VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NJU JORK - PRESIDENTI NISHANI I DORËZOI KONGRESMENIT ELIOT ENGEL DEKORATËN E LARTË 'GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU'
Me motivacion “Në shprehje të mirënjohjes dhe nderimit të thellë për mbështetjen e vendosur për Shqipërinë,shqiptarë

E Djelë, 09.29.2013, 08:09am (GMT1)



Presidenti Bujar Nishani ka nderuar me dekoraten "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" kongresmenin Eliot Engel me motivacion "Në shprehje të mirënjohjes dhe nderimit të thellë për mbështetjen e vendosur për Shqipërinë,shqiptarët dhe veçanërisht për Pavarësinë e Kosovës".

Dekorata eshte dhene gjate takimit organizuar në Nju Jork nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.  Sipas Nishanit, mirënjohja është një virtyt yni shumë i lashtë, trashëguar brez pas brezi.

"Kombi ynë dhe çdo shqiptar i është mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin vendimtar në pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, për shembjen e komunizmit dhe zhvillimin e demokracisë, për anëtarësimin në NATO dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve në rajon. Kongresmeni Eliot Engel është një nga personalitetet, që ka ngritur zërin në mbrojtje të të drejtave legjitime të shqiptarëve dhe ka mbështetur aspiratat e tyre për liri dhe demokraci. Pavarësia e Kosovës ka edhe vulën e kontributit të tij"- ka thene Nishani.

Ai vlerësoi rolin e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan përgjatë 17 viteve në promovimin dhe rritjen e ndjeshmërisë ndaj të drejtave dhe interesave legjitime të shqiptarëve, për paqen, stabilitetin dhe demokracinë në Shqipëri dhe rajonin tonë.

Duke u shprehur se Republika e Shqipërisë ka shkelur në qindvjeçarin e dytë me objektiv strategjik parësor anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Kreu i Shtetit theksoi se vendi ynë pret me të drejtë, bazuar në meritë, të marrë statusin e vendit kandidat në BE.

"Shqipëria ka përmbushur plotësisht dymbëdhjetë rekomandimet e Komisionit Evropian. Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të kësaj fillimvere ishin të standardeve evropiane. Parë në tërësi, procesi zgjedhor, sjellja e politikanëve, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, si edhe periudha kalimtare e qetë e pushtetit, dëshmojnë se klasa politike shqiptare ka  arritur pjekurinë dhe përgjegjshmërinë e nevojshme të një vendi me demokraci funksionale"- tha me tej presidenti.

Presidenti Nishani u ndal gjithashtu në fjalën e tij tek Kosova, shteti më i ri, por i provuar si faktor paqeje e stabiliteti në rajon.
Ai tha gjithashtu se Shqipëria është në favor të zgjidhjes së problemeve ekonomike, kulturore, arsimore, etj., të cilat shqetësojnë shqiptarët në Luginën e Preshevës, në rrugë institucionale, me dialog, ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe qeverisë në Beograd.

"Ne jemi të përkushtuar në politikën e fqinjësisë së mirë dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal. Inkurajojmë shqiptarët, kudo në rajon, të mbështesin konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor dhe integrimin euroatlantik të vendeve ku jetojnë. Shqiptarët do të jenë bashkë në Bashkimin Evropian"-deklaroi Presidenti Nishani në takimin me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.