E Premte, 04.19.2024, 02:29am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 

Alfred Papuçiu: Intervistë me Ilir Bytyqin, kandidatin e PDK për kryetar komune në Gjakovë

Ilir Bytyqi: Hyra në këtë garë me vetëdijën e thellë se Gjakova është në udhëkryq


E Shtunë, 10.10.2009, 02:27pm (GMT+1)

 

 

                   Ilir Bytyqi

   

Inxhinier i hidroteknikës, i specializuar më pas në Zvicër në programin njëvjeçar të "Haute Ecole de Gestion" në Marketing e Drejtim Ndërrmarrje. Një fëmijëri dhe rini e kaluar në protesta, aksione dhe luftë për çlirimin e Kosovës. Një nga udhëheqësit dhe financuesit kryesorë të këshillit të aksionit të Pajtimit të Gjaqeve, në krah të Anton Çetës që nga viti 1989 e në të njëjtën kohë, një nga organizatorët e aksionit  "Familja ndihmon familjen". Anëtar i qeverisë komunale paralele të Gjakovës (1991-1993), pas masave të dhunshme të pushtetit serb për përjashtimin e saj nga kuvendi komunal. Krijues i grupeve të para të djemve të ushtruar e njëkohësisht i angazhuar me organizimin e gjithë jetës në Gjakovën e atyre viteve. Anëtar i shtabit komunal deri në vitin 1993, kur u detyrua të largohet, i përndjekur nga policia sekrete serbe, nga e cila u dënua në mungesë. Në Shqipëri u angazhua në përfaqësinë e Kosovës në Tiranë, deri në vitin 1995, e më pas, në Zvicër, ku e vazhdoi aktivitetin e tij humanitar në shërbim të Atdheut me të njëjtin intensitet, së bashku me bashkëshorten e tij, që sot bën pjesë aktive në jetën politike zvicerane.

 

Roli i rëndësishëm i Ilir Bytyqit njihet edhe në kontributin e tij të vazhdueshëm në programet me karakter social e kulturor, sidomos për ngritjen e imazhit të kombit shqiptar në Europë. Anëtar i klubit Kiwanis (Zvicër), bashkëpunëtor aktiv i ASED-it zviceran (Aksioni për Mbrojtjen e Fëmijëve në Nevojë), ProInfirmis-it dhe Zyrës së të deleguarit për të huaj, anëtar i i shoqatës "Opera pa kufij", anëtar i komitetit drejtues të fondacionit "Bedri Dedja gjithmonë për gjeneratat e së ardhmes". Si organizator i shumë koncerteve humanitare apo koordinator i projekteve të ndryshme me organizatat e huaja për ndërtimin e qendrave të fëmijëve hendikapatë në zona të ndryshme të Shqipërisë, Ilir Bytyqi është gjithnjë i gatshëm për t'u ndodhur atje ku ka më shumë  nevojë, që t'u kthejë buzëqeshjen atyre që kanë trishtimin në sy dhe që për një kohë të gjatë kanë përjetuar harresën dhe indiferencën e shoqësirë shqiptare të pasdiktaturave.


Pyetje: Cili është profili juaj?

 

Ilir Bytyqi: Jam një qytetar si ju, si shumë të tjerë. Jam një qytetar që nuk dorëzohem. Jam një qytetar që nuk mund të pranoj se vendi im duhet të vazhdojë të përjetojë pasojat e luftërave, rrebesheve dhe padrejtësive shumë shekullore që i rezervoi historia. Jam një qytetar që besoj në të ardhmen, në vullnetin e mirë të njerëzve për të ndryshuar së bashku. Jam një bir i Gjakovës e Kosovës. Jetoj me dhimbjet e gëzimet e tyre.   

 

Pyetje: Jeni shumë mirë i integruar në Zvicër. Çfarë ju shtyu të përfshiheni në jetën politike të Kosovës dhe të garoni për kryetar të Komunës në Gjakovë ?

 

Ilir Bytyqi: Unë nuk u ktheva në Gjakovë për t'u ngjitur në një karrige. Unë hyra në këtë garë të vështirë me vetëdijen e thellë se Gjakova është në një udhëkryq. Nuk do të isha larguar nga familja ime e fëmijët e mi nëse gjëndja e Gjakovës do të ishte normale, në rast se nuk do të ishte në këtë situatë të rëndë ekonomike e në rast se nuk do të ishte e kërcënuar nga shumë fenomene të tjera negative si papunësia, varfëria, asfiksia.

 

Jam në garë për të gjitha këto arsye dhe jam në garë sepse gjatë gjithë udhëtimit të jetës time kam ndjesinë e fortë të një misioni qytetar. Unë nuk jam rikthyer në Gjakovë si politikan: unë jam rikthyer si një qytetar në mision dhe ky mision nuk është sfida ime personale, por sfida e qytetit tim.

 

Nuk mendoj se përbën surprizë fakti që unë nuk kam qenë i angazhuar me parti politike në të shkuarën. Përkundrazi, deri para pak kohësh kam qënë i përqëndruar në punën time si dhe në kontributin ndaj shoqërisë shqiptare nëpërmejet diasporës. Angazhimi im me PDK-në lidhet drejpërsëdrejti me projektet e ardhme të kësaj partie për Gjakovën dhe mbarë Kosovën.

 

E vërteta është se unë u afrova tek PDK me një sens ndrojtje nga e panjohura e politikave të brendshme të saj dhe me nje thes me paragjykime. Por brenda PDK-së gjeta një atmosferë tjetër: gjeta një armatë njerëzish të përkushtuar, një parti dinamike e moderne, ku flitet hapur e dëgjohesh, pavarësisht në se je një kontribues prej vitesh apo një i porsaardhur. Një parti ku anëtarët dhe themeluesit e saj që prej vitesh, nuk ngurojnë të të japin dorën e të ndihmojnë për të ecur përpara. Për mendimin tim, PDK nuk është një parti që u përket individëve e që drejtohet me një grusht të hekurt e pa te drejtë fjale. Ajo është një parti e hapur, ku jo vetem vlerësohet, por madje inkurajohet debati dhe mendimet ndryshe. Për më tepër, PDK-ja, me sa kam mundur ta konstatoj gjatë kësaj kohe, nuk i përket llojit të partive që drejtohen nga udhëheqes të papërgjegjshëm që mashtrojnë popullin. Ajo është një parti e përgjegjshme ndaj antarëve dhe elektoratit të saj ashtu si dhe ndaj vëndit.

 

Pyetje:  Nga takimet me përkrahësit tuaj a keni arritur të kuptoni cilat janë mangësitë kryesore të kryetarit aktual të Gjakovës dhe si mendoni ju ta ndërtoni punën tuaj pasi të keni marrë votat e gjakovarëve?

 

Ilir Bytyqi: Mendoj se zoti Pal Leka është një njeri që ka dhënë një kontribut të mirë për qytetin e Gjakovës dhe një gjë të tillë e konsideroj pozitive. Kam përshtypjen, po ashtu, se bën pjesë në ata kuadro që këtë punë e kanë bërë gjithmonë me entuziazëm. Gjërat negative nuk më pëlqen t'i përmend, mbasi jemi në kohë fushate. Unë jam i parimit që duhet të ruajmë një etikë politike. Këtu, ne kandidatët nuk duhet të bëjmë një garë thjeshtë personale, por duhet të krahasojmë idetë tona, eksperiencën si dhe kontributin tonë në shërbim të shoqërisë shqiptare. Mbase rrethanat politike kanë qenë të tilla, që nuk i kanë dhënë kryetarit të mëparshëm ato shanse për të dhënë një kontribut edhe më të madh për komunën e Gjakovës.

 

Takimet dhe bashkëbisedimet me njerëzit në Gjakovë gjatë këtyre ditëve, me antarët dhe simpatizantët e PDK-së, me pleq e të rinj, me studentë e nxënës shkollash, me artistë e sportistë, me punëtorë e tregëtarë biznesesh të ndryshme, me fshatarë e punonjës socialë, arsimtarë e intelektuialë, janë një përvojë e jashtëzakonshme për mua. Gjeja më e bukur që kam mundur të shoh këto ditë takimesh të panumërta ka qënë entuziazmi. Edhe pse i kam ruajtur gjithnjë lidhjet me qytetin tim të lindjes, kjo fushatë më ndihmoi t'i forcoj edhe më tej ato, t'i njoh nga afër brezat më të rinj, kërkesat, dëshirat dhe ëndrrat e tyre, te njoh nga afër një qytet që merr frymë, që aspiron, por nga ana tjetër që vuan nga lënia pas dore, të dalloj nga afër nevojat më urgjente të tij, të mendoj se nga duhet filluar ndryshimi dhe çfarë duhet të bëjë shteti për këtë qëndër të kulturës e qytetarisë së vjetër kosovare. E shoh se njerëzit, në më të shumtën e rasteve më kuptojnë, inkurajojnë e përkrahin, me shpresën që inisiativat që do të ndërrmarrim do t'i çojmë së bashku deri në fund. Unë do të angazhohem t'i çoj përpara aspiratat e tyre dhe do të luftoj që të merren vendime të mënçura për zhvillimin e mëtejshëm të Gjakovës. 


 

Pyetje:  Cilat janë problemet kryesore me të cilat ndeshet sot në përditshmërinë e saj Gjakova: Dhe çfarë mund të bëni ju për t'i zgjidhur ato?

 

 

Ilir Bytyqi: Problemet e shumta në komunën e Gjakovës lidhen me varfërinë dhe nevojën për ta luftuar atë. Pra, ne do të synojmë një politikë të re për arsimin, shëndetësinë, mjedisin, turizmin, kohezionin social dhe territorial të vëndit, duke kaluar nga rritja ekonomike varfëruese për një pjesë të madhe të njerëzve, në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, që garanton akses të barabartë për të gjithë.

 

Kryesore është papunësia, të cilin do të doja ta shtjelloja në mënyrë të veçantë e më gjatë një herë tjetër, por nuk duhet të mbyllim sytë edhe ndaj një fenomeni tjetër që ka të bëjë me fshatrat e komunës tonë. Jam dëshmitar i varfërisë së tejskajshme të shumë fshatrave të Malësisë së Gjakoves. Duke rrugëtuar në këmbë përgjatë tyre kam bashkëbiseduar për hallet dhe problemet që shqetësojnë banorët e këtyre zonave dhe duke e parë këtë problem si një nga prioritetet e programit tonë, kam garantuar për vullnetin që ka PDK për të ndryshuar këtë gjendje. Do të startojmë, me mundesitë tona edhe në bujqësi, ku kemi mijra hektarë tokë të pa shfytezuar. Si komunë, me ndihmën e Ministrisë së Bujqësisë, do të mund të stimulonim  fillimisht fermerët e vegjel.

Duke u kthyer përsëri në Gjakovë e pikërisht në plagën e saj kryesore - papunësinë, mendoj se një nga mundësitë për zbutjen e saj do të ishte fillimisht ativizimi i Fabrikës së JATEX-it, e cila disponon  të gjitha paisjet për punë, si në konfeksionin e lehtë, ashtu edhe trikotazh. Në këtë fabrikë mund të punësohen deri në 300 punëtorë. Po ashtu, një nga përparësitë e programit tonë do të ishte edhe aktivizimi  me forcat tona i  fabrikës së lëngjeve, duke stimuluar në të njëjtën kohë edhe prodhuesit e vegjël të kultivimit të produkteve frutore. Ndersa për fabrikat  e tjera, për të cilat nuk kemi mundësi aktivizimi, ne do të krijojmë zyren e kontaktit dhe me lidhjet që unë kam mundur t'i krijoj në Zvicër, do të përpiqemi të  tërheqim investitorë të fuqishëm nga jashtë, për tu futur në partneritet me firmat e tyre. Por që të bëhet e mundur një gjë e tillë, përpara së gjithash, ne duhet tu garantojmë sigurinë e një qyteti europian: sigurinë fizike dhe garancinë e investimeve të tyre, pra sigurinë materiale, që për momentin, unë mendoj se Gjakova  nuk i ka. 

 

Një tjetër projekt kapital për Gjakovën është edhe ndërtimi i hidrocentralit në Ponoshec, i cili do të shërbejë për ujitjen dhe prodhimin e energjisë. Dhe për të shfrytëzuar mundësitë natyrore si dhe 275 ditët me diell në vit, unë kam kontaktuar një kompani gjermane që bën vendosjen e paneleve diellore, për të parë mundësitë e shtrirjes së saj në Gjakovë. Lidhur me energjitikën, është edhe një investim tjetër kapital, në bisedime me palën zvicerane, i cili garanton ndërtimin e një fabrike shumë moderne, atë të grumbullimit dhe reciklimit të mbeturinave dhe transformimit të tyre në energji gjithmonë, për të ruajtur e respektuar maksimalisht ambjentin. Nga ana tjetër, në këtë ndërmarrje mund të punësohen shumë veta e ndër ta edhe 20 inxhinierë. Njëkohësisht, ka edhe projekte e propozime  për aeroportin dhe hekurudhën e Gjakovës si dhe shumë mundësi shfrytëzimi  për industrinë, tashmë të lënë pas dore, për të cilat kam biseduar me kryetarin e shoqatës së investitorëve Zvicër-Shqipëri, industrialistin e njohur zviceran R. Alther. Ai ka premtuar se do të vijë vetë për një vizitë në Gjakovë, për të parë nga afër mundësitë e tërheqjes së kompanive të mëdha atje. Detajet më të hollësishme të projekteve të mia, do t'i shpalos më vonë, për të mos e rënduar këtë intervistë me shifra e fakte.

 

 

 

Pyetje: Kryetari aktual i Komunës së Gjakovës nuk e zgjidhit dot problemin e ndërtimit të egrave në qytet, madje kjo dukuri i thellua këto vite. Ju çfarë zgjidhjeje parapëlqeni, legalizimin apo rrënimin e këtyre ndërtimeve?

 

Ilir Bytyqi: Ndërtimet e egra janë një fenomen tipik i shoqërisë së tranzicionit po ashtu, një gangrenë e shfrytëzimit të arkitekturës së një qyteti.

 

Ekzistenca e ndërtimeve të egra pas luftës, përpara se të jetë përgjegjësi e qytetarit që i ka bërë, reflekton, do të thoja unë, mangësitë në administrimin e territorit nga autoriteti komunal. Politika që mendon " T'i lejojmë të bëjnë çfarë të duan e më vonë e shohim.." është e dëmshme si për shtetin, ashtu edhe për qytetarin. Nëqoftëse do ta drejtoj në të ardhmen komunën e Gjakovës, për mua do të jetë një prioritet studimi i çdo projekti ndërtimi në të ardhmen si dhe orientimi për qytetarët që t'i zbatojnë projektet e tyre, duke u mbështetur në planin urbanistik të komunes. Përsa i përket ndertimeve të egra ekzistuese, këshilli bashkiak duhet të vendosë kriteret dhe administrata komunale do të bëjë shqyrtimin për të marrë vendime për çdo rast. 

 

Politika dhe programi im në këtë fushë do te mbeshtetet ne 3 akse kryesore:

-          Në rradhë të parë, te ruhet arkitektura antike që lidhet me historinë dhe trashëgiminë kulturore të Gjakoves. 

-          Së dyti, ndërtimet e reja duhet të përmbushin disa kritere të arkitekturës si siguria, parimet ekologjike si dhe gjelbërimin e ambientit përreth godinave.

-          Së treti, nëpermjet rregullave urbane e duke përmbushur standartet europiane, komuna e Gjakovës duhet të luajë rolin e rregullatorit të parametrave të mësiperme dhe per ato ente qe nuk zbatojnë rregullat,  do te vendoset sistemi i gjobave.

 

Ndersa per ndertimet pa leje të mëparshme, mendoj se duhet të studjohen "case by case", ne funksion te ruajtjes së ekuilibirit. Pasi dhe njerëzit që kanë ndërtuar, nuk mund të hidhen në rrugë.

 

Për mendimin tim,  nuk duhet t'i shohim rrethinat e Gjakovës e problemin e ndërtimeve pa leje si hambare për votat që duhet të mbledhim për fushatën. Asnjë nga personat që ka ndërtuar pa leje s'duhet të mendojë se e ardhmja e ndërtimit të tij, shtëpisë apo dyqanit, varet nga ata që do të zgjidhen kryetarë. Ajo që duhet të mendojmë të gjithë së bashku, është se si do të mundt t'i integrojmë tashmë ato në një jetë urbane, me kanalizime sipas standarteve dhe ambjente publike përreth.

 

Pyetje: Si do t'i trajtoni përvojat pozitive dhe projektet e nisura nga kreu aktual i Komunës së Gjakovës?

 

Ilir Bytyqi: Kjo është një pyetje që kërkon një seancë të veçantë. Sigurisht që projekteve në vazhdim do tu jepet përkrahja e nevojshme dhe mundësia për përmirësime. Çdo projekt i filluar është një angazhim i madh i burimeve njerëzore si dhe shumë para të hedhura në të. Projektet në favor të komunës kanë pak të bëjnë me ngjyrat politike të kryesisë së saj. Çdo projekt që i përgjigjet nevojave dhe mundësive reale të komunës do të duhet të vazhdohet dhe të perfundohet sa më shpejt. Me stafin e përgatitur që po mundohemi të mbledhim rreth vetes, jam i bindur që çdo punë e lënë përgjysmë do te marrë drejtimin e duhur, në funksion të objektivit tonë kryesor që i shërben zhvillimit të Komunës dhe mirëqënies së përgjithshme të qytetarëve.

 

Pyetje: A mund të na flisni për përparësitë tuaja menjëherë pasi të jeni votuar?

 

Ilir Bytyqi: Pa përsëritur, po shtoj edhe disa pika të tjera që nuk i përmënda pak më parë:

shëndeti i qytetarëve, cilësia, siguria dhe standarti i shërbimeve mjekësore, edukimi, ndihma sociale e familjeve në nevojë, e jetimëve, fëmijëve handikapatë e pleqve pa përkrahje, e familjeve të dëshmorëve të Luftës, përkrahja e biznesit të vogël, bursa studimi për jashtë shtetit për studentët dhe nxënësit më të mirë të komunës, zhvillimin më të madh të jetës kulturore, mundësinë e hapjes së një Universiteti me patentë të huaj në Gjakovë, organizimin e kurseve të perfeksionimit të vazhdueshëm e të pandërprerë profesional, angazhimin sa më të gjërë të gruas në jetën sociale e politike, etj.

Me projektet që kemi, mendoj se do të hedhim hapat drejt një kohezioni të ri social, gjë që do ta ngrejë Gjakovën në standartet e larta të qytetërimit europian.

 

Pyetje: A është e vetëdijshme PDK-ja për sfidat e veçanta që e presin në kuadrin e krizës ekonomike, vështirësive të trashëguara të tranzicionit e tjerë?

 

Ilir Bytyqi: Kriza ekonomike ka përfshirë shumë kategori sociale dhe duke qënë një nga pikat kryesore të programit tonë, synimet do të konkretizohen fillimisht me projekte të përballueshme nga financat komunale, duke bërë çfarë është e mundur për të seleksionuar projektet që ofrojnë shumë, me investime të vogla.

 

Së dyti, duke kërkuar mbështetje nga qeveria dhe partnerët ndërkombëtarë të saj në Komunitetin Europian, me të cilët mund të ngremë një program të veçantë me projekte paralele që përfshijnë kategoritë sociale të pambrojtura si familjet pa të ardhura të mjaftueshme, fëmijët jetimë, handikapatët, pleqtë e pambrojtur, gratë e dhunuara, etj. Në këtë drejtim, eksperienca ime më ka ndihmuar të lidhem me organizmat ndërkombëtare kryesore të këtyre fushave si Kiwanis, ASED, etj., të cilët do të përpiqem t'i tërheq edhe në Kosovë.

 

Pyetje: Bizneset ndërkohë presin një politikë të re ndaj tyre....

 

Ilir Bytyqi: Prioriteti im do të jetë biznesi i vogël, apo familjar, natyrisht pa harruar bizneset më të fuqishme që do të gjejnë në komunë një partner, i cili do të bëjë gjithçka që është e mundur brënda kompetencave të tij për të përshpejtuar dialogun administrativ. Fusha ku komuna mund të nderhyjë janë promovimi bizneseve, rregullimi dhe gjelbërimi i zonave perreth bizneseve (sheshet, rrugët), tenderat komunalë, masa stimuluese për biznese që punësojnë të rinj pa eksperiencë ose raste sociale etj.

 

Pyetje: Nga do ta nisnit punën sapo të keni ardhur në detyrë?

 

Ilir Bytyqi: Dy muajt e parë do të më sherbejnë për njohjen me thellësi të problemeve të adminsitratës komunale të Gjakovës dhe të mirëfunksionimit të saj në sherbim të qytetarit. Kjo kohë do të më shërbejë po ashtu për përshtatjen e projekteve që mbartin programin tim, për të cilin kanë votuar qytetarët e Gjakovës.

 

Pyetje: Si do ta ndërtoni buxhetin e Komunës për t'i realizuar synimet tuaja?

 

Ilir Bytyqi: Ambicioni im për Gjakovën, si ai i gjithë bashkëqytetarëve të mij  eshte i madh, dhe të hyrat natyrisht që janë më mbrapa. Aftësia e administratës se re do të matet me shfrytëzimin optimal (sa më të mirë) të mjeteve ekzistuese në favor të ngritjes së mirëqënies së gjakovarëve  dhe zhvillimit afatgjatë të qytetit. Por edhe këtu, kam dëshirë të ndalem në dy aspekte:

-         Së pari, të ardhurat nga taksat lokale kanë mundësi të shtohen po të vendoset një sistem fiskal i drejtë që të pranohet dhe respektohet nga të gjithë aktorët.

-         Së dyti, çdo referim në këtë fushë do të bëhet me konsultimin e të gjithë partnerëve: biznesin lokal, shtetin, grupin e ekspertëve, grupin që përfaqëson interesat e banorëve te thjeshtë si dhe eksperiencat e suksesshme nga vëndet e tjera.

 

Pyetje: Në shkëmbim të votës së qytetarëve të Gjakovës, çfarë ju premtoni atyre?

 

Ilir Bytyqi: Qytetarët e Gjakovës nuk do të votojnë Ilir Bytyqin si individ, por do të votojnë progresin, ndryshimet dhe reformat që unë dhe bashkëpunëtorët e mij mendojmë dhe kemi vullnetin t'i realizojmë. Jam i bindur se secili gjakovar do ta ndjejë përgjegjësinë dhe detyrën ndaj vendit të tij për t'ia dhënë votën jo interesave të ngushta të individëve të caktuar, por së ardhmes së përbashkët.

 

Shpresoj të jem kryetari i ardhshëm i sfidave të mëdha, por edhe ai që është i bindur në punën e përkushtuar për realizimin e te gjitha reformave. Ekipi, të cilin do ta kem pranë vetes në këtë rrugë të vështirë, por të madhe, nuk është krijuar rastësisht; në të jane zgjedhur njerëz, ku te gjitha komunitetet, grupet e interesit dhe vete qytetarët e thjeshtë do të gjejnë më së miri vehten. Parlamenti i ardhshëm do jetë cilësia jonë; një grup ku do të harmonizohen specialistët e të gjitha fushave, që vijnë direkt nga shoqëria civile. Ne do të jetojmë mes qytetarëve të Gjakovës, do të përfaqësojmë interesat e qytetarëve të Gjakovës e do të zgjidhim problemet e qytetarëve të Gjakovës.

 

Nga ana tjetër, vepra më e madhe që u premtoj qytetarëve të Gjakovës është që do të shkoj në Qeveri dhe do të them të vërtetën, edhe kur ajo është e hidhur, edhe kur ajo është e dhimbshme. Sepse besoj që gjëja më e madhe për të cilën kanë nevojë sot njerëzit tanë është që të ketë njerëz që i thonë të vërtetat siç janë..

 

Vepër konkrete do të jetë edhe një bashkëbisedim i vazhdueshëm, një derë e hapur për çdo problem që kanë dhe një njeri, i cili merr përsipër që problemet e tyre t'i ngrejë me forcë.

 

Pyetje: Në përmbyllje të intervistës cila është porosia juaj për votuesit?

 

Ilir Bytyqi: Sigurisht që po. Kam mendimin se suksesi ynë varet vetëm nga përpjekjet e përbashkëta. Nëse duam ta ndryshojmë vërtet këtë vend, kjo do të bëhet e mundur vetëm duke bërë një politikë të jetës, një politikë të njerëzve, një politikë të problemeve konkrete të tyre.

Ka ardhur koha, i dashur gjakovar që edhe ti ta thuash fjalën tënde.

Intervistoi: Alfred Papuçiu

Alfred Papuçiu


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DW: Obama fiton Çmimin Nobel për Paqe (10.10.2009)
BBC: Presidenti Obama fiton Nobelin për paqe (10.10.2009)
Zëri i Amerikës: Presidenti Obama fiton Çmimin Nobel të Paqes për vitin 2009 (10.09.2009)
Evropa e Lirë: Obama fitues i çmimit Nobel për Paqe (10.09.2009)
A mund ta ndalë Perëndimi copëtimin e Bosnjës?Nga Nedim Dervishbegoviq (10.09.2009)
Shqipëria përfundimisht e pastruar nga minat e Serbisë (10.09.2009)
"The Guardian":  Greqia: Ecje spartane (10.08.2009)
Më lejoni të fitoj, nëse nuk fitoj, më lejoni të konkuroj!Nga BAMIR TOPI, Presidenti i Republikës (10.08.2009)
New York Times: Përpjekje për të ndihmuar shërimin e venditNga Dan BILEFSKY (10.07.2009)
Tanja Fajon: Vizat, të nisë dialogu me Kosovën (10.07.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]