VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Evropa e Lirë: Obama fitues i çmimit Nobel për Paqe
E Premte, 10.09.2009, 05:46pm (GMT1)

 

Vetëm dhjetë muaj pas mbërritjes në Shtëpinë e Bardhë, Barak Obama ka fituar çmimin Nobel për Paqe. Çmimi u dha për përpjekjet e jashtëzakonshme të presidentit, në reduktimin e armëve të shkatërrimit në masë dhe nxitjes së paqes në Lindjen e Mesme.


"Komiteti Norvegjez i çmimit Nobel për Paqe vendosi t'ia japë Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2009 presidentit Barak Obama për përpjekjet e tij të jashtëzakonshme në forcimin e diplomacisë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin mes popujve", tha Thorbjorn Jagland.

Çmimi iu dha presidentit amerikan për përpjekjet e tij të jashtëzakonshme, veçanërisht në fushën e reduktimit të armëve të shkatërrimit në masë, luftës kundër ndryshimeve klimatike dhe nxitjes së paqes në Lindjen e Mesme.

Jagland nënvizoi faktin se Obama ndan të njëjtat vlera si shumica e njerëzve në botë.

"Shumë rrallë mund të ndodhë që një njeri të tërheqë vëmendjen e botës dhe të ofrojë shpresë në shkallë kaq të madhe sa Obama. Diplomacia e tij është ngritur mbi konceptin se ata që duan të drejtojnë botën, duhet ta bëjnë një gjë të tillë bazuar mbi vlerat dhe qasjet e shumicës së njerëzve në botë", vlerësoi Jagland.


Komiteti i çmimit Nobel nënvizoi faktin se Obama ka krijuar një atmosferë të re në marrëdhëniet diplomatike, duke i krijuar mundësi dialogut për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në botë.

Tashmë duket se është bërë praktikë e Komitetit të çmimit Nobel për Paqe që ai t'u jepet njerëzve që aktualisht janë të përfshirë në procesin e paqes, më shumë se sa për arritjet në të shkuarën.

 


Sipas Jaglandit, Obama është zëdhënësi kryesor i botës.

"Për 108 vjet, Komiteti Norvegjez i Nobelit ka synuar të nxisë pikërisht këtë politikë ndërkombëtare e këto qasje, për të cilat Obama është kthyer në zëdhënësin kryesor të botës. Komiteti mbështet thirrjen e Obamës se tani është koha për të gjithë ne që t'i marrim përgjegjësitë tona për përgjigje globale ndaj sfidave globale", theksoi Jagland.

Obama është presidenti i tretë amerikan në detyrë dhe i katërti në mesin e krerëve të Shtëpisë së Bardhë që nderohet me çmimin Nobel për Paqe.

Në vitin 1908 ky çmim iu dha Rusveltit, kurse në vitin 1919 e mori presidenti Uillson. Në vitin 2002, ish-presidenti Xhimi Karter u nderua me po këtë çmim.

Obama e fitoi çmimin në mesin e 205 kandidatëve të tjerë. Në mesin e kandidatëve më të mundshëm për këtë çmim ishin përmendur kryeministri aktual i Zimbabvesë, Morgan Çvangirai, disidenti kinez Hu Xhia, aktivisti kolumbian Piedad Kordoba dhe mjekja e aktivistja afgane Sima Samar.

Por, cilat kanë qenë momentet kyçe të jetës së fituesit të çmimit Nobel për Paqe?

Barak Husein Obama, 48-vjeçar, është presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara.

Ai diplomoi në Shkencat Politike në Universitetin Kolumbia, në Nju Jork dhe doktoroi në Shkencat Juridike në Harvard. Në vitet 1992-1995 ishte avokat dhe ligjërues i Të Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Çikagos.

Anëtar i Senatit të shtetit Illinois u zgjodh në vitin 1996, ndërsa në vitin 2004 u zgjodh anëtar i Senatit të Shteteve të Bashkuara.

Në vitin 2005, revista "Time" e radhiti në mesin e 100 personave më me ndikim në botë. Në shkurt, 2007, Obama shpalli se do të kandidohet për president të Shteteve të Bashkuara.

Obama është i martuar, kurse e shoqja, Mishel, është avokate. Ata kanë dy vajza, Malia dhe Sasha.

Zyrtarisht, Obama do ta marrë çmimin në ceremoninë e paraparë të mbahet më 10 dhjetor, në Oslo. Çmimi ka një vlerë prej 1.4 milion dollarësh.

(http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.