E Martë, 04.23.2024, 11:38am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 

Muri i Berlinit dhe letërsia që di unë

Nga Visar ZHITI


E Shtunë, 10.03.2009, 09:11am (GMT+1)

 

Prolog i vogël:

Në kohën kur shembej Muri i Berlinit, në vendin tim hiqeshin statujat e fundit të Leninit dhe të Stalinit, kurse shtatorja e lartë e diktatorit Enver Hoxha u rrëzua nga turmat, që ishin ngritur në protesta dhe u zvarrit si një përbindësh i bronztë rrugëve të kryeqytetit.

 

Rastësisht u njoha me një gjerman, që kishte ruajtur copëza gurësh nga Muri i Berlinit. I kërkoj një. "Po më dhe ndonjë copë nga statuja e diktatorit tuaj", - më tha. Dhe kështu bëmë shkëmbimin në natyrë, i dhashë pak mermer nga piedestali i Enver Hoxhës dhe mora një copëz guri nga Muri i Berlinit. Teksa e mbaja në dorë, përveç të tjerash, mendova dhe këtë metaforë tronditëse për mua. Statuja e diktatorit mund të barazohej me muret, që ndanin atdheun nga vendet e tjera, nga Europa, ne brenda na ndante dhunshëm me njëri-tjetrin, madje secilin e ndante tragjikisht nga vetvetja.

 

Mendoni letërsinë nën të tilla mure.

 

Ndërkaq dua të shtoj se në demonstratat tona në Shqipëri, kur sapo ishte shembur Muri i Berlinit, studentët dhe turmat e revoltuara, që bërtisnin: "E duam Shqipërinë si gjithë Europa", ngrinin lart dhe dy portrete shkrimtarësh shqiptarë, atë të Ismail Kadaresë dhe të Rexhep Qoses, ky i dyti nga Kosova, mes të cilëve kohët e fundit plasi një konflikt për identitetin europian të shqiptarëve, ndërkohë, së fundmi fare, kritiku Qose hodhi në shtyp mendimin provokues se, letërsia shqipe nuk është në nivelin europian. Menjëherë e kundërshtuan disa shkrimtarë të tjerë, duke thënë se letërsia shqipe është në nivelin europian.

 

Pata rast të ndërhyj dhe unë në një gazetë shqiptare. Thashë që letërsia shqipe thjesht është letërsi europiane, se shkruhet nga shkrimtarët e një populli që jeton në Europë. Këtë mendim kishte dhe një albanalog kanadez, kurse një shkrimtar rumun do të thoshte në mënyrë paradoksale se, letërsia shqipe është më e fortë se Shqipëria.

 

Në ndërhyrjen time në gazetë shtoja se ne kemi çështje më të rëndësishme. Ndër të tjera mund të diskutohet për letërsinë dhe rolin e saj në robëri dhe në liri, para dhe pas rënies së Murit të Berlinit ose shtatores së diktatorit, se, siç thashë, janë e njëjta gjë.

 

Në Shqipëri, ku ishte e ndaluar disidenca dhe fjala e lirë, ku janë dënuar shkrimtarë, varre shkrimtarësh dhe libra, madje ka ndodhur ajo që s'ka ndodhur kurrkund në asnjë kohë, as në rendin skllavopronar e as në mesjetë, ka qenë e dënuar metafora, prandaj dhe janë pushkatuar poetë, ndërsa në mbarim të shekullit XX, ku u krye kriminalisht varja e fundit në të gjithë perandorinë komuniste, në mes të qytetit ngritën trekëmbëshin e Havzi Nelës, bashkëvuajtësi im në burg, i cili, i pari dhe i vetmi kishte shkruar një poezi për të drejtat e njeriut, kur ishte e ndaluar të përmendej Helsinki. Nejse, dua të them se në Shqipëri tani ka dhe një letërsi tjetër, që vjen nga ferri, del nga burgjet dhe balta e internimeve, ringjallet nga varret. Kjo letërsi nuk është kundër letërsisë, siç i trembeshin, thjesht sjell vetveten.

 

Po vazhdoj...

 

Dy gjysmat e një letërsie me realitete të ndryshme

 

Letërsia shqipe ka qenë e ndarë me një Mur të trashë Berlini. Gjysma zhvillohej në Republikën Socialiste të Shqipërisë dhe gjysma tjetër në Kosovë, por dhe në Maqedoni e Mal të Zi në ish-Jugosllavi dhe më tej akoma, në diasporë, në Itali e SHBA. Dhe gjysmat e letërsisë shqipe pothuaj nuk komunikonin me njëra-tjetrën. Njëri vëlla siamez ishte i vdekur për tjetrin.

 

Kur Shqipëria socialiste u mbyll dhe u bë si një kështjellë-burg kafkiano-buzzatiano-kadareane, me burgje të tjera të vegjël brenda, kur, për një gjysmë shekulli, shtypej gjithçka për të ndërtuar një utopi dhe eksperimentohej monstra e njeriut të ri, kur njeriu më shumë është i vjetër dhe i ri gjithmonë, i shenjtë, teksa prisheshin me radhë vlerat e së kaluarës, në traditë dhe në kulturë, ishte e detyruar të ushtrohej vetëm metoda e realizmit socialist, veprat e së cilës u ngjanin tullave të një muri ndarës. I këndohej vetëm komunizmit që do të vinte, me poema e romane, partisë dhe diktatorit, pa lejuar të merreshe me realitetin.

 

Gjithçka tjetër ishte e ndaluar, sidomos po të vinte nga Perëndimi e sidomos nga Italia, që ishte afër dhe që regjimi i gëzohej faktit se mes dy vendeve tona kishte një mur të madh prej uji, që dallgëzonte: deti.

 

Megjithatë, e kam thënë dhe herë tjetër, letërsia e vërtetë gjente mënyra dhe forma për të qenë vetvetja, jo paralel me letërsinë e realizmit socialist, pronë e shtetit, as si pasqyrim i përmbysur i saj.

 

Letërsisë shqipe i duhej të qëndronte, të gjente mënyrat për të kundërshtuar dhe, sipas meje, këto janë interesante për t'i rrëfyer...

 

E para. Jo, po filloj nga e dyta, lejomëni.

 

Mos do të ishte më mirë ta nisja nga e treta? Për t'u kuptuar, ndoshta, shërben kapërcimi, si në një mur, që për ta kaluar, gjendet vendi më i përshtatshëm.

Letërsia shqipe, ajo, e rralla, që i shmangej socrealizmit, në vitet e diktaturës për të kundërshtuar absurdin dhe për të përballuar diktaturën, ka përdorur metaforën dhe gjuhën e Ezopit, edhe kur ato ndaloheshin, sidomos poezia me emrat e njohur tradicionalë, kur s'kuptohej në donin përmirësim të regjimit a ndryshim të tij.

Proza arrinte ndonjëherë të shtirej sikur po rrëfente një fabul a ndodhi të kohërave të tjera apo të vendeve të tjera, pra, jo të Shqipërisë socialiste, por të largëta, larg, e megjithatë aludimet kuptoheshin. Edhe nëntekstet. Shumë romane të shkrimtarit më të njohur, Ismail Kadare, merrnin subjekte dhe nga lashtësia dhe mitet, ai arrinte të bënte autopsinë e shtetit perandorak osman për të kuptuar burokracinë vrastare të shtetit aktual, denonconte komunizmin në Moskë apo në Kinë, absurdin dhe shtypjen që në Shqipëri ishin më keq.

Së katërti, letërsia e përkthyer në Shqipëri ka ndikur në emancipimin e lexuesit, në kthjellimin e mendjeve. Ne kemi një shkollë të mirë përkthimi, sidomos të klasikëve. Homerin e ka përkthyer një i burgosur, Gjon Shllaku, kurse Danten, një tjetër i burgosur, Pashko Gjeçi. I pari mundi të shkojë në Greqi vetëm kur ra Muri i Berlinit dhe i dyti, s'mund të vinte dot në Itali, ku kishte studiuar, për shkak të sëmundjeve të rënda që mori burgjeve.

 

Shpesh në Shqipëri nuk vihej emri i përkthyesve nëpër botime, si p.sh. Dramat e Lorkës, shqipëruar nga i burgosuri i përhershëm Kasem Trebeshina apo romaneve të Kadaresë në frëngjisht, që i përkthente virtuozi Jusuf Vrioni, fisnik i burgosur ashtu siç nuk vihej dhe mbi librat e diktatorit që përkthente po ai. Këtë bënim dhe me botimet në italisht të poetit Kudret Kokoshi, i burgosur dhe ai. Në shqip ishin tashmë Shekspiri dhe Servantesi apo dhe një pjesë e "Dekameronit" të Bokaçios, p.sh., që pastaj ndaloheshin (!?!). U ndalua dhe romani "Çoçarja" i Moravias, p.sh. Po kështu u ndaluan Hemingueji si amerikan, Esenini, liriku rus, fshatari i zhgënjimeve të mëdha nga revolucioni, por edhe Lukreci i lashtë, s'dihet pse, patjetër nën ndikimin e revolucionit kulturor kinez, edhe Remarku, përkthyer shkëlqyeshëm nga hebreu Robert Shvarc, që e modernizoi shqipen e përkthimeve.

 

Kurse modernët s'lejohej të përktheheshin. As që bëhej fjalë për Kafkën e Xhojsin, Kamynë apo Joneskun. Sidomos po të ishin gjallë autorët e huaj, qofshin dhe komunistë, sepse mund "të tradhtonin" kauzën. Por kur lexonim për diktaturat e Amerikës Latine, Asturiasin, p.sh., nënkuptonim dhe tonën.

 

Ndërkaq përktheheshin shkrimtarë afrikanë dhe nga ata që s'njiheshin fare as në vendet e tyre. Ribotoheshin klasikët e socializmit si Gorki, Fadajevi, Majakovskij, Go Mo Zho, Mao Ce Dun, por edhe romantiku i madh europian Hygo, apo ai i realizmit kritik, Balzaku, që njiheshin mirë tek ne, se i kishte pëlqyer në rininë e vet në Francë diktatori ynë Enver Hoxha, por botoheshin me pjesë të hequra, kapituj të tërë, të papërshtatshëm ose siç thuhej ndër ne atëhere: me gabime ideore apo kufizime, që gjithsesi kanë ndikuar në mendësinë, formimin dhe shijet e lexuesit shqiptar, që të mos ishin aq të egra dhe të shkreta njëkohësisht sa ç'donte t'i bënte realizmi ynë socialist.

 

Së pesti, do të thosha se gjinia letrare e humorit, një pjesë nga satirat, skeçet e komeditë nga estradat shqiptare, që duke mos e marrë shumë seriozisht rrezikun e tyre, shteti s'e vinte re se si janë tallur duke krijuar një si pakënaqësi qesharake, të përgjithshme, të pakuptimtë, anonime, qoftë dhe pa dashje. Janë krijuar qindra dhe mijëra barcoleta dhe folklor opozitar, sidomos në qytetin verior të Shkodrës, ndoshta me humorin më të hidhur në të gjithë perandorinë komuniste, sa arriti puna që dhe të burgoseshin përhapësit e tyre.

 

Së gjashti, në Shqipërinë socialiste, arratisej, sado pak, letërsi nga Kosova, si një alternativë e letërsisë shqipe, më me liri dhe më me modernitet, me vokacion identitetin, sidomos në poezi me poetët më të njohur si Ali Podrimja, Azem Shkreli, etj, dhe me prozatorët si Anton Pashku, të lexuar fshehurazi, etj. Andej, shihnim, se lejoheshin forma të ndryshme letrare, metafora e dënuar, sinteza, ironia, protesta dhe përktheheshin kontemporanët, që kalonin fshehurazi kufirin si trakte...

Së shtati, nëse kishte një letërsi të socrealizmit, brohëritëse, mediokre, vrastare, që vetëm himnizonte deri në marrëzi partinë dhe sistemin (pati vende si Rumania, që e përdorën lavdërimin e tepruar për të krijuar efekte të kundërta), në Shqipëri, shkrimtarët e politizuar, fanatikë, ortodoksë, pa qenë të ndërgjegjësuar për antimisionin, shpesh me talent të pamjaftueshëm, që denonconin kolegët e tyre, etj, etj, bënë që të neveritej kjo lloj letërsie, edhe pse sunduese.

Tani të kthehemi te ajo që lashë, te çështja e dytë. Në Shqipëri herë pas here dilnin libra nga qarkullimi, komplotoheshin me heshtje ose ndaloheshin, sepse u gjendeshin gabime ideo-politike në përmbajtje, metafora dhe gjuha e Ezopit që thashë më lart, apo që s'u pëlqente forma.

Pra, ne kishim vepra të ndaluara të autorëve të pandaluar.

Shembuj: goditeshin romane të shkrimtarit Petro Marko si "Qyteti i fundit", bashkë me to dhe vetë autori apo romani "Tuneli" i Dh. Xhuvanit, "Ata të tre e të tjerë" i K. Kostës, poema të Viktor Qurkut, Faslli Halitit, Bardhyl Londos, etj., ndërsa autorët çoheshin të punonin kantiereve apo fermave ose kritikoheshin ashpër. Ndodhte të dilte nga qarkullimi dhe të komplotohej me heshtje dhe ndonjë libër i shkrimtarit të mirëbesuar Dritëro Agolli, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptarë, etj., dhe shpesh e më shpesh kritikoheshin apo komplotoheshin me heshtje ose ndaloheshin përgjysmë apo fare dhe u kërkohej një variant tjetër i pranueshëm veprave të Ismail Kadaresë, si p.sh. romani "Dimri i vetmisë së madhe", që u bë "Dimri i madh", apo "Nëpunësi i pallatit të ëndrrave", për të cilin u mblodh dhe një plenium partie dhe e kërcënoi autorin, s'dihej ç'ndëshkim do të mund ta gjente, edhe flakja në "ferr", ku qenë mbyllur të pavdekur kundërshtarët e pandreqshëm.

 

Dhe dalim tek e para tani, infernalja, danteskja, armiqësorja dhe e rrezikshmja, e fshehta, e panjohura. Te letërsia tjetër, që kundërshtoi hapur, desidente, e shkrimtarëve të arratisur apo të mbyllur burgjeve apo varreve.

 

Librat e tyre, së bashku me një pjesë të letërsisë të së kaluarës, çoheshin në fabrikë të letrës për t'u ricikluar në letër të bardhë, sterile si harrimi. Për fat të keq, kjo letërsi atëhere ishte e detyruar të mbetej e panjohur për lexuesin e gjerë, pra, pa ndikim në atë gjysmë shekulli diktatorial, kur vepronte shfarosshëm socrealizmi. Pjesa tjetër e saj mbruhej fshehurazi, nën tokë dhe priste përmbysjen të dilte.

 

Masakra nisi me poetin Gjergj Fishta, Homeri i fundit në Ballkan, akademik në Itali, i propozuar për çmimin "Nobel", të cilit i ishte ndaluar edhe vdekja, as i vdekur s'pranohej, i kishin prishur dhe varrin në një kishë dhe eshtrat ia kishin hedhur në lumë. Eposi i tij u ndalua rreptësisht.

 

Por shkrimtari tjetër i ndaluar Ernest Koliqi, i mërguar politik në Romë, themelues i tregimit modern shqiptar, do të parashikonte në një dramë të tij qysh në vitet '70 rënien e komunizmit. Pra, do të ishte, sipas meje, një lloj Xhorxh Oruelli pozitiv, një autor anti-"1984". Vepra e tij i bën nder gjithë inteligjencës së Europës Lindore.

 

Do të çanin telat me gjemba dhe do të arratiseshin nga Shqipëria, Martin Camaj, Arshi Pipa. Ky i fundit, me të dalë nga burgu, nga Jugosllavia do të vinte në Itali, ku do të botonte sonetet e famshëm të kanalit, që i kishte marrë me vete, të shkruara mbi letra të holla cigaresh, kur punonte si i burgosur në tharjen e një kënete. Më vonë do të arratisej dhe tregimtari brilant Bilal Xhaferri dhe do të hapte një gazetë në Çikago. Mbetën burgjeve rebeli Kasem Trebeshina, romancier i papajtueshëm, as me veten, i lodhur së qeni shqiptar dhe do të vetëshpallej së fundmi si turk, apo Lazër Radi, gazetar dhe poet, i laueruar në Romë, do të burgosej liriku qytetar Frederik Reshpja, që do të guxonte të mos e pranonte akuzën se qe shkruar me gabime ortografike, do të dënohej me vdekje Pjetër Arbnori, por ia falën jetën pa e ditur se më vonë do të bëhej kryetar i Parlamentit pluralist shqiptar dhe do të botonte romanet e shkruara në burg, me emër tjetër, gjoja se ishin përkthime. Edhe romanet e të burgosurit Astrit Delvina, i diplomuar në Itali, do të botoheshin pas vdekjes së tij, kur askush s'e dinte se ai kishte qenë gjallë dikur.

 

Dua të kujtoj dhe një grua, yll, e bukur, shkrimtaren Musine Kokalari, e laueruar dhe ajo për letërsi në Itali, që ka patur korrespondencë, thuhej, me shkrimtarin Alberto Moravia, e futën në burg si kundërshtare, donte të themelonte një parti demokratike. Vdiq e vetmuar, e hodhën në karrocerinë e një kamioni zhavori.

 

Edhe unë u dënova vetëm dhe vetëm për poezi, sepse nuk ishin të realizmit socialist, por të trishtuara, pesimiste, me metafora. Po isha dhe biri i Hekuran Zhitit, edhe ai i dënuar, edhe krijimtaria e tij, dramat dhe poemat.

 

Në burg do të gjeja shkrimtarë si Halil Laze, që nuk shkruante dot, por i tregonte ato që do të donte të shkruante apo piktorët Edison Gjergo, Ali Osekun, Valeri Dyrzi-Tarasov, arkitektin Maks Velo, kritikun e teatrit, Miho Gjini, muzikantë dhe këngëtarë sepse donin Bahun apo Wagnerin apo Celentanon e vendit në bregun përtej, etj.

Në burgun klasik të Burrelit ishin dhe dramaturgu Fadil Paçrami, që partia në pushtet e kishte nxjerrë nga skena e vet siç kishte nxjerrë më parë profesorin e Marksizmit në Moskë, Sejfulla Malëshovën apo Mehmet Myftiun, autori i romanit të parë desident në klandestinitet.

 

Në burg do të shkruante ditarin e tij Fatos Lubonja, romanet e tij Spartak Ngjela dhe do të vinte dhe shkrimtari Bashkim Shehu, djali i kryeministrit të diktaturës, që ende s'dihet, u vetëvra apo e vranë.

 

Një pjesë e të dënuarve mbeti pavdekësisht nëndhe, u pushkatuan, kryesisht nga radhët e klerit katolik. U vranë poeti dhe studiuesi Bernandin Palaj, Anton Arapi, Viçens Prenushi. Trifon Xhagjika, i cili recitoi dhe një poezi në sallën e gjyqit "Atdheu është lakuriq". Në burg mbylli sytë dramaturgu Ethem Haxhiademi.

 

U pushkatuan poetët e rinj Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, me akt-ekspertizë nga kolegë, njëra grua, shkrimtare e përkthyer dhe në Itali, me emër perëndeshe, atë të gjuetisë, me hark në dorë, i cili do të shndërrohej në pushkët e skuadrës së pushkatimit.

 

Gjyqtarët e tyre përsëri janë gjyqtarë. Kemi bërë detyrën, thonë, kur i ngacmon ndonjë gazetë a ndonjë libër i ri. Po detyrën e njeriut kur do ta bëjnë? A do të pendohen, a do të kërkojnë falje ndonjëherë ata që bënë diktaturën, edhe pse kanë dalë vepra monumentale nga të burgosurit politikë si ajo e At Zef Pllumit, që kanë tronditur opinionin...

Një sekret i imi si Intermexo:

...Më burgosën kur isha 26 vjeç, mësues në një fshat në kufi me Kosovën, ngaqë kisha shkruar poezi pesimiste dhe hermetike. Nuk lejohej të ishe i dëshpëruar, edhe pse ishin kushtet e tilla dhe më mbyllën më hermetikisht se ç'ishin poezitë e mia. Akt-ekspertizën nuk e bënë policët e censurës, as hetues e prokurorë, por shkrimtarë të socrealizmit.

 

Dhe u dënova me 10 vjet burg, por dhe që të mos shkruaj më e të mos botoj kurrë. Në qeli vërtet ishte e pamundur të shkruaje, qenë të ndaluara letrat, pena dhe libri. Të ndaluara ishin dhe tjetri dhe vetja. Kam treguar në librat e mi se kam krijuar poezi me mend dhe jo pak, kam treguar se si ka vepruar ai mekanizëm, aq sa fillova të besoj këmbëngulshëm se Homeri i verbër ka ekzistuar.

 

Në kampin me të burgosur, ku ishim qindra dhe mijëra, një miku im më tha: poezitë na i shpërnda, që t'i mësojmë dhe ne, se ti ndoshta vritesh në minierën ku punonim si skllevër, pse të humbin dhe poezitë bashkë me ty. Ashtu bëmë. Dhe po guxoja të shkruaja poezi, kuptohet fshehurazi, nga që lejohej të shkruaje dy letra në muaj familjes, kurse denoncime mund të bëje çdo ditë. Pra bëja sikur po shkruaja letrën e radhës a denoncimin tim te Zoti.

 

Poezitë i fshihnim në thasët me ushqime, në kashtën e dyshekut, brenda në këpucë, nën tokë, shumë shokëve u janë kalbur dorëshkrimet, unë pata fatin t'i nxjerr e ta botoj shumicën më vonë. Por duhet thënë se ne krijuam ashtu dhe lexuesin e fshehtë në burg, që ishte i dënueshëm, po të zbulohej, po aq sa autorët. Mirënjohës atyre, që jo vetëm nuk na spiunuan, por dhe na mbajtën.

 

Krijoja aq sa mundja, më shumë, kudo, me mend, në rresht, në punë, në deliret e gjumit, i rishkruaja, doja të dëshmoja, doja të lija testamentin tim.

 

Por e vërteta është dhe më e thellë. Ja sekreti im: krijoja, jo sepse besoja verbërisht në to, as te botimi i tyre, që as guxoja ta ëndërroja, fama s'më interesonte fare, se më mungonte jeta, por, duke shkruar si i marrë, doja të shpikja emocionin e njeriut, emocionin e rrallë dhe të bukur dhe në ferr, atë të ndaluarin. Se në çastin që unë krijoja, arrija lirinë time, ekstazën dhe telat me gjemba, si një lloj Muri Berlini, por më banal, vetë armët e ushtarëve të rrethimit, burgu i gjithë, atdheu-burg bëheshin të pavlefshëm. Fantazma ime dilte sonambul dhe endej e lirë kudo.

 

Kur krijon, atë çast s'je kurrkund, as në burg dhe njëkohësisht je kudo, bashkë me të gjithë poetët e botës, që në atë çast po shkruanin, me të gjithë ata që në atë çast po lexonin një poezi, le të ishte e vogël, si puthja me të vdekurin.

 

Unë prodhoja fshehurazi emocionin tim të të gjallit, ribëja jetën time.

 

Një komb, dy shtete Po letërsia e tyre?

 

Vazhdojmë, letërsia sot. Letërsia shqipe beson se është më e mirë se kurrë. Dhe mbase ashtu është vërtet. E lirë dhe bashkë si asnjëherë. Telat me gjemba të kufirit ashtu si Muri i Berlinit janë një ankth i keq, i tejkaluar, edhe pse aviten shpesh fantazmërisht dhe ngjallin frikë.

 

Letërsia shqipe zhvillohet në dy shtete shqiptare, në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën më të re në botë, në atë të Kosovës, po dhe në Maqedoni, Mal të Zi, në diasporë, në Greqi e Itali, Gjermani e Francë e SHBA. Ka pjesën e saj tokësore, që është proza, sipas meje, atë qiellore, le të themi poezia më e mirë, dhe atë të nëndheshme, të ndaluarën, që solli të vërtetën dhe moralin, për të cilat, besoj, se letërsia ka nevojë patjetër dhe për to.

 

Po lulëzojnë metafora, realizmi magjik i tipit shqiptar, ironia, zvetënimi, por edhe banaliteti, më shumë se sa dashuria. Ka pak ideale, pak karaktere, hije më shumë, antiheronj, ekzistencializëm dhe absurd, vlera artistike dhe aluvione të fjalës.

 

Letërsia nuk ka frikë më, por sipas meje, ata që shkruajnë mund të mos ia kenë frikën asgjëje, asnjë lloj burgu e muri, është tjetër gjë kujdesi, mund të mos kesh frikë as nga frika, por asaj që shkruajnë duhet t'i tremben medoemos. Letërsia duhet të trembet nga vetvetja.

 

Sot në Shqipëri dalim më shumë se dy libra në ditë, të të gjitha llojeve, poezi me tepri dhe prozë me të vërtetë prozë, tregime ose bashkime të tyret që përzgjaten në romane, ese pak dhe kujtime, kujtojnë ish-të burgosurit dhe ish-persekutorët, megjithatë s'bëhet dhe aq për kujtesën kolektive, sjellin histori, sociologji, erotikë e rëndomtë, përkthime, modernët e munguar, filozofët e ndaluar, Niçe, Frodi, Kiergegard, nobelistët, madje dhe të gjallët, i fundmi fare, megjithëse përkthehen shpejt e shpesh pa leje të autorit a botuesit, hajdutëshe.

 

Teksa kërkohet të rishkruhet dhe historia e letërsisë shqipe, ndodh që një vogëlushe 12-vjeçare të botojë romanin e saj të parë, kurse një 70-vjeçar të botojë librin e parë me poezi. Shkrimtarët e socrealizmit të mërzitshëm tani janë bërë ekzistencialë, ca kanë humbur më shumë e ca kanë patur sukses më shumë.

 

Kadare vazhdon të jetë në krye. Zija Cela në Tiranë, Mehmet Kraja në Prishtinë, Luan Starova dhe Kim Mehmeti në Maqedoni, Ardian-Cristian Kuçuku në Rumani, etj., po sjellin realitete të reja letrare me një nivel të lartë artistik, - ëuropian, do të thosha, po të isha futur në polemikën që përmenda në krye.

 

Gjithashtu ka një përmbysje në koncepte: Forma ka marrë rëndësinë më të madhe se sa Përmbajtja.

 

Dukuri kryesore, sipas meje, mund të jenë:

- zbulimi i vlerave të mbuluara,

- rizbulimi ndryshe i asaj që ishte

- prurjet e vlerave të reja.

- ndryshimet në hierarkinë e vlerave

 

Nuk vendos më shteti për rëndësinë e veprave dhe të autorëve, megjithëse lipset që shteti të bëjë më shumë për kulturën, librin dhe krijuesit dhe ndjehen tradicionalizmi dhe ndikimet politike ndonjëherë. Shkrimtari ndjehet pa mbështetje, madje me një realitet kundër, indiferencë kërcënuese, por ama janë hapur librari të mëdha si në Romë e Paris e shkrimtari është i lirë të ikë kudo, madje edhe të çmendet.

 

Është interesante të tregohet dhe një dukuri e re. Shqiptarët po mërgojnë, jo vetëm në vende të tjera, por dhe në gjuhë të tjera, po i shkruajnë veprat e tyre në anglisht e frëngjisht, gjuhë me të cilën së fundmi Jusuf Vrioni botoi kujtimet e tij të burgut, kurse në italisht Amik Kasoruho, Eugjen Merlika, kurse bij të ish-të burgosurve po shkruajnë romanet e tyre. Siç duket, për vuajtjet tona s'mjaftoka një brez dhe as vetëm një gjuhë. Kanë spikatur Ornela Vorpsi dhe Ron Kubati.

 

Dua të kujtoj këtu dhe shkrimtaren Elvira Dones si dhe poetin Gëzim Hajdari, që po shkruan njëherësh në të dy gjuhët, duke dhënë më mirë se kushdo odisenë e emigrantit.

 

Të jesh shkrimtar shqiptar është dhe aventurë vuajtjeje, ku fati tregohet shumë i kursyer, se vërtet ke privilegjin të shkruash në një gjuhë të lashtë indo-europiane, gjuhë hyjnore, gjuhë perëndish, siç thoshin rilindësit tanë, por tani s'ka më as gjysmë perëndish dhe këtë gjuhë e flasin jo më shumë se 7-8 milionë njerëz, të ndarë në disa shtete në Ballkan, ku herë pas here shpina e tjetrit, e institucioneve, madje dhe shpina e madhe e Europës, të nëpërmendin Murin e Berlinit, që edhe pse i shembur, është i rrezikshëm dhe si kujtim.

 

Letërsia shqipe po bashkon copat e saj tani. Kështu më duket. Edhe shkrimtarët shqiptarë po mbledhin gjymtyrët e tyre pas katastrofës. Mjafton dhe kaq për të besuar te letërsia.
Visar Zhiti


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Zjarri në manastirin Bigorski, digjen fakte shqiptare (10.02.2009)
ANSA: Në Fushë Kosovë u helmuan vajza të moshës 14 deri 16 vjeçare (10.02.2009)
Përse u arrestua Roman Polanski tani ?Nga Robert Harris, Kingsbury, England (10.01.2009)
Qeveria dhe Enciklopedia i helmuan të rinjtë (10.01.2009)
Busek: Njohjet e reja varen shumë nga vendimi i GJNDsë (09.30.2009)
Hyseni: Iraku e Mariutania premtojnë njohjen e Kosovës (09.30.2009)
Shqiptarët në Maqedoni protestojnë kundër enciklopedisë (09.29.2009)
Greqi: Maqedonia shtrembëron historinë (09.29.2009)
Komisioni Evropian: Serbia ta trajtojë kufirin me Kosovën si kufi shtetëror (09.29.2009)
Ballkani në BE si rajon i tërë (09.29.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]