VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Busek: Njohjet e reja varen shumë nga vendimi i GJNDsë
E Mërkurë, 09.30.2009, 10:31am (GMT1)

 

Në intervistën për rubrikën "Pika mbi i" në Radio Kosova (RTK), Erhard Busek president i Forumit Alpbach tha se kërkesa e Serbisë për bisedime të reja për statusin është jo realiste dhe po bëhet nga zyrtarët serbë për nevoja politike të brendshme. Ish nënkancelari austriak në vitet 1991 1995 dhe drejtuesi shumëvjeçar i Paktit të Stabilitetit Erhard Busek, aktualisht drejtor i Institutit për Studime të Evropës Qendrore dhe president i Forumit të njohur Alpbach, thotë se ndikim vendimtar për njohjet e reja të Kosovës, sidomos të pesë vendeve të Bashkimit Evropian, do të ketë vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Radio Kosova: Zoti Busek tani kur po zhvillojmë këtë intervistë ju ndodheni në Moskë, pyetja parë që më bie ndërmend është kjo: keni vërejtur ndonjë sinjal se Moska zyrtare po heq dorë nga qëndrimi i saj i ashpër kundrejt politikës së vendeve perëndimore ndaj Ballkanit. Më konkretisht, mos keni vërejtur ndonjë sinjal se Rusia po lëshon pe ndaj pavarësisë së Kosovës ?

Erhard Busek: Jo, në as një mënyrë. Vërtet, nuk por vërej ndonjë sinjal pozitiv se Rusia do ta bëjë këtë. Po shoh se qeveria ruse po pret derisa të etablohet Komisioni Evropian pas zgjedhjeve të fundit për të parë se me çfarë politika të reja do të dalë Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian. Ndonjë sinjal tjetër nuk është për tu regjistruar.

Radio Kosova: Serbia jo vetë se nuk po pranon planin e Ahtisarti, por vazhdimisht po kërkon bisedime të reja, sipas tyre për statusin e Kosovës. Së fundi kjo u tha edhe nga presidenti serb Boris Tadiq në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara.
Sa realiste është kjo kërkesë e presidentit Tadiq ?

Erhard Busek: Nuk është aspak realiste. Kjo kërkesë e Serbisë nuk përmendet fare as këtu në Moskë. As që flet ndokush për bisedime të reja për statusin. Pra, kjo nuk është temë as për Moskën zyrtare. Kjo është punë e kryer. Mendoj se kjo që thonë udhëheqësit serbë, e bëjnë për nevoja të brendshme politike në Serbi dhe jo se politikanët serbë vërtet mendojnë se ka ndonjë shans për këtë. Mendoj se së pari duhet të presim rezultatin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të parë më pas se si do të zhvillohen proceset.

Radio Kosova: Mendoni se mund të ketë ndonjë rol qëndrimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë tek vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ?

Erhard Busek: Plotësisht jam i bindur për këtë ashtu siç besoj se çfarëdo vendimi i Gjykatës së Drejtësisë nuk do ta ndryshojë qëndrimin e Serbisë për Kosovën. Para pak ditësh isha në Beograd dhe qeveritarët serbë ma thanë hapur se "çfarëdo vendimi që të sjellë Gjykata e Drejtësisë në Hagë, qoftë ai edhe pozitiv për Kosovën, ne mbesim të pa lëkundur në qëndrimin tonë"

Radio Kosova: Kemi edhe pesë vende të Bashkimit Evropian që nuk po e njohin Kosovën, mund të ndodhë që ato së shpejti ta ndërrojnë mendimin e tyre ?

Erhard Busek: Kjo varet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Për shumicën e këtyre vendeve arsyeja e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës lidhet me problemet e brendshme që kanë dhe aspak drejtpërdrejt me Kosovën.

Radio Kosova: Si e vlerësoni bashkëpunimin policor midis policisë së EULEX-it dhe policisë së Serbisë që është vendosur përmes një protokolli të nënshkruar ditë më parë ?

Erhard Busek: Të ju them të drejtën me këtë problematik nuk jam marrë dhe më mirë preferoj të mos flas për atë se çfarë problemesh mund të prodhojë ajo marrëveshje.

Radio Kosova: Një pyetje për zgjedhjet komunale të 15 nëntorit, a shini mundësinë që serbët më në fund të ndërpresin bojkotin dhe të dalin në këto zgjedhje ? Beogradi edhe kësaj radhe ka folur kundër daljes së serbëve në zgjedhjet komunale të Republikës së Kosovës.

Erhard Busek: Është në interesin e serbëve që të veprojnë të pavarur nga Beogradi dhe të marrin përgjegjësinë për veten në Kosovë. Shumë më mirë u bie të inkuadrohen në jetën politike në Kosovë se sa të dëgjojnë komandat që u vijnë nga Beogradi

Radio Kosova: Ku e shihni sot Kosovën e pavarur në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane ?

Erhard Busek: Mendoj se kjo varet nga plotësimi i kushteve që Bashkimi Evropian i ka vendosur për vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në BE dhe në këtë drejtim Kosova mendoj ka edhe shumë rrugë për të bërë.

Radio Kosova: Sa është e rëndësishme perspektiva e evropiane për Kosovën parë nga fokusi i stabilitetit ekonomik dhe stabilitetit në përgjithësi në rajon?

Erhard Busek: Mendoj se perspektiva evropiane për Kosovën është një faktor me shumë rëndësi për stabilitetin e rajonit, por kjo varet nga vetë Kosova sa a do të përmbush konditat e BE për anëtarësim. Mendoj se Kosova duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të përmirësuar situatën ekonomike dhe sociale në vend kjo është me shumë rëndësi.

Radio Kosova: Nga janari 2010 BE po heq vizat për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, por jo për Shqipërinë, Bosnjën dhe Kosovën ?

Erhard Busek: Kjo është për të ardhur keq, mendoj se duhet hequr vizat edhe për këto tri vende dhe kjo sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që të tria vendet, Shqipëria, Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina të mos izolohen, sepse përjashtimi i tyre nga heqja e vizave nuk i shërben stabilitetit në rajon.

Radio Kosova: Është e tëra një çështje teknike siç thoni ju, apo në këtë rast bëhet fjalë edhe për një prapavijë politike ?

Erhard Busek: Argumentimi është teknik, kështu thuhet nga Bashkimi Evropian. Por ky argument mund të bie sapo të përmbushen kushtet teknike për të cilat flitet nga ana e BE-së. Kjo është në dorën tuaj që ta bëni. Tek pastaj mund të shihet nëse ka pasur prapavijë politike. (http://www.rtklive.com)



 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.