VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MARK MARKU AKUZON PREÇ ZOGAJN - JE I LIDHUR ME SEGMENTET KRIMINALE TË SIGURIMIT TË SHTETIT
Zogaj e Marku, konflikt fizik në mjediset e News 24

E Shtunë, 07.06.2013, 10:01am (GMT1)



Preç Zogaj e Mark Marku

Ditën e hënë më 1 korrik 2013 është zhvilluar puntata e radhës e emisionit 360 gradë drejtuar nga Artur Zheji, në faqen e emisionit në facebook "Artur Zheji 360 gradë" në lidhje me këtë puntatë njoftohej: ""˜E Djathta shqiptare në fokus' është tema e emisionit të sotëm "˜360 GRADE', nga Artur Zheji... Të ftuar: 1. Eduard Zaloshnja 2. Preç Zogaj 3. Dritan Hila 4. Mark Marku. Na ndiqni në News 24, ora 21:00, mirëpresim mesazhet dhe komentet tuaja".

Emisioni është zhvilluar normalisht deri në momentin kur Preç Zogaj dhe Mark Marku, të dy ish-deputetë të PD-së në Qarkun e Lezhës, (kanë zëvendësuar njëri tjetrin, Preçi më 2005-n dhe Marku më 2009-n) kanë nisur të shkëmbejnë batuta me njëri-tjetrin në lidhje me faktin se çfarë përfaqëson e djathta shqiptare dhe sa është përfshirë ajo në Partinë Demokratike.

Marku ka këmbëngulur se humbja e PD-se erdhi prej faktit se kjo parti u shkëput nga përfaqesimi i shtresës së djathtë, kryesisht ish-të persekutuarve, të përndjekurve, nacionalistëve, etj. Marku pretendoi se duke synuar të tërheqë elektorat gri ose të majtë, PD humbi lidhjen me bazën e saj të djathtë dhe përfundoi në disfatën e rëndë të 23 qershorit. Nga ana tjetër, Zogaj deklaroi se disfata e PD-së erdhi për shkak të fenomenit të blerjes së votave kryesisht nga LSI dhe kandidatët e saj.

Në këtë moment, të dy shkëmbyen fillimisht replika të forta, të cilat më pas kaluan në fyerje personale. Marku tha se "ty Preç të kanë përzënë nga PD... librat e tu janë të turpshëm, sidomos libri "˜Nga Hiri'... se ti Preç shkuan libra sipas interesit të momentit dhe se librat e tu kundërshtojnë njëri-tjetrin". Marku e akuzoi madje Zogajn për flirtime majtas e djathtas, si "njeri pa bosht" dhe i lidhur me "segmentet kriminale të ish-sigurimit të shtetit".

Në këtë pikë replikat dolën nga kontrolli.  Zogaj iu pergjigj Markut duke e akuzuar si "një njeri mosmirënjohës" që e "katapultuan në PD dhe për inate personale i është sulur PD-së dhe Berishës..."

Në pamundësi për të shuar debatin e ashpër që kaloi në fyerje personale, moderatori Zheji kërkoi futjen e reklamave. Për të qetësuar gjakrat, ai doli nga studio së bashku me Zogajn dhe shkoi në zyrën e vet. Pak çaste më vonë në zyrën e Zhejit u pa të futej dhe Marku. Por brenda pak sekondash, të dy ish-deputetët e djathtë u panë të zihen fizikisht duke rrëmbyer dy karrige me të cilat sulmuan njëri-tjetrin.

Detajet e këtij konfikti janë konfirmuar për DITA nga burime të stafit të emisionit "360 gradë" që kanë qenë prezent. Pamjet e përplasjes fizike janë filmuar edhe nga kamerat e brendshme të mjediseve të News 24.

Një burim i DITA që ka parë këto pamje, tha se sapo të dy rivalet kane dalë në korridorin e godinës së News 24 ka ndërhyrë stafi i këtij televizioni që ka shmangur konfliktin e mëtejshëm. Preçi u largua në shenjë demonstrative nga emisioni, ndërsa Marku vazhdoi deri në fund të tij.

Kur emisioni rinisi, moderatori Zheji u mundua ta fshihte konfliktin duke deklaruar se "Zogaj u largua për shkak të një emergjence, pasi i duhej të shkruante një shkrim në një të përditshme dhe se nuk i mjaftonte më koha".

Nisur dhe nga konflikti i një viti më parë, kur Zogaj u konfliktua në të njëjtat rrethana në studion e emisionit Opinion me zv-ministrin e Transporteve, Ylli Manjani, dhe deputeten e PD-së Mesila Doda, u desh ndërhyrja e policisë së Tiranës që të shmangte konfliktin. Kjo për shkak se njerëz të afërt të Zogajt, tentuan të sulmonin dy të ftuarit e Fevziut sapo ata të dilnin nga studiot e Klanit. Konflikti i vitit të kaluar, i bërë publik nga media, u përsërit këtë të hënë gati në të njejtat permasa. Nuk dihet nëse stafi i News 24 mori masa që të shmangte një konflikt të mëtejshëm mes dy palëve dhe të largonte në kushte sigurie të plotë Markun nga godina e televizionit, apo njoftoi policinë për të siguruar largimin e Markut pa probleme drejt banesës së vet.

Botuar sot ne DITA


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.