VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Zjarri në manastirin Bigorski, digjen fakte shqiptare
E Premte, 10.02.2009, 05:39pm (GMT1)

 

 

 

Historianët shqiptarë kanë nxjerrur në pah dyshimet se me djegien e bibliotekës së këtij manastiri janë zhdukur shumë dëshmi, libra, dokumente dhe arkiva në gjuhën shqipe, për shkak se deri vonë në këtë manastir kanë shërbyer murgjë vendor shqiptarë, të konfesionit ortodoks nga Reka e Keqe

Historianët shqiptarë djegien e manastirit "Shën Jovan Bigorski" apo siç e njohin ate nga historigrafia si "Manastiri Mbigur" e shohin si një goditje e rëndë për faktet historike dhe dëshmitë e historisë shqiptare të trevave të Rekës së Gostivarit, një zonë e populluar tradicionale me shqiptarë ortodoksë. Sot ky kompleks i manastirit Shën Jovan Bigorski gjendet mes Gostivarit dhe Dibrës në afërsi të fshatit Rostushë, Bitushë, Trebishtë, përreth Radikës.

Historianët shqiptarë kanë nxjerrë në pah dyshimet se me djegien e bibliotekës së këtij manastiri janë zhdukur shumë dëshmi, libra, dokumente dhe arkiva në gjuhën shqipe, për shkak se deri vonë në këtë manastir kanë shërbyer murgjë vendorë shqiptarë, të konfesionit ortodoks nga Reka e Keqe. Ngjarja makabre ka ndodhur të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa me këtë kanë ngelur shumë mistere se përse u dogj biblioteka dhe pjesa e vjetëruar me vlera të pakrahasueshme e këtij manastiri që gjendet në zonën kryesisht të banuar me popullësi shqiptare.

Faktet historike flasin se manastiri Shën Bigorski daton që nga shekulli 11 dhe është manastrit arbëror. "Jemi të bindur se atje kishte thesarë dokumentesh, jo vetëm kishtare, por edhe fakte për historinë dhe trashëgiminë shqiptare të kësaj zone. Aty ka pasur dokumente me vlerë nga shekujt 15, 16 dhe 17 dhe tanimë është shuar çdo gjurmë", ka theksuar kryetari i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë (SHHSH), prof.dr. Nebi Dervishi. Ai ka shtuar se kjo është një humbje e madhe e popullit shqiptarë dhe nuk duhet të humbet një vlerë e tillë, karshi propagandës së egër sllave për të përvetësuar objektet tradicionale fetare shqiptare.

"Ky manastir është i njohur me emrin Mbigur, dhe se ai ka qenë i të parëve tanë, edhe pse më vonë në mënyrë naive u shua dhe u hoq dorë nga këto tempuj të lashtësisë sonë", ka theksuar profesor Dervishi. Historianët dëshmojnë se deri në fillim të shekullit 20 edhe në këtë manastir ritet dhe ritualet janë bërë në gjuhën shqipe dhe kleri ka qenë shqiptaro-ortodoks, por duke filluar në vitet e para të shekullit 20 ngadalë ai është sllavizuar dhe është përvetësuar nga klerikët ortodoks maqedonas e serb. Manastiri i Shën Bigorit ka qenë edhe një pikë e rëndësishme historike në periudhën e Skenderbeut, duke qenë një vatër shqiptare e asaj kohe që përfshinte zonën e Dibrës së Madhe dhe Ohrit.

Ky komplesk me vlera të ortodoksisë shqiptare është dëshmuar për traditën e tij edhe nga historiani, prof.dr. Vehbi Xhemaili. "Kisha Shën Jovan Bigorski i takon kishës së periudhës bizantine me qendër në Stamboll dhe ka luajtur një rol të madh kulturor, arsimor të trevave të Rekës, të shqiptarëve të Rekës. Gjatë gjithë periudhës në këtë kishë peligrenazhet janë bërë në gjuhën shqipe deri me ardhjen e serbëve në këto troje , në vitin 1912", ka theksuar historiani Xhemaili, duke shtuar se kjo zonë vazhdimisht ka qenë nën presionet e pushteteve sllave për t`u sllavizuar dhe për të hequr dorë nga vlerat tradicionale kombëtare shqiptare. (http://www.ina-online.net)

 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.