VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

A mund ta ndalë Perëndimi copëtimin e Bosnjës?

Nga Nedim Dervishbegoviq


E Premte, 10.09.2009, 11:21am (GMT1)

 

Situata në Bosnje është acaruar dukshëm nga incidentet ndëretnike dhe qëndrimet e politikanëve. Perëndimi shihet si e vetmja mundësi që vendi të shmangë një konflikt të ri.


Ndërsa perëndimorët po bisedojnë me liderët e Bosnjës, situata në këtë vend vazhdon të jetë gjithnjë e më e tensionuar.

Shumica brenda Bosnjës thonë se Perëndimi mund të jetë i vetmi faktor që të qëndrojë ndërmjet vendit jostabil dhe luftës së re.

Vrasja e një të riu më 4 tetor, në përleshjen e dhunshme ndërmjet policisë dhe tifozëve të klubit rival, i ka ngritur tensionet në këtë vend me siguri të brishtë.
Forumet e internetit janë mbushur përplot gjuhë të urrejtjes dhe grupet e ndryshme flasin për një konflikt të ri.

Për ata që druajnë nga epilogu i tillë, shpresat varen te komuniteti ndërkombëtar, i cili duhet të veprojë shpejt dhe me vendosmëri.

Dhuna me motive etnike nuk është gjë e rrallë në Bosnje, por incidenti i së dielës, ku një boshnjak 24-vjeçar, nga Sarajeva, e humbi jetën gjatë përleshjes me kroatët e Bosnjës në qytetin Shiroki Brijeg, ishte ngjarja më e rëndë në afro një dekadë.

Kjo, gjithashtu, ndodhi pas një krize të gjatë politike, në të cilën serbët e Bosnjës po i sfidojnë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare, 14 vjet pas përfundimi të luftës.

Bashkimi Evropian dëshiron që Bosnja të tregojë se mund të qeverisë vendin pa ndihmën e të huajve, në mënyrë që të ecë drejt BE-së dhe NATO-s.

Sreçko Latal, analist nga Sarajeva, thotë se politika është bërë çështje personale.

"Kjo mund të lërë të kuptohet se për herë të parë, pas disa vjetësh, tensionet dhe animozitetet që deri tash ishin kryesisht karakteristikë e skenës politike, më në fund kanë filluar t'i prekin njerëzit e thjeshtë", thotë Latal.

Ai pohon se gjendjen e përkeqësojnë edhe përpjekjet e pasuksesshme të Perëndimit për t'u larguar nga Bosnja, por edhe pozicionimet e liderëve nacionalistë, si kryeministri i entitetit serb, Millorad Dodik, dhe Haris Silaxhiq, anëtar boshnjak i Presidencës.

Analisti Marko Prelec, drejtor për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, nuk është i bindur se Perëndimi mund të ofrojë zgjidhje të shpejta.

"Konferenca e 9 tetorit duket se është vetëm një reagim ndaj krizës në Bosnje. Unë dyshoj se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të kenë zgjidhje gjithëpërfshirëse për problemet themelore të Bosnjës, sepse zgjidhja është shumë e vështirë për t'u gjetur. Madje, edhe nëse gjendet zgjidhja, nuk është e qartë se si do ta pranojnë liderët nacionalë", thekson Prelec.

Ai pohon se Perëndimi duhet t'i shmangë çështjet që mund t'i acarojnë edhe më tepër. Në vend të kësaj, thotë ai, Perëndimi duhet të fokusohet në gjërat, për të cilat të gjithë qytetarët e Bosnjës mund të bien dakord. (http://www.evropaelire.org)
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.