.
Kurse në pamjet e publikuara, ambasadorja amerikane shihet se si futet në
oborrin e Kuvendit, jo me makinë, por vrap dhe nën shoqërimin e sigurimit të
saj dhe policisë së Kosovës, përderisa në afërsi shihen edhe protestues që po
përpiqeshin të pengonin hyrjet e Kuvendit.
Me atë rast, Jackobson besohet se kishte marrë një lëndim dhe pavarësisht nga
kush i kishte shkaktuar, vlerësohet si një incident që ka vënë në sprovë
Qeverinë edhe autoritetet e rendit për zbatimin e obligimeve ndërkombëtare që
kanë të bëjnë me sigurinë e diplomatëve të huaj