VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DW: Obama fiton Çmimin Nobel për Paqe
E Shtunë, 10.10.2009, 08:33am (GMT1)

 

 

Presidenti Barack Obama

 

Presidenti amerikan Barack Obama shpallet nobelist i paqes për vitin 2009. Obama nderohet për përpjekjet e tij për forcimin e diplomacisë dhe angazhimin për një botë pa armë atomike.

 

"Barack Obama nderohet me Çmimin Nobel për Paqen për përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për të forcuar diplomacinë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin mes popujve" - kështu u shpreh në Oslo kryetari i Komitetit të Çmimit Nobel për Paqen, Thorbjërn Jagland. Në mënyrë të veçantë nderohet angazhimi i Obamës për një botë pa armë atomike.

 

 

Obama në Pragë duke folur pë një botë pa armë bëthamore

 

Si president Obama ka krijuar një atmosferë të re në politikën ndërkombëtare - thuhet në argumentimin e Komitetit të Çmimit Nobel për Paqen. Diplomacia shumëpalëshe dhe rëndësia e OKB-së dhe e organizatave të tjera ndërkombëtare janë sërish në qendër të vëmendjes. Madje dialogu dhe bisedimet shihen si instrumenta të preferuara edhe për zgjidhjen e konflikteve më të vështira ndërkombëtare. Nën drejtimin e Obamës SHBA po lun një rol konstruktiv edhe në politikën për klimën - sqarohet më tej në argumentim.

"Rallëkush ka tërhequr dhe fituar aq shumë sa Obama vëmendjen e botës dhe i ka dhënë popullit të vet shpresë për një të ardhme më të mirë," - thuhet në argumentimin e Komitetit të Çmimit Nobel për Paqen.

"Diplomacia e tij bazohet në përfytyrimin se ata që duhet të drejtojnë botën, duhet ta bëjnë këtë mbi bazën e atyre vlerave dhe përfytyrimeve që janë të përbashkëta për shumicën e popullsisë së botës." - vazhdon argumentimi. Pikërisht këto janë edhe pozicionet për të cilat angazhohet që prej 108 vjetësh edhe Komiteti i Çmimit Nobel për Paqen.

Çmimi Nobel për Paqen dorëzohet që prej vitit 1901 në kryeqytetin e Norvegjisë Oslo më datën 10 dhjetor, ditën e vdekjes së Alfred Nobel-it. Ky çmim shoqërohet me dhjetë milionë korona suedeze (rreth 972.000 euro). (http://www.dwelle.de)
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.