E Martë, 04.16.2024, 02:09pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 

Tanja Fajon: Vizat, të nisë dialogu me Kosovën


E Mërkurë, 10.07.2009, 01:30pm (GMT+1)

 

"Aktualisht, Kosova nuk është fare e përfshirë në proces, duke e lënë atë si një vrimë të zezë në Ballkanin Perëndimor. Kërkoj që të mos bëhen dallime mes njerëzve pavarësisht se ku jetojnë", tha Tanja Fajon, europarlamentare, raportuese për liberalizimin e vizave.

RADIO EVROPA E LIRË: Zonja Fajon, nga pikëpamja proceduriale, ku gjendet procesi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, pas takimit të djeshëm?
TANJA FAJON: Së pari më duhet të them se jam e kënaqur me mbështetjen e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë. Kjo mbështetje shkon në drejtimin që synon dhe raporti që po hartoj, sipas të cilit Shqipëria dhe Bosnja do të mund t'u bashkëngjiten vendeve të së ashtuquajturës listë e bardhë e Shengenit.

Kjo do të thotë se në momentin që Komisioni Evropian do të vlerësojë pozitivisht përmbushjen e kritereve nga këto dy vende, atëherë do të kemi dhe heqjen e vizave për qytetarët e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË: Çfarë mund të thoni për Kosovën? Çfarë propozoni ju lidhur me Kosovën për procesin e liberalizimit të vizave?
TANJA FAJON: Së pari dua të them se Parlamenti Evropian në përgjithësi dhe unë personalisht duam ta çojmë përpara procesin e udhëtimit të lirshëm e pa viza të qytetarëve të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Në raportin që po përgatis, kërkoj që të fillojmë pa humbur kohë për të gjetur mënyrat se si do të përfshihet Kosova në procesin e liberalizimit të vizave.

Aktualisht, Kosova nuk është fare e përfshirë në proces, duke e lënë atë si një vrimë të zezë në Ballkanin Perëndimor. Personalisht kërkoj që të mos bëhen dallime mes njerëzve, pavarësisht se ku jetojnë.

Në parim, synojmë që të marrim mbështetje të fuqishme për idenë që Komisioni Evropian të fillojë dialogun me Kosovën, për të hartuar udhërrëfyesin për procesin e liberalizimit të vizave dhe me Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË: A mendoni se do ta keni mbështetjen e nevojshme për propozimin tuaj rreth Kosovës?
TANJA FAJON: Besoj se ekziston një atmosferë pozitive ndaj Kosovës në Parlamentin Evropian. Mendimi është se Kosova nuk duhet të izolohet, ndaj pres që të kemi mbështetje të mirë.

Kosova është një çështje shumë delikate, kur dihet se 22 shtete të BE-së e kanë njohur, por pesë vende ende jo. Unë kërkoj të hartohet një dokument, ku nuk paragjykohet statusi i Kosovës. Varianti që po përgatisim, respekton qëndrimet e vendeve anëtare.

RADIO EVROPA E LIRË: Në çfarë shkalle po ndikon politika në procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën? A mund të thuhet se liberalizimi i vizave është një tjetër fushë, ku kundërshtarët e pavarësisë po tregojnë muskujt?
TANJA FAJON: Nuk do të thosha se po tregojnë muskujt. Ekziston një mirëkuptim i përgjithshëm që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të mund të udhëtojnë lirshëm në Bashkimin Evropian, në momentin që përmbushen kriteret.

Padyshim, për vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, kjo është çështje delikate dhe ne po përpiqemi t'i kuptojmë shqetësimet e tyre.

Komisioni Evropian ka paraqitur një udhërrëfyes për të ardhmen e Kosovës, ku përfshihet dhe çështja e liberalizimit të vizave. Besoj se Kosova nuk do të lihet mënjanë.

RADIO EVROPA E LIRË: A mund të jepni një parashikim se kur do të mund të jetë Kosova pjesë e procesit të liberalizimit të vizave?
TANJA FAJON: Nuk mund të them asgjë, pasi është Komisioni Evropian që harton udhërrëfyesin dhe varion nga njëri vend tek tjetri. Nga ana tjetër, duhet të kemi një vullnet të qartë politik edhe në Këshill.

Përparësi për momentin është heqja e vizave për qytetarët e Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi, vende që po punojnë në përmbushjen e kritereve.

Pas tyre kemi Shqipërinë dhe Bosnjën, që, për fat të keq, mbetën jashtë propozimit të qershorit të Komisionit Evropian. Shpresoj që këto vende të vazhdojnë rrugën e mbarë të javëve të fundit në përmbushjen e kushteve, në mënyrë që të përfshihen në listën e bardhë sa më parë të jetë e mundur.

Paralelisht, duhet të shohim rrugët për përfshirjen e Kosovës në proces.

RADIO EVROPA E LIRË: A mendoni se lënia mënjanë e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave do të dëmtojë në ndonjë mënyrë misionin evropian në terren?
TANJA FAJON: Nuk mendoj se mund ta dëmtojë, pasi njerëzit që jetojnë në Kosovë, janë të vetëdijshëm për problemet politike, ashtu siç e dinë se shumica e vendeve anëtare të BE-së e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Qytetarët e dinë se perspektiva evropiane është ajo e duhura dhe kjo përfshin edhe heqjen e vizave.

RADIO EVROPA E LIRË: Kontrolli i kufijve është një nga kushtet për heqjen e vizave. A mendoni se nënshkrimi i protokollit EULEX-Beograd ndihmoi Serbinë për të përmbushur kushtin e kontrollit të kufijve, e për pasojë dhe një nga kushtet për heqjen e vizave?
TANJA FAJON: Besoj se nëse Serbia po e përmbush kushtin për kontrollin e kufijve dhe nëse bashkëpunimi me EULEX-in është provuar pozitiv, e mirëpres nënshkrimin e protokollit. Por, fjala e fundit i mbetet Komisionit Evropian për të parë përmbushjen e kritereve.

Le të presim e të shpresojmë që të kemi dhe një udhërrëfyes të qartë për Kosovën. Besoj se ekzistojnë mundësitë për të përfshirë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

RADIO EVROPA E LIRË: E kuptoj që nuk dëshironi të flisni për afate, por duke qenë se njerëzit janë shumë të interesuar të dinë, sipas gjykimit tuaj, kur do të mund t'i përmbushë Shqipëria kriteret dhe kur do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen qytetarët e këtij vendi?
TANJA FAJON: Mund të them se lajmi i mirë është se Shqipëria filloi përmbushjen e kritereve shumë shpejt pas zgjedhjeve. Gjatë dy muajve të fundit janë lëshuar më shumë se 150 mijë pasaporta biometrike. Më duhet të them se mbetet ende shumë për të bërë.

Ndonëse është e vështirë të japim afate, koha kur do të jenë në gjendje qytetarët të udhëtojnë lirshëm, varet nga politikanët që t'i përmbushin kriteret e përcaktuara.

Do të veçoja në mesin e kritereve luftën kundër korrupsionit, mashtrimeve financiare, kontrollin e kufijve dhe çështjet që kanë të bëjnë me pakicat.

Komisioni Evropian do të bëjë vlerësimin e përmbushjes së kritereve në fillim të vitit tjetër. Shpresoj që procesi do të ecë shpejt nga ana e Parlamentit Evropian, në mënyrë që të mos humbim sërish kohë për të riparë legjislacionin, nëse Komisioni Evropian jep vlerësim pozitiv. (http://www.evropaelire.org)

 

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Universiteti i lirive të miaNga SALI BERISHA (10.07.2009)
Muri i Berlinit dhe letërsia që di unëNga Visar ZHITI (10.03.2009)
Zjarri në manastirin Bigorski, digjen fakte shqiptare (10.02.2009)
ANSA: Në Fushë Kosovë u helmuan vajza të moshës 14 deri 16 vjeçare (10.02.2009)
Përse u arrestua Roman Polanski tani ?Nga Robert Harris, Kingsbury, England (10.01.2009)
Qeveria dhe Enciklopedia i helmuan të rinjtë (10.01.2009)
Busek: Njohjet e reja varen shumë nga vendimi i GJNDsë (09.30.2009)
Hyseni: Iraku e Mariutania premtojnë njohjen e Kosovës (09.30.2009)
Shqiptarët në Maqedoni protestojnë kundër enciklopedisë (09.29.2009)
Greqi: Maqedonia shtrembëron historinë (09.29.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]