VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Gazeta 'Shekulli', ELIDA BUÇPAPAJ - FEMRAT NË SHQIPËRI, DEKOR I MESHKUJVE Elida flet për rolin e femrës në politikë. Shqipërinë ajo e cilëson si një vend që ende nuk ka një matës të vlerave reale NGA VALERIA DEDAJ

E Shtunë, 07.06.2013, 12:32pm (GMT1)



PYETJE: A vazhdon shoqëria shqiptare të jetë ende maskiliste? Nëse po, pse?
ELIDA BUÇPAPAJ:
Po. Sipas statistikave, pjesëmarrja e femrës në Parlamentin e ri, arrin midis 17- 18%. Ato gra që janë në politikë, në fakt janë marioneta të liderëve. Kur i pyesin gazetarët, ato përgjigjen se karrierën e tyre ia dedikojnë aksh lideri. Në Shqipëri gratë në detyrat shtetërore janë në raport varësie. Në Zvicër për shembull në Bundesrat nga shtatë, tre janë femra, por këtë vend e mbajnë me zotësinë e tyre.

PYETJE: Mendoni se shanset që kanë femrat dhe meshkujt për të gjetur një punë të qëndrueshme në Shqipëri janë të barabarta?
ELIDA BUÇPAPAJ:  Vazhdoj të insistoj se në Shqipëri femrat janë dekor i meshkujve. Që të ngjallësh interes zyrtar, të pronarëve, duhet të jesh domosdoshmërisht e bukur. Meshkujt shqiptarë iu druhen femrave të zonja, sepse i shohin si rrezik. Kanë të drejtë që të druhen, por nuk kanë aspak të drejtë që të imponojnë rregullat e tyre të lojës në kundërshtim me tregun e lirë dhe meritokracinë.

PYETJE: Çfarë mendoni se gruaja shqiptare ka ende për të bërë?
ELIDA BUÇPAPAJ: Nëse do ta shpreh me numra nga 1 tek 10, mendoj se aktualisht vendi i femrës shqiptare është në start. Jo se nuk ka femra të zonja, por edhe fati i femrës ka mbetur i skllavëruar nga koniunktura politike. Femra shqiptare ka mbetur peng i së njëjtës koniunkturë ku është edhe shoqëria shqiptare prej 23 vitesh tranzicion. Për shembull, në ngjarjet e fundit në Egjipt që rrëzuan Presidentin Morsi, zgjedhur vetëm një vit më parë, midis demonstruesve dallohej roli i vajzave dhe grave. Në Shqipëri elita e grave, ose pseudoelita e kalon kohën në sallone bukurie. Ende nuk ka dalë në pah elita e vërtetë. Por de facto gjatë këtyre 23 vjetëve në vetvete femra shqiptare ka arritur të krijojë një vetëvlerësim, ngaqë vajzat shqiptare janë diplomuar me shumë sukses në universitetet më të mira perëndimore. Pra, i kanë dhënë provat se ekziston brumi për të shpresuar një emancipim afirmativ të femrës shqiptare, në kuptimin që femra të ketë rol në emancipimin e shoqërisë. Ta tundë dhe shkundë këtë shoqëri maskiliste që e ka kaq shumë të vështirë të heq dorë nga klishetë dhe që edhe tranzicionin e ka kthyer po në një klishe.

PYETJE: Sa e vlerësuar ndiheni për kontributin që jepni në profesionin tuaj?
ELIDA BUÇPAPAJ: Mendoj se shoqëria shqiptare nuk e ka ende institucionin e matjes së vlerave, përkundrazi ato maten me kut partiak dhe, në mënyrë automatike dalin se janë antivlera. Si profesioniste, në Tiranë më censurojnë, por unë botoj në Perëndim, këtu e kam publikun tim, jam shumë aktive edhe në rrjetet sociale sido- mos në Facebook. Suksesin tim e kam ndërtuar me punën time, duke konkurruar në tregun e lirë. Një nga shenjat nga të cilat do të kuptoj se në Shqipëri ka filluar ndryshimi, është nëse unë do të botoj lirisht atje, sepse aktualisht aty mbizotëron censura. (Shekulli, 6 korrik 2013)



Për më tepër klikoni në linkun më poshtë:

" Gratë në politikë, marioneta të liderëve" - * Roli i femrës në shoqërinë tonë sipas studiueses së historisë së artit Suzana Varvarica, aktores Hoxha, poetes Buçpapaj dhe regjizoreve Hoti dhe Radogoshi

http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=26608&kat=94

www.voal-online.ch VALERIA DEDAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.