VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ALI LUSHAJ I KA NGRITË NJË MONUMENT SHIPSHANIT E TROPOJËS NË KULTURËN KOMBËTARE
Nga ISA HALILAJ

E Mërkurë, 07.03.2013, 07:36am (GMT1)



Lexova me kujdes librin tuaj "Shipshani i Malësisë së Gjakovës". Të lumtë! Ta them me plot gojën se ke bërë një punë dinjitoze, ndoshta më mirë se shumë të tjerë që kanë shkruar monografi të këtij lloji për vendlindjen e tyre.

Në vlerësimin e monografisë "Shipshani i Malësisë së Gjakovës" unë gjykoj në disa plane:

Së pari: ju manifestoni atdhetarizëm të pakufishëm, duke pasqyruar historinë e kulturën në truallin ku keni lindur e jeni burrëruar si pjesë e Tropojës dhe e gjithë Shqipërisë, duke punuar me tërë fuqinë tuaj shpirtërore, fizike e mendore.

Së dyti: e tregoni me vepër se të dhënat e librit tuaj janë autentike për gjithë periudhën gjysëm shekullore të shkruara me zemër të kthjellët, me vështrimin që kjo e kaluar vlerëmadhe t'i shërbejë të ardhmes, jopër t'u ngatërruar se kush unë e kush ti apo më keq ne e ju, ata e ne, por vetëm më të bashkuar si një trup i një gjaku e i një gjuhe. Ky mesazh u nevojitet brezave të ardhshëm, e këtë mesazh, libri juaj e jep më së miri.

Së treti: përmbledhja e librit tuaj ka një shtrirje enciklopedike për Shipshanin e krejt Tropojën. Aty ka histori, gjeografi, etnografi, demografi, folklor, e në qendër të të gjitha visareve qëndron e përshkruhet populli liridashës, patriot e punëtor i Shipshanit e i Tropojës, bijtë e bijat trime të atij vendi.

Ndërtimi, stili e gjuha e përdorur nga ju mjeshtërisht janë vënë në funksion të përmbajtjes së pasur e të plotë të librit.

Me mjeshtri janë zgjedhur ilustrimet dokumentare, skica dhe fotografitë e përdorura për çdo etapë zhvillimore dhe anë e sektor administrativ, ekonomik e kulturor të asaj zone.

Historia është histori, realiteti është realitet. Në gjysmën e dytë të shek. XX e në kapërcim të shekullit të ri Tropoja në mënyrë të pakundërshtueshme ka zhvillimin e vet në të gjitha fushat me arritje të pakrahasueshme që kurrësesi nuk mund të futen në thesin e harresës. Shiko qytetin "Bajram Curri", një perlë e vërtetë mes Alpeve, i denjë për t'u krahasuar me qytetet alpine të Zvicrës, Austrisë e Gjermanisë. Atë qytet e ndërtuan dhe e gëzuan tropojanët.

Kush mund ta mohojë se Tropoja ka edhe disa qyteza, hotele e pika turistike, ka patur 6 spitale, e 110 ambulanca me një shërbim falas. Kush mund ta mohojë se deri në vitin 1990 kishin kryer 1.217 veta arsimin e lartë dhe mbi 650 të tjerë e vazhdonin. Se pati, mbi 20 ndërmarrje shtetërore, nga të cilat një SMT, Parkun Automobilistik me mbi 250 automjete e 20 autobuzë, e të tjerë e të tjerë.

Pavarësisht se tranzicioni e bëri punën e tij të mbrapshtë, po ama në kushtet e reja të ekonomisë së tregut, që autori i librit nuk i futet këtij problemi, tropojanët më mirë se më parë do ta gjallërojnë jetën ekonomike të asaj zone duke i krijuar rinisë të gjitha kushtet për t'iu futur punës në vend e për t'i gëzuar të gjitha burimet e gjalla të Malësisë, mbi dhe e nën tokën e saj. Këtë mesazh e jep libri i studiuesit veteran Ali Lushaj.

Në mënyrën e tyre shumë veta janë përpjekur që të bëjnë e të kenë diçka të mirë për vendlindjen e tyre. Kanë mbjellur pemë, kanë rregulluar çezma e kanë ndërtuar lokale shërbimi e tregtie komode e të mira, kanë ndërtuar shtëpi e vila që zbukurojnë vendin, etj. Po shërbim i madh është edhe të shkruash kështu siç ka bërë Ali Lushaj. Ky libër është një monument që i ngrihet Shipshanit dhe krejt Tropojës në kulturën shqiptare, ku letërsia dhe arti në Tropojë ka patur prurje të shumta dhe dinjitoze.

Në Malësinë e Gjakovës, në çdo kohë ka rrahur fort pulsi i atdhetarizmës, i punës dhe i këngës, i sportit dhe mbarë kulturës arbërore. Në panteonin e pasur të kulturës në Tropojë ka vendosur një gur të çmuar edhe patrioti zemërmirë Ali Musë Lushaj.

-

Isa HALILAJ - Mësues i Merituar,
historian, publicist, kulturolog


ISA HALILAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.